Mirëdita dhe faleminderit të gjithëve për kontributin përmes shumë pyetjeve që keni dërguar në rrjetet e mia sociale, lidhur me këtë bashkëbisedim të drejtpërdrejtë.
Faleminderit edhe gazetarëve të pranishëm!
Do të bëjmë një komunikim të kombinuar mes pyetjeve të bashkëqytetarëve që ndjekin faqet sociale dhe që kanë bërë shprehjet e tyre të interesimit lidhur me tema nga më të ndryshmet dhe natyrisht dhe me gazetarët e ftuar që nuk diskutohet do të kenë mundësi të bëjnë pyetjet e tyre.
Dy specialistë të zyrës së shtypit do të na ndihmojnë për të bërë më të lehtë komunikimin me miqtë e rrjeteve sociale, duke u përpjekur të rendisin pyetjet më karakteristike pa bërë asnjë përjashtim për nga interesi i temës. Kështu që, le të fillojmë me disa pyetje të para nga bashkëqytetarët në rrjetet sociale dhe pastaj menjëherë kalojmë tek gazetarët, dhe kështu në mënyrë të alternuar bëjmë këtë bashkëbisedim.
Pyetje nga qytetarët në rrjetet sociale: Si përfundim, sa e përgatitur është sot Shqipëria për të përballuar ndonjë sulm tjetër të mundshëm kibernetik dhe sa të sigurta janë të dhënat tona
Kryeministri Edi Rama: Po, ky është një shqetësim në fakt i madh, një shqetësim i ri sepse ne kemi sulme të vazhdueshme kibernetike prej shumë vitesh, por të një shkalle të ulët po themi për nga pikëpamja e aftësisë dhe shpejtësisë së penetrimit dhe gjithë këto flukse sulmesh të raportuara dhe si të thuash, të regjistruara nga institucioni që koordinon të gjithë projektin e revolucionit digjital kanë qenë sulme të pasuksesshme përgjithësisht. Ndërkohë që, ky është një agresion i mirëfilltë ushtarak në botën natyrisht e internetit dhe të gjithë sistemeve digjitale. Një agresion i egër, i cili ka pasur një qëllim shumë të qartë, zhdukjen përfundimtare të të gjitha të dhënave dhe shkatërrimin pa kthim të të gjitha sistemeve, duke lënë praktikisht një tokë të djegur nga prapa. Ky është konkluzioni i eksperteve që na kanë mbështetur në këtë përpjekje të përbashkët dhe të cilët sigurisht zotërojnë edhe njohurinë më të madhe sot ekspertët e Microsoftit, super skuadra e tyre e ndërtuar enkas kundër kërcënimeve të natyrës kibernetike dhe ekspertët e njësive të tjera të rëndësishme të SHBA-ve. Sulmi nuk e ka arritur qëllimin, demet janë shumë më të lehta sesa shkalla e agresivitetit. Praktikisht sistemet janë kthyer në punë. Të dhënat janë krejtësisht irrelevante sa i përket sensitivitetit të tyre. Një pjesë e tyre janë publikuar, vendime qeverie, shkresa që qarkullojnë në rrjetin e brendshëm dhe të cilat mund të merren nga çdo i interesuar apo nga çdo gazetar me një kërkesë të thjeshtë, pra nuk janë dokumente sekrete apo të fshehta. Ndërkohë që gjithçka tjetër është pretenduar ka patur si qëllim pjesë gjithmonë e këtyre sulmeve, përhapjen e panikut, të dezinformimit edhe të teorive të konspiracionit që sigurisht krijojnë sëkëlldi të madhe në publik. Kjo është situata sot. Patjetër që kjo luftë vazhdon dhe patjetër që ne jemi në kushtet kur duhet të përballemi nga një anë me sulme të tjera te mundshëm, dhe nga ana tjetër me domosdoshmërinë për të arritur në një nivel tjetër mbrojtjen tonë kibernetike.
Koment nga qytetarët në rrjetet sociale: Nuk di nga t’ja fillosh me ankesat tuaja si qeveri. Nga çmimet e larta të çdo gjëje apo nga gradaçelat në Tiranë që të marrin frymën, apo nga flamuri me yll që po valëvitet në çdo cep, si të ishim vend komunist dhe jo si demokratik. Gjithsesi përgjigjet do jenë në te mirën tuaj gjithmonë, kështu që mos u përgjigj fare. Përgjigju duke rregulluar ndonjë gjë më mirë. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Natyrisht që, nëse do të ishte për të pasur përgjigje në të mirën time gjithmonë nuk do ishte absolutisht kjo rruga për të ndërtuar një bashkëbisedim të hapur apo për t’i pasur bashkëbisedimet e hapura faktikisht pjesë të detyrës sime. Nga ana tjetër, patjetër që problemet janë reale, patjetër që sfidat janë reale, patjetër që ne nuk jetojmë të izoluar dhe marrim pjesë si të thuash në dhimbje që tanimë janë dhimbje të të gjithëve, nuk janë vetëm tonat dhe këtu kam parasysh inflacionin, rritjen eksponenciale të çmimit të energjisë, këtu kam parasysh gjithë shtrëngesën e madhe që po i ndodh botës si rezultat i një agresioni ushtarak në kontinentin tonë dhe natyrisht këtu kam parasysh patjetër dhe vështirësinë e madhe që ka gjithmonë e më shumë e vërteta për të çarë rrugën në një botë ku gënjeshtra shpifjet, teoritë e konspiracionit nuk kanë më asnjë pengesë dhe praktikisht dominojnë në të përditshmen tonë, në të përditshëm e njerëzve tanë jo vetëm në Shqipëri, por kudo.
Koment nga qytetarët në rrjetet sociale: Pensionet i ngritët shumë pak, në lidhje me çmimet që janë në stratosferë.
Kryeministri Edi Rama: Kjo është një çështje shumë sensitive natyrisht, është një çështje e shqetësimit tonë dhe tim të përditshëm se si t’ju gjendemi më pranë pensionistëve dhe natyrisht që sado ne t’i ngremë pensionet asnjëherë nuk do mund dot t’ja themi vetes dhe pensionistëve jo e jo, që kemi bërë mjaftueshëm, asnjëherë nuk është mjaft. Por fakti është që ne kemi ndërhyrë për herë të parë në gjithë historinë e këtyre viteve për të riindeksuar pensionet dy herë brenda një viti, dhe po t’i referohemi situatës në aspektin e numrave, atëherë ne kemi një rritje afro 10% të pensioneve krahasuar me më parë. Kemi bërë dy indeksime, njërin në muajin prill siç behet çdo vit dhe tjetrin, pikërisht duke nisur nga muaji tetor në mënyrë që t’i gjendemi pensionistëve për të përballuar pikërisht goditjen nga inflacioni në ushqimet bazë dhe ajo që është fakt është se pensioni është rritur me mesatarisht 15 mijë lek në krahasim me ku ishte. Nuk është absolutisht shumë, por është shumë më shumë sesa çfarë ishte në një situatë si kjo kur sigurisht çdo rritje është e nevojshme për të përballuar të përditshmen në raport me një inflacion që sidoqoftë duhet ta themi, Shqipëria po e mban nën një kontroll relativ në raport me vendet e tjera.
Po të shikoni normën e inflacionit të rritjes së inflacionit në rajon, kemi nga Maqedonia e Veriut afro 17%, tek Kosova 13 %, tek Serbia 13 pikë disa përqind ndërkohë që rritja në Shqipëri në gusht ka qenë 8 %. Në totalin e vet inflacioni në 8 muaj në Shqipëri është përsëri njëshifror, 6 e diçka përqind ndërkohë që vijmë në vendet e rajonit me mbi 10-11 %. Këto nuk janë shifrat e mia, këto nuk janë shifra të nxjerra nga qeveria, këto janë shifra të EUROSTAT, patjetër që duhet bërë më shumë, por ama ka edhe një element tjetër që rritja që vjen me valën e dytë të mbështetjes, jo vetëm për pensionistët, por edhe për shumë të tjerë, është një rritje e qëndrueshme, pra nuk është një paketë që ka një afat, është një rritje, e cila konsolidohet më tutje në vitin e ardhshëm, ku jemi gati të vazhdojmë të bëjmë indeksime sado të ndjeshme si rezultat i një inflacioni që askush nuk e parashikon se si do shkojë.
Pyetje nga gazetarët: Për ta nisur pikërisht me sulmet kibernnetike, doja të dija nëse keni arritur në një përfundim pas hetimeve, pse është sulmuar Shqipëria nga Irani dhe të mërkurën ministri juaj i Mbrojtjes deklaroi se sistemet mbrojtëse të ushtrisë nuk janë prekur sepse është i sigurtë dhe autonom. Cfarë ka ndodhur me sigurinë e TIMS dhe sigurinë e portalit qeveritar, pyetja e pare. Ndërkohë pyetja e dytë ka të bëjë me një shqetësim që është ngritur kohët e fundit, financimet ruse. SHBA është e shqetësuar për financimet ruse tek partitë politike në vend dhe pas takimeve që ambasadorja amerikane dhe me përfaqëues të Partisë Socialiste, a ka ngritur shqetësim ambasadorja amrikane në emër të SHBA për përshirjen e PS, partisë që ju drejtoni në këto financime të fshehta ruse?
Kryeministri Edi Rama: PS financime ruse? Nga? Apo përsëri është një rast për të ndryshuar drejtmin e temës? Unë dua t’ju kujtoj juve dhe t’ju kujtoj të gjithëve ju në fakt, që po e trajtoni me të drejtë këtë temë sepse ka riardhur në qendër të vemendjes pas një publikimi të bërë nga SHBA se kjo nuk është një temë e re, nuk është aspak një çështje e panjohur për ne. Kjo është një temë që kur ne e kemi trajtuar dhe kur ne e kemi ngritur, shumë prej jush, përfshirë dhe ata që sot hidhen përpjetë sepse e konsiderojnë mbase një tjetër gur për luftën e tyre të brendshme, na kanë përqeshur. Na kanë përqeshur dhe askush prej një mase të madhe, qoftë prej medias, qoftë pastaj edhe prej politikës, përveç Partisë Socialiste, nesh, nuk ka marrë përsipër të thellohet në këtë drejtim. Ka qenë një përqeshje e madhe, ka qene një skërmitje e madhe dhe njëkohësisht kujtoj që ka qenë një front i madh i bashkuar politik dhe mediatik për ta mohuar me të qeshur këtë çështje dhe ja ku jemi sot.
Por këtë pyetje ju nuk keni pse ma drejtoni mua, në kuptimin, kjo është një pyetje që duhet t’ia drejtoni prokurorisë, duhet t’ia drejtoni drejtësisë sepse në fund të fundit politika ka bërë zgjedhjet e veta, edhe mediat kanë bërë zgjedhjet e tyre, të cilat rëndom nuk janë në interes të publikut, tanimë këtë e kemi mësuar, qoftë për politkë, qoftë për median, por drejtësia e ka trajtuar këtë çështje dhe nuk i ka dhënë kurrë përgjigje.
Kështu që, është për të ardhur keq që sot shoh shumë që janë të skandalizuar, janë të tronditur, janë të shokuar, jo se duhet të na besonin ne, kur kjo çështje u hap, por sepse duhet të bënin detyrën e tyre. Dhe detyra e tyre nuk është që sa herë flas unë, apo sa herë flet PS, apo qeveria e PS, apo grupi parlamentar i PS-së, të skërmisin dhëmbët dhe të lëshojnë fjalë nga më të rëndat, duke përqeshur çdo gjë që ne themi sidomos kur bëhet fjalë për kudnërshtarë.
Përsa i përket pyetjes së parë, unë e kuptoj shumë mirë që në kushtet kur sulmohemi për herë të parë ka shumë konfuzion dhe mbi të gjitha ka edhe një keqkuptim të madh, që pengon të shikohet e vërteta. E vërteta është që ne kemi rezistuar me sukses ndaj sulmit dhe po të shihni raportin e bërë nga ekspertiza më e lartë ndërkombëtare që ekzsiton sot në frontin e luftës kibernetike, ekspertiza e Microsoft-it dhe agjencive të specializara në SHBA, të cilat kanë bashkëpunuar me ne, e vërteta është që agresioni ka dështuar, sulmi nuk i ka arritur qëllimet. Sulmi ka qenë i një natyre që mund të kishte zhdukur gjithçka dhe mund të na kishte kthyer prapa në kohën, në vitin 0 të gjithë sistemeve tona digjitale. Kjo nuk ka ndodhur dhe sistemet tona janë ringritur me shpejtësi, kështu që ky është një sukses dhe ky është fakt dhe ky konglomerat grupesh, ndër të cilat, njëri është i mirënjohur si një nga 10 grupet me të rrezikshme të terrorit kibernetik në botë, ka organizuar sulme ndaj vendeve që i kanë marrë shumë kohë më parë hapat në botën digjitale, që nga Izraeli që është një superfuqi e botës digjitale,tek Arabia Saudite që po bëhet një superfuqi e botës digjiale, tek Kuvajti, tek Qipro dhe sulmet kanë qenë realisht sulme të rënda dhe të dëmshme. Kështu që, dëmet nuk mund të pretendosh që të bombardohesh dhe t’i kapësh të gjitha bombat në ajër. Kjo nuk ekziston. Por unë dua të them që përtej gjithë fantazive, thashethemeve, lajmeve të rreme, teorive të konsipracionit apo sajesave të qëllimshme, sistemet tona kanë rezistuar dhe ne tani kemi një plan që të përshpejtojmë projektin tonë të gjithë ngrehinës së mbrotjes kibernetike dhe ky është në projekt që e kemi nisur dhe për këtë arsye dhe kemi ekzistuar, por është një projekt që kërkon një financim intesiv dhe për këtë arsye ne e kemi fazuar në një kohë më të gjatë dhe tani do të shkurtojmë kohën për të cilën do të bëjmë projektin .
Pyetje nga qytetarët në rrjetet sociale: A do të ketë qetësi publike në 24 orë mos të kemi humbje jetësh, a në çdo metër katror, siç e patët premtuar për zgjedhje si kryeministër?
Kryeministri Edi Rama: I dashur Zef, ne nuk kemi humbje jetësh çdo 24 orë, ne kemi pasur problemet tona me rendin në aspektin e disa vrasjeve vërtetë të sekëlldisshme sidomos gjatë muajit gusht, por faktet janë fakte. Ne kemi pasur në fakt një kohë kur në Shqipëri vriteshin rregullisht mbi 100 persona në vit e kjo kohë nuk ka qenë përpara 100 vjetësh, por ka qenë vetëm përpara sesa ne të merrnim drejtimin e vendit. Në vitin 2012 janë vrarë 112 persona, ndërkohë që ne kemi ulur në përgjysmim mesatarisht numrin e vrasjeve në Shqipëri dhe ky është fakt, dhe sot me gjithë ato që kanë ndodhur gjatë gushtit, ne përsëri jemi në vitin me numrin më të ulwt të vrasjeve në 30 vitet e fundit, i dashur Zef. Ky është fakt. Me këtë nuk dua të them që nuk duhet të bëjmë akoma më shumë. Me këtë nuk dua të them që vrasjet duhet t’i marrim të mirëqena si pjesë e jetës. Patjetër që, nuk ka vend ku të mos ketë vrasje, por patjetër që ne mund të përmirësojmë dhe do të përmirësojmë, nuk e diskutoj fare, statistikat në sensin e pozicionit tonë. Sot ne jemi në mesataren e kontinentit europian i dashur Zef, përsa i përket vrasjeve. Kemi qenë në fundin e një pusi ku nuk na dukej fare emri kur e kemi nisur. Me 112 vrasje në vit dhe sot jemi më mirë sesa disa vende, emrat e të cilave s’po i përmend për të mos u kthyer në humor se janë vende më të zhvilluar se ne, por nuk jemi më mirë se disa vende në rajon. Pra, ka edhe më mirë dhe ne do të synojmë për më mirë, çdo ditë, çdo natë, papushim. Shqipëria është një vend më i sigurtë se asnjëherë më parë dhe këtë e tregon jo vetëm gjithë tërësia e shifrave dhe fakteve që vijnë nga terreni, por e tregon dhe fakti që Shqipëria turistike po hedh hapa shumë më të shpejtë përpara siç tregojnë dhe shifrat e turizmit gjatë këtij viti.
Koment nga qytetarët në rrjetet sociale: Na keni thënë se pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare nuk harxhojnë më shumë se 800 kv në muaj, por media thotë se kjo llogari ka të bëjë me mesataren vjetore. Ndërkohë që në muajt e ftohtë të dimrit harxhohet shumë më shumë se 800 kv. Me këtë llogari i bie që çmimi do na rritet thuajse të gjithëve.
Kryeministri Edi Rama: Nuk dua të bëj polemika me median. “Media thotë”, media për këtë është krijuar që “të thotë”. Tani gjithmonë e më shumë është një sfidë se çfarë zgjedhim në një terren ku të pavërtetat, gjysëm të vërtetat që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha, fantazitë, shpifjet, sajesat janë gjithmonë e më të pranishme dhe në një vend si i yni që fatkeqësisht më informonin dje, zë vendin e parë në Europë për gjuhën e urrejtjes në media, ose më saktë në komunikim publik se këtu nuk përjashtoj fare as politikën. Gjuha e urrejtjes kërkon shumë furnizim dhe furnizimi kryesor i gjuhës së urrejtjes është gënjeshtra, shpifja, janë akuzat e montuara, janë fabrikimet, është turravrapi për të asgjësuar karakteret në pamundësi të asgjësimit të vetë personave se nuk jemi në një diktaturë ose nuk jemi në një situatë lufe civile me armë, por jemi në një situatë lufte civile me gojë. Kjo është shumë, shumë e rëndë. Shumë, shumë e rëndë. Megjithatë unë nuk kam asnjë rrugë tjetër përveçse nga njëra anë të bëj përpjekjen time me aq sa mundem që të mos kontribuoj fare në këtë tymnajë të madhe dhe nga ana tjetër t’i referohem të vërtetave që vijnë nga faktet dhe nga shifrat.
Janë mbi 1 milion, më saktë 1 milion e 90 mijë familje që konsumojnë deri në 800 kv/h dhe janë 40 mijë familje që konsumojnë mbi 800 kv/h dhe në periudhën e pikut, kur është shumë nxehtë ose shumë ftohtë, ky 40 mijësh shkon në afro 60 mijë, 58 mijë e diçka. Vendoseni në shkallë 60 mijë me 1 milion e 90 mijë dhe del besoj rezultati dhe kjo është shumë e thjeshtë për njerëzit. Nuk ka nevojë që të mbeten peng i atyre që dëgjojnë. Të marrin faturat e tyre të energjisë, i ka secili në shtëpinë e vetë, ta shikojë sa konsumon.
Vijmë tani tek 800+. 800+ është vendosur me një logjikë duke marrë parasysh që deri në 800, mund të plotësohen të gjitha nevojat për konsumin shtëpiak, nevojat bazë në kushtet kur s’ka kufizim energjie. Mos e harrojmë këtë fakt. Ne kemi vendosur dy gjëra të cilat unë nuk e di, koha do ta tregojë, nëse janë ambicje e madhe dhe kurajo e madhe apo nëse janë një çmenduri të cilën në fund mund dhe ta paguajmë shumë shtrenjt. Por kemi preferuar të zgjedhim këtë rrugë. E para, të mbrojmë çmimin nga rritja për konsumatorët familjarë dhe për biznesin e vogël dhe e dyta të mos kufizojmë energjinë elektrike. Mos ketë kufizim, ama për një pjesë të familjeve të cilat konsumojnë më shumë sesa 800 kv sepse kanë më shumë sesa një palë elektroshtëpiake, sepse kanë më shumë sesa një shtëpi të zakonshme, sepse kanë më shumë sesa për të ngrohur mjedisin ku rrinë apo për të ndriçuar dhomat ku jetojnë, ne nuk mendojmë që duhet të paguajnë 1 milion e 90 mijë të tjerë. Nuk e mendojmë këtë. Ne mendojmë që këta, këto subjekte duhet të paguajnë vetë diferencën dhe diferenca mbi 800-in do të jetë për çdo kilovat me një tjetër çmim, ndërkohë që deri në 800 të gjithë do ta kenë njësoj, edhe këta që mbase kanë mundësi të paguajnë më shumë edhe nga kilovati numër 1, por 800-i është njësoj për të gjithë. Kush shkon mbi 800, do të duhet të paguajë me një çmim tjetër dhe duhet theksuar është që ky çmim tjetër është vendosur nga 1 tetori deri në dhjetor. Pra, nuk është një çmim përgjithmonë. Është nga 1 tetori deri në dhjetor dhe pastaj në bazë të gjithë bilancit energjitik të vendit, në bazë të situatës hidrike të vendit, në bazë të gjithë rezultateve që kemi ne do të rishikojmë nëse do ta mbajmë apo nëse do ta lëvizim.
Tjetra që është shumë e rëndësishme, sot Gjermania, vendi më i zhvilluar, vendi më i pasur i Europës, po bën gjëra të cilat në Shqipëri nëse ne do t’i artikulonim, unë nuk e di se me çfarë do të përballeshim nga pikëpamja e gjithë dallgëve që sjell oqeani i akuzave, i përqeshjeve, i skërmitjeve, i tëpavërtetave, i shpifjeve, i thashethemeve, i fabrikimeve, i gjithçkaje. Nuk e di me çfarë do të përballeshim nëse do të vendosnim rregullin me ligj që ka vënë Zvicra, 3 vjet burg për kë e rrit shpenzimin energjitik për ngrohje mbi 19 gradë. Burg, në Zvicër në një vend që nga pikëpamja e të ardhurave, nga pikëpamja financiare është në majë të botës. Jetojmë në një kohë tejet të vështirë dhe ne po bëjmë diçka që të tjerët nuk e kanë bërë dhe nuk po e bëjnë, dhe e fundit që kam, e ka vendosur Kosova përpara nesh, 800 kv dhe një nga rezultatet që është fakt në Kosovë dhe që ne presim është kursimi.Vetëm kështu këto familje do të fillojnë
të kursejnë sepse janë 4% e të tërës, pra 40mijë në 1milionë e 90mijë dhe shpenzojnë afro 20% të të tërës. Kështu që, ulja e shpenzimit të tyre energjetik do të sjellë që ne të kemi më shumë energji, të kursejmë energji.
-Për t’iu rikthyer edhe njëherë cështjes së lobimit rus në Partinë Demokratike, sa gisht keni ju, zoti Rama, në mbylljen e kësaj çështjeje, pra që njihet ndryshe “Cështja Basha” sa i përket financimeve ruse pasi gjatë ditëve të fundit, madje dhe gjatë ditës së djeshme, kryetari i Partisë Demokratike dhe ish kryeministri Sali Berisha ju ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ju dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë që e keni mbyllur këtë çështje në drejtësi?
Kryeministri Edi Rama: Ai që ju e quani kryetari i Partisë Demokratike është turpi në gojën e kujtdo që e sjell si pikë referimi në raport me botën e informacionit. Pra, nuk është turpi i askujt tjetër, përveçse i kujtdo tjetër, përvecse atyre që verbërisht e ndjekin, që vazhdon e sjell si pikë referimi në botën e informacionit dhe në debatin publik, është monumenti i gënjeshtrave, shpifjeve, akuzave dhe është prurësi më i madh i llumit moral, i llumit gjuhësor, i llumit njerëzor në jetën shqiptare, në historinë e Shqipërisë.
Qëkur Shqipëria është bërë shtet, nuk ka një të dytë. Tani, çfarë kërkoni ju? Kërkoni realisht që unë ta marr seriozisht këtë pyetje dhe t’i jap përgjigje? Nuk e dini ju përgjigjen? As nuk marr përsipër t’iu them “Po mirë, a nuk është i njejti që me forcë mohoi çdo lidhje të financimeve të Partisë Demokratike me Rusinë? A nuk është i njejti që i vuri gjoksin dhe e mbrojti me pathos Lulzim Bashën? Ku hyj unë tani? Ku është dora ime në këtë mes?
Kjo është historia, jo e një budallai që hedh një gur në lumë dhe 100 të mencur nuk e nxjerrin dot, por e një shejtan budallai që torollis një vend të tërë, duke tërhequr prej hunde të gjithë ju, jo mua, jo Partinë Socialiste, por të gjithë ju që vazhdoni dhe e pranoni me veten tuaj që ta konsideroni si pikë referimi, si burim informimi, si një subjekt që meriton të hyjë në gojën tuaj dhe të futet në mes të debatit publik. Është katastrofë.
Financimi rus i Partisë Demokratike është denoncuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Taulant Balla, Erion Braçe e me radhë nuk keni lënë gjë, jo ju personalisht, por flas për të gjithë ata që sot janë çuditur dhe po merren me këtë “Si paska ndodhur kjo” nuk kanë lënë gjë pa iu thënë, nuk kanë lënë gjë pa iu bërë. Ashtu sikundër është denoncuar nga, nëse nuk gabohem, në atë kohë Muhamed Veliu, nuk kanë lënë gjë pa i thënë.
Po e sjell këtu sepse në kujtesën time ka qenë Muhamed Veliu që ka bërë disa kronika, nëse nuk gabohem dhe ndjesë nëse ia sjell emrin në mënyrë të pasaktë.
Cfarë kërkoni sot? Patjetër. Po në televizionin tuaj ka dalë Lulzim Basha dhe iu ka treguar një përrallë me 500aksionerë nga Diaspora që i lindi në zemër të mblidhnin para apo që nuk vunë emrat dhe po në televizionin tuaj ka dalë dhe cfarë nuk iu ka treguar. Pse nuk u habitët ju atëherë? Apo ishte më kollaj që tia linit taulant Ballës, Erion Braçes dhe Elisa Spiropalit? T’ia linit Spiropalizimit të Partisë Socialiste?
Ky është fakti, ja ku jemi sot por nuk është vetëm kjo. Shumë shpejt do tiu duhet të habiteni edhe për gjëra të tjera, jua them unë sot këtu, do tiu duhet të habiteni. Keni çështje të tjera që janë aty që ulërasin, do habiteni dhe do vini prapë të thoni “Po mirë, nuk ke pasur ti gisht që i ke mbyllur këto, apo i ke shtyrë këto apo i ke bërë”? Cfarë duhet të bëj unë, cfarë mund të bëjmë ne më shumë se kaq? Cfarë mund të bëjmë ne më shumë se kaq?
Koment nga qytetarët në rrjetet sociale: “Lëri rusët e Lulit, por shih rusët e tu. Do thuash ndonjë llaf për atë ish shefin e FBI-së, mikun tat që po hetohet për lidhje me rusët? Kishte hapur dhe një biznes në Tiranë ai mjeshtri.
Kryeministi Edi Rama: Novruz Aliaj (qytetari) sigurisht është një ndjekës në faqet e mia sociale dhe me siguri, ndjek shumë burime të tjera dhe nuk ka asnjë faj.
Cilët rus të mitë? Shefi kundër terrorit i FBI-së ka qenë dhe është miku im, nuk diskutohet. Nëse ai ka një çështje të tijën me drejtësinë në Shtetet e Bashkuara, kjo është çështja e tij me drejtësinë e Shteteve të Bashkuara dhe lëreni të flasë drejtësia në Shtetet e Bashkuara. Nuk bëhet drejtësia dhe nuk nxirren fajtorët dhe nuk bëhen akuzat në këtë farë feje sepse është e tmerrshme, është komplet e tmerrshme.
Nuk është e tmerrshme për mua se unë nuk kam asnjë problem dhe përsa kohë vazhdoj qëndroj në këtë detyrë e kam marrë parasysh dhe pres shumë më tepër se kaq, i pres të gjitha, por është e tmerrshme për këtë popull, është e tmerrshme për këtë vend, është e tmerrshme për të gjithë ato që ne i konsiderojmë vlera shqiptare, që i konsiderojmë parime shqiptare, që i konsiderojnë traditë shqiptare. Është e tmerrshme. Cfarë të them më shumë se kaq.
Bëhet fjalë për një çështje e cila është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila nuk ka asnjë lidhje me mua, nuk ka asnjë lidhje me qeverinë shqiptare, nuk ka asnjë biznes të cfarëdollojshëm. Me këtë teori i bie që ne nuk duhet të takojmë askënd sepse nesër dikush mund të ketë një problem me drejtësinë në vendin e vet por kjo është cmenduri.
Koment nga qytetarët në rrjetet sociale: “Pse u kujtuat kaq vonë për ligjin e spiunëve? Apo iu është bërë hall i madh Ilir Meta”?
Kryeministri Edi Rama: Nuk e di a jemi kujtuar ne vonë apo koha e solli që të ndërhyhej përsëri në atë ligj, me kërkesë të Autoritetit të Dosjeve, për të mundësuar transparencën lidhur me një cështje e cila ka peshën dhe meritëne vet, në sensin që nuk mund të lihej pa u bërë transparente, që është cështja e një shtetasi I.M, spiun i Sigurimit, një profil që krijon dyshimin se pas tij qëndron ish presidenti, ish kryetari i Kuvendit, ish kryeministri dhe sigurisht kjo kërkon një adresim. Në ligj është vendosur që kush është kontrolluar më parë nga Komisioni i famshëm Bezhani nuk mund të rikontrollohet. Është një pikë që mbase dikush e ka vënë me qëllim, por shumëkush përfshirë edhe mua as që nuk e ka kapur si një saraçineskë për të mos lejuar rrjedhje të informacioneve të mundshme që njerëzit janë të interesuar që ti fshehin.
Nuk e di por nuk është çështja që u kujtuam ne vonë apo se na është bërë hall zotëria. Zotëria është një hall i madh i Shqipërisë prej kohësh tanimë e nuk është sot por jo i imi, jo i yni, në kuptimin e interesit politik. Nuk është ky fare problemi.
– Zoti Rama, krahas artikujve të dedikuar gjatë verës për sa i përket aspektit turistik në Shqipëri, fatkeqësisht dhe paralelisht kemi parë disa artikuj të dedikuar për s ai përket emigrantëve shqiptarë që kanë ndjekur disa rruge të vështira për të shkuar drejt Britanisë por edhe vendeve të tjera. Nuk e di nëse keni mundur ti shihni këto dhe si i komentoni? Në momentin që këta shqiptarë kthehen pas apo kapen nga policia vendase, çfarë ndodh me ta? Keni komunikim ndërmjet shteteve? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Së pari unë dëshiroj t’i bëj apel të gjithëve që mos ta ndërmarrin atë rrugë sepse do të jetë gjithmonë e më e vështirë, do të jetë gjithmonë e më e kushtueshme sepse do tu duhet të paguajnë shuma marramendëse trafikantëve e do të jetë gjithnjë e më e dështuar. Nga ana tjetër dëshiroj t’ju them se sigurisht që Shqipëria nuk i ofron e nuk ka se si ti ofrojë sepse nuk mund të bëjmë dot asnjë lloj magjie, as kushtet e Gjermanisë e as kushtet e Britanisë së Madhe, por Shqipëria ofron gjithmonë e më shumë mundësi për atë që realisht do që përmes punës të bëjë suksesin e vetë, që t bëjë këtë gjë dhe shembujt janë të panumërt e sidomos në sektorin privat gjithnjë e më shumë. Të harxhosh 20.000 apo 30.000 paund për të paguar trafikantë, ndërkohë që me 20.000 apo 30.000 paund dhe me një mbështetje të qeverisë ti mund të ndërtosh një agroturizëm, aty ku je, tek shtëpia e gjyshit tënd, në Kukës, në Has dhe me atë agroturizëm ti mund të bësh shumë më tepër lekë se sa mund të bësh nga një punë e rëndomtë në Britaninë e Madhe, natyrisht nëse nuk ke ndërmend që të përfshihesh me rrjete kriminale e me histori të tjera që pastaj mund të të joshin me shumë më tepër të ardhura por të çojnë në ferr, atëherë duhet menduar dhe kjo gjë. Nuk kemi një parajse për t’ju ofruar askujt, por kemi gjithë dëshirën, gjithë vullnetin, gjithë durimin, gjithë këmbënguljen që ta bëjmë Shqipërinë përditë e më të mirë por kjo gjë mund të ndodhë vetëm me punë, me mundim dhe sigurisht dhe me kurajo e me guxim për ata që qëndrojnë e guxojnë e shembujt këtu janë gjithnjë e më të mëdhenj.
Po shikoja shifrat e turizmit, do bëjmë një pasqyrë në fund të muajit për këtë. Shikoja shifrat e turizmit, nuk janë shifrat e mia, janë shifra atë organizatës botërore të turizmit, janë shifra që vijnë nga llogaritë financiare, jo nga spekulimet e nga anketimet dhe është realisht një hapësirë e re që krijohet. Domethënë një shqipërim që në 6 muajt e parë të vitit ka sjellë; të dhënat e Bankës së Shqipërisë thonë; në bilancin e pagesave, shpenzime të huajsh në Shqipëri në 1.13 miliard euro. 64% më shumë se 6 mujorin e parë të vitit të mëparshëm. Një Shqipëri që sipas Organizatës Botërore të Turizmit, kemi një nga vendet kryesore botërisht për rimëkëmbjen e sektorit pas goditjes së madhe të pandemisë kuptohet dhe gjithnjë rimëkëmbje relative në raport me veten, jo në raport me planetin. Një Shqipëri ku aktivitetet e hoteleri turizmit kanë raportuar një rritje 25% të xhiros. Një Shqipëri ku agroturizmi ka filluar të japi gjithmonë e më shumë kontribut, është një Shqipëri ku ka oportunitete dhe realisht të ndërtosh një agroturizëm sot është të ndërtosh një biznes i cili të sjell pa diskutim më shumë se sa të marrësh rrugën e të shkosh në Gjermani e të punosh si punëtor apo në Britaninë e madhe si punëtor. Kjo nuk diskutohet.
Pyetjet nga rrjetet sociale: Kur një njeri i thjesht ndërton pa leje një mur përballet me drejtësinë, siç e thotë ligji. Pse nuk lini drejtësinë të merret dhe me këta pasanikët e kullave por papritur i amnistoni këta oligarkët?
Kryeministri Edi Rama: Kur vjen puna tek drejtësia, unë dhe ti dhe gjithë shqiptarët që kërkojnë drejtësi jemi në një anë. Nuk jemi në anë të ndryshme dhe është shumë e vërtetë kjo që thua e që e thonë shumë dhe e kam thënë dhe unë disa herë. Edhe në fjalën time përpara trupës drejtuese të Policisë së Shtetit e përsërita, është e tmerrshme. Pse ndodh kjo? Sepse këta më të pasurit, me këtë drejtësi i zgjidhin punët. Ky është problemi. Nuk jam unë që nuk lejoj drejtësinë të merret me ta por është drejtësia që nuk më lejon mua, nuk lejon ty, ne, qeverinë tonë që ti bëjë gjërat deri në fund, se në fund fjalën e ka drejtësia.
Flitet shumë për Policinë e Shtetit dhe shumë mirë që flitet por nëse në këtë vend gjykatat do të bënin sa policia e shtetit, ky vend sot falë kësaj Policie Shteti me të gjitha të metat që ka, do ishte shumë herë më i përparuar se sa është në raport me aty ku e nisëm. Sa janë rastet që policia e Shtetit i çon në gjykatë fajtorët e sa fajtorë marrin bekimin e gjykatës për tu rikthyer në jetën e përditshme në vend që të shkojnë aty ku e kanë vendin e për të përsëritur të njëjtin faj? Është shumë e vërtetë, absolutisht, që një rob i thjeshtë madje dhe një burrë i vjetër apo dhe një grua e vjetër mund të përfundojnë në duart e ligjit për një mur thua ti. Për dritare u kap si shkelës i ligjit Bojken Lako dhe ndërkohë dikush që ndërton një kat, dy kate, tre kate pa leje, nuk përfundon. Pse? Ta them unë, sepse tek drejtësia e kanë kollaj. Keni dëgjuar shumë përralla për inceneratorët. Shumë përralla. Nuk jua ka thënë kush, mund ta kemi thënë ne por gënjeshtra bën xhiron e botës ndërkohë që e vërteta akoma nuk ka ngritur pantallonat thotë populli, lidhur me ato TVSH-të e paguara ose devijuara, ose me ata të vdekurit që figuronin. Atë skemë e kanë zbuluar Tatimet e Republikës së Shqipërisë dhe ajo skemë është denoncuar në Prokurori dhe për atë skemë Prokuroria nuk ka bërë asgjë për fajtorët dhe atë skemë Prokuroria e ka çuar tek nonë daja, domethënë tek këta, që pastaj me dokumentet e Prokurorisë dalin e bëjnë Prokurorin rrugëve e çorodisin miletin, ky eshët fakti. Se flasim shumë për SPAK-un. SPAK-u është vetëm një institucion i ri i cili merret me gjëra të tjera. Merret me zyrtarët e lartë, por prokuroria e Tiranës, prokuroritë e rretheve merren me këto. Prokuroria e Tiranës, prokuroritë e rretheve në bashkëpunim me të tjerë, inspektorë dhe punonjës policie të super zellshëm kur vjen puna për të kapur njerëzit e pafuqishëm, plotësojnë dosje dhe mbushin statistika duke çuar para drejtësisë njerëz për një mur, njerëz që në fund të ditës mund të të ndërtojnë pa leje, por jo për të shitur, se këta që ndërtojnë pa leje për të shitur këta e blejnë prokurorin, këta e blejnë gjykatësin dhe përballë këtyre policia dhe qeveria është e pafuqishme.
Ky është thelbi dhe të gjitha të tjerat janë poshtërsira të njerëzve vemje, me gjak jeshil që dalin ne televizor me sytë gjak dhe që nuk lënë gjë pa thënë për mua, nuk lënë gjë pa thënë për ne, ndërkohë që ne jemi absolutisht të kritikueshëm po, por një ves nuk e kemi, nuk i bëjmë gabimet me qëllim dhe nuk përdorim pushtetin për ato gjëra për të cilat akuzohemi. Nëse unë do të doja të bëja pazare me këta që quhen oligarkë të pasur, quajini si të doni, do e kisha shumë të thjeshtë dhe VKM-ja vjen si nevojë për të kapërcyer këtë ngërç të krijuar me vite. Ligji është aty me vite. Merreni shikoni sa denoncime janë bërë në prokurori për të pasurit dhe hajde më tregoni sa të pasur janë vendosur përpara ligjit për ndërtime pa leje, për evazion fiskal, merrini shikojeni. Prokurorët bëjnë pazare me ta, kjo është e vërteta. Gjykatësit bëjnë pazare me ta, por ata as mund të përfundojnë fare në gjykatë xhanëm dhe pastaj ato dosje prokurorët i bëjnë tregti me politikën edhe me median. Kjo është e vërteta. Dhe vendimi që kemi marrë nuk i largon duart e drejtësisë prej tyre, drejtësia ka punën e vet, një vendim qeverie nuk amniston dot asgjë, askënd. Një vendim qeverie nuk heq dot nga duart e drejtësisë dikë, por vendimi i qeverisë bën këtë; që ata që kanë ndërtuar këto kate do vënë mend ata dhe do vënë mend të gjithë sepse nëse ti e ndërton një kat pa leje sepse arrin të korruptosh një inspektor, arrin t’ia mbyllesh sytë një polici, arrin ta devijosh sistemin dhe e ke gjykatësin dhe prokurorin në xhep, ti nuk të del llogaria që pastaj atë kat të duhet ose ta blesh me çmimin real, jo me çmimin që deklarojnë këta. Pra, nëse ti te sheshi “Skënderbej” ose në qendër të Tiranës do ndërtosh 1 metër katror pa leje që pastaj do e blesh 5 mijë euro plus do paguash gjobën, plus ke dhe nga mbrapa drejtësinë nëqoftëse drejtësia do të vijë nga mbrapa se këtë nuk e vendos unë, nuk e vendos qeveria atëherë ti nuk ke pse ndërton më. Kjo është e vërteta, shumë e thjeshtë. Por të vërtetën është gjithmonë e më e vështirë për ta marrë vesh nëse nuk e kërkon gjithmonë e me durim në këtë llum ku çfarë nuk vjen dhe çfarë nuk dëgjojmë.
Koment nga qytetarët në rrjetet sociale: Pse duhet të vazhdojmë të paguajmë me leket tona, kompaninë e Tiranës kur incenerator nuk ka. E pamë dhe të protesta e Ilir Metës. Dakord, nuk kishte njerëz, por nuk kishte as incenerator aty.
Kryeministri Edi Rama: Sa herë do më duhet ta shpjegoj, megjithatë e kuptoj sepse ndërkohë që unë mund ta shpjegoj 5 herë, gënjeshtra përsëritet 500 herë. Ndërkohë që ne mund ta shpjegojmë 50 herë, gënjeshtra përsëritet 5 milionë herë. Ne paguajmë çmimin për mbledhjen dhe trajtimin e mbetjeve në impiantin e Sharrës ku procesi fillon që nga mbledhja deri pastaj te trajtimi dhe pastaj në fund fare tek transferimi në energji, i cili është një proces që nuk ka filluar, kjo është e vërtetë, por që nuk ka lidhje me atë që paguajmë ne zotëri. Si të ta shpjegoj? Ne çdo vend, çdo bashki, çdo subjekt për të evaduar mbetjet dhe për t’i çuar në një vend ku ato nuk qëndrojnë në hapësirë ku digjen, ku nxjerrin tym, ku i merr lumi, ku helmojnë dynjanë siç ishte deri dje, por ku ato trajtohen me të gjitha kriteret e higjienës sanitare duhet të paguajë, dhe ka dy rrugë, ose paguajnë qytetarët nga taksat e tyre ose subvencionin shteti. Dhe çdo ton ka çmimin e tij. Çmimi për ton i Tiranës është çmimi absolutisht më i ulët i trajtimit të mbetjeve në Europë dhe në rajon. Kjo është e vërteta dhe arsyeja e bërjes së një partneriteti me një afat të gjatë është pikërisht kjo. Mundësia për të balancuar nevojën që njerëzit të mos paguajnë koston reale njësoj si te energjia, por njëkohësisht nevojën që kjo bashkësi njerëzish të mos helmohet. Pra, çfarë do me thënë kjo: Atje s’kishte incenerator? Sepse ai është një projekt në vazhdim, nuk është një projekt i përfunduar, por ndërkohë në atë zonë mblidhen të gjitha mbetjet dhe përpunohen të gjitha mbetjet e nuk ka tym, e nuk ka zjarr e nuk ka helme e nuk ka asgjë. Tjetër, përvese përpunimit të mbetjet, dhe në momentin kur do të ndërtohet edhe impianti i transformimit të mbetjeve në energji do të jetë hallka përfundimtare. Si nuk ka, çfarë nuk ka, a ka shërbim apo s’ka shërbim? A ka mbledhje mbetjesh apo s’ka mbledhje mbetjesh? A është Tirana sot një nga qytetet më të pastra, në Shqipëri nuk diskutohet, por a e shikoni që të gjithë e vlerësojnë Tiranën për pastërtinë e saj? A u kujtohet Tirana si ka qenë që ecnim mes plehrave. Po si ndodh e gjitha kjo, ku shkojnë këto plehra? Po ku shkonin më përpara? A shkonin në të njëjtin vend dhe pastaj Kombinati i gjithi i zhytur në blozë mushkërish. Ja pra, dhe si u bë kjo, me se u bë kjo? Mos ngatërroni se çfarë ata individë në bashkëpunim me individë me pushtet kanë bërë në mënyrë të jashtëligjshme, gjë për të cilën procesi është në vijim dhe duhet të shkojë deri në fund me veprat. Veprat janë aty. Fakti është që këto qytete kanë shpëtuar dhe kanë shpëtuar falë këtyre veprave. Sigurisht që kosto për çfarë është bërë në mënyrë të paligjshme duhet ta paguajnë ata që e kanë bërë, por kjo nuk do të thotë që ne i kemi plehrat rrugëve. S’i kemi plehrat rrugëve.
-Dëshiroja të bëja dy pyetje. E para lidhet me atë se çfarë ka ndodhur ditët e fundit ne Durrës teksa është sekuestruar një anije që mbante tonelata naftë dhe konkretisht institucionet shtetërore zoti kryeministër, a ju kanë njoftuar juve se cila nga 5 kompanitë shqiptare, cila ka të drejtën për të importuar naftë, ka qenë ajo porositësja.
Dhe tjetra, kush mban përgjegjësi zoti kryeministër për thyerjen e embargos me Libinë teksa ka një firmosje nga shumë vende, të cilat nuk lejojnë që me këtë vend ne të kemi tregti naftë dhe produkteve të tjera?
Pyetja e dytë lidhet me atë çfarë po ndodh padyshim muajt e fundit, ikjen masive të të rinjve nga Shqipëria dhe këtë e vërteton në fakt zoti kryeministër edhe numri i pakët i nxënësve në çdo qark të republikës së Shqipërisë, referuar të dhënave zyrtare, të cilat në krahasim me vitet e mëparshme janë edhe më të ulëta.
Dhe zoti kryeministër, a mbani ju përgjegjësi për këtë situatë, pra ndjeni ju që keni përgjegjësi që të rinjve iu keni lënë vetëm një mundësi, pra ikjen. Duke iu referuar dhe fjalës që deputeti i Partisë Socialiste zoti Braçe ka deklaruar ditët e fundit teksa ka deklaruar se e vetmja mundësi e të rinjve është ikja, të shkuarit në Angli dhe të punuarit nëpër shtëpi bari dhe ka kërkuar nga qeveria shqiptare një zgjidhje. Dhe konkretisht a keni ju një plan zoti Rama për moslargimin e të rinjve nga Shqipëria? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Ka një shprehje në shqip që “duhet të lash gojën kur përmend dike” dhe juve duhet ta lani gojën kur përmendi Erion Bracen, mendoj. Kjo në respekt të Erion Braçes kuptohet, jo për vënë në dyshim faktin që juve kujdeseni për higjienën e gojës, ndërkohë që realisht higjena e gjuhës është një problem shumë i madh dhe këtu është një dhe arsye pse ky vend shumë shpeshherë ju duket i pamundur njerëzve dhe këtu flas, jo për mediat, flas për të gjithë ata që gjuhën e përdorin për të ndotur mjedisin. Tani së pari nëse më pyesni ç’mendoj unë për Shqipërinë sot, unë mendoj se Shqipëria sot nuk ka asnjë krahasim me Shqipërinë e para disa viteve dhe kjo është puna që kemi bërë.
Asnjë krahasim, ndërkohë që patjetër Shqipëria që i duhet të rinjve tanë, duhet të jetë akoma shumë më e mirë se kjo që është dhe për këtë jemi këtu ne, për të vazhduar ta bëjmë sepse ne mund ta bëjmë këtë. Dhe kur them ne, them unë, PS, Erion Braçja dhe të gjithë ne bashkë më gjithë pengesat që na vijnë nga të 4 anët dhe nuk po qahem për këto.
E thashë pak më parë në pyetjen e kolegut tuaj dhe unë e konsideroj kriminale mënyrën si përdoren këto problem, sidomos kur përdoren nga ata të cilët janë larg së qënuri në rregull vetë me vendin, me ligjitn, me shtetin, me gjithçka që të rinjtë kanë nevojë. Nuk po zgjatem më shumë, por po ju them që unë jam shumë krenar për atë që kemi bërë dhe jam më i bindur se kurrë se kjo Shqipëri do bëhet, duan apo s’duan xhagajdurët politikë apo mediatikë, duan apo s’duan ata që Shqipërinë e duan vetëm për vete dhe kur nuk e kanë vetë, nuk lënë gjë pa i bërë dhe ëndërrojnë sesi ajo të bëhet e pajetueshme për të gjithë.
Kjo është përgjigjja ime. Përsa i përket çështjes së anijes, unë nuk merrem me anije. Çështja është një çështje që i takon organeve të drejtësisë, policia e shtetit ka bërë plotësisht detyrën e vet dhe nga ana tjetër, sigurisht sikur edhe media të bëjë detyrën e vet, dhe të mos përdorë fuqinë e saj për të dizindofmuar apo për të sulmuar dhe për të vënë gjoba, qoftë për autoritetet shtetëore qoftë për subjekte biznesi, kjo do ishte realisht një kontribut për të bërë Shqipërinë edhe më të mirë për të rinjtë, mendoj unë.
-Pyetje nga qytetarët në rrjetet sociale: Përshëndetje, Z. Kryeministër. Kemi vënë re që këtë javë policisë së shtetit, policisë së burgjeve i janë rritur pagat dhe ushtarakëve, para disa kohësh po ashtu. Të përgëzojmë për këtë spese e meritojnë. Të lutem, a mund të interesohesh se ç’bëhet për zjarrfikësit sepse kanë një pagë prej 37 mijë lekësh të reja.
Kryeministri Edi Rama: Po, faleminderit për këtë dhe faktikisht këtë pyetje e kam parë në disa raste dhe mbase kjo është edhe arsyeja pse është vendosur sepse është një pyetje e përsëritur dhe do të rriten, po, edhe pagat e zjarrfikësave, të cilët janë gjithnjë e më të rëndësishëm në këtë shoqëri dhe në këtë periudhë kohe kur zjarret janë gjithnjë e më shumë problem dhe është e vërtetë që nevoja e rritjes së pagës së tyre është imediate dhe ne do ta adresojmë edhe atë në kuadër të rritjes së përgjithshme të pagave.
-Pyetje nga qytetarët në rrjetet sociale: Të përshëndës Z. Kryeministër, me kërku falje dibranëve e di që s’e ke problem po a ke ndonjë premtim tjetër për Rrugën e Arbërit se ngeli rrugëve si paraardhësi?
Kryeministri Edi Rama: Tani, unë vetëm të shkoj dhe ta kap tunelin me grushta se gjë tjetër nuk di se çfarë të bëj. Në tunelin e Murrizit ka një problem, një problem gjeologjik dhe në tunelin e Murrizit punohet përditë. Nuk është diçka të cilën ne mund ta parashikonim. situatat e paparashikueshme në punët publike janë gjithmonë të mundura.
Përpara kohe në tunelin e Llogarasë ka dalë një shpellë brenda, kështu që kjo e bën punën më të komplikuar dhe sigurisht që kërkon një kohë më të gjatë për ta kapërcyer atë segment ku ka dalë kjo shpellë, kjo gropë po themi, brenda për brenda. Kështu që, në tunelin e Murrizit ecet me shpejtësinë e breshkës, kjo është e vërteta, por ecet. Ecet 1-1.5 m çdo ditë. Dhe unë nuk kam asnjë arsye për çfarë t’ u kërkoj fjalëve dibranëve sepse sidoqoftë sot pa tunelin e Murrizit, në Dibër shkohet e vihet brenda ditës lirisht.
Por rrugë të lëna rrugëve, si largqoftë pararadhësi, nuk ka me mua dhe me ne. Nuk ndodh. Ne na ka vonuar shumë përmbyllja e atyre rrugëve që nuk ishin vetëm rrugë të lëna rrugëve që nuk ishin thjesht rrugë të lëna rrugëve, por ishin rrugë pa projekte, me korrupsion të madh, ishin rrugë pa financime, ishin rrugë me të gjitha hallet e kësaj bote.
Dhe ja ku jemi sot, dhe do të vazhdojmë. Do të vazhdojmë kështu që rrugën e Arberit do ta përfundojmë me se s’bën, me se s’bën, madje madje të gjithë dibranëve që i përkasin asaj zonës së errët të të menduarit politik, dhe që i shkojnë prapa atij që juve përmendni, u them që nëse doni të ikni, kini parasysh që pa mbaruar Rrugën e Arbërit, kjo nuk bën vaki kurrë njëhërë. Kështu që më mirë me Rrugën e Arbërit sesa me atë botën e zymtë pa të ardhme, pa rrugë, pa dritë dhe pa shpresë ku jeni zhytur dhe ku nuk e kuptoni se sa thellënë të shkuarën qëndroni.
Këtë nuk e kam me ty, kuptohet, se unë jami bindur se ti je ndër demokratët e ndriçuar.
– Z.Rama, ju 9 ditë më parë i kërkuat policisë së shtetit që të reagojë për një ngjarje shumë të rëndë të ditëve të fundit që është përfolur shumë, ashtu siç e etiketuat edhe ju, si një telenovelë, bëhet fjalë për shtetasin Ervis Martinaj dhe ende policia e shtetit nuk ka dalë në asnjë version përfundimtar nëse ai është vrarë apo është zhdukur. Kur do të reagojë policia?
A është e vërtetë që i keni kërkuar dorëheqjen ish-drejtorit të përgjithshëm të policisë Gledis Nano dhe sa e moralshme është që kjo maxhorancë emëroi në këtë post të lartë , z. Muhamet Rrumbullaku,një oficer karriere në të vërtetë, por që në kohën kur ju z. Rama keni qenë në opozitë, e keni etiketuar dhe e keni linçuar publikisht, e keni etikuar dhe si grupi “Çiftelia”.
Kryeministri Edi Rama: Po e filloj nga e dyta, e para e punës kur thoni ‘’ju’’, nuk besoj se e keni fjalën për mua personalisht apo jo? E dyta e punës, mbase këtë duhet ta merrni si një nga shembujt që ne nuk qeverisim duke i ndarë shqiptarët në “tanët” dhe të “atyre’’ dhe as nuk merremi me biografi në sensin politik dhe as nuk merremi me gjëra të kësaj natyre, pra nuk jemi një regjim patronazhistësh, siç thuhet – dhe në këtë rast i përshëndes të gjithë patronazhistët kudo që janë se janë zemra e pazëvendësueshme e Partisë Socialiste, – por jemi një qeveri, e cila vlerëson meritën dhe ju kujtoj që Muhamet Rrumbullaku nuk vjen nga portalet në krye të Policisë së Shtetit, por vjen nga disa vite punë në drejtimin e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore. Një ndër drejtorët më të rëndësishëm dhe një ndër oficerët me eksperiencën më të gjatë dhe me karrierën më profesionale në Policinë e Shtetit. Kështu që, ato çiftelitë dhe ato daullet e risjella 10 vite më mbrapa në skenë për arsye që unë i di, por që nuk ka rëndësi fare t’i harxhojmë kohë publikut këtu, pse dhe nga kush dhe si, nuk kanë asnjë vlerë.
Muhamet Rrumbullaku është një vlerë morale me integritet të padiskutueshëm të paktën pa diskutuar deri tani nga askush, përsa i përket aspektit të ndershmërisë profesionale dhe unë vërtet uroj që ai të ketë sukses të plotë dhe ka gjithë mbështetjen tonë absolute në punën e tij dhe ka gjithë respektin e Policisë së Shtetit padiskutim. Të tjerat janë të gjitha për konsumin e përditshëm të vorbullës, të llumit ku duhet të jetojmë fatkeqësisht të gjithë ne, unë, ju e të gjithë ata që janë të angazhuar në jetën publike.
Përsa i përket pyetjes tjetër, po është e vërtetë. I është kërkuar drejtorit të mëparshëm dhe ai ma ka konfirmuar se do ta jepte dorëheqjen ditën e hënë pasi biseda është bërë të shtunën nga ministri, pasi ishim shumë të shqetësuar për zhvillime të papëlqyeshme lidhur me rendin publik dhe me Policinë e Shtetit. Çështje që janë trajtuar me Drejtorin e Përgjithshëm të mëparshëm. Kjo është e vërteta.
Pyetje nga qytetarët në rrjetet sociale: Zoti Kryeministër, kam bërë të gjitha pagesat sipas ligjit për të marrë certifikatën e pronësisë prej 2015-tës, akoma s’e kam marrë. Kur do më dali kjo e shkretë se po vdesim e s’po jua lemë dot trashëgimi fëmijëve? Shpresoj shumë ta lexosh pyetjen time. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Përshendetje zonjë. Natyrisht unë nuk mund t’ju jap përgjigje se nuk e di rastin konkret dhe nuk jam unë që i adresoj konkretisht këto raste, por siç bëjnë të gjithë në këto raste që ndjekin rrugën e ankimimit zyrtar dhe ja dalin me sukses kur kanë të drejtë, adresohuni tek platforma e bashkëqeverisjes Shqipëriaqëduam.al dhe do të merrni përgjigje dhe në rast se ju takon zgjidhja dhe ajo që ju thoni është siç e thoni ju, do merrni dhe ju zgjidhjen.
Pyetje nga qytetarët në rrjetet sociale: Pyetje kemi shumë, por varet a do marrim përgjigje. E para, kemi 20 vjet në bashkinë e Prrenjasit dhe nuk shtrojnë dot një rrugë prej 500 metrash. E dyta, një kanalizim të ujrave të zeza dhe pyetja e tretë është pse thoni që librat janë falas për ata me ndihmë ekonomike, kur ne paguajmë lekët? Për cilat libra bëhet fjalë që janë pa lekë? Do shikojmë si do na përgjigjesh.
Kryeministri Edi Rama: Përsa i përket rrugës 500 metra apo kanalizimeve, kjo është një çështje e bashkisë së Prrenjasit dhe natyrisht duhet ta trajtoni me bashkinë e Prrenjasit. Nuk është një çështje e qeverisë. Ne i mbështesim të gjitha bashkitë sipas projekteve që kanë. Sipas prioriteteve që kemi vendosur bashkarisht, por një pjesë të punës, bashkitë e kanë punën e tyre. Nuk është qeveria që përcakton se cila rrugë, 500 metra apo 1000 metra duhet bërë e para apo e dyta e kështu me radhë.
Përsa i përket librave, librat janë falas. Librat nuk janë falas vetëm për ata me ndihmë ekonomike, por librat janë falas për të gjithë ata që janë në arsimin 9 vjeçar dhe sigurisht për ata me ndihmë ekonomike më tutje. Konkretisht se për çfarë bëhet fjalë dhe çfarë librash ju paguani dhe kujt ja bleni, këtë gjë ju lutem adresojeni te platforma e bashkëqeverisjes sepse une nuk e di konkretisht sesi është rasti konkret dhe çfarë ju ka ndodhur. Dhe dua të përsëris që të gjithë librat janë falas. Dhe dua të përsëris dhe atë tjetrën sepse përsëri kam parë komente skërmitëse dhe përqeshëse të pakuptueshme. Ne, librat falas nuk i përdorim vetëm një vit. Nuk jemi vetëm ne, nuk i kemi shpikur ne. Ka vende shumë më të pasura, që nga Sueddia etj që për të edukuar fëmijën me kujdesin për librin dhe për të edukuar fëmijën me kulturën e ndarjes së dijes, e ndarjes me njëri-tjetrin të librave, e përhapjes së librit i kalojnë librat dorë pas dore. Sigurisht që një libër i përdorur nuk është një libër fringo i ri, por është një liber, i cili është i vlefshëm dhe kjo është dhe arsyeja se pse ne e bëjmë këtë gjë. Nuk është çështje kursimi financiar, por është edhe çështje edukate dhe kulture e mbajtes së mirë të librit, e mos shkatërrimit të librit, e mos zhgarravitjes totale të librit dhe habitem se komentet nuk i bëjnë fëmijët e klasave të para, as klasat e treta. Komentet i bëjnë prindërit e tyre dhe habitem që ka prindër të cilët nuk duan ta kuptojnë këtë gjë. Habitem dhe më vjen keq për fëmijët e tyre të cilëve nuk ua përcjellin këtë kujdes për librin përderisa shprehen në mënyra nga më vulgare dhe nga më të palogjikshmet lidhur me këtë.
– Zoti Kryeministër, do ti rikthehem edhe një herë çështjes së financimeve ruse. Në Itali ka ndodhur e njëjta gjë, pra janë hedhur dyshime sa i përket hollësisht dhe raportit të raportit të komunitetit amerikan të zbulimit dhe atje homologu juaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të shtetit, zotin Blinken. A do të bëni dhe ju të njëjtën gjë për rastin e Shqipërisë, pra Partisë Demokratike dhe Lulëzim Bashës për ta vërtetuar vërtetësine e atij raporti pasi dhe vetë ambasada amerikane i ka cilësuar financimet ruse si kërcënim për demokracinë e vendit.
Pyetja e dytë: Pedagogët kanë dalë në protestë dhe kanë kërkuar rritje page. Ata kërcënojnë që nëse ju nuk uleni me ta për ta diskutuar këtë çështje, nuk do fillojnë vitin e ri akademik.
Kryeministri Edi Rama: Së pari, për çfarë duhet të flas unë me sekretarin e shtetit për financimet ruse të Partisë Demokratike. Ju këtë e dinit. Nuk e di tani sa u bënë, disa vjet. Për çfarë ju duhet ju sekretari i shtetit tani, juve, prokurorisë dhe nga ana tjetër po ju them prap: Pse e ndani ju sot njërin nga tjetri? Partia Demokratike ka qenë një e tërë dhe financimeve ruse ja kanë vënë gjoksin të gjithë. A nuk e keni dëgjuar ju nga të gjithë ata që sot po na dalin më antirus se vetë amerikanët që nuk ka financime ruse, që ky është një trillim. A e keni dëgjuar ju që ambasadori amerikan, paraardhësi ju ka vajtur dhe ju ka vënë dosjen përpara dhe këta i kanë dhënë përgjigje që ky është trillim. A e keni parë ju që ambasadori i mëparshëm amerikan është sulmuar nga të katërta anët. Pse nuk i bëni këto lidhje ju? Kush e ka sulmuar?! E kam sulmuar unë?! Pse nuk i bëni këto lidhje? Pse i ndani tani këto? Pse bini ju kaq kollaj në këtë kurth? Si ka mundësi që ju tërheqin për hunde kaq kollaj? Financimet ruse janë fakt. Duhet të ishin zbardhur dhe duhet të ishin ndëshkuar me kohë. Financimet ruse nuk janë bërë thjesht nga një person. Janë bërë bashkë dhe të jeni të sigurt që do të dëgjoni akoma gjëra të tjera, por që të më thoni mua tani që a duhet ta marr sekretarin e shtetit, çfarë ti them sekretarit të shtetit?
T’i them që Prokuroria shqiptare nuk ka bërë asnjë, tani si do ia bëjmë kësaj pune? Ai është fakt, ju keni dëgjuar me gojën hapur shpjegime për Diasporën shqiptare që u mblodh për të shpëtuar Vatanin dhe mblodhi lekët dhe i dërgoi pa emra dhe faktikisht, nuk e kam fare me ju as me televizionin tuaj, po flas për median sepse e kam shumë të qartë sot sikur e jetoj sot se cfarë qëndrimi ka mbajtur pjesa më e madhe e mediave, cfarë qëndrimi ka mbajtur media e atij zotërisë përpara që kishte halli ne të rinjve që po ikin. Kështu që, financimet ruse aty i keni, merrini, investigojini dhe është shumë e thjeshtë. Gjejini ata shqiptarët që janë mbledhur për të shpëtuar Vatanin në Amerikë dhe kanë sjellë 500mijë dollarë me cantë. Gjejini ata dhe zgjidheni këtë punë.
Koment nga qytetarët në rrjetet sociale: “Tani që i keni bërë pritë të gjithë problemeve dhe zgjidhjeve duke na thënë gënjeshtra nga mëngjesi deri në darkë dhe duke mos pasur punë me rëndësi këtë të shtunë dhe të dielë, kërkon të merresh me pyetje. Je shumë i modh.
Kryeministri Edi Rama: Nuk e di çfarë do t’i them Artanit. Di vetëm t’i them që unë nuk them gënjeshtra as në mëngjes, as në darkë. Kur dal përpara jush, unë them thjeshtë të vërtetat e mia. Nuk kam asnjë arsye që t’ju gënjej dhe përpiqem t’i bëj pritë të gjitha problemeve. Meqë ti Artan mendon që unë gënjej nga mëngjesi në darkë, merr shiko faturën e energjisë në shtëpinë tënde, shiko se sa paguan dhe shumëzoje çdo kilovat që paguan me 45 lekë. 9,5 shtoji 45, pastaj mblidh gjithë kilovatët dhe shiko çmimin dhe bëji pyetje vetës “Pse më del mua kaq pak”? Sepse unë nuk gënjej pra dhe po të jap vetëm një shembull se mund të jap edhe plot shembuj të tjerë të lidhen drejtpërdrejtë me jetën tënde, nëse je këtu në Shqipëri, që unë nuk gënjej, nëse je jashtë, e ke edhe më kollaj që ta kuptosh që unë nuk gënjej sepse nëse je jashtë, nuk je si ata që nisen pas berihajit se kujtojnë se jashtë do gjejnë mrekullinë por e dinë shumë mirë se si të është shtrënguar xhepi dhe si të është shtrënguar muaji dhe se si mezi po merr frymë për të dalë deri në fund të muajit. Ata që thonë “Shiko se ata jashtë e kanë rrogën më të madhe” duhet të llogarisin që ata jashtë i kanë edhe shpenzimet shumë më të mëdha.
Ka dalë dhe një “Poshtë komunistët”.
-Dy ditë më parë, në mediat meksikane është publikuar një lajm ku thuhet se karteli i Sinaloas ka lidhje të ngushta me Shqipërisë, konkretisht me vëllezërit Hysa, njëri prej të cilëve në mediat shqiptare ditën e djeshme është publikuar një fotografi e dy viteve më parë në zyrën tuaj. Cila është marrëdhënia me Luftar Hysën, marrëdhënia juaj dhe si i komentoni akuzat e medias meksikane mbi pastrimin e parave të kartelit të Sinaloas në Shqipëri?
Kryeministri Edi Rama: E para punës, unë nuk mendoj se ka ndonjë dallim të madh midis medias në fjalë, meksikane dhe medias tuaj, për shembull. Unë mendoj që është e njejta gjë, që do të thotë që mund të thuhen të vërteta,por mund të thuhen dhe gënjeshtra. Mbi të gjitha, unë e konsideroj të neveritshme që me një copë letër që del diku, me një artikull që del diku, kudo qoftë, merret një familje e tërë shqiptare dhe kryqëzohet këtu nga mëngjesi në darkë pa e pyetur fare “Ore kush jeni, me çfarë merreni” dhe pastaj lidhet njeriu më i kërkuar në botë, pasuria e të cilit thuhet se është më e madhe se GDP e Gjermanisë me një hotel me më pak se 100 dhoma në Vlorë dhe një nga kartelet më të mëdha të botës i pastroka paratë në Shqipëri.
Nuk e di si bëhet këto pa asnjë kërkim, pa asnjë verifikim, thjeshtë kap shqiptarë, kap amerikanë, kap emra, përplasi pas muri, ngriji e uli trafikantë, ngriji e uli kriminelë, ngriji e uli të të gjitha të zezave, ju qofshi dhe Zoti ju pastë nën kujdes të gjithëve ju që merreni me këtë sport.
Është realisht e dhimbshme dhe është realisht e neveritshme, por unë jam krejt i pafuqishëm për të bërë çfarëdo gjëje tjetër përveçse për ta vënë fuqinë time në dispozicion të vërtetave dhe fakteve.
Unë nuk njoh ndonjë kartel, unë nuk kam asnjë lidhje me ndonjë aktivitet ilegal, unë nuk jetoj për të ngrënë më shumë dhe për të jashtënxjerrë sa më shumë. Unë jetoj për ca arsye të tjera që nuk ka mbase asnjë mundësi që tjua shpjegoj. Iu kam lënë Zotin të gjithë atyre që ndërtojnë të tilla fabula, jo vetëm për veten time, jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që përfshihen në këto vrulle të paimagjinueshme sulmesh dhe goditjesh që shkatërrojnë familje, shkatërrojnë jetë njerëzish, shkatërrojnë nerva, shkatërrojnë fëmijë dhe gjithçka.
Ju qofshi, nuk di çfarë të them. Doli një artikull atje dhe mbushet gjithë rrjeti i kanaleve të vatanit këtu me një llumhane që nuk di si bëhet për ta frenuar. Është e tmerrshme.
Pyetje nga qytetarët në rrjetet sociale: “Kosova që ka më pak buxhet se ne i dha njerëzve shumëfish të paketës suaj, 100euro pensionistëve, 100euro për studentët, 50% të punonjësve e të tjerrë. Ju duket mjaftueshëm kjo rritja e fundit e pensioneve?
Kryeministri Edi Rama: Thashë dhe më parë, mjaftueshëm nuk është absolutisht asgjë sot, sidomos përballë kësaj krize, nuk ka gjë që të thuash mjaftueshëm. Vështirësinë e ndjejnë të gjithë dde që ta bësh vështirësinë krejt të pandjeshme, kjo është e pamundur. Këtë nuk e bën dot as Gjermania që është vendi më i pasur dhe më i zhvilluar i Europës e jo më ne. Krahasimet çalojnë gjithmonë, thonë, dhe ky krahasim çalon sepse në vend të një pakete që jepet njëherë, gjë që ne e bëmë, këtë gjë ne e kemi bërë me paketën e parë. Kemi dhënë 3 muaj rresht një mbështetje pak a shumë sa kjo e Kosovës, por në këmbim të një mbështetjeje që jepet njëherë, ne preferojmë të bëjmë një rritje që është aty përgjithmonë dhe nëse marrim shumën totale që vihet nga buxheti i shtetit për atë shtresë, në rastin konkret për pensionistët, atëherë kemi komplet tjetër pamje sepse kemi të bëjmë me një rritje që sic thashë, është e shtrirë në kohë, që do jetë aty për pensionistët gjithmonë. Konkretisht, me suportin që ne i japim pensionistëve, do të kemi jo vetëm cfarë do të paguhet deri në fund të këtij viti por do kemi afro 85 milionë dollarë të tjera plus vitin e ardhshëm, për të qenë të qartë. Ashtu sikundër, kemi me këtë mbështetje të dytë indeksimin për peronat me aftësi të kufizuar, kemi mbështetjen për fermerët dhe peshkimin, kemi rritjen për gjithë familjet me ndihëm ekonomike, kemi dyfishimin e ndihmës ekonomike për gratë kryefamiljare me 2 fëmijë, bëmë atë për gratë me 3 fëmijë çka e kishim dhe nga Këshillimi Kombëtar, tani shkojmë dhe me gratë kryefamiljare me 2 fëmijë, që i përkasin asaj kategorie dhe faktikisht kemi administratën publike për të cilën kemi një efekt 30 milionë të tjera, që do të thotë që me këtë ndërhyrje e cila fillon menjëherë, ne për vitin e ardhshëm kemi plus 13.5 miliardë ose rreth 130 milionë dollarë apo euro, si të doni, pak a shumë aty rrotullohen, që po të bëjmë llogarinë me një paketë të vetme janë shumë më tepër. Mjaftueshëm në raport me krizën është fjalë e madhe për ta pretenduar.
Po më bëjnë me shenjë që nuk kam dhënë një përgjigje njërit prej gazetarëve lidhur me zbardhjen e rastit me dhënien e një përgjigje përfundimtare nga ane Policisë së Shtetit. Nëse përgjigja do të ishte aty e do të ishte mbajtur e fshehur do të dilte për nëntë ditë por besoj që duhet të kemi pak më tepër durim për të marrë një përgjigje përfundimtare dhe jam shumë besimplotë që do ta kemi shpejtë, sepse përgjigja e Policisë së Shtetit duhet të jetë një përgjigje besoj unë që duhet të mbështetet dhe në prova, nuk është thjesht një përgjigje të cilën pak a shumë e kemi që sot, por nuk mund të thuhet zyrtarisht sepse kërkon të jetë e provuar.
Për sa i përket protestës së pedagogëve më vjen shumë keq por mbase është momenti për ta përsëritur që me forcë dhe me ultimatume, kësaj qeverie dhe mua nuk i merret gjë, aq më tepër në këtë kohë krize, aq më tepër kur me të gjithë rektorët e universiteteve ne kemi një tryezë të hapur të vazhdueshme, një dialog shumë pozitiv dhe konstruktiv që na ka dhënë disa rezultate pozitive. Kemi një tryezë tjetër me ta, tryezën e shtatorit, për shkak të angazhimit tim në Kombet e Bashkuara që fillon me ikjen nesër e për këtë arsye mendova të bëjmë dhe këtë bashkëbisedim, mbase mund të bëhet në ditët e para të tetorit, pra ose në ditët e fundit të shtatorit, në ditët e para të tetorit, do të kemi tryezën tjetër me rektorët. Kemi folur dhe për çështjen e pagave të pedagogëve por jemi në një tjetër kontekst, mos harrojmë, universiteti ka të tjera horizonte për të kapur dhe nuk është një administratë publike e zakonshme, nuk është as sistemi para universitar. Universiteti me autonominë e tij e me gjithë reformën që është ende në proces dhe është ende larg së qeni e implementuar, ,duhet të jetë në gjendje të krijojë të ardhurat e veta dhe sot në universitetin e Tiranës kemi disa të dhëna shumë interesante që flasin për rritjen e të ardhurave të pedagogëve si rezultat i rritjes së vëmendjes falë lidershipit të ri të universitetit, ndaj programeve ndërkombëtare.
Kemi shumë më tepër akses në fondet europiane, kemi shumë më tepër të ardhura nga fondet europiane e si rezultat i kësaj kemi një numër më të madh pedagogësh që janë përshirë e kanë të ardhura më të mira. Të merituar plotësisht e ne nuk do bëjmë për universitetin asnjëherë që të jeni të qartë, sepse është kundër filozofisë së reformës, një rritje të përgjithshme të gjithë njësoj. Këtë ne nuk e bëjmë. E para, universitetet mund ta bëjnë vetë, ne ua kemi dhënë ok, na e kanë kërkuar një miratim për t’i rritur pagat e pedagogëve deri në 20% me të ardhurat e tyre, pa cënuar asgjë tjetër, i kemi thënë patjetër, këtë mund ta bëni, por me buxhetin e shtetit, me të ardhurat e mbledhura nga kontributi i taksapaguesve, ne do të shikojmë çfarë secili universitet i jep shoqërisë, i jep taksapaguesve mbrapsht si kontribut, jo thjeshtë studentë që dalin e marrin diplomë e patjetër do të vlerësojmë suksesin. Pra po përgatisim një mbështetje të re për universitetin nuk diskutohet, që do të përfshijë edhe rritje pagash nuk diskutohet, por këto daljet me bllokime dhe me kërcënime dhe që duam kaq ose ramë e vdiqëm, këto janë edhe nuk e di se si janë këto në një kohë krize, kur në fakt duhet të dilnin të tjerë por nuk dalin, janë shumë më mirëkuptues pensionistët se sa disa që nuk e di se a meritojnë edhe rrogën që kanë jo më të marrin edhe shtesë rrogë. Nuk e kam rastin konkret por e kam fjalën për disa që bërtasin më shumë se të gjithë dhe shpesh herë ndodh që janë ata që janë më mirë se të gjithë dhe pa meritë fare.
– Zoti Kryeministër, në deklaratat publike që keni bërë si ju dhe zonja Balluku, shpesh herë u keni bërë thirrje qytetarëve për të kursyer energji por keni marrë dhe shembuj nga shtetet e tjera, një prej tyre Zvicra, që sipas jush ka marrë një masë të tillë që në rast se o të ngrohen me kondicionerin 19 gradë mund të dënohen edhe me burg. Ndërkohë në një reagim në një prej mediave në Shqipëri, ambasada e Zvicrës i ka mohuar këto deklarime duke thënë që janë një keqkuptim. A është një kjo mënyrë që keni zgjedhur për të bindur qytetarët që të kursejnë energji? Dhe pyetja e dytë lidhet me aktualitetin politik duke qenë se në kuvend ka një sërë nismash e projektligjesh që kërkojnë bashkëpunimin mes opozitës dhe maxhorancnës. A ka ndonjë mundësi që të ndryshoni qasjen ndaj opozitës së Sali Berishës apo na pret e njëjta retorikë politike? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Retorikën ua kam lënë atyre që merren me retorikë. Unë nuk bëj retorikë dhe e imja nuk është retorikë politike, i imi është një vendim i prerë. Ju mund të çuditeni kur pas kaq kohe rikthehemi tek financimet ruse dhe thoni, “po mos vallë i ka penguar Edi Rama që të zbardhen këto?” Unë nuk mund të çuditem, nuk e kam luksin që të çuditem dhe jam në një punë që nuk çuditem dot sepse di më shumë, për shkak të detyrës. Ne kurrë nuk do të bashkëpunojmë me atë bërthamë absolutisht të dëmshme për jetën tonë publike që ka në thelbin e vetë një personazh, interesi privat i të cilit është kthyer në një burim turpi për Shqipërinë në marrëdhëniet me aleatët tanë strategjik dhe në një burim helmi për shoqërinë shqiptare. Ne nuk e vendosim dot se kë zgjedhin të tjerët, është e drejta e tyre, ne kemi të drejtë të zgjedhim se me kë flasim, me kë nuk flasim, me kë bashkëpunojmë, me kë nuk bashkëpunojmë. Kjo është e drejta jon dhe ne nuk mund në asnjë formë të administrojmë dhe të bëjmë sikur nuk e shohim një forcë politike non grata komplet. Sepse pavarësisht se aty mund të ketë individë të tjerë që nuk janë të klasifikuar si të pa pranueshëm për SHBA dhe jo për arsye të paqarta, por për minim të demokracisë, për korrupsion masiv. Korrupsioni masiv që çuditërisht prokuroria nuk e ka parë për kaq shumë vite, që çuditërisht drejtësia nuk e ka parë për kaq shumë vite, etj etj se s’po hyj më tutje këtu por pavarësisht thashë se nuk janë të tillë, mbështjellja rreth thelbit të asaj bërthame i bën absolutisht pjesë e një realiteti që për ne është i papranueshëm dhe ne në atë realitet nuk duam të ndër veprojmë. Nuk do ketë asnjë bashkëpunim, asnjë dialog, asnjë komunikim sic nuk ka as nga aleati ynë strategjik dhe sic nuk ka as nga të tjerët.
Po ju them që të mbështesësh dhe të konsiderosh si realitet normal një realitet i cili riprodhon një izolim të plotë ndërkombëtar të Shqipërisë është bashkëfajësi. Ne nuk bëhemi dot bashkëfajtorë në këtë. Ju keni detyrën të informoni, keni detyrën t’i dëgjoni të gjithë, por përsëri unë për veten time ndihem keq kur ju dëgjoj që dhe i citoni ato burime, burime dezinformomi masiv. Burime talljeje masive. Pse më pyesni mua juve dhe nuk shkoni të pyesni mbrapa atje kur ju thonë që na kanë marrë atë kompjuterin. Pse nuk i thoni ju: ore, po na fal por i ke dalë për zot kësaj pune zoterote. Je ti që na ke thënë ; ku ka financime ruse këtu, kjo është një shpifje! Mban përgjegjësi apo kur dua unë ti je i virgjër dhe kur s’dua unë ti je i përdalë. Jo, kështu nuk funksionon. Faleminderit.
Kishim dhe nja dy pyetje për mos gabohem pashë një moment në ekran për energjinë përsëri, për Vlorën . Ok, Nëqoftese nuk janë, thjesht sepse është një tjetër temë po e prek vet, që ka të bëjë me gjithë dezinformimin e madh lidhur me dy termocentralet lundruese që janë sot në gjirin e Vlorës të cilat faktikisht do të fillojnë prodhimin në 1 janar, dhe për të cilat çfarë nuk është thënë.
‘Jo vijnë nga Bangladeshi, jo do të helmojnë Vlorën, ku di unë se çfarë’. E vërteta është që ato kanë ardhur sepse janë pronë e kompanisë amrikane ‘Excelerate Energy’. Me kompaninë amerikane ‘Excelerate Energy’ ne kemi projektimin e transformimit të Tec-it të famshëm të Vlorës i cili prej vitesh u ndërtua, u shpenzuan shumë miliona, dhe nuk u ndez kurrë, dhe u la një gërmadhë që nuk i afrohej dot njeri në një burim energjie me gaz të lëngshëm. Do të kemi 100 megavat plus në fund të vitit 2023 dhe 200 të tjera plus, domethënë 300 megavat do të prodhojë vetëm ai termocentral. Plus këto dy termocentrale lundruese janë termocentrale të cilat do të na japin 114mega, që është e rëndësishme për një balancë energjetike në kushtet e krizës dhe ato jo nuk kanë ardhur këtu si rrënoja por kanë ardhur këtu si një rezultat i një pune të jashtëzakonshme këmbëngulëse diplomatike deri në nivelet më të larta sepse të gjesh sot, në kushtet e krizës, të tilla struktura është e pamundur, nevojë kanë të gjithë dhe të tilla struktura janë pak. Kjo kompani të tilla struktura ka vendosur në Manhattan, ka vendosur në Berlin. Pra, nuk jemi në kushtet ku na kanë ardhur ca teneqe që të tjerët i kanë sjellë këtu por jemi në kushtet kur kemi shtuar fuqi energjietike për vendin tonë dhe jemi në kushtet kur po punojmë për një strategji pavarësie energjetike të Shqipërisë, që e kemi filluar që ditën 1 të qeverisë sonë.
Ka shumë njerëz që thonë “Po pse u kujtuat tani? Keni 9 vjet”? Nuk është kështu, nuk jemi kujtuar tani ne për asgjë por cdogjë kërkon kohën e vet sepse të bëheshin të tëra gjërat për 9 vjet, do ishin bërë njëherë në 500vjet shtet këtu ose po themi, realitet politik këtu dhe në 100 e kusur vite shtet por nuk u bënë. Po bëhen tani dhe do bëhen tani dhe do bëhen deri në fund, me gjithë pengesat dhe vështirësitë, plus dhe me gjithë stërkëmbëshat dhe të përpjetat dhe tatëpjetat artificiale që na i vënë përpara xhahajdurët e politikës dhe të medias. Do bëhen këtu të gjitha një për një dhe Shqipëria do jetë një vend i pavarur, sovran dhe eksportues neto i energjisë brenda vitit 2030. Kjo mund të duket pak por është shumë e sigurt.
Ne do ta kalojmë këtë krizë më mirë sesa shumë të tjerë dhe shumë më të fuqishëm sesa ne. Përsa i përket atij shembullit që sollët ju, nuk e kam dëgjuar këtë keqkuptim por nuk ka rëndësi. Mbase mund të jetë një shembull që vjen si rezultat i një keqkuptimi, mbase kam rënë dhe unë viktimë e një informacioni jo të plotë dhe të saktë, kërkoj ndjesë. Jemi në një kohë të tillë por kjo nuk do të thotë aspak që bota nuk është e mbushur me masa të tilla shtrënguese. Është plot e përplot me masa të tilla shtrënguese. Unë do ta verifikoj dhe do ta marr vesh saktësisht se si qëndron rasti por mund të shkoni të shikoni Gjermaninë, mund të shkoni të shikoni Zvicrën, mund të shkoni të shikoni Britaninë e Madhe. Mund të shikoni si vende të zhvilluara që nuk iu shkon mendja po paraqesin para popujve të tyre planet e shkurtimeve të energjisë, të kufizimeve të furnizimit me energji, gjë që ne nuk kemi dëshirë ta bëjmë dhe nuk kemi në plan për ta bërë. Mund të na vijë nevoja, do ta ndajmë me ju por sot për sot nuk kemi në sirtar ndonjë plan që të dalim e t’iu themi “Kaq orë do shkurtohen”.
Atyre që më përmendin Kosovën, i them që Kosova ka halle shumë të mëdha të një natyre tjetër që janë halle që vijnë nga një strukturë tjetër komplet e prodhimit të energjisë dhe nuk është cështja thjesht e qeverisë sot por Kosova ka kufizime të rënda energjie dhe përgatitet për një dimër me kufizime edhe më të rënda. Ndërkohë, ne jemi në bashkëpunim të ngushtë me Kosovën për të dhënë e për të marrë që të mbështesim njëri-tjetrin dhe ta ndihmojmë Kosovën sa më shumë. Pra, llogaritë nuk bëhen asnjëherë pa anxhinj, thotë populli.
Nëse nuk ka dicka tjetër nga gazetarët, ne besoj që me bashkëbiseduesit në rrjete sociale e kemi ezauruar pjesën kryesore të pyetjeve. Kjo “Kollaren e paske të bukur”.
Ah, ka qenë dhe një pyetje tjetër, që ta mbyllim me buzëqeshje, “Si i bëhet puna e Juves, a do dali Juvja nga kjo gjendje”. Unë nuk jam fare një ekspert, unë jam juventin, por do t’iu jap, nuk e di nëse jua kam thënë, por unë dua që Juvja të fitojë. Juvja po kalon një periudhë shumë të vështirë, por unë kam një ngushëllim që kam mikun tim Mourinjo që po ecën mirë apo përpiqem dhe unë të bëj një balance energjetike mes te dyjave, por gjithmonë ka një periudhë kur shkon më keq. Unë shpresoj që Juvja ta shfrytëzojë këtë moment për t’u bërë më mirë seç ishte para se të bëhej më keq.
Karakteristika e fitimtarëve dhe guximtarëve është që nuk lënë moment të keq pa e kthyer në një mundësi për të dalë prej tij edhe më mirë. Siç bëmë ne me tërmetin, siç bëmë me pandeminë, siç do të bëjmë edhe me krizën energjetike. Nuk i zgjodhëm këto, ato na zgjodhën ne dhe thonë që Zoti i zgjedh ata, të cilëve iu vendos barrat e rënda. Faleminderit shumë!