Autonomia Spitalore, QSUT dhe 4 spitale rajonale marrin kartat e autonomisë menaxheriale - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Autonomia Spitalore, QSUT dhe 4 spitale rajonale marrin kartat e autonomisë menaxheriale

Autonomia spitalore është një mënyrë e re menaxhimi dhe financimi të spitaleve, për të çuar në një tjetër nivel cilësinë dhe dhënien në kohë e shërbimeve për qytetarët. Ligji i ri për shërbimin spitalor i ka hapur rrugë një ndryshimi të shumëpritur për shërbimin spitalor publik dhe jo publik, duke i dhënë së pari mundësinë spitaleve publike të kenë mekanizmat e duhur ligjor dhe rregullator për t’u vetadministruar për nga pikëpamja menaxheriale dhe financiare.

Karta e Autonomisë Manaxheriale u pilotua për herë të parë në Spitalin Memorial të Fierit në mars të vitit të kaluar, ku me fillimin e punës si një qendër autonome, ky spital  shënoi rritje në të gjithë treguesit kryesorë të tij.

Sot Kryeministri Edi Rama mori pjesë në dorëzimin e kartave menaxheriale për QSUT dhe 4 spitale rajonale, në një takim me drejtues dhe stafin mjekësor të këtyre spitaleve, si dhe specialistë të fushës së shëndetësisë.

* * *

Përshëndetje të gjithëve!  Është e disata herë në vazhdën e kohës që mblidhemi këtu me ju për arsye të ndryshme që kanë qenë të lidhura me momente zhvillimi në ecurinë e kësaj përpjekjeje, të filluar në kushte, të cilat sot duken sikur nuk kanë ekzistuar kurrë. Në kushte që sot i ngjajnë të paimagjinueshmes, që kanë qenë pjesë e jetës së trupës mjekësore dhe të shërbimit shëndetësor dhe pjesë e jetës së qytetarëve tanë.

Të gjitha pamjet që shohim mbrapa, janë pamje nga realiteti i sotëm i spitaleve dhe 7, 8, 9, 10 vite më parë këto pamje do të ishin thjesht dhe vetëm pamje të një dëshire, të një ëndrre që dukej absolutisht e pamundur të realizohej në një kohë relativisht të shkurtër, por sot jemi në një stad krejt tjetër.

Ne jemi në një stad krejt tjetër dhe këtë unë mund ta konfirmoj edhe si pacient i QSUT dhe jo më larg se pardje, në mos gabohem, ministri i Jashtëm bëri një operacion në spitalin e ri të sëmundjeve të brendshme dhe më shkruan mesazh që, “nuk e besoj dot akoma që ky është spitali ynë në Tiranë” sepse ai mori detyrën duke ardhur nga shërbimi diplomatik jashtë. Kështu dëshmojnë shumë njerëz që kanë kaluar nga ai spital i cili është padyshim për nga kushtet, por unë mund të them edhe nga ekspertiza e mjekëve aty, ndër spitalet e mira të Europës dhe patjetër që më vjen mirë ta kujtoj edhe çfarë më tha një nga operuesit e mi dhe po e citoj meqë ai nuk dyshohet për patronazhist, se është demokrat 24 karat që ishte në derë dhe tha që “të kishim në sallën e operacionit, për herë të parë në historinë e shërbimit shqiptar shëndetësor një kryeministër se gjithë të tjerët nuk kanë kaluar kurrë nga shërbimi shëndetësor”.

I them këto për të sjellë në aktualitetin e kohës së sotme këtë përpjekje pa të cilën do të ishte e pamundur të mblidheshim sot, për kartat e autonomisë spitalore.

Ka qenë një nga objektivat strategjikë që mjekëve në shërbimin publik shëndetësor dhe trupës së shërbëtorëve me bluza të bardha në sistemin publik shëndetësor t’i jepnim një fuqi përtej pozicionit të rrogëtarit dhe spitaleve t’i jepnin lirinë që përmes autonomisë menaxheriale të administronin financat e tyre dhe të krijonin mundësinë që mjekët të gjithë të paguhen me një pagë horizontale nga shteti, por cilido prej tyre që punon më shumë, që operon më shumë, që meriton më shumë të ketë mundësinë të paguhet edhe më shumë.

Nuk ka asnjë arsye sot mendoj unë, që shërbimi publik të mos jetë zgjedhja e parë edhe e atyre shqiptarëve që për shkak se i kanë mundësitë, e kanë mendjen vetëm tek privati. Nuk ka asnjë arsye.

Po, kur ne e filluam këtë rrugë është e vërtetë që disa struktura private kishin kushte më të mira. Sot nuk është kështu. Kushtet sot në spitalin e sëmundjeve të brendshme apo në disa struktura të tjera publike janë të pakrahasueshme me strukturat më të mira private ndërkohë që mjekët janë po ata. Atëherë, cila është arsyeja për të shkuar e për të paguar para, shumë para, nëpër struktura private nëse në struktura shtetërore mund të marrësh një shërbim po aq cilësor minimalisht, nga të njëjtët mjekë dhe në fund të kesh nxjerrë shumë më pak nga xhepi? Është vetëm një! Perceptimi ende për tu mundur i shërbimit publik si një shërbim ku nuk ka kushte, ku nuk shërbehesh si duhet e të tjera.

Unë asnjëherë nuk i uroj dot askujt që shan dhe mallkon shërbimin publik që të shkojë në spital, nuk ia uroj dot, por kush shkon në spital ka një perceptim dhe një opinion krejt tjetër për shërbimin shëndetësor publik sesa kush, për shkak se fatmirësisht nuk e çon halli në spital, vazhdon kujton se spitali shtetëror është një vend ku nuk merr shërbim, ku nuk të prekin pa futur dorën në xhep e të gjitha me radhë.

Këto nuk do të thonë që nuk ka raste që janë të turpshme, këto nuk duan të thonë që nuk ka arsye për kritika, këto nuk duan të thonë që të gjitha spitalet shtetërore janë me këto kushte, këtë e dinë shumë mirë, por këto duan të thonë që në të gjitha rastet, asnjë qytetar shqiptar, pavarësisht nivelit ekonomik, nuk ka sot asnjë arsye që të ndjehet i braktisur. Përkundrazi, çdo qytetar shqiptar sot e ka mundësinë të marrë një shërbim shëndetësor dinjitoz falë faktit se kemi një sërë spitalesh që janë edhe në disa qendra të vendit që ofrojnë kushte dhe shërbim dinjitoz.

Sot jemi në një  fazë tjetër.

Sot hyjmë në një kapitull të ri falë edhe faktit që Spitali Memorial shërbeu për te pilotuar autonominë menaxheriale dhe brenda vitit synojmë që të hapim në këto spitale që do të marrin certifikatën e autonomisë menaxheriale, edhe praktikën e dyfishtë.Pra, që mjekët të cilët punojnë në këto spitale dhe që janë të dëshiruar dhe janë të kërkuar nga qytetarët për të ofruar shërbim përtej orarit të punës, të shfrytëzojnë spitalin, të shfrytëzojnë të gjithë aparaturat dhe kushtet e spitalit për të ofruar një shërbim ekstra i cili është një shërbim me pagesë, ku 70% të pagesës do t’i marrin mjekët, do t’i marrë mjeku dhe 30% do t’i mbetet spitalit dhe në këtë mënyrë hyjmë më në fund në Europë në kuptimin e konceptimit të sistemit publik, si një sistem ku mjekët nuk janë rrogëtarë, ku mjekët nuk janë të detyruar të shohin majtas-djathtas e të gjejnë mënyra se si të ikin nga puna për të shkuar tek privati për të shtuar diçka në rrogën e tyre, po ku të gjithë mjekët paguhen me një rrogë dinjitoze dhe pastaj çdo mjek që mund të punojë më shumë dhe që kërkohet nga qytetarët për t’ju shërbyer atyre, të mund të punojnë dhe jashtë orarit dhe të paguhet drejtpërdrejtë nga kjo praktikë. Kjo është njëra anë.

Ana tjetër dua ta theksoj, është që në momentin pasi të kalojmë të gjithë procesin e nevojshëm të nxjerrjes së të gjitha kostove, protokolleve, të gjitha atyre proceseve që duhen për autonominë financiare përmes autonomisë menaxheriale, atëherë në momentin kur spitalet do të kalojnë në autonomi të plotë jo vetëm menaxheriale, por edhe financiare, do të kenë në dispozicion ata fondet dhe do të vendosin ata si të ishin një strukturë e pavarur, se si do të shpenzohen fondet se cilat sasi, të cilave medikamente do të porositen dhe në të njëjtën kohë se si do të shpërblehen ekstra nga të ardhurat e spitalit, mjekët sipas një protokolli shumë të qartë.

Pra jo vetëm praktikë e dyfishtë, por edhe rritja së brendshmi e shpërblimit të mjekëve, në bazë të meritës do të bëjë që interesi për të punuar në spitalet publike, të jetë gjithmonë e më i lartë, konkurrenca të jetë gjithmonë e më e fortë dhe pastaj kush do të shkojë në Gjermani, të na marrë të keqen. E them këtë me plot gojën dhe jam i bindur unë personalisht, që vitet e ardhshme do të shënojnë një kthesë edhe në këtë aspekt.

Në vizitën që bëra në Munih para pak ditësh, më kanë takuar disa mjekë, nuk mund të flas akoma sepse nuk jam i autorizuar të flas në emër të tyre, por disa mjekë shqiptarë që punojnë në Gjermani, jo stazhierë, por shumë të mirë pozicionuar të cilët më kanë shprehur jo dëshirën, por më kanë shprehur interesimin që të kthehen dhe të punojnë në sistemin publik shqiptar dhe natyrisht që ka shumë arsye për ta bërë këtë, por unë do ta përkufizoj vetëm me një fjalë që e dëgjova nga të tre ata që ishin aty, që përfaqësonin një grup më të madh mjekësh. Një prej tyre tha “kam kaq vite në Gjemani’’, 12 a 13 vjet. “Punoj në një nga spitalet më prestigjioze, kam të gjitha kushtet profesionale. Pa diskutim, paguhem njësoj si një mjek gjerman në ketë nivel, po jam bosh. Jam bosh dhe kur mendoj që ikën 14 vjet dhe kështu mund të ikin dhe 14 të tjera, mund të ikin dhe 24 të tjera dhe një ditë të bukur mund të gjendem në kushtet e pensionit pasi e kam kaluar gjithë jetën nga shtëpia në spital, nga spitali në shtëpi, me kolegë shumë të respektueshëm, por me të cilët as nuk zihesh dot se kur do të zihesh, thjesht nuk të flasin, atëherë kam frikë se do të kem një hall shumë të madh. Kështu që dua të kthehem në Shqipëri, dua të punoj në Shqipëri’’.

Kjo ndjenja e boshllëkut, ndjenja e viteve qe kalojnë dhe ndjenja që shumë dije dhe shumë eksperiencë mund t’i vihet në shërbim vendit dhe mund të merren mbrapsht disa kënaqësi që nuk janë në atë zarfin e pagës, ishte ajo që unë kuptova nga të tre ata. Natyrisht konkluzioni në të cilin ata kishin dalë për tu kthyer, vinte edhe si rezultat edhe i faktit që kishin parë situatën e disa spitaleve.

‘’Kemi hyrë”- thanë, – “tinëz, thjesht për të parë ça bëhet sepse nga televizori nuk besonim dot që ishin ashtu spitalet në Shqipëri”. Edhe përmenden spitalin e sëmundjeve të brendshme. Thanë që ai, në Gjermani do të ishte pa diskutim ndër spitalet më të mira sepse duke qenë se është bërë tani, janë blerë aparaturat më të fundit dhe do vazhdojmë ta pajisim, tani po punojmë me ministren për të sjellë robotët për operacionet , që është një tjetër shkallë dhe këtë të robotëve unë e dëgjova gjerë e gjatë kur rrija shtrirë atje me atë demokratin që më rrinte tek koka, kështu që besoj shumë, që kemi të gjitha arsyet të ndihemi të inkurajuar e të ndihemi optimistë dhe pa diskutim, që tani më shumë sesa dje kur  e thoshim, por shumë gjëra duheshin bërë për ta besuar, kemi shumë arsye konkrete në realitetin e shërbimit shëndetësor, në realitetin e spitaleve për të besuar plotësisht se Shqipërua e vitit 2030 do të jetë një vend me një shërbim shëndetësor që do t’ju krijojë gjithë shqiptarëve kushtet psikologjikë të plota për të mos shkuar jashtë, përveçse në rastet kur natyrisht kanë nevojë për operacionet super të specializuara, që ju e dini më mirë sesa unë dhe sesa të gjithë të tjerët që ka një kategori ndërhyrjesh dhe ka një kategori terapish që edhe në Bashkimin Europian nuk i bëjnë të gjitha shtetet, po përveç se në ato raste shumë të veçanta, të gjitha të tjerat i bëjnë këtu.

Nga ana tjetër, unë jam i bindur që me këtë dije dhe me këtë eksperiencë dhe me investime të tjera edhe sektorin privat shëndetësor, ne do të bëjmë të mundur që të kemi  mundësi që dhe shërbimin shëndetësor ta bëjmë pjesë të industrisë sonë turistike. Këto gjëra i kemi pasur në vizionin tonë qysh në krye të herës, i kemi  ëndërruar qysh në krye të herës, por patjetër që kur i kemi thënë më parë, shumëkujt i jemi dukur edhe jo pa faj, sikur po tallemi, sikur po gënjejmë, sikur po bëjmë atë që bëjnë rëndomë shumë politikanë kur duan të marrin ndonjë votë. Ndërkohë që historia jonë është ndryshe dhe rruga jonë është ndryshe.

Ne jemi këtu për të bërë njëqindfishin për të merituar besimin e njerëzve dhe besimin tuaj dhe do të bëjmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë pa asnjë diskutim dhe pa asnjë lëkundje, kështu që nëse sot mjekët janë më në fund të mirë paguar, krahasimisht me ku ishin, unë do t’iu them mjekëve që s’keni parë gjë akoma, as në aspektin e pagave. Nuk jemi ne absolutisht të lumtur dhe absolutisht nuk e kemi fjetur mendjen që këto tani janë pagat e mjekëve, tani hajde se flasim nga viti 2040. Jo!

Ne do bëjmë çmos që të ardhurat e mjekëve dhe të infermierëve dhe të gjithë shërbëtorëve të shëndetit publik të vijnë duke u rritur. Natyrisht, njëra anë është rritja e pagave, por ana tjetër është kjo për të cilën po flasim. Rritja, zgjerimi i mundësive për të ardhura legjitime komplementare që vijnë nga aktiviteti i brendshëm i spitaleve dhe që vijnë nga aktiviteti i vetë mjekëve përtej asaj normës të cilën e bëjnë të gjithë mjekët pa përjashtim, por mbi të cilën cilido prej mjekëve mund të ngrihet dhe patjetër vlerësimi i publikut që zgjedh se tek të cilët mjek dëshiron të besojë shëndetin  e vetë.

Shumë faleminderit dhe qoftë një vit i mbarë!

Jam i bindur që në fund të këtij viti spitalet që do të marrin sot kartën e autonomisë menaxheriale do të kenë shumë gjëra për të thënë dhe do të kenë shumë më tepër arsye tek fuqia që do të fitojnë në këtë kthesë të re dhe në këtë hap të ri të rëndësishëm të reformimit të shërbimit shëndetësor.

 

Previous Viti i Gjuhës Shqipe, Manastirliu: Plan i ri veprimi për ruajtjen e gjuhës me Akademinë e Shkencave