Të rinjtë krijues të Korçës, vajza dhe djem dashamirës të teknologjisë, artit, sportit ishin këtë pasdite me Kryeministrin Rama në një bashkëbisedim për dijen, arsimin, për mundësitë e reja të punësimit përmes teknologjisë, krijimin e hapësira moderne dhe angazhimin në kurse e qendra jashtëshkollore.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për këtë pamje të bukur dhe realisht është kënaqësi e posaçme të vish në Korçë sepse ka një sërë mjedisesh, të cilat ne i kemi ndërtuar tanimë dhe që ofrojnë hapësira me energji pozitive që duhet t’i bëjmë realitet edhe ne vende të tjera. Nuk dua që të mbaj edhe unë një fjalim edhe kaq, por dua që më shumë të bëjmë një bashkëbisedim dhe duke qenë që e kam përmendur Korçën kaq shumë për vajzat dhe djemtë që në hije bëjnë punë për botën dhe duke qenë se kam dashur shpesh që ta japin shembullin e tyre dhe ta promovojnë shembullin e tyre për të nxitur të tjerët dhe për bërë të tjerët të shikojnë që kjo është një gjë reale, nuk është një fantazi, por pa sukses sepse nuk e di ndoshta fitojnë aq shumë sa kanë frikë se mos i kap drejtoria e tatimeve të Korçës dhe kjo është një pjesë e të vërtetës apo jo? Por duke ju premtuar që kjo nuk ndodh se faktikisht ne akoma nuk kemi një legjislacion të rregulluar për këtë dhe jemi duke bërë praktikisht legjislacionin për ata që i quajmë nomadët digjitalë, të cilët në mënyrë individuale do të mund të punojnë të pa shqetësuar, kështu që edhe me këtë garanci unë do kisha shumë qejf që cilido prej jush apo cilado prej jush që e ka këtë shembull për ta thënë, ta thotë. Më thanë, është njëra me shumë kaçurrela ,por nuk e di, ti duhet te jesh.
-Quhem Vjola. Jam e lumtur të shpreh eksperiencën time në lidhje me marketing online. Unë mora një kontakt nga bashkia e Korçës që kishte nisur një nisme pozitive për të ofruar kurse të ndryshme në teknologjinë e informacionit dhe nuk hezitova. Aty kuptova që mundësitë për të gjetur punë online ishin pafund. Sot që flas kam krijuar ekipin tim. Jam duke punuar për krijuar brendin tim. Çfarë plane ka qeveria dhe bashkia për mua ose një start up.
Kryeministri Edi Rama: E para, ti i ke tejkaluar planet tona sepse ne gjëja që ne dëshirojmë është t’i krijojmë mundësi sa më shumë të rinjve që të punësohen dhe të kenë punë sa më të mira. Në këtë fushë punët janë më të mirat që mund të gjenden sepse janë shumë të mirëpaguar dhe varet nga niveli kuptohet i kapacitetit që ti ofron, por mund të jenë dhe disafish më shumë të paguara sesa gjithë pagat tona që jemi këtu dhe mund të jesh nxënës në gjimnaz akoma, mund të jesh student në universitet dhe mund të besh këtë punë. Kështu që, qeveria këtu në këtë pikë ka vetëm një përgjegjësi që shembullin tënd ta përhapë dhe tek të tjerët. Ndërkohë që, pastaj nëse ti shkon në një fazë tjetër që përveçse ke punësuar veten dhe punon, duke ofruar aftësitë e tua në një treg ndërkombëtar pa lëvizur nga shtëpia këtu në Korçë. Ti krijon një kompani dhe pastaj synon të ofrosh një produkt unikal se ky është start up në fakt, atëherë ne kemi programet e start up-eve që kanë filluar dhe janë të përvitshme. Do të vazhdojmë të mbështesim, aty pastaj duhet të konkurrosh, të tregosh çfarë produkti ke dhe të marrësh mbështetje në një fushë ku do kedh edhe të tjerë konkurrentë.
-Jam Vojsava. Prej dy vitesh merrem me punë online. Punoj si content creater. Vjet ne të rinjtë e Korçës përfunduam si meme me atë lajmin që doli që të rinjtë e Korçës bëjnë 1000-4000 dollarë. Doja të thoja që harruan të përmendin dhe pjesën që ne jo të gjithë ndoshta mund ta arrijnë të bëjnë atë shumë të caktuar, por harruan të përmendin dhe punën që bëjmë ne. Ka pasur momente që kemi bërë vetëm dy orë gjumë. Ndoshta jo të gjithë mund të bëjnë 1000 apo 4000 dollarë, por disa të ardhura shumë të mira i nxjerrin në fund të muajit.
Kryeministri Edi Rama: Disa bëjnë dhe më shumë se aq.
-Patjetër, po të gjithë u fokusuan tek pjesa e lekëve që mund të bënim dhe harruan atë punën.
Kryeministri Edi Rama: Tani ju duhet ta kuptoni këtë gjë, që në Shqipëri Konica thoshte: të falin çdo gjë përveç suksesit. Kështu që, në momentin që bën një sukses duhet ta pranosh që nuk të fal njeri dhe gjatë gjithë kohës pastaj do të jesh nën sulm, por meqë këtu unë isha viktima kryesore se dakord u bëtë meme, as ju dinte njeri, hera e parë që ju shikonin me fytyrë, por unë isha viktima se filluan të më tallin të gjithë; se ky nuk është në vete, ky flet përçart, mora Sotiraqin në telefon dhe i thashë: “Ore, të bëjmë një video me këta që t’i nxjerrim”? “Dakord”, – tha ai.
E u mundua të bënte video, “jo”, -tha, “shiko se unë i kam takuar ata, jo po ata nuk duan të dalin se kanë frikë”. Kështu që mos u qa kaq shumë që u bërë meme se tani ndoshta, tani do të të thonë patronazhiste, më keq.
– Nuk kanë pse ta përdorin atë fjalë…
Kryeministri Edi Rama: Do ta përdorin patjetër, se nuk është e vërtetë thua ti? Pikërisht pse nuk është e vërtete do ta përdorin. Megjithatë ajo që ka rendësi është që ju dhe është shumë e vërtetë kjo gjë, është shumë e vërtete, jo vetëm keni bërë këtë gjë më shumë kurajo dhe me shumë shpirt iniciativë për veten tuaj, por keni qenë një shtysë shumë domethënëse për ne dhe ne duam që shembulli juaj të replikohet sa më shumë, sa më shumë, sa më shumë dhe prandaj ju keni edhe një barrë tjetër, si dallëndyshet e para të kësaj vale të re, të na ndihmoni për ta konkretizuar dhe për ta promovuar duke treguar se kjo është diçka konkrete, që realisht sot teknologjia të jep mundësinë, pa lëvizur nga vendi, kudo që të jesh, jo vetëm në Korçë këtu në qytet, në këtë mjedis fantastik, por edhe në fshat , boll të kesh një lidhje interneti , një kompjuter dhe mund të punësohesh në çdo vend të botës. Viola quhesh? Viola tha, “kam punuar për guvernatorin e shtetit të Luizianës” dhe se ka takuar guvernatorin asnjëherë. As guvernatori se ka takuar Violën. Viola e njeh guvernatorin nga fotografia, guvernatori s’e njeh fare Violën dhe Viola ka punuar për të. Pra kjo është bota e re teknologjisë që i jep mundësi të gjithëve dhe kur them të gjithëve, kam parasysh moshën tuaj, që i kap shumë më shpejt, se unë me Nikon jemi të djegur në këtë anë. Nuk ka profesor që na e fut kodimin, Nikos mbase po, por mua jo njëherë. Kështu që kjo është mundësia që të jep teknologjia po edhe unë, në rastin konkret duke pasur parasysh që bëj shkarravina, përmes teknologjisë sot, mund të kem mundësinë dhe kur them unë, kam parasysh të gjithë ata që merren me art, që nuk ka nevojë si dikur patjetër që duhej të dilje jashtë, të shkoje me dosje, të tregoje punët galeri më galeri, pastaj të gjeje galerinë, sot ti ke faqen tënde. Ka plot hapësira online ku të mund të ekspozosh punët e tua, unë kam shok të mitë që punojnë edhe s’po përmend emra, po janë shokë artistë domethënë, të cilët punojnë në shtëpi dhe shesin online punët e tyre. Jetojnë jashtë vendit dhe s’lëvizin fare nga shtëpia. Punojnë pikturë ditë-natë edhe shit online kështu që është një mundësi tjetër që është krijuar.
Tani kjo e kodimit është një histori më vete dhe për këtë arsye ne do të angazhojmë shumë fonde për të arritur një objektiv që e kemi diskutuar me profesorin këtu dhe me profesorin tjetër, Orin që është në sfond. Kemi qenë, kemi diskutuar si mund të arrijmë këtë objektiv duke mbështetur financiarisht, sepse këto kurse kushtojnë dhe shumëkush prej të rinjve që mund të jenë të talentuar, nuk kanë mundësi t’i paguajnë kështu që ne do të mbështesim nga kjo anë. Sigurisht që do të jetë edhe një farë konkurrence sepse nëse do të ketë shumë kandidatë atëherë edhe ofruesit e tyre, kurset do të detyrohen të zgjedhin bazuar tek mundësitë financiare, po kjo është diçka që do ta bëjmë dhe Korça në një fare mënyrë është bërë si të thuash, një lloj lokomotive edhe për të tjerët sepse ka qendrën e inovacionit, ka një sistem, sepse nuk është vetëm ky program po është edhe ai programi tjetër me ata të Kosovës, kështu që unë dua t’ju falënderoj sinqerisht.
– Përshëndetje, unë quhem Andrea. Unë jam pikërisht ai që përshkuat pak më parë vetëm ndryshimi është se nuk jam miku juaj po thjesht një artist. Shembulli më i mirë është vetëm përmes punës duke e treguar dhe çfarë më ofron teknologjia mua deri më sot. Kjo është kopertina e një libri me një shtëpi botuese franceze dhe arti e dimë të gjithë që është shumë i vështirë, shumë profesion i vështirë për të nxjerrë të ardhura me mënyrën tradicionale, me mënyrën e vjetër. Teknologjia nga ana tjetër pastaj ofron mundësi, të paktën për mua , të paimagjinueshme. Klientë nga e gjithë bota, të ardhurat janë të pakrahasueshme. Promovimi është shumë herë më i thjeshtë, madje edhe ajo që nuk bie në sy menjëherë, është rritja e aftësive që të ofron vetëm për faktin se ke mundësi ta krahasosh veten me global të botës, aftësitë që kanë njerëzit, çfarë mund të arrish duke punuar shumë dhe dua të them se vetëm nëpërmjet punës, nëqoftëse punoni shumë, mund t’ju shpërblehet puna. Unë thjesht dua të them që edhe arti që është një profesion që nuk praktikohet shume në Shqipëri mund të të sjellë mundësi shumë, shumë të mira për punë e jo më pastaj programimi që është shumë herë më i preferuar dhe më i përhapur. Prandaj thjesht dua të frymëzoj këdo, të motivoj këdo që ka vullnet për të punuar dhe di të shfrytëzojë mjaft mirë mundësitë që të jep teknologjia.
– Përshëndetje. Unë në fakt i përkas një kategorie tjetër ndryshe nga dy vajzat dhe djali që foli, jo se paguhem më pak apo më shumë por I përkas atij brezi që ka studiuar në Tiranë, ka punuar në Tiranë, kam punuar jashtë shtetit dhe së fundmi jam kthyer në Korçë. Ajo që dua të them është që kjo qe një nga zgjedhjet e mia më të mira. Sigurisht unë I përkas profesionit të programimit. Për të inkurajuar këdo që mund të bëjë një lëvizje të ngjashme me lëvizjen time, unë do t’i thoja që nuk ka asgjë që ndodhet në një vend tjetër dhe ju nuk mund ta gjeni në Korçë.
– Unë në fakt nuk kam lidhje me programimin, nuk jam i profesionit programim. Unë punoj për një organizatë ndërkombëtare, World Vision. Ne jemi organizata që menaxhon programin e Qytezës së Fëmijëve. Aktualisht, ofrojmë 13 programe. Vitin e fundit kemi pasur rreth 5000 përfitues dhe është një mundësi shumë e mirë jo vetëm për fëmijët në zonën e Korçës, për të rinjtë por për të gjithë fëmijët e Shqipërisë për ta aksesuar atë dhe për të përfituar nga të gjitha programet në fushën e artit dhe sportit që ofrohen aty. Qyteza e Fëmijëve tre vitet e fundit ka ndikuar shumë pozitivisht jo vetëm për Korçën por për të gjithë Shqipërinë. Është e vetmja e një modeli të tillë në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama: Unë dua të të falenderoj sinqerisht. Nuk e dija që ishe ti koka e asaj që unë pashë atje,, por realisht ishte diçka shumë e bukur. Unë e kam pasur shumë merak dhe e kemi diskutuar shumë herë me Nikon dhe Raqin kur bënim atë projekt sepse gjithë problemi i atij projekti për ne, në atë kohë, ishte që ishte shumë i madh, shumë ambicioz por si do menaxhohej ajo hapësirë dhe ishte e padiskutueshme, të paktën sa herë e kemi diskutuar, që bashkia vetë me një strukturë të vetën të brendshme do ta kishte shumë të vështirë sepse nuk është thjesht çështje disipline, korrektese por shumë më tepër se kaq. Sot jam jashtëzakonisht i lumtur që e pashë atë gjë, ishte fantastike. Ishte padiskutim një hapësirë që është top në çdo qytet të Europës dhe shumë respekte për punën tënde dhe të gjithë atyre që ishin aty. Pyes veten nëse ishte ajo vajza mbrapa tek topat e kalamajve apo jo? Ishte e gjitha një hapësirë jashtëzakonisht e organizuar dhe gjëja që unë do doja të shtoja këtu, qoftë për memet, – nuk e ka mendjen. Na fal se ke një orë që nuk po fiton asnjë lek. – E dëgjuat? Se e tha shumë bukur në një moment, “nuk është se fitojmë aq, ka që fitojnë 1 mijë, ka që fitojnë 4 mijë, ka që fitojnë më shumë” dhe tani nuk e ka mendjen fare.
Por gjëja që dua të them në fund është se ne, përveç programit të teknologjisë dhe programit të sporteve, që edhe për këtë këtu në Korçë, deri tani të paktën se kam qenë në Fier, Elbasan, Dibër dhe në Korçë ishin skuadrat më të përgatitura dhe besoj që do jenë pretendentë shumë seriozë për të dalë kampionë kombëtare, deri tani, çfarë kam parë se nuk i kam parë të gjithë.
Kemi programin e arteve dhe zejeve, të cilin do ta fillojmë në fillim të vitit të ardhshëm, do të shfrytëzojmë një sërë shkollash si hapësira për mbasdite në të gjithë Shqipërinë dhe pjesa kryesore që kemi diskutuar e diskutuar dhe nuk jam i sigurt që e kemi zgjidhur, nuk jam fare i sigurt që e kemi zgjidhur, është pjesa e koordinimit dhe e ndjekjes së fëmijëve, jo thjesht e qëndrimit aty dhe e mbajtjes në rregull.
Mbase na ndihmoni ju për këtë pjesë, mbase bëjmë një bashkëpunim me këtë ashtu sikundër do përpiqem me kryetarin e bashkisë këtu dhe me Nikon, që përveç dy vajzave që folën mbase krijojmë një grup këtu që ta kemi si një grup që do të motivojë edhe të tjerët me forcën e shembullit duke e demonstruar gjënë që bën.
Kemi dhe disa raste në vende të tjera sepse kur po e thosha këtë në një diskutim në Durrës, ndoshta e keni dëgjuar, me një grup nxënësish që ishim me Borën për strategjinë e rinisë, filluan të gjithë të nënqeshnin, përqeshnin, mezi mbanin të qeshurën sepse mendonin se po flisja përçart dhe fatmirësisht më shpëtoi një vajzë që ishte aty prezente, e cila ishte 16 vjeçe, nga një fshat në Durrës, larg qytetit e cila tha, “unë kam 5 vjet që e bëj këtë punë, kam që 11 vjeç që jam futur në punë online dhe punoj aktualisht në Amerikë dhe në Poloni”. Sigurisht që ajo ishte burimi kryesor i të ardhurave të shtëpisë “Unë dal nga shtëpia për të shkuar në shkollë dhe kthehem në shtëpi për të shkuar në punë. Punoj në shtëpi”.
Kështu që, ne duam t’i japim një impuls shumë të fortë kësaj pjese dhe jam i bindur që, me ndihmën edhe të çunave këtu, por edhe disa të tjerëve, që nuk është thjesht ndihma teknike por është dhe ndihma në konceptimin e gjithë procesit, do arrijmë të fuqizojmë shumë një krah të rinisë që me kualifikimin në fushën e teknologjisë të mund të garantojë të ardhura të larta pa e pasur dilemë atë rri apo të iki sepse kudo të shkojnë, punën e bëjnë dhe duke qenë në shtëpi, sigurisht që harxhojnë më pak nga ato që fitojnë sesa po të jenë në një vend tjetër.- Përshëndetje! Jam Elena, volejbolliste dhe kapitene e ekipit të Skënderbeut. Ne jemi ekipi kamion për momentin dhe po stërvitemi përsëri për të mbajtur titullin kampion edhe pse stërvitemi në kushte jo optimale.
Kryeministri Edi Rama: Kushte jo optimale? Ju keni Pallat Sporti, keni fusha, i keni të gjitha. Ju keni fusha volejbolli, nja pesë a gjashtë optimale fare.
– Pyetja ime ishte nëse rikonstruksioni i Pallatit të Sportit është një nga pikat kryesore të agjendës?
Kryeministri Edi Rama: A funksionon Pallati i Sportit? Ma tha Niko përpara se të ma thoshe ti. Ta ka thënë Niko ta ngresh këtë punën e Pallatit se Niko e ka të vështirë të ngrejë më për Korçën se Korça çfarë nuk ka marrë. Nuk e di situatën e Pallatit të Sportit. Ne sot po diskutonim për pjesën e mbetur aty tek zona sportive sepse aty është një pishinë që ka mbetur gërmadhë, në kuptimin që nuk mund të përdoret, por që është hapur, kështu që po e diskutonim për të bërë pishinën. Aty do bëjmë edhe një hotel me standarde të larta për të mundur që të tërheqim edhe skuadra nga vende të tjera për të ardhur e për të bërë stërvitje këtu në Korçë, por edhe ekipet kombëtare dhe unë dija, tani di që është edhe Pallati, por dija që është edhe stadiumi që na nevojën e vet kështu që ta shikojmë edhe Pallatin. Thashë se the nuk kemi fusha volejbolli. Fusha keni plot, por të tjerët po vdesin për një fushë.
-Përshëndetje, jam maturant në gjimnazin “Raqi Qirinxhi”. Jam i apasionuar pas aktrimit. Bashkë me një grup, i cili është vërtet i madh, kemi marrë pjesë në shumë kompeticione, të cilat kanë lidhje me aktrimin e kryesisht synojmë teatrin. Dëgjova që ju thatë që të rrimë në Korçë, e të punojmë për Korçën. Dëgjova dhe që janë bërë shumë investime në fushën e teknologjisë, është krijuar akademia e edukimit fizik, kemi shkollë muzike, gjimnaze profesionale. Pse ne që jemi në fushën e aktrimit dhe të artit, nuk kemi akoma në Korçë një akademi apo një institucion ku ne të trajnohemi e të futemi në profesion. Gjithçka është kthyer drejt Tiranës. Shumë prej nesh nuk mund të kenë mundësi ekonomike, ose duan të rrinë pranë familjeve, të rrinë në qytetin e Korçës, por nuk e kemi këtë mundësi që të trajnohemi e të futemi në këtë profesion. Ndonjëherë duket sikur artin e Korçës mund ta duan vetëm për duartrokitje në fund, po sesi do zhvillohen këto talente e sisi do të piqen pët t’u futur në atë skenë, ne nuk e dimë. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Kjo duartrokitja e stuhishme mos do të thotë që “hajde ta mbyllim dhe ikim tani”, apo ishte vërtet mbështetje për aktrimin në Korçës, se nuk e kuptova?! Për të mbështetur aktrimin?
–Po. Edhe shumë gjëra të tjera? Dakord, e qartë. Unë thashë se ishte për aktrimin. Thash mos thoshe s’kemi teatër. Se në Korçë është rikonstruktuar teatri dhe është një nga sallat më të bukura jo në Shqipëri, por edhe në rajon. Përsa i përket shkollës së aktrimit, unë besoj që kur vjen puna te shkollimi i lartë për artin, teatrin, muzikën ne na del dhe na tepron akademia në Tiranë. E jo vetëm kaq, po besoj që numri i studentëve në akademi është shumë më i lartë sesa duhet. Në momentin kur shkohet në atë nivel, seleksioni duhet të jetë shumë më i fortë. Pjesa e aktrimit për qejf është tjetër gjë. Në qoftë se ti e ke vërtet pasion aktrimin, duhet të përgatitesh që të shkosh në Tiranë apo dhe përtej Tiranës, të shkosh në një shkollë aktrimi në Londër, Amerikë a Paris, kudoqoftë që të marrësh maksimumin. Sepse nuk mund dot të investohet. Se si ka asnjë vend, nuk është puna ne. Edhe vende më të mëdha. Edhe Franca nuk i ka shkollat e aktrimit në të gjitha qytetet, që mund të jenë shumë më të mëdha se Korça, nuk i ka shkollat e aktrimit. Është shumë fisnike si ambicie, por nëse e ke seriozisht dhe do të bëhesh realisht aktor, duhet të përgatitesh për të bërë një sforco të madhe dhe për të shkuar në një shkollë që është shkollë e nivelit të lartë profesional.- Ndihemi pak të diskriminuar nga fushat e tjera.
Kryeministri Edi Rama: Shiko, nuk është kështu sepse faktikisht, në fushat e tjera ka shumë më tepër pjesëmarrje dhe është normale që të ketë shumë më tepër pjesëmarrje. Ndërkohë që ne po e fusim edhe programin e arteve në shkollë që është edhe pikturë, edhe muzikë, edhe aktrim dhe sigurisht që jo në çdo shkollë, po disa nxënës që kanë pasion aktrimin, do të kenë një rreth aktrimi në një hapësirë të caktuar të një shkolle ku do të kenë një mësues. E Korça ka disa aktorë e aktore të njohura që fare mirë mund ta bëjnë këtë gjë.
– Aktualisht shoh shumë bashkëmoshatarë që synojnë të ikin jashtë vendin. Njoh dhe shumë miq të mij të cilët e mbaruan gjimnazin dhe kanë çarë jashtë vendit. Këdo që pyesim thonë nuk kthehem më në Shqipëri, Shqipëria nuk ka të ardhme, duke patur parasysh gjithë këtë gjendjen. Ju si qeveri, çfarë po bëni për ta ndaluar këtë ikjen në masë sepse Shqipëria po shkon drejt plakjes. Të gjithë të rinjtë po largohen. Çfarë po merret si masë? Çfarë mund ta bindë një të ri që të qendrojë në vendin e tij sot?
Kryeministri Edi Rama: Të falenderoj. E para, se unë pavarësisht rolit që kam si kryeministër, i qëndroj besnik disa bindjeve që i kam pavarësisht nga roli, unë mendoj që çdo i ri ka të drejtën të ketë ambicie për të shkuar në hënë dhe asnjë të riu nuk mund t’i thuash dot që “shiko, rri këtu”, për çfarëdo arsye. Cilido qoftë e ka të drejtën të ketë një ambicie që thotë unë do çaj detet, oqeanet, detet, malet, qiejt dhe do shkoj këtu. Fatmirësisht jetojmë në një kohë ku nuk jemi më siç ishim dikur që ishim të mbyllur dhe nuk kishim asnjë mundësi lëvizje. Sot kemi mundësinë të lëvizim dhe çdokush ka të drejtën ta shfrytëzojë atë mundësi, sepse bota është gjithmonë e më e vogël në aspektin e lëvizjes dhe për shkak të teknologjisë dhe të thuash që të gjithë të rinjtë duhet të rrinë këtu, mund ta thuash, por nuk bën sens. E dyta, ne nuk jemi një vend, i cili është në grupin e vendeve më të zhvilluara e më të pasura të Europës, që janë dhe ndër më të zhvilluarat e botës, por jemi një vend që ka hyrë vonë në rrugën e zhvillimit dhe kemi një distancë objektive, të pakapërcyeshme as me inat, as me magji, por një distancë që mund të ngushtohet vetëm me përpjekje, me vetëdije të madhe që gjithë ajo prapambetje e madhe nuk mund të asgjësohet kollaj e natyrisht dhe me një durim shumë të madh. Një vajzë apo një djalë si ju, mund të thotë dakord, po pse duhet të rri unë këtu e të pres 20 vjet, 30, 40 a ku di unë sesa vite që ne të bëhemi njësoj si Gjermania a një vend tjetër, kur unë mund të shkoj atje për një orë e gjysmë dhe ta gjej atje gjënë. E nuk ke çfarë i thua fare. Je i lirë të shkosh ta provosh, por ama, thënë të gjitha këto, unë hyj tek ata që edhe tjetra ky është një trend historik që e kanë kaluar të gjitha vendet, e jo vetëm kaq, po ky avaz plakja-plakja, zbrazja-zbrazja është një avaz që është edhe djallëzor nga ata që e përdorin gjatë gjithë kohës sepse duket sikur këtë taksirat sot e ka gjithë Shqipëria.
Në fakt, nuk po ju çoj në vende rreth e rrotull në Ballkan. Po ju them shikoni Italinë. Shikoni Italinë se çfarë problemi dramatik ka me plakjen. Italia humbet çdo vit 500 mijë bebe, në kuptimin e uljes së lindshmërisë. Shikoni çfarë problemi ka me fshatin, lëvizjet nga fshati në qytet dhe shikoni çfarë problemi ka me ikjet nga jugu në veri. Shikoni Spanjën, shikoja një artikull: 12mijë mjekë mungojnë në Spanjë, që është një nga vendet më të zhvilluara. 12 mijë mjekë kanë ikur nga Spanja? Pse kanë ikur? Kanë një tjetër problem ata. Nuk thonë që po ikim se kemi pagën e ulët, por ikim sepse do na dalë pensioni i ulët. Këto janë sfidat të një periudhe dhe kohe globalizimi, por thënë këtë, kujt më thotë që në Shqipëri nuk ka të ardhme, i them që e ke gabim, thjesht je gabim. Kujt më thotë që në Shqipëri nuk mund të bësh dhe nuk mund të arrish atë që ti meriton, thjesht e ke gabim. Kush mendon që kur shkon atje është kollaj, të shkojë ta provojë, sidomos tani në këtë periudhë, edhe me gjithë këto ngarkesat e reja, me faturat, të shkojë ta provojë. Bëjmë krahasime me pagat, se ata i kanë pagat e larta, i kanë ata nuk diskutohet, pagat më të larta sesa pagat këtu, por shkoni shikoni sa i kanë shpenzimet, bëjani llogaritë sa i kanë shpenzimet dhe pastaj flasim prapë se sa iu mbetet atyre në fund dhe vërtetë u mbetet në fund diçka, por ajo që u mbetet në fund është diçka që mbetet me gjak.
Ndërsa, përsa i përket fakteve konkrete, ja ku i keni këtu. Qëllon që janë ulur në radhë të parë. Nuk ka shans që dikush që niset dhe thotë “Hajde se po iki atje”, të fitojë çerekun e asaj që fitojnë kjo goca këtu dhe ajo goca aty duke qenë në Korçë, se nuk po them për djalin. Shikoni rastet e atyre që kthehen. Pse kthehen? Për çfarë kthehen dhe çfarë bëjnë ata që kthehen? Bëjnë sukses duke shfrytëzuar edhe një eksperiencë që kanë marrë, edhe disa kursime.
Ishim me Nikon sot në një bujtinë të re në Voskopojë dhe është evidente që të ardhurat e asaj familjeje që ishte kthyer nga Greqia ishin shumë më të larta se të ardhurat nga puna në emigracion për të tjerë. Nuk diskutohet që gjithkush ka të drejtën ta provojë, nuk diskutohet që nuk ka forcë sepse nuk ka ndodhur se po të kishte ndodhur do thoshim “Okej, shikoje si e bëri ky vend”. Cili është vendi që ka ndodhur që ta frenojë këtë trend dhe ta ktheje mbrapsht? Portugalia ka programin më agresiv të financimit për të qëndruar ose për tu kthyer, 50 mijë veta ikin çdo vit dhe shkojnë drejt Gjermanisë, drejt Suedisë, shkojnë në vendet më të zhvilluara sepse duan të lëvizin dhe sepse duan të kenë më shumë tani.
Kjo është një gjë që ndodh dhe që Shqipëria sot është më mirë sesa ç’ishte, e tregon dhe kjo mbledhja që bëjmë sot këtu. këtë mbledhje nuk e bënim dot kurrë përpara 5-6 vjetësh, nuk e bënim dot kurrë. Përpara 5-6 vjetësh, Korça ishte një vend ku nuk vinte asnjeri. E dini se sa njerëz, vendas dhe të huaj kanë qëndruar në Korçë dhe kanë kaluar natën, duke llogaritur sa netë janë paguar nga të ardhur në Korçë këtë vit? 500 mijë. Mund ta imagjinonit dot përpara disa vitesh që në Korçë të ketë 500 mijë netë të paguara nga të ardhurit nga jashtë Korçës? Dhe kur them Korçë, kam parasysh gjithë bashkinë, qytetin, Voskopojën, Dardhën e këto. 500 mijë! Ku vinte në Korçë njeri përpara?
Kur vinim ne këtu që diskutonim me Nikon, kur ne nisëm projektet e para, këtu nuk kishte, një hotel ishte atje tek Hotel Turizmi. Sot përpara se të vinim këtu u vonuam pak sepse ishim në një bujtinë të re që po bëhej disa hapa larg nga këtu, një gjë fantastike. Pse bëhen këto? Bëhen sepse ka treg sepse njeriu që investon kursimet e veta nuk është i çmendur.
Shkruajta diçka qëpar në Facebook sepse ishim atje dhe u mahnita nga Voskopoja. Kisha disa vite që nuk kisha qenë. Në dy, tre vjet, ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme. Ishte një vend… Austri. Pa asnjë lloj problemi, Austri dhe kudo kishte dhe vazhdonin prekjet, riparimet, ndërtimet.
Po mirë, pse i ndërtojnë këta njerëz, se nuk ka të ardhme në Shqipëri? Po pse shkojnë deri në Voskopojë të lënë paratë e tyre atje, të kursimeve të tyre? Pse vijnë nga Tirana, pse vijnë nga jashtë për të investuar atje, se nuk ka të ardhme?
Unë mendoj që nuk është kështu, por sigurisht, që të jemi shumë të qartë, kjo është çështje zgjedhje dhe kjo “Çfarë po bën qeveria për ne”, është një pyetje që përgjigjen e ka detyrimisht relative. Qeveria bën atë që mundet në kushte shumë të vështira të përgjithshme, por ama, nëse njeriu do të kuptojë ka apo nuk ka të ardhme këtu, duhet të kthejë kokën mbrapa dhe të shikojë ku ishim përpara 6-7 vjetësh dhe ku jemi sot dhe nga çfarë prapambetje e tmerrshme vijmë ne, se ne vijmë nga një prapambetje shumë e thellë, ne kemi qenë vend i izoluar totalisht, ne nuk kemi lidhje as me vendet e ish-Jugosllavisë për sa i përket bazës së mëparshme.
Biseda është shumë interesante, por këta më bëjnë me shenja që duhet të ikim. Kemi prezantimin e punëve të bashkisë. Nëse nuk keni ndonjë punë më të mirë për të bërë, përveç gocës që do shkojë me vrap të kapi ato lekët që humbi, jeni të ftuar atje. Pse? Për t’i dhënë një përgjigje më të plotë vajzës që bëri pyetjen, për të parë që realisht këtu ka të ardhme, por që e ardhmja këtu duhet ndërtuar hap pas hapi dhe bashkarisht. Ndërsa, atyre andej ja kanë ndërtuar të ardhmen stër-stërgjyshërit, pastaj stërgjyshërit, pastaj gjyshërit, pastaj baballarët, por edhe për ata është bërë shumë më e vështirë dhe nuk diskutohet që guri i rëndë, për mua, është në vendin e vet.
Faleminderit!