Balluku inspekton situatën nga përmbytjet në Fier, përgatitet paketë dëmshpërblimi për banesat dhe bujqësinë

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektoi sot në terren situatën e krijuar nga përmbytjet në zonën e Urës së Mifolit, në Fier, si pasojë e reshjeve intensive të ditëve të fundit. Prioritet i ndërhyrjeve mbetet mbrojtja e banorëve të prekur dhe shpëtimi i gjësë së gjallë.

Balluku deklaroi se Kryeministri, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, po përgatit një paketë dëmshpërblimi që do të përfshijë si banesat, ashtu edhe pasuritë bujqësore të dëmtuara nga përmbytjet. Ajo informoi gjithashtu se nesër do të zhvillohet një mbledhje e Komitetit të Emergjencave, ku Kryeministri do të adresojë masat urgjente dhe ndërhyrjet e nevojshme për përballimin e situatës.

Sipas ministres, pritet një rënie graduale e nivelit të lumit Vjosë, i ndikuar edhe nga reshjet në territorin e Greqisë, ndërsa situata do të vijojë të monitorohet në mënyrë të pandërprerë. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me strukturat e Emergjencave Civile dhe të zbatojnë udhëzimet për të shmangur rreziqet, pasi kushtet e motit mund të përkeqësohen.

Sistemi energjetik ka funksionuar normalisht, pa ndërprerje të zgjatura të energjisë elektrike, si në linjat e transmetimit ashtu edhe në rrjetin e shpërndarjes. Ndërkohë, në 24 orët në vijim priten erëra të forta në disa zona të vendit, ndërsa reshjet e borës kanë nisur në rajonet veriore dhe juglindore, duke krijuar një situatë kritike, ndaj ekipet janë në terren për ta përballuar atë.

Situata paraqitet e ndjeshme edhe për furnizimin me ujë, ku në Fier disa pompa ndodhen nën ujë, megjithatë furnizimi për qytetin po vijon normalisht.

Ekipet e emergjencave dhe institucionet vendore mbeten në terren për menaxhimin e situatës dhe mbështetjen e banorëve të prekur.