Ballkani i Hapur, bashkim ngjyrash, shijesh dhe aromash unike në Panairin e Parë Ndërkombëtar të verës - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ballkani i Hapur, bashkim ngjyrash, shijesh dhe aromash unike në Panairin e Parë Ndërkombëtar të verës

Panairi i Parë Ndërkombëtar i verës (WINE VISION) organizuar nga vendet partnere/themeluese të nismës për Ballkanin e Hapur; Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, çeli sot  edicionin e parë në  Beograd, Serbi.

Kryeministri Edi Rama, i cili u prit nga Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabić, në mbërritjen e tij në Beograd, mori pjesë më pas në ceremoninë e hapjes së këtij Panairi, së bashku me liderët e vendeve organizatore, Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacevski, si dhe liderë të tjerë të vendeve partnere të nismës për Ballkanin e Hapur.

Panairi, që do të qëndrojë i hapur deri më 4 shtator, do të mirëpresë prodhuesit më të mirë të verës në rajon me qëllim promovimin e kombinimit unik të shijeve dhe aromave që përfaqësojnë shpirtin e Ballkanit, gjeografinë e tij dhe pasurinë e tij të varieteteve. Por jo vetëm. Në panair do të prezantojnë produktet e tyre edhe kompani europiane dhe botërore, lider në vreshtari dhe prodhimin e verës. Më shumë se 250 ekspozues nga  Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, si dhe nga Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Italia, Spanja, Franca, Turqia, Argjentina, Kalifornia, Afrika e Jugut, etj, do të jenë pjesë e tij.

Panairi do të zhvillohet çdo vit nga njëri kryeqytet në tjetrin, duke u kthyer hap pas hapi në një instrument të rëndësishëm ekonomik e turistik.

Në ceremoninë e çeljes së këtij edicioni, Kryeministri Edi Rama iu drejtua pjesëmarrësve me një fjalë përshëndetëse.

* * *

Përpara se të vija këtu, po shikoja pak fjalën që më kishte përgatitur ekipi im edhe vendosa që të mos e përdor sepse fillonte me shprehjen që ne në Shqipëri kemi krijuar verën e parë në Ballkan që në Epokën e bronzit. Unë nuk e di sa e vërtetë është kjo, por di që kemi humbur shumë kohë duke u përpjekur t’i tregojmë njëri- tjetri se kush ka qenë i pari, kush është me i vjetri, kush e ka marrë i pari të drejtën që të jetojë këtë vend, ndërkohë që një gjë e kemi mësuar të gjithë, që asnjë prej nesh nuk do shkojë diku tjetër.

Të gjitha vendet tona janë këtu për të qëndruar edhe pas nesh, edhe shumë e shumë vite dhe shekuj pas nesh dhe zgjedhja jonë është shumë e thjeshtë. Si të qëndrojmë këtu, në këtë vend duke qenë të gjithë sëbashku, në të njëjtën lagje të Europës, duke u përpjekur ta bëjmë këtë lagje më të gëzueshme, më të jetueshme, më paqësore për të gjithë njerëzit tanë apo duke hedhur gurë mbi tjegullat e njëri-tjetrit dhe duke i vënë flakën njëri-tjetrit, siç kemi bërë me shumë e shumë vite dhe shekuj.

Besoj që edhe këtu në këtë panair, besoj pa ekzagjeruar, të nivelit të lartë europian, është e qartë që më mirë kështu sëbashku, duke afruar njerëzit, duke u afruar me njerëzit, duke parë se sa shume gjëra të përbashkëta kemi si njerëz, se sa ashtu siç kemi qëndruar më parë, me kurriz nga njëri-tjetri, pa ditur fare për njëri-tjetrin dhe me shumë konflikte dhe luftëra në mes.

Sot duke vizituar këtë panair ku përveç prodhuesve nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, janë edhe prodhues nga shumë vende të tjera, edhe nga vende me një famë shumë më të madhe për prodhimin e verës, besoj që i kemi dhënë mundësi prodhuesve tanë që jo vetëm të shkëmbejnë eksperiencat me njëri-tjetrin dhe jo vetëm të gjejnë mundësinë për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të rritur, zgjeruar tregun e tyre, por i kemi dhënë mundësi edhe prodhuesve dhe tregtarëve të verës jashtë këtij rajoni që të shikojnë në një hapësirë të përbashkët kaq shumë prodhime që përndryshe do duheshin udhëtime të gjata dhe kohë e madhe për tu shikuar.

Sot këtu janë 22 prodhues nga Shqipëria, ndërkohë që në Shqipëri çdo vit rritet me 10 % sipërfaqja e vreshtave dhe unë jam i bindur që ky panair, edicioni i parë i të cilit mbahet në Beograd dhe synojmë ta zhvillojmë në mënyrë të përvitshme duke e spostuar nga njëri kryeqytet në tjetrin, do të nxisë edhe plotë të tjerë që të përfshinë në këtë aktivitet.

Ndërkohë sot ne kemi një vëllim tregtar mes tre vendeve tona, i cili është nga afro 60 milionë, flas vetëm për prodhimet bujqësore, në afro 100 milionë. 36 milionë euro më shumë sesa vetëm një vit më parë dhe potenciali është shumë herë më i madh pa diskutim dhe këto nuk janë veçse hapat e parë të një rritjeje që do të jetë e vazhdueshme dhe të një shfrytëzimi gjithnjë e më të madh dhe të dobishëm të potencialit tonë.

Ashtu sikundër eksportet shqiptare me Serbinë janë rritur vitin e fundit, flas përsëri për eksportet bujqësore dhe për fertilizatorë, afro 30 %. Po kështu edhe me Maqedoninë e Veriut, pak më pak por gjithsesi afro 30 %.

Të gjitha këto të dhëna dhe plotë të tjera ne na mjaftojnë për ta vazhduar ta çojmë përpara këtë nismë, një nismë që nuk është nismë e jona, por është një nismë për njerëzit, është një nismë që u takon njerëzve, është një nismë që u takon të gjithë atyre që prodhojnë, të gjithë atyre që eksportojnë, importojnë, të gjithë atyre që ofrojnë shërbime, të gjithë atyre që zhvillojnë industrinë tonë turistike, të gjithë atyre që vizitojnë vendet tona dhe patjetër edhe të gjithë vajzave dhe djemve, të rejave e të rinjve të gjithë vendeve tona, të cilëve shpresoj që kjo rrugë e hapur t’ju pëlqeje, t’u pëlqejë shumë më tepër sesa rrugët e mbyllura të së shkuarës dhe të kontribuojnë që ta zgjerojnë këtë rrugë dhe ta çojnë gjithnjë e me shumë përpara.

Unë dua t’i falënderoj me zemër të gjithë atë që kanë kontribuuar për këtë panair, sepse e di që ka qenë një punë e madhe e bërë për të ardhur në ditën e kësaj ceremonie, e di që nuk është e lehtë që për herë të parë të sjellësh gjithë këta prodhues verërash, që vijnë nga shumë panaire me reputacion shumë më të madh dhe t’i sjellësh në Ballkan, por fakti që kanë ardhur dhe fakti që jemi këtu të gjithë së bashku duhet të na inkurajojë edhe më shumë dhe duhet të na bëjë të gjithëve gjithmonë e më të bindur se Ballkani i Hapur është shumë më tepër sesa ekonomi, shumë më tepër sesa tregti dhe është shumë më tepër sesa politikë, po e po.

Ballkani i Hapur është një projekt paqeje dhe është një projekt bashkëjetese në paqe, është një projekt i bashkimit në paqe të një vizioni të përbashkët për të ardhmen, në mënyrë që kjo lagje e vogël në mes të Europës të mos vuajë më nga hijet e së shkuarës por të bëhet gjithnjë e më shumë vendi i të ardhmes për të gjithë rininë tonë.

Shumë faleminderit!

Previous SHPALLJE VENDI VAKANT<br>Përgjegjës Sektori në Sektorin për Informimin e Institucioneve

Leave Your Comment