Balla në Kuvend: Na duhet një politikë e re penale, drejtësia ta hetojë me paanshmëri ngjarjen e fundit e të japë dënim ekzemplar - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Balla në Kuvend: Na duhet një politikë e re penale, drejtësia ta hetojë me paanshmëri ngjarjen e fundit e të japë dënim ekzemplar

Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi në Kuvend nevojën për një politikë të re penale, duke shprehur bindjen se sistemi i drejtësisë do ta bëjë këtë. Duke iu referuar ngjarjes së fundit në Fier ku humbi jetën një punonjës policie, ministri tha se ndëshkimi i drejtësisë për këdo që ngre dorë kundër punonjësit me uniformë, duke të jetë i ashpër, siç parashikohet në Kodin Penal.

Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm Taulant Balla në Kuvend:

Lajmi i mirë është që të gjithë anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë do ta votojnë këtë marrëveshje dhe kjo qeveri jo vetëm që ka vendosur tashmë një rekord të marrëveshjeve të ngjashme që ka sjellë për miratim, por është e vetmja Qeveri, e cila në fakt prej vitit 2013 me Kryeministrin Edi Rama krijoi këtë mundësi për të gjithë motrat dhe vëllezërit tanë bashkë-atdhetarët që jetojnë prej vitesh kudo në botë të kenë mundësinë që për aq ditë, për aq muaj për aq vite, që kanë punuar në këto vende kontributet shoqërore të derdhura tu njihen për efekt pensioni në Shqipëri.

Në këto 32 vite shqiptarët kanë lëvizur kudo. Në këto 32 vite edhe ju keni qeverisur diku tek 13 e pak vite, bilanc më epik sesa fakti që në 13 vite që keni qeverisur vendin nuk arritët të mbyllnit qoftë edhe një marrëveshje të vetme është shprehja më kuptimplotë që sot minimalisht t’i thoni përgëzime qeverisë dhe hajde të bashkojmë forcat, kontributet, mesazhet për të ecur para edhe me qeveri të tjera ku unë shpresoj që marrëveshja e radhës që do të vijmë këtu, të jetë marrëveshja me Greqinë.

E me qenë se e përmenda brenda kohës nëse do kisha qenë në vendin tuaj shumë prej jush që folët dhe përpjekja për të imituar keqas udhëheqësin shpirtëror, i cili ka komplet hall tjetër nuk do ta kisha prekur fare takimin e KM Rama me bashkë-atdhetarët tanë në Athinë se t’ju them të drejtën nuk ke dot asgjë të thuash sepse e vërteta është që Edi Rama këtë gjë e ka bërë prej ditës së parë kur ka marrë drejtimin e PS.

Gjatë 8 viteve në opozitë kanë qenë të shumta takimet që kemi zhvilluar me bashkë-atdhetarët tanë jo vetëm në Athinë dhe natyrshëm që kjo qasje e PS, e cila do të vazhdojë është një urë që prej Athinës në 26 maj shkon në Milano, në 2 qershor me vëllezërit dhe motrat tanë në Londër dhe në 16 qershor për tu bërë të gjithë bashkë edhe me disa prej jush që keni programuar të ndiqni ekipin tonë kombëtar Kuq e Zi në Duseldorf.

Tani se çfarë problemi keni ju se pse takohet KM me bashkë-atdhetarët e më rëndë akoma mos keni gjë me mesazhet që u dhanë në Athinë. Më thoni një prej tyre, prej atyre çështjeve që ju jeni kundër. Që shqiptarët nuk janë më ata që ishin para 30 viteve në Athinë. Edhe unë kam qenë emigrant në Greqi dhe e di të them të drejtën vështirësitë që jemi përplasur, por e di shumë mirë që sot shqiptarët atje janë sipërmarrës, janë shkencëtar nëse doni, janë avokat dhe minimalisht duhet t’jua nxërë goja edhe ju që ne jemi krenar për vëllezërit dhe motrat tanë që jetojnë dhe punojnë me krenari si shqiptarë kudo që ata janë. Kaq kisha për këtë çështje.

Meqenëse vjen më pas edhe një marrëveshje me INTERPOL-in po i prek të dyja, besoj që siç jeni shprehur në Komision është një marrëveshje kuadër ku sa herë organizohen samite apo takime, konferenca kudo në botë INTERPOL-i kërkon mirëkuptimin e vendeve mikpritëse që për gjithë drejtuesit e përgjithshëm policive të vendeve anëtare të jepet edhe nga parlamentet e vendeve përkatëse, sikurse është zhvilluar vit për vit edhe imuniteti ndaj drejtuesve të policisë është një lajmi mirë për Shqipërinë. Nuk ka ndodhur asnjëherë në këto 33 vite që INTERPOL-i organizata më e madhe policore kundër krimit në botë ta zhvendosi konferencën e vetë në Shqipëri nga datat 11 deri në 13 qershor. Është edhe një konfirmim i forcimit të mëtejshëm qoftë të punës së PSH brenda territorit të RSH, por edhe i bashkëpunimit të ri, kësaj faze të shkëmbimi të informacionit, kësaj faze të re bashkëveprimi në luftën kundër krimit të organizuar. Kështu që e keni mbështetur këtë miratim formal që duhet të japë Kuvendi në mënyrë që të gjithë drejtuesit e policive partnere të përfitojnë këtë formë imuniteti që u jepet në të gjitha vendet ku organizohen takime të tilla.

Të dashur kolegë,
do kërkoja pak kohë, drejtuesja e seancës nuk mund të rri sot këtu, në detyrën e Ministrit të Brendshëm pa ju referuar edhe një ngjarje të rëndë me të cilën është përballur PSH, por që besoj ka edhe solidaritetin e të gjithë kolegëve deputetë të të dy krahëve për sa i përket vrasjes së punonjësit të Policisë së Shtetit, Novruz Cenalia.

Dua të ndaj sot me ju dhe po ashtu të mirëpres prej secilit prej jush mbështetjen që ka sot nevojë PSH. Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e PSH duhet ta bëjë sot shoqërinë të reflektojë për ridimensionimin e qëndrimeve, por edhe të mbështetjes publike që duhet domosdoshmërisht t’i japim PSH si garantuesi i vetëm i sigurisë në mënyrë të përditshme.

Kush nuk i bindet urdhrit, thirrjes së punonjësit të PSH ose më rëndë akoma kush prej tyre e kundërshton me forcë guxon ta fyejë, guxon ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i marri jetën ndërsa është në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës duhet ta ketë sot të qartë që toleranca e PSH dhe agjencive të tjera ligjzbatuese dhe e drejtësisë duhet të jetë zero.

Nëse qytetari mendon se ka të drejtë ndërsa punonjësi i Policisë e ka gabim, qytetari ka të gjithë të drejtën madje ka dhe të gjithë mekanizmat ta apelojë vendimin e Policisë në rrugë administrative, gjyqësore. Por çdo veprim kundërshtimi nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet. Thirrja e punonjësit të Policisë është thirrje për t’u zbatuar. Kush nuk është dakord me urdhrin apo vendimin e punonjësit të Policisë, të marrë avokatin.

Kuvendi e ka bërë detyrën e vetë, se ka miratuar aktet ligjore. Na duhet të vendosim një standard të ri sa i përket autoritetit të punonjësit të Policisë së Shtetit.

Ne, Kuvendi dhe Qeveria e bashkë me shoqërinë, nuk duhet të pranojmë kurrsesi dhe raste ku përfshihen edhe deputetët kur shkojnë të shtyhen të fyejnë, të kërcënojnë, të kanosin me dhunë dhe duke vënë në rrezik jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit. Është koha pra që të jepen shembuj konkret të zbatimit sipas germës dhe frymës së Kodit Penal duke vendosur një standard të ri, ndaj kujtdo që ngre dorë ndaj punonjësit të Policisë së Shtetit. Kjo duhet të ndodhë kudo, e pa asnjë hezitim.

I bëj thirrje drejtësisë ta hetojë me paanshmëri, ngjarjen e fundit dhe të japë një dënim ekzemplar.

Na duhet një politikë e re penale, e cila të zërë vend në këtë drejtim dhe kam besim se sistemi i drejtësisë do ta bëjë. Mosbindja ndaj urdhrave të ligjshëm punonjësve të Policisë së Shtetit përbën kundërvajtje penale, e cila për ata që nuk e dinë, nëse një punonjës policie të bën thirrje ose të kërkosh të largohesh, të mbash distancën mosbindja dënohet me burgim deri në 3 muaj; nëse e kundërshton punonjësin e policisë me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit, dënimi shkon deri në 1 vit burg; e kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, mund të dënohesh deri në 7 vite burg. I kemi shkruar dhe miratuar ne në Kod Penal, Kuvendi i Shqipërisë.

Të dashur motra e vëllezër, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Policia e Shtetit i ka shërbyer dhe i shërben me devotshmëri, pavarësisht qeverive që janë në pushtet, atdheut dhe qytetarëve.

Janë ndeshur, ndeshen dhe do të vazhdojnë të ndeshen me kriminelë e keqbërës, dhe një pjesë prej tyre kanë dhënë dhe jetën për të mbrojtur jetët dhe sigurinë e qytetarëve. Policia ka derdhur gjak në emër të misionit dhe betimit të saj. Gjaku i Policisë së Shtetit është vetë gjaku i shtetit. Faleminderit

Previous Kotor, Mali i Zi, Komunikim i Kryeministrit Edi Rama me gazetarët shqiptarë