Aksi i ri rrugor Korçë-Ersekë do të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve në qershor të këtij viti. Punimet për këtë vepër të rëndësishme e të shumë pritur për rajonin juglindor kanë avancuar ndjeshëm dhe parashikohet që në fillim të verës së këtij viti të jetë e aksesueshme për të gjithë qytetarët.
Thuajse është hapur e gjithë traseja ndërsa punimet janë përqendruar me shtresat e mbushjes dhe stabilizantit. Ndërtimi i kësaj rruge, jo vetëm shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit, duke rritur njëkohësisht parametrat e sigurisë rrugore, por pritet ti jap një hov edhe zhvillimit të të gjithë zonës.
Ecuria e këtij projekti u vlerësua nga Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila ndoqi nga afër punimet së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isaj.
“Rruga është hapur e gjitha. Po punohet me shtresat e mbushjes dhe stabilizant dhe 5 kilometrat e para nga Qafa e Qarrit janë asfaltuara me të gjitha shtresat, me mbrojtjen dhe sigurinë rrugore dhe gjithashtu po vijohet në drejtim të Ersekës për ta çuar sa më shpejt, siç kemi premtuar në qershor të këtij viti të gjithë rrugën të asfaltuar deri në Ersekë”, tha Berberi.
Impakti i kësaj rruge, ende pa u vendosur plotësisht në funksion, ka nisur të japë efekte duke nxitur zhvillimin ekonomik të zonës. Kjo është reflektuar në hapjen e strukturave të reja akomoduese.
“Pa u hapur rruga brenda këtij vitit kanë filluar punën në qytet 4 hotele të reja nga të cilat dy janë struktura 70 deri në 100 shtretër. Që do të thotë ndihet rezultati. Çfarë është matur nga zyrat e turizmit të Ministrisë dhe të Bashkisë, Qershor 2021 me Korrik 2022, në Kolonjë kanë fjetur 21 mijë turistë. Dhe kjo rrugë e cila e bën në gati 1/3 e rrugës së vjetër po sjell një hap jo vetëm për turizmin, por edhe për ekonominë. Po rrit shumë kërkesën dhe ne kemi kontakte serioze për eksportin e verërave të Leskovikut”, tha Erion Isaj.
Për Ministren Balluku kantieri i aksit Korçë-Ersekë është kantieri i cili po ecën me ritmet më të shpejta.
“Jemi me të vërtetë shumë të kënaqur me ecurinë në këtë projekt. Ne synojmë që ta dorëzojmë në qershor të vitit 2023, duke i dhënë kësaj zone që e meriton për të thënë të drejtën, infrastrukturën e duhur dhe padyshim që do të kemi një fluks qytetarësh, të cilët do të vijnë nga të gjithë anët e Shqipërisë për të vizituar zonën e bukur të Ersekës, por edhe për të bërë një miks midis Korçës dhe Ersekës”, nënvizoi Balluku.
Krahas ndërtimit të aksit po punohet edhe për ndërtimin e mureve mbajtëse dhe gjithë elementët e tjerë sa i takon këtij projekti. Ndërtimi i këtij aksi, së bashku me projektet e tjera që janë në proces, e afron ndjeshëm këtë zonë edhe me kryeqytetin.
“Këtu kemi një rrugë e cila ka qenë 45 kilometra dhe shkurtohet me 10 kilometra dhe jemi me 35 kilometra me trasenë e sotme, pra Korçë – Ersekë. E dyta që duhet thënë, tashmë kantieri është në një fazë shumë të avancuar. Pjesa e parë e lotit të dytë është përfunduar në 99% që rrallëherë ka një përfundim kaq të lartë. Ndërkohë që këtu ku ndodhemi është rreth 77% ecuria e projektit. Kështu që le të themi se ky është një kantier i konsoliduar ku tashmë po priten vetëm konglomeratet dhe shtresat asfaltike”, theksoi Balluku.
Kjo vepër pritet ti japë një hov zhvillimit turistik të zonës, e cila është e pasur me shumë potenciale.