Ankandi i parë i parqeve eolike, shpallja e fituesve - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ankandi i parë i parqeve eolike, shpallja e fituesve

Në datë 25 korrik 2023 pranë Ambienteve të COD në Kryeministri u zhvillua faza e fundit e Ankandit të parë për Parqet Eolike që do të ndërtohen në vendin tonë. Kjo fazë kishte të bënte me hapjen e ofertave ekonomike të kompanive konkurruese.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrnin pjesë Zv.Kryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Ambasadorja e Zvicrës në vendin tonë Ruth Huber, Drejtoresha e BERZH për Shqipërinë, Ekaterina Solovova si dhe stafet e ekspertëve të MIE dhe BERZH që kanë organizuar procedurat e ankandit.

Ofertuesit e kualifikuar dhanë ofertat e tyre financiare si vijon:

Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Total Eren” dhe “KMV” sh.p.k. – 44.88 Euro/Mwh MW.

Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “BRD” Sh.p.k., “Guris Insaat Ve Muhendislik A.S”, dhe “Mogan Energy A.S” – 74 Euro/MWh.

“Verbund” – 74.95 Euro/MWh.

Kapaciteti total i 3 projekteve është 222.48 MW.

Në 15 qershor 2021 Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë hapi procedurën konkurruese të kualifikimit për përzgjedhjen e projekteve për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike eolike (të erës) në tokë, që do të përfitojnë masa mbështetëse, me vendndodhje të përcaktuar nga zhvilluesit. Ky ankand është i pari që organizohet nga Qeveria Shqiptare dhe është i pari në rajon.

MIE ftoi Ofertuesit Potencialë të identifikojnë dhe të propozojnë vendndodhje të përshtatshme për projektimin, financimin, ndërtimin dhe operimin e një impianti eolik të ri në tokë.

Për të ndihmuar Ofertuesit Potencialë, MIE në bashkëpunim me konsulentët ka hartuar një studim i cili është një analizë e përgjithshme të erës të territorit shqiptar për të treguar zonat potencialisht të përshtatshme për zhvillimin e projekteve të reja eolike si dhe zonat e papërshtatshme/të papranueshme për zhvillimin e projekteve të energjisë së erës të përcaktuara si “të kufizuara” ose “zona të ndaluara”. Studimi u vendos ne dispozicion për të gjithë të interesuarit, i aksesuheshem në faqen zyrtare të MIE në adresën: https:/www.infrastruktura.gov.al/shprehje-interesi/.

Pjesëmarrja në këtë ankand lejohej vetëm për projekte me një kapacitet minimal prej 10 MW dhe kapacitet maksimal prej 75 MW. Procesi Konkurues u zhvillua në dy faza:

1. Faza e parë – Kërkesa për Kualifikim (KPK) synon para-kualifikimin e Ofertuesve Potencialë që gëzojnë eksperiencën e duhur teknike, burimet financiare dhe pozitën ligjore për të përfunduar një projekt. KPK është publikuar në qershor 2021.

2. Faza e dytë – Kërkesa për Propozim (KPP) gjatë së cilës secili nga Ofertuesit e Para-Kualifikuar duhet të provojë realizueshmërinë e projektit në vendndodhjen e propozuar, të marrë një numër lejesh ose të drejta paraprake mbi tokën dhe të dorëzojë një Ofertë Financiare. Afati i fundit për t’iu përgjigjur KPP-së do të jetë në tremujorin e dytë të 2023.

Në fazën e parë në total u paraqitën 14 subjekte kombëtare dhe ndërkombëtare, që kanë shprehur interesin për tu kualifikuar në fazën e dytë.

Ekspertët e MIE në bashkëpunim me BERZH dhe konsulentët e saj, shqyrtuan të gjitha kërkesat e paraqitura, ku ndër të tjera u shqyrtua eksperienca e duhur teknike, burimet financiare dhe pozita ligjore për të përfunduar një projekt eolik.

Në përfundim të shqyrtimit, 6 kompani u kualifikuan në fazën e dytë. Në fazën e dytë 4 nga 6 kompani paraqitën dokumentacionin e kërkuar.

Ekspertet e MIE në bashkëpunim me BERZH dhe konsulentët e saj, shqyrtuan dokumentacionin e paraqitur, duke skualifikuar 1 kompani pasi nuk plotësonte kërkesat e procedurës konkuruese dhe 3 kompani janë kualifikuar për hapjen e ofertës ekonomike.

Sipas dokumenteve të procedurës konkurruese lejohet dhenia e kapaciteti total mbi 200 MW.

Në përputhje me dokumentet e procedurës konkurruese dhe bazuar në këshillimin e ekspertëve të BERZH, të tre subjektet që kanë paraqitur ofertën ekonomike, të cilat janë nën çmimin tavan të propozuar nga MIE, janë shpallur fituese të ankandit.

Çdo Ofertues i Përzgjedhur do të lidhë një Marrëveshje për Zhvillimin e Projektit dhe një Kontratë për Diferencë për të shitur 100% të prodhimit të energjisë nga Projekti i tij me masa mbështetëse me çmim fiks, të barabartë me Ofertën e tij Financiare në Procedurën Konkurruese.

Vlen të theksohet se çmimi mesatar i peëfituar nga kjo procedurë është shumë më i ulët nga çmimet mesatare të përftuara nga ankande të ngjashme për energjinë e erës. Në raundin e fundit të ankandit në Gjermani të këtij viti, “çmimi mesatar i dhënë ishte 73.40 euro/MWh (78 dollarë/MWh), pasi qeveria ngriti çmimet maksimale të ofertës me një të katërtën, duke reflektuar presionet inflacioniste mbi kostot e projektit dhe rritjen e normave të interesit”. Ndërsa në ankandin e fundit francez të erës në tokë, u dhanë 73 projekte me një kapacitet total prej 1156 MW, të cilat do të prodhojnë energji elektrike për një çmim mesatar prej 85.29 €/MWh.

Fjala e Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në ceremoninë e hapjes së ofertave dhe shpalljes së fituesve të ankandit ndërkombëtar për ndërtimin e parqeve eolike:

Përshëndetje të gjithëve!

Sot është një ditë e shënuar sërish për fushën energjetike shqiptare, pasi me të vërtetë kemi bërë një progres të jashtëzakonshëm në katër vitet e fundit përsa i përket strategjisë sonë të diversifikimit të burimeve të rinovueshme. Por, sigurisht sot ne po shënojmë një gur të ri kilometrik përsa i përket këtij sektori, pasi ankandi i sotëm vjen për një burim të rinovueshëm deri tani të papërdorur në Republikën e Shqipërisë. Edhe ato iniciativa individuale që kanë qenë deri më sot janë të vogla dhe jo funksionale, kështu që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me bashkëpunim të shkëlqyer me BERZH-in për herë të disatë përsa i përket ankandeve energjetike, pas një periudhe të gjatë 2 vjeçare dhe një periudhe parapërgatitore që ka prirë këtë periudhë dy vjeçare, sot vjen krenarisht për të shpallur fituesit e ankandit të parë eolik me çmim të mbështetur nga qeveria shqiptare.

Para se të filloja dhe të jepja detajet e të gjithë këtij projekti të madh do të desha të falenderoja të gjithë bashkëpunëtorët e mi, ata që kontribuojnë çdo ditë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë, ata që nuk lodhen kurrë duke u munduar që të gjejnë mënyra të reja për të rritur kapacitetet tonë energjetike, ata që bashkëpunojnë më së miri edhe me të gjithë konsulentët që na janë vënë në dispozicion nga BERZH-i, por edhe nga partnerët tanë, pra nga ambasadorët dhe stafet e tyre. Por, mbi të gjitha të gjithë kolegët e mi të cilët kanë arritur të bindin me punën  e tyre të palodhur kompanitë e mëdha ndërkombëtare që në Shqipëri çdo proces tashmë është transparent.

Kështu do ti kthehem edhe njëherë ngjarjes së sotme. Kemi lançuar këtë garë në 15 qershor të vitit 2021, pra 25 muaj më parë. Për të thënë të drejtën kur i kam shpjeguar kryeministrit që ne ishim gati për të hapur një garë të re tashmë për një burim të ri energjetik, siç është ai eolik, u gëzua pa masë si të gjitha ankandet që ne kemi bërë, por ku unë i thashë sesa muaj do të merrte atëherë filloi debati midis palëve. 24 muaj! Do presim 24 muaj dhe kishte shumë të drejtë, sepse ne kemi nevojë që të ecim përpara sa më shpejt, por nga ana tjetër tashmë jemi të gjithë të qartë që procese të cilat bëhen ashtu siç duhen që dizenjohen dhe vendosen në kolona të forta dhe në korniza të forta ligjore janë të pakontestueshme dhe zakonisht nga ç’na ka treguar eksperienca e viteve të fundit prodhojnë një produkt i cili është jo vetëm i vlefshëm për sistemin tonë energjetik, por edhe i favorshëm. Ashtu siç ishte rasti i dy parqeve energjetike atij të Karavastasë dhe atij të Spitallës. Kështu që këto dy vite padyshim ia kanë vlejtur. Duket sikur kanë kaluar në një hapje e mbyllje sysh, për mua të paktën dhe për stafet e mia, sigurisht ka qenë kohë e gjatë pritje për të tjerët.

Pas 15 qershorit 2021 MIE hapi procedurën konkurruese të kualifikimit për përzgjedhjen e projekteve për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike eolike, duke ftuar ofertuesit potencialë të identifikojnë dhe të propozojnë vendndodhje të përshtatshme për projektimin, financimin, ndërtimin dhe operimin e një impianti eolik. Për të gjitha ata që na kanë ndjekur të gjithë progresin tonë përsa i përket krijimit të burimeve të reja të rinovueshme në rastin e parqeve fotovoltaike Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, pra shteti shqiptar ka vënë në dispozicion tokën, ndërkohë këtë radhë kemi komplet një instrument të ri. Investitori, ofruesi i shërbimit, duhet të merrte parasysh edhe gjetjen e tokës, por çfarë ne kemi bërë dhe ka qenë guri i themelit i të gjithë këtij procesi është që kemi porositur dhe komisionuar një studim analitik, i cili tregonte sesi dhe ku duhet të ndërtohen në territorin e Shqipërisë parqet eolike, pasi varet performanca e tyre nga korridorët në të cilat ato ndërtohen, pra sa është shpejtësia e erës, në cilën lartësi gjendet era, kështu që duke i vënë në dispozicion këtë analizë, këtë studim të gjithë kompanive të cilat ishin të interesuara ne kemi vënë gurin e parë të themelit të këtij procesi ku për herë të parë investitori duhet të gjejë edhe tokën.

Nga ana tjetër, ky studim sot e kësaj dite, ndodhet i publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe është atje për tu përdorur nga të gjithë ato entitete private të cilat dëshirojnë që të vazhdojnë dhe të investojnë në fushën e parqeve eolike. Pjesëmarrja në këtë proces konkurrues lejohej vetëm për kapacitete minimale 10 megavat dhe për kapacitete maksimale 75 megavat/orë. Ndërkohë që nëpërmjet këtij procesi konkurrues Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të përzgjedhë projekte të cilët do të përfitojnë masat mbështetëse me një kapacitet të përgjithshëm prej jo më pak 150 megavatorësh. Gjatë rrugës kemi parë një interes shumë të madh, kemi parë 14 kompani kombëtare dhe ndërkombëtare të aplikonin për të qenë pjesë e këtij ankandi dhe si e tillë sigurisht kemi diskutuar me njëri-tjetrin që çfarë do të ndodhte nëse ofertat do të ishin të vlefshme dhe çmimi do të ishte shumë i mirë. Do ta ruanim pragun e 150 megavat/orëve apo do të vazhdonim ta lejonim që të shkonte dhe më lart. Sigurisht çdo megavat/orë në ditët e sotme është i çmuar, aq më tepër kur ky megavat/orë vjen nga burime të rinovueshme. Për këtë arsye mbas një konsultimi të gjerë midis palëve kemi vendosur që patjetër nëse këto oferta do të sillnin më shumë se 150 megavat/orë të vlefshëm ne do të ishim të hapur për të pasur edhe 200 ndoshta edhe më tepër.

Kështu pas përfundimit të fazës së parë në të cilën siç thashë morën pjesë 14 operatorë, subjekte kombëtare dhe ndërkombëtare, ne më pas, ekspertët e BERZH-it së bashku me të gjithë bashkëpunëtorët e mi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shqyrtuan të gjitha kërkesat e paraqitura ku ndër të tjera u shqyrtua eksperienca e duhur teknike, burimet financiare dhe patjetër pozita ligjore për të përfunduar një projekt të tillë eolik. Është synimi ynë kryesor dhe është diçka që e ndjekim me shumë përpikmëri që të gjitha ato projekte të cilat komisionohen nga shteti, bëhet gjithë kjo procedurë serioze dhe e gjatë të kenë rezultat, pasi në të shkuarën kemi pasur një problematikë të ndeshur shpesh që projekte qofshin këto hidro apo qofshin këto solar, mbasi përfundonte faza e vlerësimit, merrej dokumentacioni, licenca dhe sot e kësaj dite qëndrojnë në sirtar për arsye të paditura tek entitetet private, gjë të cilën unë e kam thënë disa herë dhe që ne jemi totalisht kundra si ministri e linjës, këto licenca të dhëna të cilat fillojnë dhe shiten e blihen nga subjekte të ndryshme, duke mos sjellë asgjë në sektorin energjetik. Kështu që synimi ynë kryesor është që të faktonim që të gjitha këto kompani, pra 14 kompanitë pjesëmarrëse plotësonin të gjitha kushtet eksperiencën teknike, fuqinë financiare dhe mbi të gjitha provën se ligjërisht ata mund të arrinin dhe të dorëzonin një projekt të tillë.

Në përfundim të shqyrtimit të fazës së parë, 6 kompani u kualifikuan për fazën e dytë, kërkesa për propozim gjatë së cilës, secili nga këto ofertues të para kualifikuar duhet të provonte sesa ishte në gjendje të realizonte projektin në vendndodhjen e propozuar nga ai dhe nga ana tjetër të merrnin një numër lejesh ose të drejta paraprake mbi tokën dhe të dorëzonin ofertën financiare. Afati përfundimtar për dorëzimin e të gjithë këtyre dokumentacioneve dhe kërkesave ka qenë 31 maj 2023. Nga 31 maji 2023 i gjithë grupi i punës i përbërë vazhdoj ta përsëris, pasi i jemi shumë mirënjohës BERZH-it për gjithë mbështetjen që na ka dhënë gjithmonë, pra i përbërë nga ekspertët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe nga konsulentët e BERZH-it arrin në rezultatin që nga 6 kompanitë fituese për fazën e dytë 4 nga to kualifikohen.

Në 7 qershor të 2023, ekspertët e MIE në bashkëpunim me BERZH, konsulentët e saj, shqyrtuan këtë dokumentacion, duke skualifikuar edhe një kompani tjetër pasi nuk plotësonte kërkesat e procedurës konkurruese dhe si përfundim tre kompani janë kualifikuar për fazën finale, atë të dorëzimit të ofertave financiare të cilët do të kenë mundësinë që të shikojnë ofertat e tyre këtu live sot gjatë këtij transmetimi, pasi ne tashmë e kemi bërë një nga proceset tona që të gjitha ofertat të cilat vijnë për ankandet e burimeve të rinovueshme të hapen në të njëjtin moment live për të gjithë të interesuarit dhe sigurisht duke krijuar kështu transparencën maksimale që ka qenë gjithmonë kërkesë e partnerëve tanë, por dhe e investitorëve të huaj.

Procesi i ndërtimit të parqeve eolike është një hallkë shumë e rëndësishme e sistemit tonë energjetik, tashmë të mirënjohur në të gjithë Europën, jo vetëm në Ballkan, për prodhimin tonë 100% nga burime të rinovueshme, por të bazuar kryesisht, mbi 99% , në burimet hidro dhe duke pasur parasysh që tashmë dy nga ankandet shtetërore që ne kemi mbajtur dhe që ka qenë fituese kompania franceze “Voltalia” janë në ndërtim e sipër, mbi 50 mega janë të përfunduara dhe vazhdon ndërtimi i parkut të parë i cili do të përfundojë me 140 megavatorë, sigurisht që këtij gjerdani të sektorit të energjetikës i shtohet edhe ky kapacitet eolik, i mbështetur me çmim të subvencionuar nga shteti.

Nga ana tjetër, shumë projekte të tjera në fushën energjetike vazhdojnë të ecin me ritme të mira, siç është procesi për hidrocentralin e Skavicës apo rivitalizimi i TEC-it të Vlorës, apo tubi i transmetimit që do të shtrihet nga porti i Vlorës deri në daljen e TAP-it, apo gazifikimi i Korçës që ne po punojmë prej kohësh me një nga partnerët tanë më të fuqishëm, “SOCAR”, kompaninë që është pjesë e konsorciumit të TAP.

Të gjitha këto përpjekje sigurisht kanë një emërues të përbashkët. Kanë synimin tonë për të krijuar një prodhim të ri energjetik të shtuar me 4 terravat deri në fund të vitit 2030 dhe kur këto burime energjetike përputhen plotësisht me axhendën e gjelbërt të Bashkimit Europian, kur këto burime energjetike plotësojnë të gjitha angazhimet tona që kemi dhënë si vend model përsa i përket burimeve të rinovueshme, atëherë ne ndihemi më krenarë se kurrë.

Unë ju falënderoj të gjithëve për vëmendjen dhe do doja që të ftoja këtu tani ambasadoren zvicerane, një nga partnerët tanë në këtë rrugëtim të gjatë, por të suksesshëm dhe ti lë fjalën asaj, për ti kaluar më pas fjalën drejtoreshës së BERZH-it për Shqipërinë, mikes time, Katerinës, me të cilën punoj prej kohësh dhe pavarësisht se kemi debate të zjarrta përsa i përket afateve, projekteve etj, rëndësi ka që të gjitha projektet na shkojnë ashtu siç duhet.

***

Shumë faleminderit. Nuk mund ta imagjinoni gëzimin tonë këtu, por jam shumë e sigurt që të gjithë ata që merren me sektorin energjetik na kuptojnë shumë mirë. E para e punës e kemi nisur, siç ju thashë, me 150 Megavatorë, por kemi arritur që sot të kemi 222 megavatorë, të cilët do të ndërtohen pasi ne e supervizojmë procesin. Sigurisht dua të falënderoj “Total Eren”, shumë faleminderit të tjerëve, por duhet të falënderoj “Total Eren”, jemi të impresionuar nga oferta juaj, e di që vendndodhja juaj ka qenë shumë e mirë. Shumë faleminderit dhe partnerin shqiptar, që ata kanë Viktor Qylafin, i cili njihet për punët e mira në fushën energjetike që i ka kombinuar dhe me prodhimet e tjera që ai ka.

E falënderoj grupin francez dhe sinqerisht me të gjithë respektin për “Verbund”, që është një nga kompanitë më të mëdha austriake, edhe për ofertën e konsorciumit që kryesohet nga kompania turke. Dua që të veçoj, patjetër, dua t’a veçoj “Total Eren” pasi janë një emër i madh. Është hera e dytë që Shqipëria nderohet nga grupet, nga kompanitë franceze, që vijnë dhe ofertojnë këtu, ashtu siç kemi pasur dhe rastin e “Voltalia” që ka ofertuar me 24 dhe 29 euro, të dyja parqet, që Katerina e përmendi shumë saktë dhe tha që vazhdon sot e kësaj dite të jetë një rekord i pathyer. Por unë dua të them, në kohët kur energjia elektrike arriti të shitej me 1042 euro për megavatorë, në 31 gushtin e 2022, që ne sot këtu kemi mesatarisht 222 megavatorë , mesatarisht me 50 e pak euro, kjo është një arritje e shkëlqyer e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo është një arritje e shkëlqyer e Qeverisë Shqiptare. Por ne nuk mund ti bëjmë punët vetëm pa pasur partnerët tanë. Falënderoj ambasadoren e Zvicrës për të gjithë kontributin që jep në vendin tonë. Ambasada e Zvicrës, në shumë fusha, jo vetëm në energjinë e rinovueshme, por në shumë fusha të tjera jetike. Falënderoj kolegët e mi të IBRD, të cilët na kanë qëndruar në krah dhe siç premtoi Katerina do na qëndrojnë dhe në të ardhmen.

Shumë faleminderit të gjithëve.

Previous Situata e zjarreve në vend