Balluku në Vlorë ndjek aksionin e ISHTI për kontrollin e pajisjeve me gaz dhe instalimeve elektrike në strukturat hoteliere - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Balluku në Vlorë ndjek aksionin e ISHTI për kontrollin e pajisjeve me gaz dhe instalimeve elektrike në strukturat hoteliere

Në prag të sezonit turistik veror, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka nisur një aksion për verifikimin e sigurisë së pajisjeve nën presion dhe certifikimin e sistemeve elektrike, në të gjitha strukturat hoteliere të cilat operojnë në zonat bregdetare të vendit. Mbi 650 struktura akomoduese, nga Shkodra deri në Ksamil do të jenë objekt i këtyre kontrolleve.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte në Vlorë, ku së bashku me drejtorin e ISHTI, Sokol Zaimi dhe kryebashkiakun, Ermal Dredha ndoqën nga afër aksionin që po zhvillohet në këtë qytet.

Balluku tha se këto inspektime janë në kuadër të kritereve të sigurisë që duhet të kenë të gjitha strukturat akomoduese në vendin tonë, qoftë sa i takon përdorimit të pajisjeve nën presion, ashtu edhe sistemin elektrik, duke theksuar se përfitues janë edhe vetë subjektet.

“Ky është një kontroll në të mirën e punës së tyre. Ky është një kontroll që padyshim do kërkohet nga agjencitë e mëdha të turizmit botëror, të cilat tashmë janë ato që lidhen direkt me hotelet në shumicës e rasteve. Bëhet fjalë për kushtet e sigurisë që vijnë nga pajisjet nën presion, pra për të gjithë përdoruesit e atyre hoteleve që përdorin gazin, por që pothuajse të gjithë e kanë këtë shërbim. Gjithashtu ne kemi në këto momente në fokus tonë inspektimin e lidhjeve elektrike në të gjitha ndërtesat e hotelerisë”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizoi se i gjithë procesi, në bashkëpunim edhe me pushtetin vendor, do të finalizohet para nisjes së sezonit turistik duke mos sjellë kështu shqetësime dhe pengesa në operimin e strukturave akomoduese.

“Jemi duke shpejtuar pasi nuk duam t’ju shqetësojmë gjatë sezonit, kështu që grupet e ISHTI-it në bashkëpunim dhe me mbështetjen e bashkive të zonave bregdetare, por dhe atyre malore, pasi kryesisht e kemi vëmendjen tek ato zona të cilat do të jenë pritëse të këtij sezoni fantastik turistik me më shumë se 14 milionë vizitorë, do të jenë në terren dhe do të mundohen që të jenë sa më të shpejt, pa shqetësuar klientët, pasi është një proces që duhet ta kryejmë para 1 majit”, u shpreh Balluku.

Drejtori i ISHTI-it bëri të ditur se deri më tani ka pasur një bashkëpunim të mirë me përfaqësuesit e subjekteve duke shtuar se inspektimi kryhet online duke rritur në këtë mënyrë transparencën.  “Kemi gjetur një bashkëpunim shumë të mirë me subjektet. Shpresoj që do t’ia dalim, ti certifikojmë dhe ta fusim këtë kulturën e re të punës në çdo subjekt për të pasur një turizëm sa më të sigurtë”, u shpreh Zaimi.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha shprehu mbështetjen për këtë aksion, si një element i rëndësishëm për sigurinë e vizitorëve në prag të nisjes së sezonit turistik.

Previous Kumbaro thirrje operatorëve të turizmit detar: Asnjë subjekt nuk mund të ofrojë shërbime pa u certifikuar