Aksion për bllokimin e objekteve në Farkë, Koçiu: Askush nuk përfiton mbi lejen
Operacioni kombëtar për vendosjen e ligjshmërisë në territor ka nisur zbatimin në zonat rreth Tiranës, me fokus ndërtesat e ngritura pa leje ose përtej kushteve të miratuara. Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, së bashku me drejtues të Policisë së Shtetit, Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Bashkisë së Tiranës, inspektoi sot në Farkë bllokimin e disa objekteve që kanë tejkaluar lejet e ndërtimit.
Sipas verifikimeve në terren dhe monitorimit ajror me dron, janë konstatuar shkelje të shumta nga ndërtues, mbikëqyrës dhe inspektorë, të cilat do të trajtohen me masa administrative dhe penale sipas paketës së re ligjore për kontrollin e territorit.
Ministrja Koçiu theksoi se aksioni është pjesë e një procesi më të gjerë që synon mbrojtjen e hapësirave publike dhe parandalimin e përfitimeve të paligjshme nga ndërtimi. “Askush që ka një leje ndërtimi apo del përtej lejes së ndërtimit nuk do të lejohet të përfitojë asnjë metër katror më tej se leja e dhënë,” deklaroi ajo, duke bërë thirrje edhe për qytetarët që kërkojnë të blejnë prona, të verifikojnë statusin ligjor të tyre.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, vuri në dukje se në zona si Farka dhe Lundra janë konstatuar ndërtime që kanë tejkaluar dukshëm kushtet e lejeve dhe volumet e miratuara. Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, theksoi se hetimet penale do të përfshijnë edhe zyrtarët e përfshirë në këto abuzime, përveç ndërtuesve. Ai shtoi se Policia e Shtetit do të garantojë mbështetje të plotë për inspektoratet gjatë zbatimit të operacioneve në terren.
Kryeinspektorja e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, apeloi për zbatim rigoroz të standardeve teknike dhe ligjore nga ndërtuesit, mbikëqyrësit dhe projektuesit, duke theksuar se inspektimet dhe ndërhyrjet do të vijojnë.
Aksioni synon të vendosë rend dhe kontroll në territor, të mbrojë pronën publike dhe të garantojë zhvillim të qëndrueshëm urban.