Komunikim i Kryeministrit Edi Rama me gazetarët pas seancës parlamentare - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Komunikim i Kryeministrit Edi Rama me gazetarët pas seancës parlamentare

Komunikim i Kryeministrit Edi Rama me gazetarët pas seancës parlamentare: 

– Në raundin e dytë dhe të tretë, Partia Socialiste do të shkojë me një emër për votim? Apo do t’i digjni tre raundet e para në emër të konsensusit me opozitën e do shkoni në raundin e katërt me votat tuaja?

Kryeministri Edi Rama: Dihet që ne nuk i kemi 84 votat e nevojshme për të kaluar raundin e parë, të dytë e të tretë. Ndërkohë që nuk më rezulton që ka ndonjë qartësi, ndonjë ide, ndonjë vullnet nga ana e palëve të tjera për t’u përfshirë në proces deri tani.

– Po Partia Socialiste a ka ndonjë emër për kreun e ri të shteti deri më tani?

Kryeministri Edi Rama: Jo!

– Partia Demokratike kërkon nga maxhoranca që t’i japë të drejtën opozitës që të bëjë propozime për presidentin e republikës e ta negociojë, ta diskutojë e të japë votat pastaj për të kaluar në parlament.

Kryeministri Edi Rama: Pse? Për çfarë arsye duhet të bëjë kështu Partia Socialiste? Të dorëzojë të drejtën për të marrë pjesë në këtë proces e t’ia kalojë këtë drejtë, kujt? Kujt ekzatësisht se ne nuk po dimë më as kë kemi në anën tjetër, se kemi lloj-lloj copash e çikash. Nuk e shoh ku qëndron logjika në këtë. Nuk ka logjikë. Ne kemi kaluar në këtë proces kur kemi qenë në opozitë, ju e dini shumë mirë, kemi kaluar në këtë proces dy herë, në kohën flas të drejtimit tim të Partisë Socialiste. Një herë kur ne kishim numra mjaftueshëm të bllokuar 84, pavarësisht se si shkuan gjërat më pas. Apo një herë tjetër  kur ne nuk kishim numrat, pra Partia Demokratike kishte numrat për të zgjedhur presidentin dhe ne kemi kaluar në këtë proces, jemi ulur në tryezë, kemi thënë gjërat tona, kemi bërë përpjekjen tonë e kemi vazhduar përpara pavarësisht se shumica e asaj kohe zgjodhi një president tjetër, që ishte nga radhët e partisë së shumicës. Ky është roli që ka opozita. Të përpiqet të ndikojë, të gjejë rrugë për të gjetur një konsensus të mundshëm me shumicën dhe të jetë e hapur për të rënë në dakordësi për një emër që mund të jetë propozuar prej shumicës, në rast se bie dakord. Në rast se nuk bie dakord, rrugët ndahen dhe pastaj vendos vota. Kjo është logjika. Nuk e kuptoj këtë, jo po ne duhet ta vendosim vetë. Po mirë, vendoseni, si e vendosni?

– A ka një kontradiktë në qëndrimin tuaj që nga njëra anë vizitoni Hashim Thaçin në Hagë, i cili është atje për luftën që UÇK ka bërë ndaj Serbisë e nga ana tjetër nuk pranoni që të bëhet një mocion debati për gjenocidin që Serbia ka bërë në Sebrenicë?

Kryeministri Edi Rama: Pyetje tjetër ka?

– Në kushtet kur ju thoni që pala tjetër nuk shihet se ka vullnet për të zgjedhur presidentin me konsensus, Partia Socialiste a do propozojë një kandidat për të testuar, qoftë në raundin tjetër?

Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk kemi nevojë të bëjmë asnjë testim, sepse faktikisht ne nuk i kemi votat dhe nuk ka asnjë nevojë që ne të hyjmë e të bëjmë testime për të parë që ne nuk i kemi votat. Ne do presim me durim deri në fund. Në rast se do ketë ndonjë dëshirë nga pala tjetër që mesa duket nuk ka, sigurisht që ne nuk do mbetemi pa ezauruar atë mandat shumë të qartë që na jep Kushtetuta.

– Në momentin kur ju thoni që jeni përballë me copa e çika për opozitën, me kë do negocioni?

Kryeministri Edi Rama: Nuk kemi pra, siç e shikoni, nuk kemi. Megjithatë presim. Ne nuk është e nevojshëm që t”i ndajmë ne se kush është kush. Dihet se me kë ne nuk negociojmë për asnjë arsye, dihet se me kë ne refuzojmë të marrin në konsideratë për çdo arsye, përfshirë edhe pyetjen e qimi.net, të syriqimi e kisha fjalën.

Ndërkohë, ne jemi të gatshëm të flasim me çdo palë, pjesë, që do donte të fliste me ne. Në rast se nuk duan të flasin, atëherë nuk kemi asnjë mundësi tjetër, përveç se me durim të presim e në momentin që hyjmë në raundin e katërt, të përdorim mandatin që na jep Kushtetuta për të zgjedhur presidentin apo presidenten e republikës. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër. Është për të ardhur keq sepse është një proces që mund të ishte më i kulturuar, më i edukuar, më i harmonizuar në aspektin e një ballafaqimi e të një shkëmbimi idesh dhe për më tepër në një kohë si kjo sot kur ne nuk kemi nevojë të krijojmë konflikte ekstra apo të shpikim hendeqe ekstra apo nga ato që janë të trashëguar por ne vetëm mund të shprehim dëshirën dhe vullnetin dhe vetëm mund të kemi durimin për ta ndjekur këtë proces duke respektuar të gjithë procedurën që parashikon Kushtetuta. Më shumë se kaq nuk bëjmë dot.

– A mund ta shikojë Partia Socialiste kriterin që presidenti të mos jetë aktiv në politikë? Sepse tek disa grupe apo aleatët e Partisë Demokratike kërkohet që presidenti të jetë politik. A keni ndonjë kusht në këtë aspekt?

Kryeministri Edi Rama: Ne nuk kemi kushtëzuar askënd, ne thjesht kemi thënë që kandidati për president nuk do të jetë nga grupi parlamentar. Nuk kemi vënë kushte të tjera, por sigurisht që kur hedh sytë nga lëndinat e tjera të parlamentit, aty është e vështirë të identifikosh në president, megjithatë ne nuk kemi vënë kushte të tilla. Nëse ata kanë ndonjë që ne nuk e kemi parasysh që është aktualisht në parlament e që i plotëson nevojat që ka sot vendi për një president, le të vinë të na e thonë cili është e ta shikojmë, sepse mbase në kaq vite ka mbetur ndonjë figurë e pa zbuluar. Nga sa ne i shohim janë  jo vetëm të zbuluara, por të pambulueshme.

Previous In Memoriam Ardian Klosi

Leave Your Comment