Balluku: Gatishmëri e strukturave për përballimin e motit të keq në ditët në vijim
Shqipëria pritet të përfshihet nga një front atmosferik i ulët, me reshje të dendura dhe erëra të forta gjatë natës dhe në ditët në vijim, me kulm më 18 nëntor. Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mblodhi sot strukturat e emergjencave në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për të koordinuar masat parandaluese.
Sipas parashikimeve të institucioneve shtetërore të specializuara, situata do të nisë të përkeqësohet në orët e vona të mbrëmjes, me intensitet më të lartë në veri dhe verilindje, ku reshjet priten të kalojnë mbi 30 mm dhe të zgjasin rreth 48 orë. Pas datës 19, intensiteti pritet të zhvendoset gradualisht në juglindje dhe jug të vendit, veçanërisht në zonat e Himarës dhe Sarandës. Ndërkohë, zonat tradicionalisht të ndjeshme ndaj përmbytjeve si Fusha e Shkodrës, Lezha dhe perimetri përgjatë Vjosës në Fier e Vlorë mbeten në vëmendje të veçantë edhe pse reshjet në jug parashikohen më të ulëta.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka nisur uljen e niveleve në basenet e Komanit dhe Vaut të Dejës që prej 11 nëntorit, për të krijuar hapësirë sigurie për prurjet e mëdha anësore që priten të vijnë fillimisht nga veriu dhe verilindja. Masat synojnë të shmangin hapjen e portave, veçanërisht në zonën e Fushë Shkodrës, ku intensiteti i reshjeve dhe rreziku i prurjeve në kaskadë parashikohet të jetë shumë i lartë.
Ministrja Balluku deklaroi se të gjitha ndërmarrjet e infrastrukturës kritike si: KESH, OSHEE, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe agjencitë e tjera përgjegjëse për menaxhimin e situatave të motit ekstrem janë njoftuar dhe po operojnë në gatishmëri.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se të gjitha strukturat e Ujitje-Kullimit janë vënë në gatishmëri të plotë për shkak të motit të rënduar. Sipas tij, vëmendja kryesore është përqendruar në veriun e vendit dhe në qarkun e Fierit, zona më të ekspozuara ndaj rrezikut të përmbytjeve. Në Lezhë dhe Shkodër tashmë funksionon një shtab emergjence me rreth 20 specialistë, ndërsa në nëntë hidrovore po punojnë 80 teknikë dhe 15 punëtorë në sistem monitorimi 24-orësh për garantimin e qarkullimit të ujërave.
Për të përballuar prurjet e larta, në zonat kritike të Lezhës dhe Shkodrës janë vendosur tetë eskavatorë, ndërsa 16 të tjerë janë vendosur në Fier, të gatshëm për ndërhyrje të menjëhershme në bashkëpunim me bashkitë dhe emergjencat civile. Ministri Salla theksoi se ekipet janë në terren dhe do të vijojnë monitorimin deri në normalizimin e situatës, duke u ofruar mbështetje qytetarëve dhe fermerëve në çdo moment që kërkohet ndërhyrje.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, thanë se kapacitetet në nivel kombëtar janë vendosur gjithashtu në gatishmëri maksimale. Forcat e Armatosura, zjarrfikësit, Policia e Shtetit dhe strukturat e mbrojtjes civile janë të angazhuara për t’u gjendur pranë qytetarëve në çdo moment, qoftë për ndërhyrje të menjëhershme apo evakuim të banorëve nëse do të jetë e nevojshme
Institucionet po shkëmbejnë të dhëna në kohë reale nga satelitët, Aviacioni Civil, IGJEUM dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, duke qenë se parashikimet kanë shfaqur ndryshime dinamike në orët e fundit për shkak të lëvizjes së fronteve të ajrit.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve në zonat që preken rregullisht nga përmbytjet të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të marrin masa paraprake. Parashikohet që gjatë dy ditëve të ardhshme të zhvillohen takime të vazhdueshme me prefektët dhe kryebashkiakët e zonave të prekura.