Balluku në Kuvend për marrëveshjen e portit të ri të Durrësit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Balluku në Kuvend për marrëveshjen e portit të ri të Durrësit

Fjala e zëvendëskryeministres, njëherësh Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku:

Unë do ta nis fillimisht jo nga prezantimi se e bëri Delina dhe në mënyrën më të mirë madje prezantimin e këtij projekti, unë do ta nis nga një tymnajë, baltë, që ju e keni përhapur me aftësinë më të madhe që keni për ti bërë këto punë që Durrësi dhe Shqipëria do të ngelë pa port.

Durrësi dhe Shqipëria nuk do të ngelë pa port, sepse para se të niste projekti i ballinës ujore të Durrësit dhe i marinës, ne kemi nisur një studim përsa i përkiste portit aktual të Durrësit, volumeve të këtij porti, sa mund të akomodojë në dekadat e ardhshme dhe për më tepër një studim për ndikimin negativ që kishte në qytetin e Durrësit. Dhe ajo që rezultoi në vitin 2020 nga një studim i bërë nga vetë Autoriteti Portual i Durrësit ishte që portit i ka ardhur koha të largohet për 3 komponentë shumë të rëndësishëm. Një, për shkak të mungesës së volumeve, për të akomoduar volumet në të ardhmen. E dyta, për shkak të ndotjes ambientale serioze që i bën qytetit të Durrësit, duke nisur këtu nga mallrat e përdorimit gjeneral siç është qymyri, siç është çimento apo siç është dhe gruri që pluhuri që shpërndahet në ajër konsiderohet një nga faktorët më problematikë dhe negativ për shëndetin e njerëzve. E treta, gjithë problemi infrastrukturor që ky port sjell brenda qytetit, si trafiku i rënduar, ndotja akustike, etj.

Duke pasur parasysh këtë situatë na është dashur që të nisim një garë ndërkombëtare, e cila për tu dizenjuar ka marrë disa muaj. Duke qenë se ka qenë viti i pandemisë 2020, gara u hap në 8 qershor të vitit 2021, ku morën pjesë shumë kompani të huaja dhe vetëm 5 prej tyre e kaluan fazën e parë. Duke bërë një prezantim publik në shtator të 2021 shpallet fituese Royal Haskoning e cila nis menjëherë nga puna për studimin e fizibilitetit dhe projektin e detajuar të portit të ri të Durrësit, të vendosur vetëm 4 milje detare më tutje në zonën e Porto Romanos. Pse u zgjodh Porto Romano? Sepse është një zonë industriale e destinuar për tu zhvilluar nga ana ekonomike mbi bazën e prodhimeve industriale siç janë fabrikat e vogla, manifakturat e fasoneritë e ndryshme, madje edhe prodhimi i helikave të mullinjve të erës që prodhojnë energji. Kështu që duke pasur të gjithë mundësitë për ta zhvilluar në atë lokacion, duke pasur parasysh që vetëm 4 kilometra larg bregut të Porto Romanos ndodhen 60 hektarë të destinuara për zonë ekonomike të lirë, kemi nisur nga puna dhe sot kemi një projekt të detajuar nga Royal Haskoning, i cili synon ndërtimin e një porti logjistik që nuk do ti përgjigjet vetëm nevojave të Republikës së Shqipërisë, por do ti përgjigjet edhe nevojave të Republikës së Kosovës, përmes ndërtimit të një porti të Thatë në Prishtinë, që do të lidhet me hekurudhën Durrës-Prishtinë, për të cilën kemi nisur studimin e fizibilitetit me financa të vendosura nga të dyja qeveritë dhe vetëm një javë më parë në takimin midis Qeverisë Shqiptare dhe asaj të Maqedonisë së Veriut u vendos edhe bashkëpunimi për ngritjen e portit të Thatë të Strugës.

Porto Romano është një projekt që do ti shërbejë Ballkanit Perëndimor. Është një projekt që nuk ka lidhje me portin e Jahteve. Është një projekt që e kemi nisur shumë më parë dhe këtu flasin faktet dhe datat e garave ndërkombëtare. Kështu që ju lutem, unë pranoj çdo lloj kritike, çdo lloj pyetje nga ana juaj, por ju lutem mos mohoni faktin që këtu po ndërtohet dhe do të ndërtohet një port modern.

Do ti referohem z.Alibeaj vetëm për diçka. Thatë që porti i ri do të kushtojë 2 miliardë euro. Mos ju referoni shifrave të Sali Berishës, i nxjerr nga koka, ju e dini më mirë se unë. Nuk ekziston ky lloj kuotimi për ndërtimin e portit të ri, do t’jua them unë tani, pasi ka ardhur para pak ditësh sesa kuotohet ndërtimi i portit të ri, i cili do të ndërtohet me kapacitetet e Autoritetit Portual të Durrësit, sepse e ka këtë detyrë që të zhvillohet, gjithashtu edhe me mbështetjen e Buxhetit të Shtetit, sepse është detyrë e këtij shteti që të modernizojë infrastrukturën detare dhe kushton 390 milionë euro dhe do të bëhet sepse nuk ka më mundësi akomoduese porti i Durrësit dhe nuk mund të investojmë në zemër të një qyteti për infrastrukturë portuale. Duhet të shpërngulet në një zonë tjetër, në një zonë industriale, aty ku ka 60 hektarë të disponueshëm për të ngritur këtë zonë ekonomike. Aty ku do të kalojë hekurudha që do ta lidhi me Prishtinën, hekurudha që do ta lidhë me korridorin e 8-të, pra Maqedoninë e Veriut.

Do ti përgjigjem pyetjes tuaj tani që pse nuk u morr kredia e BE-së. Kredinë e BE-së kam kërkuar unë, me shkresë, anulimin e saj me përgjegjësi të plotë në vitin 2019, kur nuk flitej fare për projektin e Mohamed Alabbarit. As e dinim që do vinte një ditë që porti i Durrësit do të kishte interes nga investitorët e huaj për tu zhvilluar në mënyrë turistike. E kam kërkuar unë në 2019-tën që kjo kredi të anulohej, pasi t’ju them arsyen dhe e kam të zhvilluar teknikisht nga ekspertët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë. 28 milionë euro kërkoheshin të merreshin kredi nga Bashkimi Europian për të rritur kapacitetet e ‘general cargo-s’. Pra për të futur në portin e Durrësit më shumë qymyr, më shumë çimento dhe më shumë grurë. Kam kërkuar unë anulimin, sepse nuk kishte sesi Republika e Shqipërisë të merrte 28 milionë euro për të forcuar kalatën 1 dhe 2, ky ka qenë skopi, sepse nuk bënte më asnjë sens ekonomik dhe teknik. Dhe ajo që ndodhi ishte që patjetër u ulëm me Bashkimin Europian në tryezë dhe e kemi diskutuar pasi aplikimi i projektit ishte bërë para 12 vjetësh.

Në 12 vjet ky vend ka ndërruar prioritetet dhe strategjitë. Ju keni një strategji të tërë që mund ti referoheni përsa i përket zhvillimit portual të infrastrukturës portuale në Republikës e Shqipërisë, ashtu siç keni dhe strategjinë e ekonomisë blu. Referojuni! Si mund të vazhdonim të merrnim një kredi për të cilën ishte menduar 12 vite më parë sesi të forcohej kalata 1 dhe 2, ndërkohë që qyteti i Durrësit tashmë është projektuar si një ‘hub’ turistik. Në Durrës nuk ka vende në asnjë nga hotelet sepse janë plot e përplot, është kthyer në një destinacion. Shqipëria duhet të merrte një kredi, sepse e thoni ju, për të shtuar volumet e qymyrit dhe të çimentos në portin e Durrësit. Kjo është përgjigja pse nuk e kemi marrë kredinë, sepse ne nuk mund të marrim kredi sepse ju e keni menduar dikur, pasi kanë ndryshuar gjërat. Ka strategji të reja dhe prioritete të reja për të gjithë Shqipërinë, ashtu siç ka edhe për Durrësin.

Në ndërkohë do të ndalesha vetëm për pak tek racizmi provincial që vazhdon dhe shpaloset me të gjithë elementët e përrallave të 1001 netëve. Ndoshta ju frymëzoi kryeministri me çfarë tha për Konicën apo për Fan Nolin, por ju në qoftë se Konicës dhe Fan Nolit vendosni ti përgjigjeni me përrallat e 1001 netëve është gabim shumë i madh. Që ti referoheni një investitori sepse thjesht dhe vetëm është nga lindja e mesme dhe të thoni Alabbari që vjen me gamilje, me qilim fluturues dhe verdhushka ky është racizëm i pastër dhe nuk i takon askujt në këtë parlament ta bëjë nga kjo foltore ku përfaqësohet Republika e Shqipërisë.

Tani nuk e kishit, po unë them që e kishit edhe në komision edhe këtu e njëjta histori. Një pyetje interesante më pëlqeu shumë që njerëzit ndërkohë që ju dëgjojnë thonë, po çka opozita që nuk e  voton këtë ligj, duhet të ketë një të vërtetë këtu mbrapa. Jo, njerëzit e di çfarë mendojnë. Nuk mendojnë këtë që thatë ju. Njerëzit mendojnë që opozita thotë jo për gjithçka, opozita as nuk argumenton, as nuk analizon, as nuk ka treguar ndonjë fije të qenit konstruktiv që të thuash më pas, që po opozita në këtë rast ka një të drejtë që po e kundërshton. Opozita kundërshton çdo lloj ligji, çdo lloj amendimi të ligjit, çdo lloj projekti dhe çdo lloj plani zhvillimor që qeveria shqiptare ka. Kështu që rrini të qetë, askush nuk ka asnjë pyetje në shtëpi. Nëse ju keni një arsye madhore që po e kontestoni në mënyrën më të keqe këtë projekt.

Vazhdon pyetja, pse s’ka garë. Ju e dini shumë mirë që këtu ka një garë të hapur. Unë e kam thënë këtë në komision dhe po vazhdoj ta përsëris, pasi është mirë që ta dëgjojnë edhe njëherë qytetarët sepse ju keni të drejtë, hidhni baltë dhe diku kjo balta juaj zë dhe ngaqë keni parë që ka efekt vazhdoni dhe hidhni më shumë, më shumë, më shumë me shpresën që ai 2%, 3% të bëhet 5 dhe 10. Kështu që është detyra jonë që ti sqarojmë njerëzit. Në Republikën e Shqipërisë ka një garë të hapur përsa i përket investimeve strategjike. Është ligji i investitorit strategjik. Investitorët strategjik janë të mirëpritur në këtë vend, janë të lutur që të vijnë dhe të vlerësojnë kapacitetet që ofron Shqipëria, kështu që të njëjtën gjë ka bërë edhe investitori Mohamed Alabbar. Ka ardhur në Shqipëri, ka pasur disa indicie për disa projekte, se nuk ka ardhur vetëm për portin e Durrësit për të thënë të drejtën, ka parë disa zona ku ai mendonte që mund të investonte dhe më pas duke dëgjuar qeverinë shqiptare, e cila fliste për spostimin e portit të Durrësit në një zonë të re industriale i ka lindur kjo ide dhe ka filluar procedurën e investitorit strategjik. Askush nga qeveria apo nga AIDA do të ndalonte një tjetër investitor, nëse do të vinte dhe do të bënte të njëjtën ofertë.

Kjo nuk ju pëlqen juve si përgjigje se ju hedh poshtë një nga kuajt më të fortë të betejës që këtu s’ka pasur garë, që këtu janë bërë vendime arbitrare. E pra, kjo nuk është e vërtetë, sepse jua kemi bërë transparente në komision dhe jua kemi sjellë letrat një dhe nga një. Sesi janë bërë hapat, sesi ka ardhur projekti, sesa koha ka ndenjur dhe është analizuar tek AIDA, sesi është ngritur komiteti negociator, sa muaj është dashur që të punohet. Sa kërkesa ka sjellë investitori strategjik. 33 kërkesa për facilitime dhe janë pranuar vetëm 5. Ju i dini shumë mirë të gjitha këto sepse jua kemi dhënë ne të gjitha letrat me transparencë të plotë dhe jua kemi dorëzuar në dorë.

Flisni për pastrim parash. Pastrim parash në një projekt ku Qeveria Shqiptare dhe Qeveria Shqiptare është çdo Qeveri në 20 vitet e ardhshme që ky projekt do zhvillohet. Nuk flitet për ne, flitet për çdo Qeveri e cila do të drejtojë këtë vend, do të ketë të drejtën e vetos. Kjo ka qenë një nga pjesët më të vështira të negociatës që ne kemi pasur me investitorin e huaj. Kemi kërkuar veto për të gjitha veprimet ligjore, administrative dhe financiare të cilat ndikojnë këtë kontratë dhe e kemi bërë këtë për të mbrojtur shtetin shqiptar dhe për të mbrojtur popullin shqiptar nga çdo lloj ekspozimi.

Sa për informacion, përsa i përket pastrimit të parave sot më shumë se kurrë ka aksione dhe veprime të vërteta për këtë çështje. Ju po i shikoni të gjitha aksionet e policisë nga kapja e shumave që hyjnë e dalin në Rinas dhe gjithçka tjetër. Megjithatë unë po përfitoj nga rasti për t’ju bërë me dije që në këto momente ka nisur një punë pas një analize të thellë për një reformim të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave. Një reformim të thellë, i cili nuk ka nevojë as për ndryshime ligjore pasi ligji qëndron, por që do të ketë një efekt të jashtëzakonshëm që unë kam frikë që juve s’do t’ju pëlqejë.

Ti kthehemi projektit. Ti kthehemi ashtu siç e meriton këtij projektligji të rëndësishëm që realisht nuk meriton sot të harxhojmë kohë duke u sharë me njëri-tjetrin, siç zakonisht e bëjmë nga kjo foltore. Do ishte mirë që kohën, meqë tani e kemi dhe të pakufizuar ta harxhoni pikërisht duke dhënë argumenta dhe fakte përsa i përket këtij projekti. E kuptoj mirë që koncepti i shtetit si zhvillues, i shtetit si mbështetës i sipërmarrësve, i shtetit që ka për detyrë të mbrojë dhe të ripërtërijë pronën publike është diçka e huaj për të gjithë ata që janë mësuar ta zhvasin shtetin, sepse keni gjithë ditën sot e gjithë javët që kemi qenë në komision që pyesni çfarë përfiton shteti. Po çfarë përfiton shteti nga një zonë e cila sot është e marxhinuar, nga një zonë që pavarësisht se qeshët me ato fotot, po s’ka nevojë të qeshni se ju të gjithë kaloni diku andej nga porti i Durrësit dhe i keni parë pirgjet e hekurishteve të skrapit, i keni parë edhe pirgjet e qymyrit, si ka mundësi të pyesni ju të gjithë në këtë sallë se çfarë përfiton shteti shqiptar nga projekti i marinës së Durrës.

E dini çfarë përfiton Durrësi? Përfiton 700 metra plazh që nuk ekziston sepse sot është një varrezë e mbetjeve industriale, e mbetjeve biologjike dhe e anijeve të peshkimit të mbytura në 80 vitet e fundit dhe do të kthehet në një vijë detare prej 700 metrash linear në përdorim të çdo shqiptari dhe të çdo vizitori pasi nuk parashikohet që ky projekt të ketë tra dhe aty të futen vetëm ata që do të kenë banesat apo ata që rrinë nëpër hotele. Do të jetë një zonë e hapur ku çdo vizitor do të ketë të drejtën të futet, të argëtohet dhe të përdorë edhe ato sipërfaqe të cilat janë destinuar nga fillimi i projektit për të qenë në dobi të qytetarëve.

Kemi dëgjuar fjalë për fjalë për ditë me radhë fjalën falje, tjetërsim, asgjësim, por ne kemi ofruar transparencë maksimale me një kontratë që është publike, e aksesueshme nga të gjithë, pa nene të fshehura dhe pa gërma të vogla. Tani ky vend është i vogël dhe ne e njohim mirë njëri tjetrin dhe nganjëherë ju duhet edhe ta pranoni, jashtë kamerave, jashtë dritave, jashtë vëzhgimit të liderëve, që kjo është kontrata më e mirë që shteti shqiptar ka bërë deri më sot duke mos përjashtuar kohën tonë dhe as kohën tuaj.

Kjo është një kontratë e punuar për 12 muaj në një negocim të hapur. Kjo është një kontratë që ekspertët të cilët kanë punuar mbi të kanë dalë hapur, publikisht, faqe botës për ta mbrojtur. Pa pasur nga mbrapa ato historitë nuk e dimë se kush e ka bërë kontratën, si e ka bërë kontratën dhe e dini pse? Sepse ata ekspertë, së bashku me mua, jemi krenarë për çfarë kemi prodhuar. Jemi krenarë për mënyrën sesi e kemi mbrojtur shtetin shqiptar dhe jemi krenarë për çfarë kemi arritur. Atë përqindjen 33 që ju talleni dhe na tregoni këtu sesi duhet të funksiononte, sepse unë nuk e kuptoj realisht sesi një projekt i këtij kapaciteti zhvillues mund të krahasohet me zhvillimin e një trualli dhe na tregoni që po të kishim një truall në Tiranë do ta jepnim me 40%, po ta kishim në Durrës do ta jepnim me 38%, po çfarë është kjo është një marrëdhëniet me pronarët e tokës të shtëpive me çerpiç dhe atij që vjen dhe ndërton? Këtu flasim për një nukël zhvillimore e cila përfshin disa kolona të ekonomisë së tregut dhe për më tepër përfshin një fushë që deri më sot nuk ka qenë e zhvilluar, që është ajo e shërbimeve për marinat.

Këtu është duke u hapur një faqe e re e historisë së ekonomisë shqiptare të cilën ju, unë e kuptoj që do ta mohoni deri në fund. Nuk më pëlqen që e baltosni. Sigurisht nuk do t’ju pëlqej. Nuk do t’ju pëlqejë për 100 milionë arsye. Kjo Qeveri po bën akoma dhe një projekt të madh. Kjo Qeveri pasi bëri tunelin e Llogarasë, që për pak muaj del dritë në anën tjetër, kjo Qeveri pasi bëri aeroportin e Kukësit që thonit që ishte 3D, kjo Qeveri pasi po bën aeroportin e Vlorës që thoshit që s’do bëhet kurrë, kjo Qeveria pasi ka bërë rrugët, urat, autostradat dhe gjithçka tjetër, kjo po bën dhe një projekt që juve nuk ua priste mëndja dhe nuk e keni parë as në ëndrrat tuaja dhe patjetër ju nuk do ta pranoni këtë. Ne nuk presim që të çoheni në këmbë dhe të brohorisni, por jo ama të shpifni. Jo të shpifni për investitorin. Jo të shpifni për Qeverinë. Jo të filloni të bërtisni do merrni lekët. Cilat lekë do marrim se këto lekë do vijnë në formë injektimi kapital dhe do të hidhen për të ndërtuar këtë projekt. Si do merren këto lekë? Kur i thoni këto gjëra ju nuk i besoni as vetë, por ju duhet për narrativë politike, por ka kaluar çdo limit. Dhe e dini çfarë? E keni menduar ndonjëherë që investitorët që kanë interes të investojnë në Shqipëri informohen çdo ditë se çfarë ju thoni. Çfarë thotë deputeti, çfarë thotë partia, çfarë thotë opozita, çfarë thotë Qeveria. E keni menduar këtë ndonjëherë që zyrat e tyre të shtypit çojnë dosjet plot e përplot ndërkohë që ju i baltosni, jo vetëm Qeverinë, ju baltonsni dhe një investitor nuk e keni problem fare. E vishni me përrallat e një mijë e një netëve, e sakatoni ndërkohë që mund të jetë një nga emrat që quhet icebreake, kështu quhet Mohamed Alabbar përsa i përket investimeve të tij, sepse është lloji i investitorit që kur shkon në një vend jep garanci më pas që të vijnë investitorë të tjerë. Referohuni pak se çfarë thotë për të BBC, CNN dhe të gjithë mediat e huaja.

A e keni menduar ndonjëherë që edhe investitorë të tjerë që ndoshta në këto momente janë në proces tek AIDA kur shohin këtë stuhi sharjesh e mallkimesh mendojnë që nuk ja vlen që të qëndrosh në këtë vend. Ne nuk e kemi marrë me tapi Qeverinë. Ne jemi sot sepse kemi votat. Do të jemi nesër sepse do të kemi votat, por mund të vijë radha e Qeverive të tjera, pse po i bëni një dëm të pariparueshëm Shqipërisë? Flisni për kontratën, flisni për procedurat, flisni për çfarë të doni ju, lërini emrat e investitorëve. Nuk ka ngelur të gjykoni ju një burrë që është 64 vjeç dhe nuk ka lënë vend pa investuar, duke nisur nga Kroacia e Serbia e duke mbaruar në Aleksandri e në Dubai. Nuk mund të ngrihet një narrativë politike mbi trupa, mbi njerëz.

Nuk na akuzoni vetëm ne si Qeveri, por akuzoni gjithë dynjanë zotërinj. Akuzoni gjithë dynjanë dhe nuk është abuzim kohe që të sqarohen qytetarët që ju nuk mund ta bëni këtë në emër të asgjëje. Kemi negociuar një marrëveshje me vlerë investimi 2.1 miliardë euro dhe kjo marrëveshje do të rezultojë e suksesshme sepse e kemi negociuar me një entitet i cili ka ngritur suksesshëm projekte të ngjashme. Ju mund të vazhdoni dhe të thoni që Eagle Hills është një kompani e regjistruar rishtazi. Eagle Hills Albania, ndërkohë që Eagle Hills, kompania mëmë është e regjistruar prej vitesh në Abu Dabi dhe ka pronar Mohamed Alabbar dhe fëmijët e tij, ashtu siç ka Eagle Hills Albania. Ashtu siç kanë pasur dhe kompanitë e tjera të ngritura në Ballkan të cilat po përfundojnë sot projektet dhe i keni shumë afër për të shkuar për ti parë. Flisni dhe pyesni a u pyetën durrsakët? Po janë pyetur durrsakët dy herë. Dhe tani do t’ju jap përgjigje edhe për atë pyetjen Emaari apo Alabbar-i etj. Po Alabbar kur ka ardhur këtu për herë të parë ka qenë President i Emaar Grup në ato momente. Dhe po është marrë vota e qytetarëve të Durrësit dy herë. Është marrë sepse Alabbar ka ardhur në Durrës dhe ka prezantuar projektin dhe vetëm pas tre javësh ne kemi marrë votat e qytetit të Durrësit në 2021 në mënyrë plebishitare. Dhe Alabbar ka ardhur sërish dhe ka bërë prezantimin në Shqipëri dhe ne kemi marrë votat në qytetin e Durrësit edhe një herë të dytë në 6 mars të 2022. Është prezantuar ky projekt dhe ka marrë mbështetjen e plot të qytetarëve të Durrësit ashtu siç ka marrë dhe mbështetjen e plot të qytetarëve të Shqipërisë. Mos e bëni më këtë pyetje se përgjigjja nuk shkon në favorin tuaj.

Për të kuptuar qartë se çfarë jep dhe çfarë merr Shqipëria në portin turistik të Durrësit më duhet të sqaroj se në këtë projekt shteti shqiptar dhe përmes shtetit shqiptar, qytetarët e Durrësit dhe qytetarët e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit, do të jenë aksionerë me 33%, vlera më e lartë në favor të shtetit në krahasim me të gjithë kontratat e nënshkruara nga ky shtet në këto 30 vite. Shteti është vazhdimësia. Shteti është vullneti ynë i përbashkët. Shteti është ai që mbron dhe ai që zhvillon. Nëse mund të veçojmë diçka në këto 9 vite qeverisje është vullneti i kësaj Qeveria për të ndryshuar, rehabilituar, pastruar, zhvilluar dhe për të nxjerrë vendin nga ajo katandisje që e kishit lënë ju deri në 2013-ën.  Dhe nuk ka projekt më domethënës sesa Ballina ujore e Durrësit, një investim që ndryshon faqen e Durrësit dhe të gjithë vendit. Investimi më i madh i këtij lloji në Shqipëri dhe në rajon dhe po jap dhe një përgjigje tjetër. Marinat nuk llogariten me poste. Marinat llogariten me mundësitë akomoduese të jahteve. Atyre jahteve që vijnë sot dhe rrinë së bashku ngjit e ngjit me anijet që transportojnë qymyr. Kështu që baseni i Durrësit padyshim do jetë marina më e madhe në Mesdhe dhe nëse sot janë dizenjuar 280 vende, ju e dini shumë mirë sepse keni të gjithë njohuri biznesi këtu në sallë, sidomos ju të krahut tuaj, që patjetër nëse do të shihet që do të ketë nevojë do të rritet edhe numri i akostimit të këtyre jahteve, por baseni i Durrësit jep mundësinë për të pasur marinën më të madhe në Mesdhe dhe këtë hajde dhe ma faktoni teknikisht që nuk është e vërtetë.

Projektet kanë faza. Projektet nisin në bazë të një fizibiliteti. Kanë gjithmonë tre skenarë. Kanë skenarin optimist, skenarin bazik dhe atë negativ dhe gjithmonë zgjidhet skenari bazik për të nisur një marinë e cila ka 280 poste, por ama çfarë anijesh, çfarë jahtesh mund të akomodoj dhe patjetër për të kaluar më pas,  duke pas parasysh edhe zhvillimin që do të marrë në skenarin optimist të projektit dhe duke i dhënë mundësi që të ketë edhe më shumë vende. Ne flasim që kjo marinë teknikisht është marina më e madhe e Mesdheut dhe e thoni dhe e ri thoni këtë, keni gënjyer, ka marina më të mëdha, është njëra me 560 vende. Kjo është marina më e madhe për të akomoduar një numër të konsiderueshëm anijesh.

Të nderuar kini parasysh që baseni i Durrësit në fazën e parë do të ketë 280 poste për tu akostuar, por ky është skenari bazik, ashtu siç nis çdo projekt.

Ky është investimi më i madh i këtij lloji në Shqipëri që i sjell ekonomisë së vendit, siç ju e dini një port turistik që i ka munguar bregdetit tonë. Një port elitar që do të kthehet në shembullin më të mirë për të gjithë zonën e Mesdheut. 12 mijë vende të reja pune. Mbi 1.3 miliardë euro të ardhura në buxhetin e shtetit në 20 vitet e ardhshme. Një emër të madh ndërkombëtar dhe mbajeni mend këtë dhe filloni bëni pak search ashtu siç kërkoni hijet inekzistente kërkoni pak Mohamed Alabbar, quhet icebreake përsa i përket investimeve, vjen ai dhe më pas fillojnë dhe vijnë dhe investime të tjera, pa i gjykuar fare se nga vijnë. Investitorët e nderuar janë të nderuar dhe lërini këtë racizëm jo erdhi nga këtej, jo me qilim, jo me gamile se është turp.

Është një mundësi e re për të gjithë sipërmarrësit shqiptarë që të tregojnë më të mirën e tyre në këtë pjesë kaq të vlefshme të Adriatikut. Është një lagje e re e hapur, e gjelbër, pa tra. Aty do të hyjnë të gjithë. Këtë duhet ta keni parasysh se keni thënë, jo do blejnë oligarkët, jo s’do hyjë njeri, ajo është komplet e hapur dhe është e dizenjuar në një mënyrë të tillë që të ketë vende rekreative për të gjithë qytetarët të cilët duan apo nuk duan ti përdorin shërbimet që do të ofrohen në zonë. Dhe sigurisht Durrësi një qytet me dy porte, se këtu e nisa bisedën, është një qytet me dy porte. Një qytet që do të ketë portin më të madh të jahteve në Mesdhe dhe qyteti që do të ketë portin më të madh komercial në Ballkanin Perëndimor, që do të akomodoj, jo vetëm nevojat e Shqipërisë, por të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe të gjithë vendeve të tjera që do ta shikojnë me fizibiltiet më të lartë përpunimin e mallrave të tyre nga Durrësi. Dy porte. Qyteti me dy porte.  Ky do të jetë Durrësi pavarësisht se çfarë thoni ju.

Faleminderit për vëmendjen.

***

Replika e Ministres Balluku

U bë hera e disatë që më përmend gjyshin. I dashur Mondi, edhe më përmend familjarët edhe prapë çirresh. Mondi në respekt të thinjave. Më dëgjo me vëmendje se ke hyrë në familjen time, më ke hyrë në shtëpi. Nuk të jam ngatërruar as me babain tënd, s’jam ngatërruar as me pikturat e tua, nuk të jam ngatërruar as me fëmijët e tu. U bë hera e disatë që merreni me gjyshin tim. Më dëgjo me vëmendje. Hera e disatë që po merreni me familjen time.

Unë të dashur opozitarë jam shumë krenare për mbiemrin që mbaj, sepse çdo ditë kur dal në rrugë, sot e kësaj dite njerëzit e respektojnë familjen time dhe nuk është një gjë për të më goditur sesa herë e përmendni vetëm më shtoni pikët politikisht. Po jua them këtë që ta dini, shënojeni. Kështu që nuk më prekni fare tek kjo pjesa, ka filluar edhe babai im të fitojë imunitet. I kam shpjeguar që ju e bëni këtë se s’dini çfarë tjetër të bëni me mua, kështu që ju vazhdoni përmendeni. Familja ime është një nga familjet më të nderuara në Tiranë dhe gëzon sot e kësaj dite respekt dhe nuk e njollosni dot ju.

Tani nëqoftëse doni të merremi me familjet, unë prapë nuk do ta bëjë këtë lojë sepse unë kam respekt për secilin nga familjarët e tu. Jo unë nuk e bëj Mondi, nuk më detyron dot ti se e kam çështje karakteriale, kam respekt për familjet. Kam respekt për fëmijët, për pleqtë që kemi nëpër shtëpi, për gratë dhe burrat që keni dhe gjithçka tjetër. Unë nuk do ta bëj këtë lojë, sepse secili prej tyre nuk ka asnjë kusur për zgjedhjen tonë që kemi vendosur të bëhemi politikanë.

Nëse doni të merreni me punën, nëse doni të merreni me kontratat janë të mirëpritura. Ti mos e vrit mendjen as për mua, as për Delinën, sepse nëqoftëse ju do të kishit qenë të kujdesshëm me letrat dhe me firmat saç jemi ne, do t’ju kishte respektuar populli me votë. Si unë, si kolegia ime, e njohim shumë mirë kontratën, kemi punuar me të dhe dimë ku firmosim dhe mos na e qani hallin. Ju shikoni dhe qani hallin e qytetarëve, se jeni duke penguar me aq sa mundeni, me baltë se me gjë tjetër nuk pengoni ju, një nga projektet më të rëndësishme në Republikën e Shqipërisë dhe prapë do penalizoheni nga qytetarët pikërisht për këtë që po bëni sot. Pikërisht për baltën që hidhni. Pyetjeve të tua i jam përgjigjur një për një dhe mos vazhdo me portin e Karpenit, se as nuk e di për çfarë flet. Kur unë kam marrë detyrën jam marrë me të gjitha portet e tjera dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë krenarisht do të dorëzojë triportin dhe ballinën ujore të Vlorës. Krenarisht do të dorëzojë Porto Romanon dhe ballinën ujore të Durrësit e kështu me radhë të katër portet që kryeministri ka thënë, i ka premtuar dhe po i realizon.

Përsa i përket pyetjes, më duket se nuk e kishe mendjen, se unë flas ti bërtet prandaj s’më dëgjon, po i përgjigjem edhe njëherë. Port i ri i Porto Romanos do të ngrihet me të ardhurat e Autoritetit Portual të Durrësit dhe me një mbështetje nga Buxheti i Shtetit. Do dalësh prapë këtu dhe do thuash që s’më dhe përgjigje, sepse unë flas dhe ti ulëret. Nuk më dëgjon dot, se nuk i bën dot të dyja bashkë. Ky port, e shpjegova 1 orë, harxhova gjithë kohën time duke shpjeguar që ka nisur shumë më parë projekti për portin e ri, sesa të vinte oferta e investitorit të huaj për të ndërtuar ballinën. E keni me fakte, e keni me data, kemi dalë në televizor, kemi bërë garë ndërkombëtare. Referojuni dhe shikoni.

I dashur Mondi. Ka një dosje të tërë për Porto-Romanon dhe çfarë the këtu, nuk e di çfarë deshe të thoje me faktin që jo aty ka port të likuideve, jo aty nuk mund të bëhet porti i ri, po aty ka dy porte likuidesh, të cilat do të futen brenda ombrellës së madhe të Porto Romanos ku autoriteti i vetëm do të jetë Autoriteti i Portit të Durrësit. Kështu që kijeni këtë parasysh.

Aty do të ndërtohet porti më i madh me financat e Autoritetit Portual të Durrësit dhe një injektim nga Buxheti i Shtetit, sigurisht përmes garancive sovrane. Kushton sipas një analize të detajuar të Royal Haskoning, një nga kompanitë më të mëdha Europiane, kompani holandeze, 390 milionë euro dhe është një investim i cili ka fizibilitet shumë të lartë, pasi do ti shërbejë Shqipërisë në dekadat e ardhshme dhe siç përmenda dy vende që janë të angazhuar për të marrë shërbime nga ky port që sot, që janë Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Faleminderit!

Previous Ibrahimaj në Kuvend: Projekti “Marina & Jahtet e Durrësit”, investim madhor në mbështetje të rritjes ekonomike