Në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të kryeqytetit sapo ka përfunduar zbatimi i projektit për zgjerimin e kapaciteteve, si dhe transformimin në tërësi të gjithë hapësirës, sipas standardeve të njëjta me infrastrukturat aeroportuale në vende të zhvilluara të botës.
Investimi i përmbyllur me sukses të plotë, i cili krijon lehtësira të mëdha për pasagjerët, erdhi si nevojë e rritjes nga viti në vit të fluksit të udhëtarëve, që aktualisht po vendos rekorde me shifra të paimagjinueshme deri para pak kohësh.
Me investimet e realizuara deri tani, Aeroporti i Rinasit është reformuar tërësisht për të pritur rreth 10 milionë pasagjerë.
Ndër të tjera, flotës që operon përmes aeroportit tonë do t’i shtohet tashmë edhe kompania e njohur Ryanair, duke shtuar kështu numrin e destinacioneve dhe duke rritur konkurrencën.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me Zëvendëskryeministren, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektuan hapësirat e reja të aeroportit, si dhe i uroi mirëseardhjen kompanisë Ryanair.
Fjala e Ministres Balluku:
I nderuar Kryeministër,
Të nderuar pjesëmarrës,
Për mua, të jem në aeroportin e Rinasit është diçka natyrale, normale, unë jam e lidhur shpirtërisht me aviacionin, qoftë nga formimi profesional ashtu dhe nga gjithë eksperienca që kam kaluar në aviacion, por me të vërtetë po i thoja kryeministrit, kur po bënim një inspektim, që as nuk e kishim menduar, pavarësisht të gjitha planeve dhe strategjive të mirë studiuara që kemi pasur që do të arrinim këtu ku arritëm me parametrat e shërbimit në aeroportin e Rinasit.
Dikur, kur u ri negociua kontrata, padyshim dolën skeptikët që nuk na lanë gjë pa thënë. Por unë kam qenë e bindur, Qeveria Shqiptare ka qenë e bindur se me ri negocimin e kontratës dhe me futjen në këtë treg, në tregun e aviacionit të “Kastrati Group”, do të ndryshonte totalisht dhe katërcipërisht mënyra e ofrimit të shërbimit për aviacionin civil shqiptar.
Unë dua t’ju përgëzoj zoti Kastrati për ndryshimin e thellë që keni sjellë në sektor që me të vërtetë është diçka për t’u krenuar për ju, por është diçka që krenohemi ne si shqiptar. 100 milionë euro investim nga momenti i marrjes së kontratës, keni deklaruar, por unë jam shumë e sigurt, duke parë çfarë po ndodh sot dhe çfarë do ndodhë në të ardhmen, që kjo shifër prej 100 milionësh është kaluar që tani dhe ju do të investoni shumë më shumë.
Shumë faleminderit për punën e shkëlqyer që keni bërë.
Tani po i kthehem sektorit. Po i kthehem aviacionit civil dhe Strategjisë Kombëtare që ne kemi për aviacionin civil. Sërish skeptikët në skenë. Ata që na treguan që ne bëjmë vetëm projekte 3D. Ata që thonin që avioni nuk do ulej kurrë në aeroportin e Kukësit. Ata që thonin nuk do vinin kurrë kompanitë e mëdha dhe me emër, por ne nuk flasim me fjalë. Ne flasim me punë, flasim me fakte. Ne jemi ata që kemi arritur që vetëm në aeroportin e Rinasit, gjatë vitit të kaluar të kemi pasur 5.2 milionë pasagjerë dhe shifrat që ne kishim parashikuar për këtë vit ishin 6.5, por ju siguroj që ne do të presim më shumë se 6.5 milionë pasagjerë gjatë vitit 2023 në këtë aeroport, i cili tashmë është i reformuar totalisht për të pritur rreth 10 milionë pasagjerë.
Po informoja kryeministrin që sot ne punojmë me shifrat që ishin parashikuar për 2027-ën. Pra, jemi në avancë me katër vite nga çfarë ishte parashikuar që ne të laboronim dhe siç e kuptoni kjo kërkon një impenjim, jo vetëm të koncensionarit, por kërkon një impenjim të të gjithë sektorit duke nisur nga rregullatori, i cili praktikisht, Autoriteti i Aviacionit Civil sot nuk ka asgjë që i mungon për ta krahasuar krenarisht me Autoritetet e Aviacionet Civile në mbarë shtetet e Bashkimit Europian. Gjithashtu, duhet thënë që ajo që dukej një e ardhme e largët për Shqipërinë, ajo ditë që ne do kishim 3 aeroporte ndërkombëtare dhe një të katërt ndërkombëtar, por sezonal në zonën e Sarandës, praktikisht është dita e sotme nuk është e ardhmja.
Aeroporti i Tiranës nuk ka më nevojë as për reklamë dhe as për të folur gjatë për të pasi të gjithëve na duhet të vijmë ta vizitojmë duke qenë se vazhdon të jetë Gate i preferuar i shqiptarëve për të udhëtuar, por nuk duhet të harrojmë se edhe aeroporti i Kukësit gjatë vitit të kaluar ka arritur që të përpunoj 40 mijë pasagjerë dhe ne presim që në 2023-in ky numër të rritet duke rritur kështu dhe interesin e kompanive lokale low cost që operojnë tashmë në Shqipëri për të përdorur dhe aeroportin e Kukësit, një Gate tjetër ndërkombëtar i shqiptarëve. Duhet pasur parasysh se në vitin 2018, vetëm 7% e shqiptarëve kishin akses në aviacionin civil. Pse ndodhte kjo? Për shkak të çmimit të lartë të biletave, për shkak të largësisë nga e vetmja pikë aeroporti dhe shumë kompleksiteteve të tjera të cilat sot janë zgjidhur.
Ashtu siç e tha dhe CEO i Ryanair, Edi welcome to Albania and I hope to find yourself well here. Shqipëria njihej si një nga vendet me çmimet më të larta të biletave. Ishim ne, Tirana dhe Budapesti, të vendosur nën një regjim të një koncesionari, i cili ishte i njëjti si për Tiranën dhe si për Budapestin, ne ishim kthyer në delen e zezë të aviacionit për kompanitë low-cost dhe askush nuk kishte guximin që të vinte në Shqipëri dhe të investonte, pasi kostot ishin aq të larta që, jo vetëm kompanitë low-cost, por edhe kompanitë e skedulës nuk arrinin që ti përballonin.
Gjithçka ka ndryshuar mbas vitit 2020 dhe pavarësisht se ne u vumë në sprovë, jo vetëm shqiptarët, por e gjithë industria e aviacionit qe ajo që u godit më shumë nga pandemia, ne arritëm që të dilnim nga ajo krizë akoma dhe më të fortë dhe arritëm që pikërisht ky të ishte momenti i shpërthimit të industrisë në vendin tonë.
Ndërkohë do të ndalem pak dhe shkurt tek aeroporti i Vlorës. Aeroporti i Vlorës është një nga projektet tona më frymëzuese, një nga projektet tona më të rëndësishme, i cili po ecën me një ritëm të kënaqshëm përpara dhe fakti që operatori i VIA siç e quajmë, meqë këtu jemi TIA, do të jetë aeroporti i Munihut na bën besimplotë se do të jetë një tjetër nukël e aviacionit civil konkurruese me çdo aeroport tjetër të Europës, ashtu dhe aeroportet ndërkombëtare.
Kini parasysh që tashmë kemi ardhur në një fazë të re. Tashmë që i kemi mbyllur të gjitha parametrat e operimit europian jemi në fazën më të rëndësishme që është plotësimi i kushteve të sigurisë. Duke plotësuar kushtet e sigurisë ne do të arrijmë që të ulim kohën e përpunimit të avionëve. Sot kemi parë dy nga skanerat më të përparuar të gjeneratës së dytë, të cilat janë instaluar këtu në aeroportin e Tiranës dhe për të thënë të drejtën për të gjithë udhëtarët mund të dëshmojnë ata si dhe unë, që nuk i gjen kudo, ndoshta i gjen në Schiphol apo i gjen në Zavanten, pra aeroporte me kapacitete shumë të mëdha dhe gjenden në Tiranë, pikërisht se këtu ka nisur një epokë e re përsa i përket investimit në sigurinë e aviacionit civil.
Siguria e aviacionit civil është një nga elementët më të rëndësishme, të cilën ne na e kërkojnë institucionet e aviacionit civil të cilat janë nën varësi të Bashkimit Europian dhe Aviacioni Civil shqiptar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe koncesionari jemi totalisht të angazhuar si në Tiranë dhe në Kukës, që të përmbushim të gjitha ato kushte të cilat do ti sillnin Shqipërisë që të aplikonte ‘one stop shop’ të sigurisë që është ëndërr e çdo shqiptari për të thënë të drejtën që udhëton. Asnjë nga ne nuk ka dëshirë që në vendin ku ndërrojmë avionin të kontrollohemi edhe njëherë nga e para, duke humbur ndoshta nganjëherë edhe ‘connection’. Ajo që ne sot po bëjmë është që po investojmë fuqishëm, si nga ana e rregullatore, ashtu dhe nga ana e investitorit për të përmbushur të gjitha ato parametra, të cilat do të na hapnin këtë mundësi për të ardhmen.
Ndërkohë dua të falenderoj Ryanair-in për guximin, nuk quhet më guxim, sepse të vish në Shqipëri punën e ke të sigurtë, por që e ndërmori këtë hap dhe vendosi të na bashkohet këtu ne. Pse është e rëndësishme? Ryanair është një nga kompanitë e ekselencës të low-cost, është një kompani e konsoliduar prej kohësh, është një kompani që do të rrisë konkurrencën në tregun tonë dhe është një kompani të cilës unë duhet ti them që Autoriteti i Aviacionit Civil këtu në Shqipëri është i angazhuar për të mbrojtur të drejtat e pasagjerëve, ndaj ju duhet ti respektoni pasagjerët shqiptarë dhe ata të huaj pavarësisht të gjithë shërbimit low-cost që ju ofroni. Është diçka kjo që e kërkojmë nga të gjithë kompanitë low-cost. Të jesh low-cost nuk do të thotë që të mos respektosh të drejtat e pasagjerëve dhe Autoriteti Civil shqiptar është i angazhuar maksimalisht për këtë dhe unë dua ta di që udhëtarët nuk janë vetëm as kur ka vonesa, as kur i anulohen udhëtimet, asgjë tjetër. Ju duhet ta dini që keni gjithmonë diku për të trokitur që është Autoriteti i Aviacionit Civil.
Megjithatë unë i uroj mirëseardhjen Ryanair-it dhe numri i fluturimeve që ju keni vendosur të filloni në vjeshtë, pra 18 fluturime, 9 prej të cilave janë fluturime në destinacione të reja tregon se ju keni ardhur në Shqipëri për të qëndruar gjatë dhe për ta dominuar këtë treg dhe përsa kohë këtu ka konkurrencë të drejtë dhe transparencë ne jemi të lumtur të mirëpresim sa më shumë kompani.
Në ndërkohë, navigimi ajror gjithashtu është një pjesë e rëndësishme, komponent shumë i rëndësishëm i aviacionit civil dhe ne besojmë që me të gjithë fokusin që kemi në navigimin ajror do të vazhdojmë me investime në këtë fushë, pasi vijmë nga një periudhë e vështirë që ka të bëjë me pandeminë apo dhe me krizën e vitit të kaluar, por sigurisht planet tona për ekspansion, duke qenë se navigimit ajror do ti duhet që të ofrojë shërbim jo vetëm në Tiranë, jo vetëm në Kukës, por dhe në Vlorë dhe më pas në Sarandë, ne kemi parashikuar dhe shtimin e radhëve të kontrollorëve të trafikut ajror, të cilët duhet të trajtohen dhe duhet të kenë të gjitha parametrat e kontrollorëve të trafikut ajror të Bashkimit Europian.
Ndoshta u zgjata pak, kam numra e shifra plot për të dhënë. Numra e shifra që na bëjnë krenar, por siç ju thashë nga fillimi unë e kam pasion aviacionin, nuk është çështje thjesht e ministrisë të cilën mbuloj dhe për të thënë të drejtën është një nga fushat ku rezultatet kanë qenë të prekshme, pasi dhe koordinimi midis aktorëve kryesorë ka qenë optimal dhe do të thoja një shembull që duhet ndjekur dhe në sektorët e tjerë.
Ryanair shumë suksese.
Zoti Kastrati suksese.