Lagja më e re në njësinë administrative Baldushk, Tiranë është gati të mirëpresë 28 familje, në shtëpitë e tyre të ngritura nga themelet, në një zonë tashmë të urbanizuar dhe me të gjitha shërbimet e nevojshme për komunitetin. E gjithë lagjja është e plotësuar me të gjithë infrastruktrën publike, rrugët, trotuaret e parkimet, përfshirë edhe zonën rekreative për komunitetin
Me këtë lagje të re, procesi i rindërtimit në zonën e Baldushkut u përmbyll me sukses. Festës së banorëve iu bashkua këtë pasdite edhe kryeministri Rama, i cili vizitoi disa prej shtëpive të reja dhe uroi banorët për një fillim të ri në jetën e tyre.
* * *
Mirëmbrëma dhe shumë faleminderit për mikpritjen!
Është një ditë e bukur për ju, më saktë një mbrëmje e bukur dhe natyrisht është kënaqësi dhe për mua që sot të jem këtu me ju dhe me Erionin për të celebruar këtë moment përmbyllje të një pune, që siç e keni parë ka qenë një punë jo e lehtë.
Janë bërë investime të mëdha dhe kanë ecur me ritme të ndryshme për shkak se edhe konteksti ka qenë i ndryshëm, sidoqoftë është vërtete kënaqësi që përpara një tjetër viti të ri, në zonën e Baldushkut përmbyllet plotësisht procesi i rindërtimit dhe të gjitha familjet e prekura, vitin e ri do ta festojnë përfundimisht në shtëpinë e tyre, qoftë ata që tanimë shtëpitë i kanë prej kohësh, qoftë ata që shtëpitë do t’i kenë që nesër.
Është po ashtu kënaqësi që provat e prekshme siç janë këto shtëpi që nuk janë projekte, nuk janë fotografi, nuk janë video, por janë shtëpi reale, tregojnë atë që ne jemi zotuar qysh në krye të herës, që të gjithë ata të cilët humbën shtëpitë në tragjedinë e madhe të tërmetit do të ri marrin shtëpi më të forta, më të bukura dhe edhe më të mëdha dhe akoma më e rëndësishme do t’i marrin pa paguar asnjë qindarkë dhe pa i pasur borxh asnjë qindarkë shtetit.
Ky është programi i parë i rindërtimit në Europë dhe kur them në Europë kam parasysh që nga vendet shumë të zhvilluara si Italia, tek vendet po ashtu shumë të zhvilluara si Greqia apo Turqia dhe të gjitha vendet e tjera që kanë pasur fatkeqësinë të përballen me tërmete, ku askund tjetër nuk ka ndodhur kështu si këtu, se është i pari program rindërtimi ky qytetarëve, familjareve që i jepet shtëpia nuk u vendoset asnjë barrë financiare dhe nuk u thuhet siç bëhet në të gjitha programet e këtij lloji: “shtëpinë do ta merrni, por do të paguani një kredi të butë”. Këtu s’ka asnjë lloj kredie, as të fortë as të butë! Shtëpitë janë tuajat, janë pronë, pasuri e patundshme e të gjitha familjeve që i marrin këto shtëpi dhe mund të bëjnë çfarë të duan me to, mund t’i marrin, mund t’i shesin, mund t’i japin me qira, çfarë të duan me to!
Më vjen shumë mirë që çdo ditë realiteti i fakteve rrëzon realitetin e gjysmë të vërtetave që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha me të cilat për fat të keq, por këtu nuk ju ndihmon dot qeveria, ushqeheni dhe ushqehet ky popull nga mëngjesi deri në darkë, ekran më ekran, kanal më kanal, portal më portal kudo ku njerëzit shkojnë për të marrë lajmet e ditës. Është e tmerrshme, çdo ditë! Çdo ditë! Sepse patjetër që gënjeshtra ka fuqi shumë më të madhe tërheqëse dhe ky është një fakt i njohur botërisht prej mijëra vitesh dhe patjetër që edhe gënjeshtra është shumë më e lehtë sesa e vërteta për tu treguar dhe për të krijuar audiencë. Nuk thotë kot populli që, “kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërteta s’ka veshur ende pantallonat”, por që në fund ka shumë rëndësi se cila është e vërteta sepse e vërteta gjithmonë triumfon dhe e vërteta e rindërtimit triumfon çdo ditë, triumfon çdo muaj, triumfon çdo vit dhe kështu siç triumfon këtu sot ku edhe juve çfarë nuk ju kanë thënë, “jo po s’do jua japin shtëpitë”, ja ku janë shtëpitë, janë të tuajat, t’i gëzoni! Kështu do triumfojë deri kur të jetë ndërtuar shtëpia e fundit.
Më vjen keq që nuk kemi mundur t’i bëjmë të gjitha me shpejtësinë që do kishim dëshiruar, më vjen keq që jemi me vonesë në Kombinat, por nuk është një vonesë që ka ardhur si rezultat as i mungesës së vëmendjes, as i mungesës së dëshirës dhe vullnetit, por si rezultat i pengesave të panumërta që na kanë dalë përpara, që kanë të bëjnë me pronësinë, që kanë të bëjnë me ankimimet, që kanë të bëjnë me gjithë fushatën e ndyrë të shpifjeve dhe të nxitjeve të qëllimshme të njerëzve për t’iu kundërvënë Programit të Rindërtimit, që kanë të bëjnë me gjithë përpjekjen për t’i sqaruar, që kanë të bëjnë me denoncimet e bëra nëpër Prokurori pa asnjë të drejtë, por gjithsesi janë procese që duhen sqaruar sepse natyrisht tjetër është të ndërtosh një lagje komplet të re në një zonë të Tiranës ku ka shumë interesa, ku ka dhe shumë probleme pronësie, komshinjsh, partish e kështu me radhë dhe disi më ndryshe është të ndërtosh një lagje këtu. Ama unë i siguroj të gjithë që siç ka ndodhur deri tani, që çdo shtëpi individuale, çdo banese kolektive ka provuar me qenien e vet në sytë e njerëzve vërtetësinë e punës dhe vërtetësinë e angazhimit ton, kështu do ndodhë dhe me lagjen “5 Maji”, e cila ka filluar të marrë formë dhe faktikisht është bërë një nga lagjet sot po ta shikosh, më të bukurat e Tiranës, me më shumë hapësira për komunitetin, me pa diskutim hijeshi dhe pamje të bukur, do bëhet dhe në Kombinat, do bëhet në çdo cep dhe në fund fjalët do t’i marrë era dhe baltën e hedhur përditë do ta marrin shirat dhe e vërteta do të jetë në jetën e përditshme të të gjithë këtyre familjeve të cilat kaluan një periudhe jo të lehtë.
Nga ana tjetër dua ta rinënvizoj këtu dhe një herë. Shpeshherë serviren nëpër pasqyrat e gjysmë të vërtetave që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha e përsëris, pamje familjesh që thuhet se janë braktisur, se nuk kujtohet më njeri për ta. Po ju them, nuk ka një familje të vetme, të gjitha janë gënjeshtra. Nuk ka një familje të vetme, e cila të jetë dëmtuar nga tërmeti dhe të cilës të mos i jetë dhënë, qysh në krye të herës, bonusi i qerasë.
Natyrisht që ka familje që kanë preferuar, deri në momentin që kanë marrë shtëpinë, të mos lëvizin nga çadra. Keni parë disa prej tyre që janë nxjerrë dhe në televizor, shikojini akoma në çadër dhe pastaj ne kemi provuar me dokumenta se pavarësisht se jetojnë në çadër, ata e marrin bonusin e qerasë, e marrin çdo muaj rregullisht. Është e drejta e tyre të vendosin që të mos shkojnë të rrinë me qera, kanë bagëtitë aty, kanë tokën aty pranë, puna e tyre. Ne nuk mund të detyrojmë, ama numri i atyre që kanë qëndruar në çadra ka qenë minimal.
Ndërkohë që, gjithë të tjerët kanë bërë zgjedhjet e tyre. Ka plot që nuk kanë vajtur fare të futen në shtëpi me qera, kanë shkuar në shtëpi tek të afërmit, punë e tyre, por ama ky shtet iu ka paguar një më një çdo muaj bonusin e qerasë deri ditën kur iu ka dhënë shtëpinë.
E njejta gjë vlen dhe për ata, të cilët bëjnë disa rezistenca që unë nuk arrij t’i kuptoj; si mund të vazhdojë të jetojë në atë pallatin që u shemb këto ditë dhe çfarë njerëzish janë këta që u dalin, me demek, në mbrojtje, ndërkohë që ai pallat bën mu që është një ngrehinë e rrezikshme, një ngrehinë që me një goditje të matrapikut binte dy kate përnjëherë?
Në ndërkohë që, atyre të gjithëve u jepet bonusi i qerasë dhe u thuhet “Bujrum kur të ndërtohen apartamentet e reja do të merrni një apartament të ri”.
Çfarë duhet të bëjë qeveria dhe çfarë duhet të bëjë bashkia sipas atyre që bien pre e abuzimit dhe e shfrytëzimit të ankthit dhe shqetësimit të tyre nga ata, të cilët iu thonë vetes opozitë, por ata janë një grumbullim individësh që nuk kanë fe, që nuk kanë atdhe, që nuk kanë as din e as iman e besë jo e jo, në raport me njerëzt të cilëve, me demek, iu dalin për zot.
Se kush i del për zot njerëzve në këtë vend, ne e kemi treguar me prova.
Ashtu sikundër, i kemi dhënë të gjitha provat në këtë proces rindërtimi se ne, kur vjen puna tek shqiptarët në hall, tek shqiptarët në vështirësi, tek shqiptarët në nevojë, tek shqiptarët e goditur nga një fatkeqësi, nuk shohim majtas, nuk shohim djathtas, por shikojmë drejt e në sy secilin dhe bëjmë gjithçka na takon që secili të marrë atë që i takon.
Ky program ka qenë edhe një program strehimi, në sensin që kudo, në çdo shtëpi në zonën rurale ku ka pasur dy, tre apo katër kurora nën një kulm, programi u ka dhënë 4 shtëpi dhe rasti i katër kurorave, të paktën rasti i katër kurorave që unë i di konkretisht, janë katër kurora që votojnë kundër partisë tonë, madje i pari i atij fisi është kryetari i partisë që i ka humbur vula. Por kjo, nuk ka pikë rëndësie për ne. Si mund të ketë rëndësi kjo për ne, çfarë rëndësie mund të ketë kjo për ne kur këtu bëhet fjalë për njerëz të këtij vendi, kur këtu bëhet fjalë për qytetarë të kësaj republike, kur këtu bëhet fjalë për shqiptararë, të cilët janë njësoj si të gjithë të tjerët në nevojë, goditet nga një fatkeqësi dhe kur këtu bëhet fjalë për një ligj rindërtimi që u jep atyre të njejtat të drejta.
Si do e bëjmë ne?
Prandaj, unë dua t’i siguroj që të gjithë që, pavarësisht se iu pëlqen apo nuk ju pëlqen ajo që ne bëjmë në momentin e parë, në fund të gjithëve do iu pëlqejë rezultati, siç iu ka pëlqyer të gjithë atyre në zonën e Kurbinit. Ne, në Kurbin, morëm një rezultat që nuk kishte asnjë lidhje fare me gjithë atë Program Rindërtimi që është bërë atje, që është bërë qyteti i Laçit i ri nga e para, komplet i ri nga e para, me infrastrukturën nëntokësore, me infrastrukturën mbitokësore, me apartamentet e reja, me kopshtet e reja, me çerdhet e reja, me shkollat e reja, me bashkinë e re, me gjithë godinat e vjetra të risistemuara dhe rezultati që morëm nuk kishte lidhje fare me gjithë atë që kishim bërë atje. Po pse, kjo mos vallë na ndaloi që ne të vazhdojmë të bëjmë punën atje?
Ne vazhdojmë ta bëjmë punën atje në Laç, atje në Kurbin, do ta bëjmë deri në fund dhe do ta bëjmë atë qytet, atë bashki, ashtu sikundër kurrën e kurrës, jo nuk mund ta bënin, por as nuk mund ta imagjinonin ata që kanë marrë atje votën shumë shpesh.
Sepse atje, njësoj s i kudo, janë shqiptarë.
Mbi të gjitha, dhe këtu e mbyll, të gjitha këto familje mund të kenë të rritur që mund ta kenë kokën mbrapsht, por kjo nuk është një arsye që ne të mos u japim fëmijëve të tyre ekzaktësisht të njejtën gjë që i takon të gjithë fëmijëve të këtij vendi, pavarësisht se i kanë prindërit me kokën parsh apo me kokën mbrapsht, nga pikëpamja politike, kjo nuk ka pikë rëndësie.
Kështu që, askush të mos shqetësohet më shumë sesa ç’duhet. Unë e kuptoj që njerëzit që e kanë me merak, njerëzit që e kanë me mosbesim, njerëzit që thonë “Jo po se këtu po na nxjerrin, këtu nuk do bëhet” e të tjerë, por ju siguroj të gjithë që deri kur familja e fundit të jetë duke pritur hapjen e derës së shtëpisë së re, ne nuk do të reshtim dhe asnjë familje, dhe nuk ka pikë rëndësie se si votojnë, me kë janë e me më nuk janë, sa duartrokasin e sa protestojnë anëtarët e saj, nuk ka për të mbetur pa u shërbyer me dinjitetin dhe respektin që meriton si një familje shqiptare.
Shumë faleminderit të gjithëve dhe t’i gëzoni shtëpitë tuaja, se janë tuajat dhe jam shumë i lumtur që ky program bën me shtëpi një numër masiv familjesh, të cilat përndryshe, për shkak të ekonomisë së tyre, do e kishin të pamundur që të blinin shtëpi të reja dhe bën me shtëpi të reja të gjitha ato familje që falë këtij programi, janë zotër të një shtëpie që vlen po aq sa vlejnë apartamentet dhe shtëpitë më të mira në Tiranë.
Shumë Faleminderit!