Arritjet në vitin 2023 dhe prioritetet e sigurisë së brendshme në 2024 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Arritjet në vitin 2023 dhe prioritetet e sigurisë së brendshme në 2024

Prezantimi nga ministri i Brendshëm Taulant Balla – VIDEO:

Lajmi më i bukur i vitit që mbyllëm nuk ishte vetëm shifra 10.155.640 shtetas të huaj që vizituan Shqipërinë, por çertifikimi ndërkombëtar i Shqipërisë sonë si një destinacion europian me bukuri natyrore, mikpritje të pakonkurueshme dhe siguri mbresëlënëse. Sot mund ta themi me kokën lart dhe me krenari se Shqipërisë i është pastruar një herë e mirë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare. Siguria publike gjatë vitit 2023, ishte një test i rëndësishëm pasi çertifikoi vendin tonë si një destinacion të sigurtë turistik, me ZERO ngjarje kriminale të qëllimshme, ndaj jetës së turistëve të huaj, të cilët zgjodhën Shqipërinë për të pushuar.

POLICIA KUFITARE

– janë rregjistruar në hyrje/dalje, 33,685,793 shtetas. Krahasuar me vitin 2022, janë përpunuar 5,255,075 shtetas më shumë;

– janë rregjistruar në hyrje/dalje, 9,123,127 automjete. Krahasuar me vitin 2022, janë përpunuar 892,419 automjete më shumë;

– janë goditur 87 raste të mosdeklarimit të të hollave, të cilat kanë rezultuar me sekuestrimin e rreth 2,634,944 eurove.

– janë goditur 58 raste të kontrabandës me mallra/produkte të ndyrshme në pikat e kalimit kufitar, 8 raste më shumë se gjatë vitit të shkuar;

– janë goditur 10 raste të trafikimit të mjeteve motorike, 10 më shumë se vitin e shkuar.

– janë finalizuar 154 operacione për goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve, kundrejt pagesave, për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror.

Sezoni i ri turistik 2024 do të ketë Forcën Kombëtare të Sigurisë Publike si një forcë shtesë për garantimin e sigurisë në destinacionet kryesore turistike. Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe agjencitë e tjera do duhet të garantojnë plazhe të lira dhe bregdet të pastër, nga Velipoja deri në Ksamil.

REZULTATET E IKMT

Ka filluar arkëtimi i të ardhurave, që burojnë nga procesi i ndëshkimit të abuzuesve me ndërtimet pa leje ose jashtë lejeve të ndërtimit. Për 9 objekte do të arkëtohen si të ardhura në buxhetin e shtetit 10.5 milionë euro.

SIGURIA RRUGORE

Investimet në infrastrukturën rrugore, përdorimi i teknologjisë në kontrollet e policisë rrugore ka sjellë një përmirësim tepër të madh të indikatorëve të sigurisë në rrugët e Shqipërisë. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka në administrim 3600 km rrugë.

Në 10 vitet e fundit numri makinave në pronësi të qytetarëve shqiptarë është dyfishuar,

– nga 445.956 mjete në në vitin 2013,

– në 867.800 mjete në vitin 2023,

– ndërsa numri i aksidenteve është përgjysmuar

– nga 2075 në vitin 2013 në 1228 incidente rrugore në vitin 2023.

 Por nuk është vetëm kjo.

Gjatë vitit 2023 kanë qarkulluar në rrugët e Shqipërisë edhe 2.74 milionë automjete me targa të huaja që kanë hyrë dhe kanë dalë gjatë gjithë vitit të kaluar.

Pra rreth 3.6 milionë mjete në 3600 km rrugë kombëtare, një intensitet i paimagjinueshëm.

Policia Rrugore: Gjatë vitit 2023 janë evidentuar 1228 aksidente rrugore me pasoja të rënda. Në këto aksidente rrugore evidentohen 191 të vrarë, 187 të plagosur rëndë. Janë vendosur 898,164 masa administrative ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor (148.854 masa më shumë se në vitin).

Janë arrestuar 2869 drejtues mjetesh, nga të cilët 1478, pasi kanë rezultuar se e drejtonin mjetin në gjendje të dehur/në efektin e lendëve narkotike dhe 1391, pasi drejtonin mjetin, pa leje drejtimi;

Janë pezulluar 6806 leje drejtimi.

Janë vendosur 898 425 masa administrative: 220 201 për mosrespektim të normave të shpejtësisë, 59 318 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 18 450 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse; 34 657 për përdorimin të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 75 375 për parakalime të gabuara dhe 490 424 masa per shkelje te tjera të Kodit Rrugor.

SIGURIA PUBLIKE NGA ZJARRI

Vera e zgjatur e vitit 2023 na ndihmoi shumë për turizmin, por na vendosi përballë një numri të frikshëm zjarresh. Kam ndjekur dhe do të vazhdoj të ndjek personalisht proceset gjyqësore në ngarkim të 101 shtetasve të arrestuar/proceduar penalisht për këtë fenomen barbar.

Dje i kam udhëzuar unifikimin e veprimtarisë së inspektimit të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin me qëllim rritjen dhe garantimin e sigurisë publike nga zjarri në shkallë vendi duke pasur në konsideratë faktin se ministri i Brendshëm ka në kompetencë orientimin e zbatimit të politikave të veprimtarisë së shërbimit të MZSH-së si dhe ka një ndërlidhje në ushtrimin e funksioneve në këtë fushë nga Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, strukturat e MZSH-së në bashki,  Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit dhe inspektoratet e mbrojtjes së territorit në bashki.

Në kuadrin e bashkëpunimeve me partnerët tanë ndërkombëtarë pritet që flotës tonë të automjeteve zjarrfikës gjatë vitit 2024 tu shtohen edhe 11 automjete, pa llogaritur edhe automjete të tjera që mund të sigurohen nga donacionet që mund të sigurojnë njësitë e qeverisjes vendore.

POLICIA E SHTETIT

Prej ditës së parë si Ministër i Brendshëm kam kuptuar se suksesi në këtë detyrë publike është i pamundur pa krijimin e një fryme skuadre në përpjekjen për të përmbushur objektivat në këtë sektor sfidues. Kam shtrënguar duart me një pjesë të madhe të efektivëve dhe do të vijoj të takohem e dëgjoj me vëmendje çdo anëtar të trupës së Policisë.

Po përgatisim ndryshime rrënjësore në ligjin për Policinë e Shtetit, jemi në fazën finale, para miratimit në Qeveri, për ta dinamizuar dhe energjizuar trupën drejtuese të Policisë dhe përmirësuar karrierën.

Akademia e Sigurisë, është tashmë një Institucion i Arsimit të Lartë. Gjatë vitit 2023, janë pranuar në Akademinë e Sigurisë, për “Patrullë e Përgjithshme” 607 vajza dhe djem, ndërsa në Fakultetin për Hetimin e Krimit janë pranuar 41 ekselentë dhe 246 për studimet “Bachelor”.

Gjatë vitit 2024, do të pranohen edhe 400 kursantë për “Patrullë e përgjithshme”, 100 ekselentë dhe 29 për funksione të veçanta. Gjithashtu, në shtator, nëpërmjet Maturës Shtetërore, synpjmë të pranojmë 150 maturantë, për studimet “Bachelor”.

Synimi im është që të zgjidhim plotësisht nevojat për burime njerëzore në Policinë e Shtetit brenda vitit 2025, për të synuar më pas edhe një rritje të numrit total të Policisë së Shtetit.

AKTUALISHT POLICIA E SHTETIT PËRBËHET NGA:

Forca aktuale e Policisë (burra dhe gra) është 9,592 anëtarë, nga të cilët 991 vajza/gra dhe 8,601 burra, pa llogaritur punonjësit civilë të Policisë së Shtetit.

Mosha mesatare është 47 vjeç (aktualisht, janë në punë 10,777 punonjës civilë dhe ushtarakë, prej të cilëve 1630 gra/vajza dhe 9147 burra), që mbetet shqetësim.

Rezultatet e arritura gjatë muajve të fundit janë vetëm fillimi i një revanshi të sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar. Në territorin e kësaj Republike nuk do të ketë më feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët, të cilët edhe kur policia i shoqëronte tek dera e Komisariatit, ata dilnin po atë ditë nga dritarja me vendime të blera tek tezgat e drejtësisë së vjetër.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike mbeten prioritet kyç dhe goditjet e forta kundër grupeve kriminale vijojnë të intensifikohen çdo ditë. Hetime komplekse në bashkëpunim me SPAK, e gjej rastin t’i falenderoj pa emra disa nga prokurorët e SPAK që kanë bashkëpunuar me Policinë, por edhe prokuror në prokuroritë e jursidiksionit të përgjithshëm në rrethe po çmontojnë grupe të përfshira në ngjarje të rënda, si vrasje, apo trafiqe e pastrime parash.

Gjatë vitit 2023:

– Janë finalizuar 1,195 operacione policore62 prej të cilave në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë;

– Janë ndaluar 7,845 shtetas, autorë të dyshuar krimesh të ndryshme;

– Janë goditur 47 grupe kriminale, kryesisht për: kultivim, prodhim, shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike, për kryerjen e ngjarjeve kriminale dhe për vjedhje.

VRASJET

Kemi patur një rënie të numrit të vrasjeve kriminale gjatë këtij viti, 35 deri në 2023, krahasuar me 107 në vitin 2013 dhe me 124 në vitin 2012.

28 prej këtyre ngjarjeve janë zbuluar. Pothuajse 1/3 e ketyre ngjarjeve kriminale, 11 janë krim në familje. Kjo është shtysë.

Duke e bërë vitin 2023 si një vit historik për rendin dhe sigurinë. I kam kërkuar drejtorsve vendore të policisë dorë të hekurt kundër dhunës më bazë gjinore dhe mbrojtje e mbështetje për viktimat e dhunës.

Janë evidentuar 4,698 raste të dhunës në familje, me 2,030 autorë të identifikuar. 783 prej tyre janë ndaluar, ndërsa 1,247 të tjerët janë proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, janë plotësuar 2,730 kërkesë-padi për urdhra mbrojtjeje/urdhra mbrojtjeje të menjëhershme në favor të të dëmtuarve nga kjo vepër penale.

PARANDALIMI

Duke u rikthyer tek lufta kundër krimit, gjatë vitit 2023 është rritur zbulueshmëria dhe forca parandaluese.

Janë parandaluar nga Policia e Shtetit 67 ngjarje të rënda kriminale dhe kjo duhet të sfida e re e punës së përditshme të policisë.

Janë zbardhur 488 vjedhje.

Indeksi Europian mbi Kriminalitetin dhe Sigurinë Publike e përcakton tashmë Shqipërinë si një vend me indikator sigurie më të lartë sesa fqinjë tanët të cilët janë anëtarë të Bashkimit Europian.

Lufta kundër fenomenit shqetësues të përdorimit të lëndëve narkotike po garanton çdo ditë shkolla dhe komunitete më të sigurta.

Deri në këtë moment falë Operacionit Kombëtar “TEMPULLI” janë goditur 24 grupe kriminale dhe janë vendosur para drejtësisë 530 shtetas, prodhues, shpërndarës dhe trafikantë të lëndëve narkotike.

Do të forcojmë me ligj Paketën Sigurisë në Shkolla duke bërë të mundur ashpërsimin e dënimeve të parashikuara në Kodin Penal për veprat penale që kryhen në mjediset e një institucioni arsimor, apo në perimetrin e sigurisë së tij.

Operacioni Kombëtar “SUNDIMI I LIGJIT” po jep gjithashtu rezultate të kënaqshme duke goditur 19 grupe kriminale dhe cuar para drejtësisë 357 shtetas, të shpallur në kërkim ndërkombëtar ose kombëtar. Këtu përfshihen grupe kriminale të përfshira në organizim të paligjshëm të lojërave të fatit, trafik armësh, për mashtrim, kontrabandë dhe krime të tjera ekonomike.

Gjatë vitit 2023 janë sekuestruar 797 armë (401 armë zjarri, 148 armë gjahu dhe 148 armë sportive), 8 mina me telekomandë, rreth 300.4 kilogramë lëndë plasëse,  119 granata dhe municion luftarak.

KULTIVIMI I LËNDËVE NARKOTIKE

Në vijim të pastrimit të alpeve dhe zonave të tjera në të gjithë territorin, gjatë vitit 2023 u goditën 28 grupe kriminale me aktivitet në fushën e narkotikëve.

 janë kryer 171 operacione policore;

– janë goditur 335 raste të tentativave për kultivim të bimëve narkotike;

– janë asgjësuar 293,047 bimë narkotike cannabis sativa, me 273 shtetas të ndaluar dhe vendosur nën akuzë.

Janë sekuestruar gjatë vitit 2023:

– 4 tonë cannabis sativa;

– 62 kilogramë heroinë;

– 23 kilogramë kokainë; 

– 11,300 tableta ekstazi.

KRIMI EKONOMIK

Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare gjatë vitit 2023 janë evidentuar:

– 3,395 raste të veprave penale,

– 4,017 autorë të identifikuar,

nga të cilët 815 janë ndaluar, ndërsa të tjerët janë proceduar penalisht.

Gjithashtu, janë goditur 5 grupe kriminale në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, ndërsa në fushën e krimeve kompjuterike janë goditur 2 grupe kriminale.

Janë goditur 409 raste të kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë, mallrave të konsumit, ilaçeve, veshjeve, orave dhe sendeve të tjera me vlerë ose të celularëve.

Nga automjetet/motomjetet qe iu janë konfiskuar grupeve kriminale, Policia e Shtetit gjatë 2 viteve të fundit, ka përfituar 47 automjete dhe motomjete me karakteristika të ndryshme (të blinduara dhe me kalueshmëri të lartë), të cilat i kanë kaluar DPPSh-së, me kosto financiare zero nga buxheti i PSh-së.

Po punojmë për përmirësimin e Ligjit Antimafia dhe të Ligjit për administrimin e pronave të sekuestruara dhe të konfiskuara.

PERSONAT NË KËRKIM/VEPRAT KRIMINALE PA AUTOR

Kemi ngritur bashkëpunimin me INTERPOL në një nivel tjetër. Janë arrestruar me qëllim esktradimin në vendin tonë – 139 shtetas, nga të cilët 78 persona u ekstraduan në Shqipëri. Vlen të theksojmë faktin se për herë të parë kemi ekstradim nga vende me të cilat skemi marrëveshje esktradimi, siç ishte rasti i 31 dhjetorit me shtetasin Ruben Saraiva, i dyshuar për një krim të rëndë.

Ngjarjet e rënda pa autor mbetën një sfidë e hapur për Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë edhe në vitin 2024. Falë vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, edhe hetimi i vrasjeve të ’21 Janarit’ është një detyrë prioritare për Policinë dhe Prokurorinë. Policia e Shtetit po fiton një besim më të madh, jo vetëm nga publiku por dhe nga agjencitë e vendeve partnere. Qytetarët janë jo vetem arsyeja pse ekziston Policia, po janë edhe partnerët tanë të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e vendit dhe të çdo lloj paligjshmërie, që nga krimi i organizuar, tek krimi ordiner dhe deri tek krimi ndaj pronës publike e private.

Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë për ridimensionimin e qëndrimeve dhe mbështetjes për sigurinë publike, garantuesi themelor i së cilës është Policia e Shtetit. Media pasqyron raste, por Policia ka nevojë për mbështetje. Kush nuk është dakord me urdhërin apo vendimin e punonjësit të policisë të marrë avokatin, por në rrugën tonë “të të bërit shtet”, na duhet të vendosim një standard të ri në autoritetin e punonjësit të Policisë së Shtetit.

As ligji, as publiku nuk mund të pranojnë më shtyrje, fyerje, kërcënime, kanosje, dhunë dhe rrezikim të jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, duhet vendosur një standard të ri ndaj kujtdo që ngre dorë kundër Shtetit. Objektiv imi është një politikë/praktikë e re penale të zërë vend në këtë drejtim, duke kërkuar mbështetjen e sistemit të drejtësisë. Kuadri ligjor është aty në Kodin Penal dhe do të përforcohen në Kodin e ri Penal, si dhe në ligjin për Policinë Shtetit.

Rritja e standartit të jetesës dhe përmirësimi i kushteve të shërbimit të çdo punonjësi Policie si dhe të Gardës së Republikës, që nga kushtet financiare deri tek kushtet e strehimit kur shërbejnë jashtë vendbanimit apo krijojnë familje të reja.

Falë mbështetjes së Kryeministrit Rama, e bëmë fakt dhe kemi tashmë 92 punonjës policie që janë shpallur përfitues po hynë më në fund banesën e tyre. Synimi është të kemi të paktën 300 banesa të tjera gjatë 2024, dhe 500 të tjera një vit më pas, të cilat do t’u jepen familjeve të reja të punonjësve të Policisë së Shtetit. Janë rreth 950 punonjës që kanë nevojë për banesë.

Buxheti 2024 na ka dhënë mundësinë të bëjmë një rritje të konsiderueshme të pagave në Policinë e Shtetit duke filluar nga 1 Korriku 2024. I dhamë më në fund një zgjidhje përfundimtare pagesës së munguar të ushqimit për çdo punonjës policie.

Rritja e performancës së Policisë së Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me PROCESIN E VETËPASTRIMIT, e cila tashmë ka hyrë në një fazë të re, për të çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga trupa e shëndoshë e Policisë së Shtetit elementët e dëmshëm të inriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu, që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi.

Hetimet në bashkëpunim me SPAK, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, SHISH dhe agjenci të tjera për punonjës të nivelit të parë drejtues apo zbatues, të dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsion, vepra penale në fushën e narkotikëve, veprime arbitrare, lidhje/komunikime me krimin, si dhe çdo veprim tjetër të paligjshëm vijojnë dhe rezultatet e këtij procesi janë domethënëse 367 punonjës policie të arrestuar/proceduar.

Këto operacione dhe këto rezultate janë vetëm fillimi i vendosmërisë tonë për të vijuar me vetëpastrimin e radhëve të Policisë së Shtetit, nga ata elementë që e dëmtojnë atë. Ky proces, i cili sapo ka hyrë në një fazë të re, do t’i japë Shqipërisë dhe shqiptarëve një Polici më të fortë dhe një nivel akoma më të lartë të sundimit të ligjit.

Lidhur me shërbimet e tjera që lidhen më Ministrinë e Brendshme dua t’u ripërsëris thirrjen bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë territorit: Shërbimi elektronik “Deklarimi i adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë” ju mundëson shtetasve shqiptarë, të cilët janë me vendbanim të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të kryejnë vetëdeklarimin e adresës së banimit me të dhënat e sakta në shtetin ku ata jetojnë! Formulari i vetëdeklarimit elektronik mund të plotësohet nga shtetasit për deklarimin e adresës së tyre personale, ose dhe për anëtarët e të njëjtës familje, në rastin kur ata jetojnë në të njëjtin vendbanim me deklaruesin.

Pyetje: A ka një punë shtesë nga ju apo Policia e Shtetit për të sjellë prova të reja për dosjen “Partizani”, për të cilën ju keni bërë kallëzim në SPAK, që të bëhet drejtësi për këtë dosje të vjetër?

Ministri Balla: Eshtë një kallëzim i bërë nga ana ime në cilësinë e deputetit por edhe në cilësinë e një qytetari, të njohur me elementët e një vepre penale. E kam ndjekur atë çështje prej shumë vitesh, që kur “gatuhej” ajo formë privatizimi dhe pastaj të gjitha veprat penale që kanë pasuar. Vazhdoj të mbetem i bindur që rasti i privatizimit të kompleksit “Partizani”, është një rast tipik si në librat e kriminalistikës, që një pjesë prej jush kanë studiuar, të korrupsionit.

Sot në Shqipëri përballen dy botë, keni PS, grupin e saj parlamentar, që nuk bën asnjëherë, asnjë koment për asnjë akuzë që ngrihet ndaj njërit prej nesh. A keni dëgjuar ndonjëherë ndonjë deputet, ministër, përfaqësues të PS, të komentojë një vendim të prokurorisë apo të gjykatës, lidhur me një rast të vetëm?! Dhe ndërkohë keni këtë rastin tjetër dhe ju lexoni çdo ditë vendimet që bëhen publike për shkak të avokatëve dhe besoj e kuptoni qartë që është një korrupsion i pastër. Një funksionar publik përdor firmën, pozicionin e tij, përdor edhe funksionarët e tij brenda ndërtesës, për përfitime të paligjshme, apo për lehtësim procedurash, se këta thotë lehtësim procedure, por edhe ajo është “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm” është ajo është vepër penale, por këtu është korrupsion sepse në fund të fundit janë krijuar miliona pasuri.

Pyetje: Hetimi për 21 Janari..

Ministri Balla: Është në detyrën e gjitha institucioneve shtetërore dhe agjencive, Policia e Shtetit, Prokuroria e Tiranës, e cila sot ka nën administrim dosjet, për shkak se vrasja e dy prej 4 personave që humbën jetën, është konsideruar si vrasje pa autor, e ju e dini që për vrasje pa autor nuk ka parashkrim, mendoj që prokuroria i ka të gjitha mundësitë të vijojë duke përkthyer, transpozuar vendimin e Gjykatës që është i detyrueshëm, (vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut është i detyrueshëm, nuk është sugjerues është urdhërues), që të gjitha gjetjet që ne i kemi përkthyer i kemi gati me të gjitha konkluzionet, për të bërë hetimin e plotë, ku Gjykata e vendos theksin edhe njëherë tek pjesa e zinxhirit komandues dhe pjesën tjetër që lidhet me hapat organet shtetërore për të penguar drejtësinë, hetimin dhe çështjet e tjera.

Në këtë këndvështrim, vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka hapur një mundësi të re, dhe duhet t’i shkohet deri në fund. Policia e Shtetit po bën pjesën e vetë, që lidhet me ekzaminimet, pas dy ditësh do niset në Itali për ekzaminimin e predhave dhe element të tjerë, pa hyrë për të respektuar sekretin hetimor, në mënyrë që të konkludohet edhe sa i përket elementëve të tjerë gjatë hetimit të çështjes.

Shumë e rëndësishme është ajo që ka thënë Gjykata, nuk do të ketë më asnjë hapësirë manovrimi në institucionet ligjzbatuese, sepse në fund të fundit, Gjykata Evropiane ka dhënë një vendim për të cilin ne jemi të detyruar ta zbatojmë përtej emocioneve që mund të ketë secili prej nesh, e këtu flas si Ministër i Brendshëm, jo si Taulant Balla, një prej protestuesve të 21 Janarit 2011.

Pyetje: Ndryshimet në Ligjin për Policinë e Shtetit…

Ministri Balla: Djem e bajza të rinj në PSH më kanë shprehur shqetësimin, sesi do të mund të ecin më shpejt në karrierë. Suksesi dhe rezultate janë gjëja kryesore, pastërtia e figurës po ashtu, dedikimi ndaj vlerave që mbart uniforma e PSH. Legjislacioni aktual ka krijuar problematika. Janë bërë ndërhyrje që na kanë sjellë p.sh. 63 kandidatë për 74 vende. Ndaj na duhet të shkojmë në qeveri dhe do të shkojmë shpejt, e më pas në Kuvend, për ta energjizuar strukturën.

Grada nuk mund të jetë si diçka, që po e more nuk e lëshon dot më, por të lidhet me performancën në vijim. Nuk mund të jetë që nuk ke rezultate në këtë detyrë, por për shkak të gradës do të çojmë në një detyrë të njëjtë me atë që ke patur. Këto diskutime i bëjmë me grupin e punës, ku është edhe Drejtori i Përgjithshëm i PSH, ku këshillojnë organizata partnere që t’i japim Shqipërisë një Polici më dinamike dhe karrierë më të sigurt për ata që bëjnë sukses. E papranueshme që djem e vajza që kanë plotësuar vitet në detyrë, të presin me vite deri sa të hapet konkursi, të rriten në gradë.

3 gjëra janë tepër të rëndësishme, duhet ta ç‘monopolizojmë udhëheqjen e Policisë së Shtetit, ta energjizojmë dhe dinamizojmë drejtimin, si dhe t’i japim më shumë mundësi karriere. Por këto rezultate që informova sot, janë falë punës të së njëjtës trupë drejtuese ku gjej rastin t’i falënderoj, nga zoti Rrumbullaku deri në çdo nivel. Kemi bërë disa ndryshime, do të ketë të tjera pikërisht për ta energjizuar dhe dinamizuar, pasi kemi një sezon turistik tepër të rëndësishëm përpara ku e njëjta trupë policie duhet të përballojë, nuk kam dyshim do jenë 12 milion turistë.

Previous Nis asfaltimi i aksit Thumanë-Kashar, Balluku: Gati për sezonin turistik të 2024