Agjencia për Media dhe Informim mori pjesë në Forumin e 3‑të Global të Medias, i zhvilluar në qytetin e Shushës, Azerbajxhan, në datat 19–21 korrik 2025, me temën: “Digital Pathways: Strengthening Information and Media Resilience in the Age of AI”.
Forumi mblodhi 255 delegatë nga 52 vende, përfaqësues të 107 institucioneve mediatike ndërkombëtare, organizmave shtetërorë, aktorëve të shoqërisë civile dhe institucioneve ndërkombëtare, duke shërbyer si platformë ndërveprimi dhe bashkëpunimi për adresimin e sfidave bashkëkohore në fushën e informacionit dhe medias.
Agjencia për Media dhe Informim, e përfaqësuar nga Koordinatorja për Përmbajtjen dhe Hulumtimin, ishte e pranishme në diskutimet e organizuara gjatë forumit mbi tematika me rëndësi për mjedisin mediatik global, si: edukimi mbi median në kontekstin e digjitalizimit; sfidat për sigurinë e informacionit në epokën e inteligjencës artificiale; ndikimi i rrjeteve sociale në formësimin e diskursit publik dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve ndaj medias.
Në kuadër të forumit, delegatët zhvilluan vizita në disa nga zonat e rindërtuara të rajonit të Karabakh-ut, pas konfliktit mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Qytetet Aghdam, Khankendi, Khidirli, Shusha dhe Fuzuli ofruan një pasqyrë të drejtpërdrejtë mbi proceset e rikonstruksionit, zhvillimit infrastrukturor dhe përpjekjeve për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në një rajon me ndjeshmëri të lartë historike dhe gjeopolitike.
Pjesëmarrja në Forumin e Shushës, përbën një mundësi të vlefshme për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe për fuqizimin e rolit të Agjencisë në proceset globale, që synojnë rritjen e transparencës, etikës dhe luftës ndaj dezinformimit.