Akademia Amerikane e Teknologjisë, një ofertë e re universitare për të rinjtë për formimin akademik e profesional - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Akademia Amerikane e Teknologjisë, një ofertë e re universitare për të rinjtë për formimin akademik e profesional

Institucioneve të arsimit të lartë në vend, i shtohet një tjetër Akademi e re prestigjioze, (American Academy of Technology, Tirana), e cila vjen në partneritet strategjik me një prej universiteteve më të njohura në fushën e teknologjisë, që është Instituti i Teknologjisë Rochester (RIT) ne New York të SHBA.

Akademia e re është fryt i bashkëpunimit mes Institutit të mirënjohur “Harry Fultz” dhe Institutit të Teknologjisë Rochester (RIT), i renditur ndër Universitetet më të mira amerikane, duke çelur një derë të madhe të formimit akademik profesional për të rinjtë që kanë zgjedhur këtë drejtim.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu ishte sot në ceremoninë e prezantimit të programeve dhe diplomave të Teknologjisë Rochester (RIT), të cilat do të hapen në shtator të këtij viti, dhe do të mundësojë dhënien e një diplome të akredituar nga autoritetet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, tha se Akademia e re vjen në kuadër të qëllimit strategjik të qeverisë për të ridimensionuar ofertën universitare, për ta për ta bërë më të larmishme, por mbi të gjitha më cilësore dhe me standarde ndërkombëtare.

“Akademia Amerikane e Teknologjisë së Tiranës është institucioni më i ri, i cili do të hapë dyert në shtator të vitit 2025 me dy programet e para të studimit dhe ne jemi krenarë që tashmë të gjithë kolanës së Institucioneve të arsimit të lartë i shtohet ky institucion prestigjioz që vjen në fakt në kuadër të gjithë qëllimit tonë strategjik për të ridimensionuar ofertën universitare, për ta zgjeruar ate, për ta bërë më të larmishme, por mbi të gjitha më cilësore dhe me standarde ndërkombëtare.” – u shpreh ajo.

 

* * *

 

Kryeministri Edi Rama: Në radhë të parë dua t’iu kërkoj ndjesë për vonesën se sidomos atyre që janë më të rinj këtu, se jam shumë i qartë që e kanë padurimin më të lartë edhe më vjen keq që iu lash disa minuta më shumë që të prisni, por koincidenca është që vonesa kishte të bënte me një tjetër program që ne kemi së bashku me një tjetër institucion prestigjioz ndërkombëtar në fushën e arsimit, në këtë rast të arsimit të lartë. Ishim me përfaqësuesit e universitetit Bujqësor dhe ata të universitetit Boku në Vienë. Universiteti Bokus i Vienës është një nga universitet më prestigjiozë të Europës dhe aktualisht sot që flasim ka një proces të tërë reformimi të Universitetit Bujqësor të Tiranës, në bashkëpunim me Universitetin Boku në bazë të një marrëveshje që synon të njëjtën gjë që synohet edhe këtu me këtë marrëveshje të Institutit “Harry Fultz” me Institutin Teknologjik të Rochester, pra dhënie e mundësisë së studentëve dhe nxënësve shqiptar që në Shqipëri të mund të marrin një edukim të nivelit më të lartë ndërkombëtar dhe në fund fare të mund të marrin edhe një diplomë e cila është e njëjta diplomë 100 % e barasvlershme me diplomën që merret në institucionin përkatës, në këtë rast për ju në Institutin e Teknologjisë së Rochester, por duke zhvilluar mësimet dhe praktikat këtu në Tiranë.

Tanimë ky është një kantier i hapur me shumë projekte që po marrin formë dhe patjetër që këtu ka një rol të madh edhe vizioni dhe ambicia, dhe vetë vullneti i aktorëve, në këtë rast i përfaqësuesve të Harry Fultz që e deshën këtë zhvillim kaq të rëndësishëm strategjik për institutin dhe jemi takuar 16 muaj më parë kur na e kanë prezantuar këtë ide dhe shprehur këtë ambicie duke kërkuar mirëkuptimin dhe mbështetjen tonë.

Kemi bërë besoj atë që është dashur të bëjmë dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që sot këtu e kremtojmë këtë moment të zyrtarizmit të këtij programi dhe faktikisht të hapjes së rrugës për aplikime për të nisur me studimet në Institutin Teknologjik të Rochester këtu në këtë kampus duke filluar nga sezoni i ardhshëm akademik dhe patjetër që të gjithë atyre që janë këtu, nxënëse dhe nxënësve të Harry Fultz ju ka prirë mirë jeta që kanë ardhur në këtë derë edhe që pikërisht në momentin që janë duke studiuar këtu shfaqet kjo mundësi për t’i vazhduar dhe thelluar studimet po këtu, por duke u bërë edhe amerikan në profesion.

Ne sot jemi në kushtet kur po zhvillohet në mënyrë intensive, interesi por edhe praktika e studimeve të të gjitha niveleve për teknologjinë e re dhe duke qenë se në këtë program të ri ka një kontribut të posaçëm edhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, dua të theksoj që falë kontributit të këtij fondacioni, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan në fakt ju e njihni si fondacioni që grabiti Butrintin, se këto të tjerat nuk janë shumë publike, po besoj e keni dëgjuar që Butrintit është grabitur. Kështu që kur të shkoni në Sarandë për pushime mos shkoni në Butrintit se nuk është më aty. Janë marrë të gjithë gurët e vjetër, është ngritur në hava e gjithë zona dhe e kanë çuar diku që nuk dihet akoma se ku, por nuk është bërë shumë publike se çfarë bën Fondacioni Shqiptaro Amerikan për teknologjinë.

Këtu unë përfitoj nga rasti që të sjell në vëmendje të kujtdo që na ndjek se ju jeni të rritur për këtë që do them, që tek Piramida zhvillohet një praktikë e jashtëzakonshme e futjes së fëmijëve në teknologji. Me programe të jashtëzakonshme dhe me një sukses të jashtëzakonshëm është një program edhe ky i marrë nga jashtë që zbatohet 100 % edhe këtu në Shqipëri. Programi i qendrës TUMO për teknologjinë dhe arsyeja pse po e theksoj  është që të gjithë ata që i kanë fëmijët e tyre në një moshë nga 12 deri në 18 janë të ftuar që ta shikojnë këtë program pasi aty pranimet bëhen falas, pikërisht sepse ka një bashkëpunim dhe një marrëveshje midis fondacionit dhe bashkisë së Tiranës për ta mundësuar këtë për të gjithë ata që kanë vullnetin, natyrisht dhe talentin për këtë punë.

Po ashtu ne pasi të mbarojmë këtu do shkojmë prapë me vonesë në mbledhjen e qeverisë dhe një nga vendimet që kemi sot është përfundimit i procesit për parkun e madh teknologjik Durana, që është një hapësirë e re me një legjislacion të posaçëm që do të mundësojë  tërheqjen e shumë kompanive apo startup-eve për të zhvilluar aktivitet e tyre në territorin e atij parku dhe natyrisht për gjithë ata që do të kryejnë studimet në Institutin Teknologjik të Rochester, por edhe ata që mbarojnë studimet në institutin e Harry Fultz në këtë fushë është një horizont i ri. Ashtu si kundër një horizont i ri do të jetë edhe qendra tjetër e Vlora Tech Space në qendër të Vlorës ku një godinë dikur e papërdorur në mes të sheshit, por transformohet në një hapësirë që do të vihet në një masë të madhe në funksion pikërisht të teknologjisë.

Me fondacionin do të hapim po ashtu në shtator dyert e “Ecole 42”, që është një shkollë ekselence franceze, përsëri në fushën e teknologjisë, studime më të avancuara me një metodologji tërësisht inovative dhe paralelisht me të edhe liceun francez për teknologjinë në Korçë, një projekt që po e ndjekim së bashku me Presidentin e Republikës së Francës dhe që është një zotim i bërë ndaj një komunitetit qytetarësh në Korçë që kërkuan që të rilindi edhe liceu francez.

Ju e dini që korçarët e kanë pasur gjithmonë këtë besim që i përkasin Parisit dhe Francës më shumë sesa Tiranës dhe këtyre zonave përreth, por e rëndësishme është që dhe kjo do të ndodhë.

Po ashtu do të vazhdojmë me TUMO-t dhe ne Shkodër dhe Elbasan. Pra, jemi në një kohë ku po krijohet një ekosistem i tërë për të mundësuar studimin e teknologjisë dhe për të mundësuar punësimin e mirë paguar falë njohjes së teknologjisë.

Lajmi i mirë është që sot ka një përmbysje të dinamikes midis shtetit dhe sipërmarrjes apo strukturave të arsimit dhe sipërmarrjes sepse nëse deri dje ishte një përpjekje e vazhdueshme dhe jo shumë  e suksesshme për t’i bindur sipërmarrësit që të investojnë në burimet njerëzore, sot kompanitë janë gjithmonë e më të interesuara për tu lidhur me këto institucione dhe jam i bindur që te “Harry Fultz” e kanë ndjerë këtë interesim dhe për të filluar të bëjnë marrëveshje për punë me punonjësit e tyre të ardhshëm qysh në bankat e shkollës. Dhe ajo që vlen për takimin e sotëm është që kërkesa e sipërmarrjes shqiptare për punonjës me dije në fushën e teknologjisë është vërtetë e lartë dhe ofertat e pagave janë vërtete të larta.

Në mos gabohem por dhe nëqoftëse nuk është e vërtetë, është e gjetur shumë bukur, por unë mos gabohem, Harry Fultz kur iku nga Shqipëria pati lënë një pusullë dashurie për shqiptarët ku i uronte të gjitha të mirat dhe ku shprehte vetëm një shqetësim, që thoshte: “shqiptarët kanë vetëm një problem, prodhojnë më shumë histori sesa ç’mund të tresin”. Dhe ky është një problem që besoj të gjithë jemi dakord që e kemi se dhe aq më shumë në këtë periudhë në histori, ne jemi futur ne prodhimin intensiv të historive që na bëjnë shumë më tepër dëm sesa na bëjnë mirë në raport me vetveten, në raport me vendin, në raport me perspektivën tonë shoqërore, por ajo që në fund të ditës dhe në fund të rrugës mbetet është çfarë në të vërtetë mbillet dhe korret me punë dhe me përpjekje të përditshme.

Është për të ardhur keq që për shkak të prodhimit intensiv të historive të përditshme që zënë të gjithë hapësirën e komunikimit mes njerëzve shumëçka nga ato që ndodhin, nga ato që bëhen, nga ato që zhvillohen në të gjithë territorin me përpjekje dhe me kontributin e shumë njerëzve, e shumë sipërmarrjeve, e shumë individëve, edhe të institucioneve mbeten të panjohura për të tjerët. Dhe prandaj mua më vjen shumë mirë sot që jemi këtu dhe më vjen shumë mirë që me këtë rast instituti shfrytëzon praninë tonë për të kaluar këto mesazhe përmes kamerave edhe tek të tjerët. Sepse është shumë e rëndësishme që ky realitet i ri që krijohet këtu sot të mësohet edhe të mbahet parasysh edhe nga shumë vajza dhe djem, edhe nga shumë prindër që duan më të mirën për fëmijët e tyre që ta dinë që nga sot në Shqipëri, në Tiranë ka një derë të re të hapur për të gjithë fëmijët që kanë ambicie dhe vullnet për të hyrë në botën e teknologjisë që në fund të studimit të marrin një diplomë e cila është e njëjta diplomë që përndryshe do duhet ta merrnin duke shkuar në Shtetet e Bashkuara dhe me shpenzime marramendëse. Dhe po ashtu ta mësojnë që për një pjesë të konsiderueshme të atyre që do hyjnë në institutin e teknologjisë së Rochester ka një fondacion që nga “grabitja e Butrintit” ka fituar sasi shumë të mëdha parash dhe një pjesë të tyre do t’i vërë për bursa për studentet.

Këto janë pak a shumë gjërat që unë doja të ndaja me ju. Ndërkohë falënderoj, është bërë zakon të falënderohet Ambasada Amerikane dhe kur nuk është prezentë kështu që sot është prezente. Falënderoj shumë përfaqësuesen dhe është e dyta ditë rresht që ne takohemi dhe flasim për dy realitete të reja akademike dhe profesionale që lidhen me Shtetet e Bashkuara. Dje për një qendër të re të trajnimit profesional për prodhimet audio vizuale dhe sot për këtë institut. Ministrja tha dhe të tjera realitete që janë duke u formësuar në Tiranë dhe në Shqipëri falë ndërkombëtarizimit të arsimit, kështu që kushdo të mësojë, kush do të fitojë falë punës dhe falë përpjekjeve dhe kush do pastaj të dalë i fituar nga mësimet dhe të dalë i fituar dhe në jetë, këtu në Shqipëri, duke filluar nga ky oborri këtu i ka të gjitha mundësitë ta bëjë. Kush nuk do i ka të gjitha historitë në dispozicion për të nxjerrë të gjitha llojet e justifikimeve që ky vend nuk bëhet mër jahu.

Shumë faleminderit!

Previous Laboratori i Mediave Digjitale, investimi më i ri në praktikat mësimore të studentëve