Ekonomia vijon ecurinë pozitive, MFE i qëndron parashikimit prej 3.2 % për vitin 2022 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ekonomia vijon ecurinë pozitive, MFE i qëndron parashikimit prej 3.2 % për vitin 2022

Ekonomia shqiptare ka pasur një performancë të mirë në periudhën e parë të vitit, pavarësisht situatës së krijuar për shkak të krizës së rritjes së çmimeve dhe luftës në Ukrainë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një konferencë për shtyp, ku bëri një prezantim dhe analizë të treguesve kryesorë të zhvillimit të ekonomisë për 4 mujorin e parë të vitit 2021.

Ministrja u shpreh se për këtë periudhë ka pasur një ecuri të kënaqshme të treguesve të tregtisë së jashtme, të aktivitetit ekonomik të bizneseve, përmirësim të treguesve të tregut të punës, norma të stabilizuara të treguesve të kursit të këmbimit, ashtu sikurse ka pasur norma të shtuara të inflacionit.

Ministrja informoi se të gjitha të dhënat dhe treguesit kryesorë janë analizuar edhe në takimet e zhvilluar së fundmi me FMN, i cili në përfundim të vizitës së tij rishikoi parashikimin e rritjes së ekonomisë shqiptare në nivelin 3 %, nga 2 % që ishte parashikimi në raundit të mëparshëm të bisedimeve.

Gjithashtu, Ibrahimaj theksoi se Ministria e Financave dhe Ekonomisë i qëndron parashikimeve të saj sa i përket ecurisë së ekonomisë për vitin 2022 në nivelin e 3.2 %.

Një prej treguesve pozitivë të arritur në 4 mujorin e parë të vitit është ai i mbledhjes së të ardhurave, të cilat janë realizuar në nivelin 187 miliardë lekë, 34.7 miliardë më shumë ose 22.7 % më shumë se sa vitin e kaluar.

Ministrja theksoi se ecuria e mirë e të ardhurave ka reflektuar rritje të qarkullimit në sektorët kryesorë të ekonomisë, të cilët japin kontribut në rritjen ekonomike, si në sektorin e transportit, prodhimit, ndërtimit, tregtisë dhe të shërbimeve.

“Të gjithë këto realizime vijnë si pasojë e një ecurie më të mirë ekonomike për periudhën që po analizojmë. Vijnë si pasojë e çmimeve të rritura, pa diskutim, por vijnë edhe si pasojë e punës së kryer nga administrata tatimore dhe doganore, ku një rol të rëndësishëm në miradministrimin e të ardhurave luan edhe procesi i Fiskalizimit, i cili tashmë po afron në fazën e përfundimit të tij”, tha Ibrahimaj.

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

Përshëndetje,

Faleminderit që keni ardhur sot këtu, si çdo muaj, për të bërë një analizë të ecurisë së ekonomisë dhe sektorëve të saj për 4 muajt e parë të vitit.

Shifrat e GDP-së ende nuk kanë dalë për tremujorin e parë të vitit, e megjithatë ne me shumë kujdes kemi analizuar të gjithë ecurinë e treguesve kryesorë ekonomikë për këtë periudhë.

Periudha e parë 4 mujore e vitit është karakterizuar nga normat të shtuara të inflacionit, nga një ecuri e kënaqshme e treguesve të importeve dhe të eksporteve, ka pasur përmirësim në treguesit e tregut të punës, ka pasur një ecuri të mirë të aktivitetit të bizneseve dhe ka pasur norma të stabilizuara të kursit të këmbimit.

Të gjithë këto elementë janë analizuar me kujdes gjatë javës së kaluar në prezencë edhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili në përfundim të vizitës së tij ka arritur në rezultatin e rishikimit të parashikimit të rritjes së ekonomisë shqiptare në nivelin 3 %, nga 2 % që ishte parashikimi i raundit të mëparshëm.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë qëndron në të njëjtën linjë të parashikimit të ecurisë ekonomike. Ne për vitin 2022 kemi parashikuar një rritje prej 3.2 %, bazuar në treguesit e deritanishëm.

Më në detaje, inflacioni për 4 mujorin e parë të vitit ka pasur një normë mesatare rritjeje prej 4.9 %, ndërsa në muajin prill inflacioni rezultoi 6.2 %.

Nëse do t’i referohemi shifrave të rritjes së inflacionit mujor, pra të diferencës ndërmjet inflacionit në muajin mars dhe inflacionit në muajin prill, ne kemi pasur një reduktim të ritmit të rritjes së inflacionit. Në muajin mars inflacioni mujor ishte rritur me 3.9 %, ndërkohë që në muajin prill rritja është me 1.1 %, për produktet ushqimore, pra kemi një ngadalësim të ritmit të rritjes së çmimeve, që jep një sinjal pozitiv përsa i përket pritshmërive për inflacionin për vitin dhe urojmë që të vazhdojë në këtë drejtim.

Përsa i përket krahasimit të normave të inflacionit me vendet e rajonit, Shqipëria vijon të mbetet vendi me normat më të ulëta të inflacionit, qoftë për inflacionin total, qoftë për inflacionin e ushqimeve dhe pijeve jo alkoolike, kategori e cila na ka shqetësuar më së shumti gjatë periudhës së fundit.

Aktiviteti i bizneseve ka vijuar të rritet. Në muajin prill ne kemi 119.580 subjekte aktive të regjistruara. Numri ka ardhur në rritje në krahasim me muajin mars 2022 dhe fundin e vitit 2021. Përkatësisht, në krahasim me një muaj më parë, janë 685 biznese aktive më shumë, ndërkohë që në krahasim me dhjetorin e vitit të kaluar kemi 3160 biznese më shumë.

Kjo ecuri është ndikuar kryesisht nga numri i bizneseve të reja të regjistruara, ku për periudhën janar-prill janë regjistruar 7228 biznese, ndërkohë që janë çregjistruar 1817 biznese, norma të cilat janë nën nivelet e viteve të kaluara sa i përket çregjistrimeve, ndërkohë që sa i përket regjistrimeve kemi pasur një rritje të numrit të regjistrimeve për vitin aktual, që tregon një ecuri pozitive të ekonomisë.

Sa i përket tregtisë së jashtme, importet dhe eksportet: importet në vëllim, për 4 mujorin e parë të vitit, kanë pasur një rënie me 1 %. Rënia është ndikuar nga kategoria “produkte kimike dhe plastike” dhe më së shumti është ndikuar nga rënia e importeve në vëllim të plehrave kimike, që kryesisht importohen dhe importoheshin nga Ukraina.

Nga ana tjetër, ato produkte që ndikojnë qoftë në konsum dhe që janë përafrues të konsumit, por qoftë edhe si lëndë të para për industrinë, kanë pasur një rritje në vëllim. Sigurisht që rritja është materializuar edhe në vlerë, ndikuar dhe nga çmimet e rritura. Pra në total në vlerë ne kemi pasur një rritje të importeve me 27 % dhe të gjithë kategoritë kanë pësuar rritje për 4 mujorin e parë.

Përsa i përket eksporteve, kemi pasur rritje në vëllim dhe në vlerë, që është tregues i mirë i ecurisë ekonomike dhe i prodhimit vendas. Rritja ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët.

Nëse do të ndalemi te të ardhurat, për 4 mujorin e parë të vitit të ardhurat janë realizuar në nivelin 187 miliardë lekë. Kjo vlerë është 34.7 miliardë më shumë ose 22.7 % më shumë se sa vitin e kaluar. Ndërkohë plani është tejkaluar në nivelin 107 %.

Të ardhurat janë realizuar në masë të kënaqshme, qoftë për treguesin e TVSH-së, ashtu edhe për kontributet e sigurimeve shoqërore. TVSH-ja ka pasur një rritje me 99.5 % krahasuar me vitin e kaluar dhe 5.9 % krahasuar me planin e periudhës.

Nga ana tjetër, kontributet e sigurimeve shoqërore kanë pasur një rritje me 12.5 % për 4 mujorin, në krahasim me vitin e kaluar dhe sa i përket planit janë realizuar në masën 101.4 %.

Shpenzimet për 4 mujorin e parë të vitit nuk kanë arritur të realizojnë planin. Plani është realizuar 95 %, e megjithatë janë në rritje në krahasim me vitin e kaluar me 0.4 % ose 725 milionë lekë më shumë.

Ecuria e mirë e të ardhurave ka reflektuar një rritje të qarkullimit të sektorëve kryesorë të ekonomisë. Pra, kemi pasur rritje të ndjeshme të qarkullimit në sektorin e transportit, ndjekur nga rritja e qarkullimit në sektorin e prodhimit, të ndërtimit, të tregtisë dhe të shërbimeve. Pra, sektorët kryesorë që japin kontribut në rritjen ekonomike kanë shfaqur nivele qarkullimi ndjeshëm më të larta krahasuar me vitin e kaluar.

Të gjithë këto realizime vijnë si pasojë e një ecurie më të mirë ekonomike për periudhën që po analizojmë. Vijnë  si pasojë e çmimeve të rritura, pa diskutim, por vijnë edhe si pasojë e punës së kryer nga administrata tatimore dhe doganore, ku një rol të rëndësishëm në miradministrimin e të ardhurave luan edhe procesi i Fiskalizimit, i cili tashmë po afron në fazën e përfundimit të tij.

Aktualisht 100 % e bizneseve të mëdha dhe 87.8 % e bizneseve të vogla janë të fiskalizuara. Pra, mbetet për të përfunduar procesi i fiskalizimit për 12.2 % të bizneseve të vogla, të cilat kanë kohë deri në fund të muajit qershor në bazë të ligjit për tu fiskalizuar.

Tregues pozitivë janë shfaqur dhe në të dhënat e punësimit dhe në të dhënat e përgjithshme të tregut të punës. Të dhënat e fundit që kemi për popullatën e bizneseve, të mëdha dhe të vogla, janë ato të muajit mars 2022. Numri i vendeve të punës ishte 709.557, në rritje me 12.979 vende pune më shumë ose 2 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në bazë të të dhënave administrative të punësimit që vijnë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ne parashikojmë që për vitin 2022 të kemi një reduktim të normës së papunësisë dhe parashikimi ynë është në nivelin 11.3 %.

Sa i përket pagës mesatare, gjatë vitit të kaluar ajo ka pasur rritje, ashtu siç ka pësuar rritje graduale gjatë gjithë viteve të kaluara. Të dhënat e paraqitura pak ditë më parë të Njësisë Anti Informalitet tregojnë për një ecuri pozitive dhe në tremujorin e parë të pagës mesatare. Më konkretisht, nga puna e bërë nga Njësia dhe të dhënat e analizuara nga kjo Njësi, kemi pasur një reduktim të numrit të përgjithshëm të vendeve të punës të cilët janë me pagë minimale, reduktim i cili ka qenë në nivelin 23 % ose përkatësisht 59.702 vende pune më pak në kategorinë e pagës minimale.

Nga ana tjetër, paga mesatare për kategoritë e targetuara, për ato tatimpagues të cilët kanë qenë në fokus të Njësisë, është rritur me 57 %, pra ka pasur një rritje të ndjeshme të pagës mesatare.

Të gjithë këto elementë na bëjmë të mendojmë që në tremujorin e parë të vitit 2022 do të ketë një rritje të pagës mesatare, e cila kryesisht vjen si efekt i formalizimit.

Faleminderit.

Previous Kryeministri Edi Rama mikpret Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel – Konferencë e Përbashkët për shtyp

Leave Your Comment