– Zoti Kryeministër,
ju patët një vizitë pune këtu në Berlin, në Gjermani. Pothuajse takuat të gjithë
përfaqësuesit e spektrit politik, duke nisur nga kryetari i grupit parlamentar
të SPD-së, me ministren e Jashtme, njëkohësisht dhe kryetarja e të Gjelbërve në
Gjermani. Gjithashtu takuat edhe kreun e CDU-së. Çfarë diskutuat me gjithë këta
përfaqësues të politikës gjermane në lidhje me integrimin e Shqipërisë?
Kryeministri
Edi Rama: Kjo ishte një ftesë e fondacionit Körber-Stiftung
dhe në të njëjtën kohë dhe një interesim i këtyre palëve për të pasur një bashkëbisedim
të afërt, lidhur me procesin e integrimit europian, konkretisht me stacionin e
afërt të qershorit dhe përmbylljen e presidencës franceze ku është në rendin e
ditës çështja e hapjes së negociatave formale për anëtarësim të Shqipërisë dhe
Maqedonisë së Veriut. Patjetër, lidhur me luftën në Ukrainë, pozicionin e Shqipërisë
dhe impaktin e luftës mbi rajonin dhe sigurisht edhe për ecurinë e mëtejshme në
këtë drejtim për sa i përket edhe angazhimit tonë të drejtpërdrejtë në Këshillin
e Sigurimit dhe në NATO.
– Ju patët
një drekë pune me kreun e CDU-së. Ishin të pranishëm edhe ata që njiheshin si kundërshtaret
më të fortë dhe kritikët e Shqipërisë, zoti Krichbaum dhe zoti Wadephul. Çfarë
ndatë me ta dhe cili është aktualisht qëndrimi i tyre në lidhej me integrimin e
vendit tonë?
Kryeministri
Edi Rama: Nuk do t’i quaja e nuk i kam quajtur asnjëherë
kundërshtarët më të fortë të Shqipërisë apo kritikët më të fortë të Shqipërisë.
Ata janë dy figura që kanë një peshë të posaçme në CDU në raport me rajonin, për
shkak të detyrave që kanë dhe qëndrimet e tyre kanë qenë qëndrime të cilat kanë
qenë të lidhura me një kontekst të caktuar, por patjetër dhe me kërkesën për të
bërë më shumë. Patjetër kanë pasur skepticizëm, patjetër kanë pasur arsyet e
tyre për të mbajtur një pozicion me regjit por për hir të vërtetës, pozicionimi
i tyre sikundër ua thashë dhe sot, ka qenë një sfidë dhe një ndihmë në fund të
fundit sepse nëse sot ata janë 100% mbështetës, nëse sot CDU-ja e tëra, vetë
kryetari i ri i CDU-së thotë se Shqipëria është një histori suksesi në këtë fazë,
patjetër ka shumë gjëra për të bërë në faza të tjera. Kjo është edhe për meritën
e tyre që na kanë sfiduar me qëndrimet e tyre. Nuk kanë qenë qëndrime kundër Shqipërisë.
Ata janë miq të Shqipërisë. Ata janë njerëz të dedikuar ndaj Ballkanit dhe janë
njohës të mirë të rajonit kështu që ka qenë kënaqësi e madhe në fakt i gjithë
takimi, dreka e punës që na ofruan dhe biseda e bërë. Shpresoj që së shpejti do
të vijnë në Ballkan e do të ndalojnë edhe në Tiranë.
– Kjo
ditë përkon edhe me votimin në parlamentin europian. 519 vota pro Shqipërisë.
Kjo ka ndodhur dhe më parë, por duke qenë se ju ndodheni në një nga kryeqendrat
e europës në Berlin, si e lexoni ju këtë votim të sotëm për rrugëtimin e ardhshëm
tonin?
Kryeministri
Edi Rama: Kjo ka ndodhur dhe më parë, por si asnjëherë
më parë me thënë të drejtën në adresimin e parlamentit nga deputetë të ndryshëm
europianë, europarlamentar ka qenë pa asnjë rezervë dhe kjo është si të thuash
fruti i një pune të madhe që kemi bërë.
Në ndërkohë që e kam diskutuar me të gjithë
edhe faktin që ne kemi vendosur që do të ndryshojmë kurs, në momentin që me
gjasë Këshilli Europian i qershorit nuk do të arrijë dot të çajë murin e
vendosur nga Bullgaria për Maqedoninë e Veriut. Deri atëherë ne do qëndrojmë në
pozicionin që duhet, pra të hapen negociatat formalisht për të dyja. Në rast se
edhe atëherë ne do të mbetemi peng i një situate që nuk ka lidhje fare me ne,
nuk ka lidhje fare me punën tonë, nuk ka lidhej fare me asgjë që ka të bëjë me Shqipërinë,
atëherë ne do ndryshojmë kurs e do kërkojmë me insistim që Shqipëria të
trajtohet veç.
– Javë
vendimtare këto në vijim për vendin tonë, nesër viziton Tiranën presidenti
Michel. Pritet gjithashtu njw vizitë e kancelarit Scholz në Tiranë. Të gjitha këto
kanë të bëjnë me procesin e integrimit të Shqipërisë apo ka mesazhe të tjera?
Kryeministri
Edi Rama: Nuk e di nëse kancelari Scholz do të vijë në
Tiranë apo jo, sepse nuk kemi një njoftim zyrtar. Ai është shprehur që do të
vizitojë rajonin, mua ma kishte thënë që do të vijë në rajon, por se ku do të qëndrojë
mbetet për tu parë. Ndërkohë që po, presidenti Charles Michel do të vijë por
nuk janë ditë vendimtare për Shqipërinë. Unë nuk shoh asgjë vendimtare në
raport me këtë fakt, ky është një proces me të cilin ne tanimë jemi mësuar se
si funksionon. Vendimtare për Shqipërinë është të vazhdojë reformat, vendimtare
për Shqipërinë janë operacionet si ky i sotmi i SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit
që është në këndvështrimin tim dhe bazuar në gjithë diskutimet e bëra gjatë ditës
së sotme në orët e lira me Tiranën, operacioni më domethënës e me rrezen më të
gjerë në luftën kundër krimit të organizuar. Një operacion që meriton vërtetë
fjalët më të mira të respektit e të inkurajimit për të gjithë ata që janë përshirë,
që nga hetuesit e SPAK-ut e deri tek drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe një mbështetje
e fortë për të vazhduar deri në fund në këtë rrugë, një rrugë që tanimë është e
qartë që është hapur për të gjithë partnerët ndërkombëtar të Shqipërisë, një
rrugë që ka rritur respektin për Shqipërinë në skenën ndërkombëtare, një rrugë
që po sjell hap pas hapi dhe frytet e dëshiruara në Shqipëri edhe pse sot shqiptarët
janë edhe më kërkues se sa janë ndërkombëtarët sepse nuk kanë durim që të
presin sepse kanë kaq vite që presin e presin e me shumë të drejtë kërkojnë më
shumë.
– Faleminderit
zoti Kryeministër!