Qeveria, e vendosur në vijimin e konsolidimit fiskal dhe ruajtjen e parametrave makroekonomikë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Qeveria, e vendosur në vijimin e konsolidimit fiskal dhe ruajtjen e parametrave makroekonomikë

Qeveria shqiptare është e vendosur të vijojë konsolidimin fiskal dhe ruajtjen e parametrave makroekonomikë, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.

Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në punimet e konferencës ndërkombëtare “Diversifikimi i sistemit financiar përmes reformave të tregut të kapitaleve”, e cila u organizua nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Sekretariatin Shtetëror të Zvicrës për Çështjet Ekonomike (SECO).

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm dhe Zv.Kryeministri Arben Ahmetaj, Ambasadori i Suedisë në Tiranë, z. Patrik Meier, si dhe Menaxheri i Bankës së Shqipërisë për Shqipërinë, z. Emanuel Salinas.

Ministrja Ibrahimaj ishte pjesë e panelit me temë “Zhvillimi i sektorit financiar në Shqipëri- forcimi i stabilitetit në mbështetje të rritjes ekonomike”, së bashku me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe kryetarin e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, Ervin Mete.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj tha se qeveria është e angazhuar në marrjen e masave të nevojshme për reduktimin e efekteve të krizës në ekonomi dhe në konsumin e përgjithshëm të saj.

Ministrja bëri një përmbledhje të politikave dhe masave që qeveria ka ndërmarrë për të përballimin e krizës, një prej të cilave është mbulimi i rritjes së çmimit të energjisë për bizneset e vogla dhe familjarët.

Ministrja tha se treguesit e 4 mujorit të parë të vitit 2022 tregojnë se ekonomia vijon të jetë e qëndrueshme dhe nuk ka ndjerë ende efektet e krizës.

Nga ana tjetër, Ibrahimaj theksoi se qeveria do të jetë e kujdesshme dhe do të monitorojë me seriozitet të gjithë treguesit, duke nisur që nga ato të sektorit bankar dhe financiar, deri te treguesit e punësimit, tregtisë së jashtme apo kursit të këmbimit, i cili është shumë i rëndësishëm dhe ndikon parametrat kryesorë makroekonomikë kryesorë dhe performancën e ekonomisë.

“Sfidat janë të mëdha, pasi kjo krizë që po fillojmë të ndjejmë është një krizë e paprecedentë. Është një krizë e rritjes së çmimeve dhe e mungesës së ofertës së disa prej produkteve, e cila do të ndikojë në inflacionin dhe në periudhat në vijim dhe ne kemi për detyrë që të reduktojmë efektet e kësaj krize në ekonominë shqiptare, në konsumin e përgjithshëm të ekonomisë shqiptare dhe kjo është ajo po bëjmë”, tha Ibrahimaj.

Për të përballuar situatën dhe ruajtur trendin pozitiv të zhvillimit ekonomik, Ministrja informoi se qeveria së fundmi ka miratuar një Akt Normativ, i cili do të ndikojë në rritjen e çmimeve të investimeve publike, në mënyrë që ato të mos ndalen dhe të vijojnë.

Një vend të veçantë në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj i kushtoi dhe nivelit të borxhit në vend, për të cilin u shpreh se do të vijohet reduktimi i tij, në përputhje me ligjin organik të buxhetit dhe rregullin fiskal, duke parashikuar një balancë primare pozitive në vitin 2024.

Niveli i borxhit, theksoi Ibrahimaj, duhet të reduktohet dhe të jetë në linjë me rritjen ekonomike.

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

Faleminderit shumë për organizimin e kësaj konference, për të diskutuar për temën shumë të rëndësishme të zhvillimeve të tregjeve të kapitalit, i cili ndonëse është një treg ndonëse aktiv, ka nevojë për reforma të vazhdueshme. Dhe sa i përket reformave, ne duhet të shohim gjithmonë në këndvështrimin e përmirësimit të tyre dhe uroj që gjatë ditës të sotme të ketë një diskutim të thellë se si do të zhvillohen këto reforma dhe si tregjet e kapitalit në Shqipëri do të ndikojnë më shumë në rritjen ekonomike.

Sigurisht sektori bankar ka qenë dhe mbetet një partner i ekonomisë shqiptare dhe një motor zhvillimi i gjithë sektorit privat. Në fakt krizat e kaluara, të cilat u shpjeguan më së miri nga Guvernatori, kanë treguar që vetëm bashkëpunimi ndërmjet sektorit privat dhe sektorit publik, apo politikat e kujdesshme ndaj ecurisë së sektorit privat, kanë bërë që ato kriza të tejkalohen.

Ne vijmë nga dy kriza të njëpasnjëshme dhe jemi duke hyrë në të tretën. E megjithatë, dy krizat e fundit, por dhe ato paraardhëse që u përmendën nga Guvernatori, kanë treguar që pritshmëritë e qeverisë, të Bankës së Shqipërisë, të FMN, të BB, të gjitha partnerëve tanë ndërkombëtarë, kanë qenë më pesimiste se sa realisht janë materializuar. Kjo nuk ndodh rastësisht, por për shkak të politikave, të cilat kanë qenë të kujdesshme dhe janë ndërmarrë në kohë.

Gjatë vitit 2020 ne kaluam një recesion, si gjithë vendet e tjera të botës, i cili ishte më i zbutur se sa pritshmëritë fillestare. Sigurisht që kjo ka qenë si pasojë e fleksibitetit të treguar nga sektorit privat, i cili reagoi shumë shpejt nga ndikimet e pandemisë, por ka qenë dhe efekt i politikave fiskale dhe monetare, të cilat erdhën në kohën e duhur.

Qeveria shqiptare mori vendimet në një kohë rekord si për të ndikuar në rënien e menjëhershme të vendeve të punës, me qëllim që të mos ndikonte në nivelin e varfërisë në vend, dhe gjithashtu në ndihmë të sektorit privat duke e mbështetur me instrumente të paprovuar më parë, nëpërmjet instrumenteve të garancive sovrane, të cilat për herë të parë përdoreshin në Shqipëri dhe rezultuan shumë të suksesshme me qëllim përballimin e efekteve të krizës.

Në hymë në vitin 2021 me një tjetër ritëm. Që në fund të vitit 2020 ne arritëm të kalojmë recesionin dhe të kemi rritje ekonomike. Arritëm të riaktivizojmë ekonominë, ndonëse frika nga pasiguria mbeti e lartë.

Viti 2021 pati një rritje ekonomike prej 8.5 %, por ndërkohë në terma reale, në krahasim me vitin 2019, i cili ishte një vit normal, rritja ishte diku te 5 % dhe ishte e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë. Sektorët kryesorë të ekonomisë si ndërtimi, manifaktura, apo shërbimet, patën rritje dy shifrore, që ndikoi në treguesit e tregut të punës, në treguesit e mirëqenies së ekonomisë dhe të familjeve shqiptare.

Nga ana tjetër, kjo rritje e lartë erdhi e ndikuar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi, ashtu dhe nga investimet, dhe kjo tregoi se politikat ishin të duhurat, që ekonomia shqiptare kishte themelet e duhura. Edhe parametrat kryesorë makroekonominë, ndonëse patën disbalanca gjatë vitit 2020, mbetën të qëndrueshëm.

Edhe kjo nuk erdhi rastësisht, por erdhi prej faktit se gjatë viteve të mëparshme qeveria shqiptare kishte punuar fort me qëllim përforcimin e themeleve të ekonomisë shqiptare duke krijuar disa hapësira të cilat na lejuan të përballonim këto dy kriza të njëpasnjëshme, të cilat nuk ishin të lehta për Shqipërinë.

Nga ana tjetër, ndryshe nga shumë vende të tjera të botës, të cilat filluan të kenë ndikim të inflacionit të shtuar për shkak të kërkesës së shtuar që në vitin 2021, ekonomia shqiptare pati një inflacion të qëndrueshëm, i cili ishte mesatarisht nën targetin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2021.

Edhe kjo nuk ishte krejt rastësore. Qeveria shqiptare mori një vendim të rëndësishëm në fund të vitit 2021, për të ruajtur çmimet e energjisë elektrike dhe për të mbrojtur pjesën më të madhe të sektorin privat, biznesin e vogël, dhe konsumatorët familjarë, nga rritja e çmimeve.

Kjo rritje çmimesh do të kishte ndikuar në mënyrë të qëndrueshme në rritjen e kostove të prodhimit dhe do të ishte materializuar në rritje të inflacionit që në vitin e kaluar. Por kjo nuk ndodhi në Shqipëri, ndonëse ne sigurisht një pjesë të madhe të inflacionit e kemi të importuar, pasi importojmë pjesën më të madhe të produkteve që konsumojmë.

Inflacioni filloi të rritet në fillim të këtij viti dhe do të jetë sfida jonë e përbashkët arritja e ruajtjes së stabilitetit ekonomik dhe arritja e ruajtjes së parametrave makroekonomikë.

Një tregues i rëndësishëm i parametrave makroekonomikë është niveli i borxhit, i cili ndonëse u rrit gjatë vitit 2020, si në të gjithë vendet e tjera të botës, me qëllim financimin e stimulit financiar që ne i dhamë ekonomisë, por edhe financimin e të gjithë paketave që ndërtuam me qëllim reduktimin e efekteve që varfëria mund të kishte në familjet shqiptare.

Megjithatë, stimuli financiar që ne dhamë pati një efekt të menjëhershëm në normat e rritjes ekonomike dhe u materializua në një borxh më të ulët që në vitin 2021.

Ne jemi të vendosur në vijimin e konsolidimit fiskal dhe në vijimin e ruajtjes së parametrave makroekonomikë, me qëllim që ekonomia shqiptare të vijojë zhvillimin e qëndrueshëm të saj.

Sfidat janë të mëdha, pasi kjo krizë që po fillojmë të ndjejmë është një krizë e paprecedentë. Është një krizë e rritjes së çmimeve dhe e mungesës së ofertës së disa prej produkteve, e cila do të ndikojë në inflacionin dhe në periudhat në vijim dhe ne kemi për detyrë që të reduktojmë efektet e kësaj krize në ekonominë shqiptare, në konsumin e përgjithshëm të ekonomisë shqiptare dhe kjo është ajo po bëjmë.

Në mënyrë të menjëhershme qeveria vendosi të marrë masa, si fillim për të absorvuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike për pjesën më të madhe të konsumatorëve, por edhe për të ndikuar në efektet që çmimet e rritura do të kishin në konsumin, sidomos në ato familje të cilat kanë më shumë nevojë dhe nuk mund ta përballojnë rritjen e çmimeve.

Ne ndërhymë me një paketë të menjëhershme dhe nga ana tjetër sapo kemi miratuar një Akt Normativ, i cili do të ndërhyjë dhe do të ndikojë në rritjen e çmimeve të investimeve publike, me qëllim që investimet publike të mos ndalohen dhe të vijojnë dhe që ekonomia shqiptare të vazhdojë të performojë mirë.

Sigurisht që nuk ka asnjë ekonomist që mund të parashikojë efektet e kësaj krize. Megjithatë, treguesit e 4 mujorit të parë të vitit tregojnë që ekonomia vijon të jetë stabël dhe nuk ka ndjerë ende efektet e krizës që do të vijnë. Ne do të jemi të kujdesshëm dhe do të monitorojmë çdo tregues, qoftë treguesit e sektorit bankar dhe sektorit financiar lidhur me financimin e sektorit privat, si dhe treguesit e ekonomisë reale, të tregtisë së jashtme, të vendeve të punës, që siç u përmendën edhe më parë, u rimorën dhe vazhdojnë të jenë më të larta se sa në vitin 2019 edhe sot që flasim, por edhe treguesit që lidhen me kursin e këmbimit dhe stabilitetin e tij, i cili është shumë i rëndësishëm dhe ndikon parametrat makroekonomikë kryesorë dhe performancën e ekonomisë.

Pra, në bazë ditore, ne do të jemi së bashku në mënyrë të qëndrueshme, me qëllim që të përballojmë efektet e kësaj krize.

Duke iu rikthyer edhe njëherë çështjes së borxhit, niveli i tij në vitin 2020 arriti në 74.5 %, një nivel shumë i lartë duke marrë në konsideratë gjithë performancën e viteve më parë.

Qeveria ka qenë gjithmonë e përqendruar në konsolidimin fiskal dhe në reduktimin e nivelit të borxhit, me një politikë shumë të kujdesshme, e cila ishte e mbështetur në strategjinë e borxhit të MFE, duke synuar rritjen e maturiteteve të instrumenteve dhe duke synuar sigurisht reduktimin e kostove.

Niveli 74.5 %, ndonëse mund të dukej shumë i qartë, është një nivel i cili ishte i përballueshëm për vitin 2020. Nivelet e borxhit u rritën në të gjithë vendet, pasi pandemia i vuri të gjitha vendet përballë nevojës për financimi të qeverisë, qoftë për çështje të shëndetit, qoftë për injektimin e stimulit fiskal i cili ishte shumë i rëndësishëm për t’i dhënë nxitje ekonomisë. Në rastin tonë ishte i nevojshëm dhe për financimin e procesit të rindërtimit, një proces kyç jo vetëm për arsye humanitare, por një proces kyç i cili ndikoi dhe në zhvillimin ekonomik të vendit, përveçse po ndikon dhe do të ndikojë në cilësinë e jetesës të gjithë individëve që mbetën pa shtëpi gjatë asaj tragjedie.

Në vitin 2021 ne e reduktuam nivelin e borxhit, ndonëse në fund të vitit 2021 ne morëm një vendim për daljen në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, ku u emetua një Eurobond, i cili po mbulon nevojat e financimit të buxhetit dhe për vitin 2022.

Ishte një vendim i duhur pasi, edhe pse nuk dihej se do të ndodhte lufta në Ukrainë, sinjalet ishin të qarta se normat e interesit do të vinin në rritje për shkak të ecurisë ekonomike, për shkak të rritjes së kërkesës, për shkak të tejkalimit të situatës së krizës së pandemisë. Sinjalet për rritjen e normave të interesit ishin dhënë si nga FED, ashtu edhe nga Banka Qendrore Europiane. Kjo ndikoi në vendimin tonë për të marrë një Eurobond më të madh vitin e kaluar dhe megjithatë ne arritëm që ta reduktonim nivelin e borxhit, duke qenë se edhe borxhi i marrë më parë ndikoi në rritjen ekonomike dhe parametrat tanë makroekonomikë u përmirësuan ndjeshëm.

Ne do të vazhdojmë me politikën e konsolidimit fiskal. Ne parashikojmë që niveli i borxhit të vijojë të reduktohet dhe për vitin 2022 e në vijim.  Në mbështetje të ligjit organik të buxhetit dhe të rregullit fiskal do të vijojmë të reduktojmë borxhin, duke parashikuar një balancë primare pozitive në vitin 2024.

Niveli i borxhit është i rëndësishëm të reduktohet dhe është i rëndësishëm që të jetë në linjë me rritjen ekonomike, që të jetë në linjë me zhvillimet ekonomike pasi është e rëndësishme që ai të jetë një borxh i qëndrueshëm dhe që sjell rritje.

Previous Thirrja për veprim global për sigurinë ushqimore, ministrja Xhaçka në OKB me ftesë të sekretarit amerikan, Blinken

Leave Your Comment