Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë shumë të mira dhe janë përforcuar nga viti në vit, kjo dhe në kuadër të nismës Open Balkan.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, priti në një takim zyrtar ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut , Kreshnik Bekteshi, ku diskutuan mbi rritjen e bashkëpunimit ekonomik të dy vendeve si dhe lehtësimin e tregtisë.
Te dy ministrat shprehën dakortësinë që të vijohet në lehtësimin e të gjitha procedurave në mënyrë që ti shërbehet më mirë lëvizjes së lirë të njerëzve dhe tregut të përbashkët.
Gjatë këtij takimi, Ministri Bekteshi njoftoi dhe vendimin e qeverisë së tij për celjen e eksporteve, sidomos të vajit të lulediellit, drejt vendit tonë, cka u vlerësua mjaft nga Ministrja Ibrahimaj.
Në kuadër të Open Ballkan ministrat shprehën angazhimet për bashkëpunim edhe në fusha si thithja e investimeve të huaja dhe promovimi i turizmit të dy vendeve.
Deklarata e Ministres Ibrahimaj dhe Ministrit Bekteshi pas takimit:
Ministrja Ibrahimaj:
Përshëndetje të gjithëve,
Faleminderit që keni ardhur sot këtu.
Është një kënaqësi e veçantë të mirëpres homologun tim, z. Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë për Republikën e Maqedonisë së Veriut, me të cilin sapo patëm një takim të frytshëm.
Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë marrëdhënie bilaterale shumë të mira, të cilat janë përforcuar nga viti në vit. Në fakt, në kuadër të nismës Open Balkan, ne kemi marrë disa vendime për lehtësimin e tregtisë, për lehtësimin e lëvizjes së njerëzve, të punës dhe kemi në plan të vijojmë të lehtësojmë të gjitha procedurat në mënyrë që ti shërbejmë një tregu të përbashkët, t’i shërbejmë një stabilizimi më të mirë të të dyja ekonomive, të treja ekonomive në fakt, dhe qëndrueshmërisë ekonomike.
Ne kemi vendosur që do të marrim të gjitha ato hapa që më tutje pastaj do të na lehtësojnë integrimin në Bashkimin Europian, si në kuadër të nismës Open Balkan, si në kuadër të gjithë marrëveshjeve të tregtisë së lirë, si në kuadër të CEFTA-s.
Sot biseduam me detaje për efektet që kriza ekonomike, e ndikuar nga agresioni rus mbi Ukrainën ka sjellë në të dyja vendet dhe për masat e marra nga secili vend me qëllim lehtësimin e pasojave të krizës ekonomike dhe reagimin që kanë sjellë këto masa në ekonomitë e vendeve tona.
Gjithashtu, është e rëndësishme të theksojmë se në periudha të tilla krize, kanalet e tregtisë dhe kanalet e operimit tregtar janë kryesore me qëllim përballimin sa më të mirë, me qëllim furnizimin e popullatës me ato produkte të cilat janë jetike dhe të domosdoshme për tu tregtuar.
Dua të falënderoj ministrin pasi nesër, Republika e Maqedonisë së Veriut do të marrë një vendim të rëndësishëm, i cili do të çelë eksportet e vajit të lulediellit për Shqipërinë, një produkt i cili, siç kemi bërë të ditur në daljet e tjera publike, kryesisht importohej nga Ukraina dhe ka pasur një mungesë të tregtimit të tij në tregjet ndërkombëtare dhe kjo ka qenë arsyeja pse dhe çmimet kanë qenë më të rritura.
Unë dua ta falënderoj edhe njëherë ministrin për të gjitha bisedat konstruktive. Dua të siguroj se marrëdhënia mes dy vendeve tona, në kuadër të tregtisë, do të vazhdojë të jetë shumë e mirë dhe do të vazhdojmë të lehtësojmë të gjitha procedurat që kemi marrë përsipër në kuadër të Open Balkan.
Edhe njëherë e falënderoj për çeljen e eksporteve, që është shumë e rëndësishme për furnizimin me mallra në një periudhë krize.
Ministri Bekteshi:
Ju faleminderit për mirëpritjen Zonja Ibrahimaj.
Siç e theksoi edhe Ministrja, kemi pasur bashkëpunim shumë të frytshëm me Republikën e Shqipërisë edhe në të kaluarën, por me siguri që edhe gjatë periudhës së krizës edhe nga aspekti energjetik dhe ekonomik kemi ndarë eksperiencat midis dy vendeve, me qëllim që sa më lehtë ta ballafaqojmë këtë krizë, e cila në rajonin e Ballkanit Perëndimor është krizë e importuar për shkak invazionit rus ndaj Ukrainës dhe faktorët e brendshëm të krizës janë minimale apo pothuajse nuk ekzistojnë, marr parasysh që vitet paraprake kanë qenë vite të mrekullueshëm sa I përket bashkëpunimit tregtar midis dy vendeve, por njëkohësisht edhe rritjes së bashkëpunimit tregtar ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Mua më gëzon fakti se kemi rritje të bashkëpunimit tregtar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe nëse bëjmë një krahasim nga shkëmbimi tregtar i parakohës së pandemisë, qëndrojmë më mirë edhe në tremujorin e këtij viti, por njëkohësisht edhe vitit paraprak ku pothuajse kemi tejkaluar shumën e 200 milionë eurove të shkëmbimit tregtar, i cili nuk ka qenë më shumë se 140 milionë euro, duke u bazuar në të dhënat e Entit Statistikor të Maqedonisë së Veriut.
Sa i përket masave të ndërmarra për lehtësimin e krizës apo për lehtësimin e ndikimit negativ në çmimet e konsumit të gjerë, veçanërisht në çmimet e produkteve bazë dhe emergjencave, ne kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me zonjën Ibrahimaj me të vetmin qëllim të shkëmbimit të përvojave tona dhe të shkëmbejmë modelet e hartimit të masave përkatëse dhe më gëzon fakti që pothuajse kemi masat e njëjta të cilat i implementojmë si dy vendeve fqinje.
Maqedonia e Veriut e ka sjellë vendimin, i cili duhet të shqyrtohet nesër në kuadër të seancës qeveritare, për lirimin e eksporteve të produkteve siç është vaji i lulediellit dhe produkteve të tjera, të cilat janë kryesisht janë inpute për prodhimin e produkteve finale nga kompanitë prodhuese në Shqipëri apo edhe në vendet e tjera të rajonit.
Kjo edhe njëherë dëshmon që pikërisht iniciativa të cilat promovohen pothuajse në bazë ditore nga kryeministrat e dy vendeve tona japin rezultatet e duhura, në veçanti në kohë krizash dhe për atë qëllim Maqedonia e Veriut përkrah çdo iniciativë e cila do të lehtësojë shkëmbimin tregtar midis dy vendeve, do ta rrisë aktivitetin ekonomik midis dy vendeve tona, me të vetmin qëllim që në atë mënyrë të ndikojmë në rritjen ekonomike, por njëkohësisht edhe në rritjen e standardeve jetësore, si parakusht dhe parapërgatitje për anëtarësimin e plotë të dy vendeve në Bashkimin Europian.
Në ditët në vijim do të kemi edhe takime të tjera në kuadër të Ballkanit të Hapur, do të bisedojmë edhe për tema të cilat kanë të bëjnë me thithjen e investimeve, me promovimin e turizmit të dy vendeve dhe më gëzon fakti që nga Maqedonia e Veriut, në veçanti, pas kohës së pandemisë, është rritur konsiderueshëm numri i turistëve që vizitojnë Republikën e Shqipërisë dhe ne pikërisht në atë drejtim do të punojmë, që të promovojmë Republikën e Shqipërisë, siç punon edhe qeveria shqiptare për ta promovuar Maqedoninë e Veriut, për shkak se konsiderojmë që qytetarët e dy vendeve kanë nevojë me siguri që të njohin bukuritë dhe të vizitojnë vendet tona, të cilat zhvillohen dita ditës.
Faleminderit për mikpritjen dhe shpresoj se ky do të jetë vetëm një fillim, i cili do ti tejkalojë edhe pritshmëritë dhe presionet e të dy qeverive sa i përket bashkëpunimit tregtar për këtë vit dhe për vitet në vijim.
Faleminderit.