Ministri i Brendshëm Taulant Balla lajmëroi krijimin e një strukture të re në Policinë e Shtetit, për t’i dalë para nevojës për një nivel tjetër sigurie në zonat turistike. Ajo do të quhet ‘Forca Kombëtare e Sigurisë Publike’ dhe ministri konfirmoi në eventin ku u analizua sezoni turistik 2023, se përgatitjet kanë nisur.
“Unë e di shumë mirë se Policia lokale e Sarandës, për shembull, e ka të pamundur të përballojë sfidën që presim të kemi, qoftë në numër të turistëve, qoftë në cilësinë e tyre. Policia jonë në nivel vendor vuan edhe nga fenomeni i familjarizimit, duke dëmtuar kështu efektivitetin e punës dhe mosreagimit në kohë Policisë së Shtetit. Prandaj ne po krijojmë një Forcë Kombëtare të Sigurisë Publike, brenda Policisë së Shtetit, e cila të jetë e gatshme dhe me kapacitete të mjaftueshme, të përballojë nevojat dhe pritshmëritë e Shqipërisë turistike 10 milionë PLUS. Kjo strukturë e re brenda Policisë së Shtetit do të rrisë prezencën dhe efikasitetin e policisë në të gjithë territorin”, tha Balla.
Ai shtoi më tej se lajmi më i bukur i këtij viti nuk është vetëm shifra 8.3 milionë turistë, por certifikimi ndërkombëtar i Shqipërisë si një destinacion europian me bukuri natyrore, mikpritje të pakonkurueshme dhe siguri mbresëlënëse.
“Sot mund ta themi me kokën lart dhe me krenari se Shqipërisë i është pastruar një herë e mirë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare”, nënvizoi ministri i Brendshëm.
“Nga fjala ime sot këtu dua të mbahet mend mirë se gjatë këtij sezoni turistik nuk është evidentuar asnjë ngjarje kriminale, ndaj jetës së turistëve të huaj që zgjodhën Shqipërinë për të pushuar”, deklaroi Balla.
Ai informoi se gjatë këtij sezonit turistik, kanë kryer shërbim në zona turistike mbi 1600 punonjës policie, pothuajse 1/6 e gjithë forcës së disponueshme policore.
Ndër masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit ai veçoi ngritjen e funksionimin e 6 stacioneve provizore policore në zonën turistike, krijimin e Njësisë Policore Detare, me mbi 100 punonjës.
“Janë trajtuar telefonata/ankesa nga publiku në zonat turistike/plazhe 2905 raste, janë trajtuar mosmarrëveshje të ndryshme në 1134 raste (për të mos lejuar më përsëritjen e rastit të turpshëm të Mihal Kokëdhimës, katër vite më parë) dhe janë arrestuar autorët në 124 raste”, deklaroi Ministri.
Më tej, Balla kërkoi nga njësitë e vetëqeverisjes vendore investime për sinjalizimin rrugor, në rrugët që të çojnë në zonat bregdetare, si në ato kryesore ashtu dhe ato në dytësore.
Më poshtë fjala e plotë e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla në takimin për Analizen e Sezonit Turistik Veror:
Lajmi më i bukur i këtij viti nuk është vetëm shifra 8.3 milionë deri më 30 Shtator, por certifikimi ndërkombëtar i Shqipërisë sonë si një destinacion europian me bukuri natyrore, mikpritje të pakonkurueshme dhe siguri mbresëlënëse.
• Sot mund ta themi me kokën lart dhe me krenari se Shqipërisë i është pastruar një herë e mirë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare.
• Në një pjesë të mirë ta artikujve që u shkruan e u shfaqën në televizionet, gazetat, revistat gjatë kësaj vere për këtë sekret të rizbuluar mu në mes të Europës, e që laget nga dy ndër detet më të lakmuar të Mesdheut, nënvizohej edhe fakti se në Shqipëri turistët e huaj gjetën një siguri mbresëlënëse e që s’kishte asnjë lidhje me legjendat e zymta që kishin dëgjuar për Shqipërinë e pasigurtë. Nuk do të ishte diplomatike të hyja në krahasime me destinacione të tjera turistike në mesdhe dhe mbarë Europën, kur bie fjala për indikatorë të sigurisë publike. Le t’i hedhin një sy hartës së së shifrave të vjedhjeve të shtëpive/hoteleve në Europë, ku Shqipëria ka numrin më të ulët të vjedhjeve, në raport me numrin e banorëve.
Nga fjala ime sot këtu dua të mbahet mend mirë se gjatë këtij sezoni turistik nuk është evidentuar asnjë ngjarje kriminale, ndaj jetës së turistëve të huaj që zgjodhën Shqipërinë për të pushuar.
• Këta 8.3 milionë miq të huaj që kanë ardhur në Shqipëri, dhe pavarësisht se nga kanë hyrë, nga toka, deti, apo ajri, kontaktin e parë dhe të fundit gjatë vizitës së tyre, e kanë pasur me punonjësin e Policisë së Shtetit. Kam patur personalisht mundësinë, që nga dita e parë e marrjes së detyrës si Ministër i Brendshëm, që të vizitoj pothuajse të gjitha pikat e kalimit të kufirit, nga Aeroporti i Rinasit ku u operuan nga policia kufitare deri mbi 200 fluturime, në ditë, në Portin e Durrësit, apo pikat tokësore të kalimit kufitart.
• Siguria e turistëve është thelbësore për çdo destinacion që përpiqet të rrisë popullaritetin e tij për vizitorët. Gjithnjë e më shumë vende vendosin njësi policore turistike për të ndihmuar dhe mbrojtur turistët, sepse policia është një pjesë e rëndësishme e imazhit të destinacionit. Gjatë këtij sezonit turistik, kanë kryer shërbim në zona turistike/plazhe mbi 1600 punonjës policie, pothuajse 1/6 e gjithë forcës sonë të disponueshme policore. Duhet ta kemi të gjithë parasysh një fakt, tek i cili duhet të bazohet një mbështetje edhe më e madhe dhe e merituar për Policinë e Shtetit, jo vetëm sa i përket trajtimit financiar. I gjithë ky fluks gjatë vitit 2023, me 30% më shumë sesa një vit më parë, është përballuar nga e njëjta trupë policore.
• Ndër masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit mund të veçoj:
– Ngritja e funksionimit i 6 stacioneve provizore të policisë në zonën turistike Theth dhe Valbonë, Gjiri i Lalzit, Tale, Palasë si dhe plazhet Ksamil;
– Krijimi i Njësisë Policore Detare, e përbërë me mbi 100 punonjës policie të përzgjedhur nga policia kufitare e migracionit dhe policia e rendit.
– Policia Kufitare i ka ofruar ndihmë 485 shtetave për 65 mjete lundruese turistike që kanë shfaqur avari. Janë kontrolluar 4798 mjete lundruese rreth 3 herë më shumë sesa gjatë vitit 2022, nga të cilat janë bllokuar 280 prej tyre. Janë ankoruar/përpunuar 1642 jahte të huaja në portet tona.
– Për përballimin e fluksit të hyrje daljeve në PKK është realizuar shtimi i sporteleve dhe personelit policor në të gjitha PKK (hyrje-dalje).
– U bë kufizimi i qarkullimit të mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave, për periudhën nga 15 qershor 2023 deri më 15 shtator 2023.
– Janë trajtuar telefonata/ankesa nga publiku në zonat turistike/plazhe 2905 raste; janë trajtuar mosmarrëveshje të ndryshme në 1134 raste (për të mos lejuar më përsëritjen e rastit të turpshëm të Mihal Kokdhimës, katër vite më parë) dhe janë arrestuar autorët në 124 raste.
– Kontrolle/monitorim i zhurmave dhe muzikës përtej orës së lejuar nga policia 6027 raste
– Dhënie ndihmë për largime (humbje) të miturve në 757 raste.
– Dhënie ndihmë në rast rënie zjarri në 19 raste.
– Dhënie ndihme në rast rreziku mbytje të shtetasve e ngjarje të tjera në 73 raste.
– Dhënie ndihme në raste humbjeje në zona të thella malore/pyje në 12 raste për 21 shtetas të huaj.
Zjarrvënie të qëllimshme, në shumë raste të favorizuara edhe nga koha
• Me gjithë këto sfida që ne kemi hasur gjatë këtij sezoni, Policia e Shtetit ka qenë padyshim në lartësinë e detyrës dhe ka bërë një punë të palodhur në terren, edhe në kushte të vështira, jo vetëm meteorologjike, siç ishin ditët e nxehta të gushtit.
Nga njësitë e vetëqeverisjes vendore kërkohet angazhim dhe investim më i madh, kryesisht në fillim të sezonit turistik veror për sinjalizimin rrugor në rrugët që të çojnë në zonat bregdetare, si në ato kryesore ashtu dhe ato në dytësore.
Gjithashtu, ju kemi kërkuar të vendosen tabela ndalimi apo tërheqje vëmendje në zonat me rrezikshmëri për jetën e pushuesve.
Pesë vitet që kemi përpara do të jenë një provë e vërtetë zjarri për Shqipërinë turistike.
Qysh vitin tjetër duhet të përballemi me një kërkesë shumë më të lartë se e sivjetshmja edhe në sasi, por edhe në cilësi.
Kryeministri na e thotë cdo ditë se nëse në këtë fazë të re, nuk do jemi të lartësinë e pritshmërisë së rritur të botës ndaj nesh, atëherë ky nam i mirë që kemi marrë sot do të na kthehet në boomerang.
Me Policinë e Shtetit kemi filluar në fakt përgatitjet, për t’i dalë përpara nevojës për një nivel tjetër sigurie në zonat turistike. Unë e di shumë mirë se policia lokale e Sarandës për shembull e ka të pamundur të përballojë sfidën që presim të kemi, qoftë në numër të turistëve, qoftë në cilësinë e tyre. Policia jonë në nivel vendor vuan edhe nga fenomeni i familjarizimit, duke dëmtuar kështu efektivitetin e punës dhe mosreagimit në kohë Policisë së Shtetit. Prandaj ne po krijojmë një Forcë Kombëtare të Sigurisë Publike, brenda Policisë së Shtetit, e cila të jetë e gatshme dhe me kapacitete të mjaftueshme, të përballojë nevojat dhe pritshmëritë e Shqipërisë turistike 10 milionë PLUS. Kjo strukturë e re brenda Policisë së Shtetit do të rrisë prezencën dhe efikasitetin e policsë në të gjithë territorin.
Masa të tjera do të kemi mundësi të njoftojmë edhe në vijim.
Na vaftë mbarë!