Bashkëbisedim i Kryeministrit Edi Rama me përfaqësues të biznesit holandez që operojnë në Shqipëri dhe me investitorë të tjerë holandez të interesuar për të zgjeruar aktivitetin e tyre në vendin tonë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Bashkëbisedim i Kryeministrit Edi Rama me përfaqësues të biznesit holandez që operojnë në Shqipëri dhe me investitorë të tjerë holandez të interesuar për të zgjeruar aktivitetin e tyre në vendin tonë

Ditën e sotme Kryeministri Rama sëbashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe me ministren e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj zhvilluan një bashkëbisedim me përfaqësues të biznesit holandez që operojnë në Shqipëri, si edhe me investitorë të tjerë, të interesuar për të zgjeruar aktivitetin e tyre në vendin tonë.

Dy kompani prestigjioze holandeze si SHELL dhe Royal Haskonin janë tashmë të stabilizuara në tregun shqiptar, teksa synimi është që të tjerë të ndjekin këto shembuj. Ministrja Balluku u shpreh gjatë takimit se, “Shqipëria është një vend që rritet dita ditës. Jemi në një moment shumë dinamik kur vjen fjala për rezultatet në infrastrukturë. Kemi nisur të transformojmë tashmë sektorin e aviacionit civil, duke siguruar në fund të 2025, 3 aeroporte ndërkombëtare, nga 1 që kishim deri në vitit 2021. Gjithashtu synojmë të hapim e të zhvillojmë projekte të tjera që do të ndihmojnë e mbështesin turizmin dhe gjithë zhvillimin e vendit”.

Nga ana tjetër, ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Ibrahimaj e vuri theksin tek lehtësitë që bizneset kanë për të operuar në vendin tonë. “Kemi punuar shumë gjatë viteve të fundit për të krijuar procedura të lehta, të aksesueshme dhe transparente dhe investimi që qeveria ka bërë për digjitalizimin e shërbimeve ka kontribuar në këtë gjë. Kemi 95% të shërbimeve që ofrohen krejtësisht online, që nga regjistrimi, tek deklarimi tatimor, çdo gjë është elektronike, me procedura të lehta, që shmangin kontaktin me individin”.

***

Kryeministri Edi Rama: Kam privilegjin të jem këtu me ju dhe ju falenderoj shumë që gjetët kohën dhe bëtë përpjekjen për të qenë këtu me ne dhe për të ndarë disa momente. Edhe pse mund të duket paksa larg në pamje të parë, Holanda është mjaft e pranishme në Shqipëri.

Këtu janë disa prej aktorëve kryesorë të kësaj pranie në një marrëdhënie shumë të rëndësishme për ne që duam ta thellojmë e ta zgjerojmë sa më shumë të jetë e mundur.

Jam shumë i lumtur dhe i nderuar të shoh këtu Francine Houbenqë është një nga pionierët e kësaj marrëdhënieje, sepse ka qenë ndër të parat e këtij vendi që ka parë e ka ofruar një kontribut mjaft të çmuar me talentin e saj të jashtëzakonshëm, studion e saj arkitekturore për vendin tonë. Po kështu bënë edhe arkitektë të tjerë të rëndësishëm dhe talente të shkëlqyer të këtij vendi.

Kemi edhe kënaqësinë e privilegjin për të pasur në vendin tonë SHELL-in që është në fakt skaji krejt i kundërt i Francine dhe i arkitektëve për shumë arsye. Ne kemi shumë shpresë që së shpejti do të mund të ndajmë më opinionin tonë publik dhe pse jo edhe me atë rajonal dhe përtej rajonit, një zbulim shumë të rëndësishëm që SHELL po arrin të realizojë në vendin tonë. Si çdo holandez i mirë, ata hezitojnë të flasin për shifra për momentin por shenjat tregojnë se mund të jemi në fazën e një zbulimi shumë, shumë të rëndësishëm në tokë, të gazit dhe naftës që jo vetëm do të ndikojë jashtë mase të ardhmen e vendit tonë, por në këto rrethana të caktuara do të luajë rol edhe në të ardhmen energjetike të Europës.

Nuk dua të flas ngjatë në hyrjen time. Është gjithmonë mundim për dikë që vjen nga Ballkani dhe për dikë që drejton diku në Ballkan që të flas shkurt. Zakonisht jemi konsumatorë të mëdhenj të kohës dhe fjalëve, por mendoj që është më e arsyeshme që t’i kaloj fjalën Belindës, ministres për Energjinë dhe Infrastrukturën për t’ju dhënë disa informacione konkrete për sektorin dhe pastaj ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delinës për disa informacione kryesore për klimën e biznesit në përgjithësi, për atë çka ka ndryshuar për ta bërë mjedisin edhe më miqësor jo vetëm për investuesin por edhe për miqtë në përgjithësi. Po shohim një rritje të rëndësishme të turistëve holandezë kohët e fundit, edhe falë TIMOL-it që në një farë mënyrë ka ndihmuar në shfaqjen e një Shqipërie ndryshe edhe pse ekipi i tyre u habit dhe habia u përcoll nga ekipi tek publiku sepse nuk prisnin aspak të gjenin vendin që gjetën. Erdhën praktikisht falë ambasadorit që i kishte përndjekur për një kohë të gjatë dhe në një farë mënyrë donin ta hiqnin qafe dhe vendosën të ndalonin në Shqipëri dhe pastaj të vijonin nëpër Ballkan për të gjetur vendin më të mirë dhe meqë ra fjala nuk mundën të hiqnin qafe as Adrianin, as Shqipërinë kështu që kjo është një gjë e mirë, një gjë shumë e mirë.

***

– Kam qenë në Shqipëri në 1992 dhe më kujtohet kur hyra në Tiranë, ishte me gropa kudo. Më kujtohen vetëm Mercedezë të zinj. Gjetëm një partner lokal konsulent dhe i thashë le të shkojmë tek zyra jote. Shkuam tek zyra e tij dhe në fakt ishte një lloj zyre, një banesë në një bllok apartamentesh. Këtë kujtoja nga 1992. Zonja Balluku përmendi tenderin e hapur për Porto Romanon, projektimin dhe planifikimin e një porti të ri dhe i thashë është një projekt shumë sfidues, por sfida është diçka që na pëlqen. Thamë që do ta bëjmë e do të fitojmë. U përballëm me gjithë konkurrencën nga vendet fqinje. Fituam tenderin dhe kam 8 muaj që jam në Shqipëri dhe ndryshimi nga viti 1992 është fenomenal. Ndryshimi në klimë, në kuptimin e klimës së biznesit dhe Tirana ka kaq shumë gjallëri dhe frymë pozitive. 

Kryeministri Edi Rama: Mu desh të tregoja dje një histori interesante me një holandez i cili erdhi në Tiranë, një VIP, nuk do ta përmend se kush është se duhet ta njihni dhe marr një mesazh nga drejtori i zonës VIP në aeroportin e Tiranës ku më thuhej: “Të lutem më merr urgjentisht”!

Mendova se kishte ndonjë zjarr, ndonjë bombë apo diçka katastrofike sepse, pse më duhej të merrja me urgjencë në telefon zonën e VIP-it në aeroport? Mora në telefon dhe ajo më thotë: “Ndjesë që po të shqetësoj, por më duhet orientim. Kemi një situatë mjaft unike që s’jemi hasur ndonjëherë dhe askush s’di ç’të bëjë”. I thashë “çfarë ka”?! Më thotë, “kemi një VIP me dhjetëra njerëz që nuk duan të hyjnë në Tiranë. Pra ka ardhur, por nuk do të vijë aty. Pikërisht kështu. Nuk do të vijë sepse nuk ndihet i sigurt. Po kërkon automjete të blinduara dhe roja të armatosura”, dhe pastaj më thotë se kush ishte ky person dhe i thashë, “me statusin që ka mund të marrë gardën e Republikës”. Më thotë, “janë këtu, por nuk i ka marrë seriozisht sepse kanë vetëm pistoleta. Do armatime më të rënda”. I thashë, “në rregull, ndoshta atij njeriu i duket sikur ka ardhur në Kandahar apo në Gaza, po ne nuk e ofrojmë këtë shërbim”, dhe pastaj pas 45 minutash mora një mesazh që personi në fjalë kishte mbërritur.

Në mëngjes e prita në takim. Nuk e di nëse e dinte, se unë e dija se çfarë kishte ndodhur një ditë më parë, por erdhi dhe më thotë: “Kryeministër ju detyrohem një ndjesë të thellë”. I thashë pse?

Më thotë, “sepse jam njeri i botës dhe kam udhëtuar në kaq shumë vende, por nuk më ka ndodhur kurrë që të bie në një grackë kaq të madhe midis asaj ç’ka prisja dhe asaj ç’ka gjeta në këtë vend. Është një ndryshim kaq ekstrem”. I thashë, “po, por nuk je i vetmi. Të gjithë bien në këtë grackë midis perceptimit të krijuar nga leximi i lajmeve për shumë vite jashtë dhe realitetit”. Më tha, “jo, jo. Mbrëmë ne ishim te zona e jetës së natës në Tiranë dhe u trondita sepse është njësoj si në vendet europiane dhe deri më tani nuk kam parë asnjë grua të mbuluar edhe pse është vend mysliman. A mund ta imagjinosh”? I thashë, “mund ta imagjinoj sepse nuk ka gra të mbuluara në Shqipëri dhe nuk është vend mysliman. Është një vend me myslimanë dhe të krishterë dhe është tërësisht një vend europian”. Dhe më tha, “pastaj shkuam në një X ministri dhe njerëzit flisnin anglisht”. “Oh, vërtet”, i thashë.

Kështu që po, është një problem shumë i madh që na duhet të përballojmë me perceptimin, po ndryshon, por faktikisht unë kam zhvilluar të njëjtin bashkëbisedim disa vite më parë me njerëzit e SHELL-it sepse kishin të njëjtat ndjesi, kishin të njëjtat mbresa sa i përket punës pa pengesa me administratën dhe kështu ndodh në përgjithësi.

Nuk dua që të presupozoj tani që nuk ka korrupsion, që nuk ka burokraci. Patjetër që ka, por ndryshimi është vërtet, vërtet shumë i thellë dhe tashmë kemi kaluar në një situatë ku të gjitha shërbimet tona publike, së paku 95% e tyre janë online.

Kështu që nuk ka nevojë të shkosh nëpër zyra. Ne kemi mbyllur të gjitha sportelet sepse nuk kemi nevojë më për ndërmjetës. Ka një platformë që mund të shkosh kudo ku gjendesh në botë, jo vetëm në Shqipëri dhe mund të përftosh shërbimin dhe ka shumë pak shërbime, si martesa, që nuk bëhen dot online, por pjesa tjetër është plotësisht online dhe kjo sigurisht e ka ulur shumë shkallën e korrupsionit sepse e ka eliminuar personin e ndërmjetëm dhe kaq shumë zyrtarë që deri më dje ishin një dhimbje koke për njerëzit, janë tashmë në pamundësi të plotë për të takuar njerëzit. Ju duhet të punojnë pas ekraneve për të siguruar dokumentacionin dhe për të siguruar shërbimet e kështu me radhë të tjerat.

Ndaj besoj vërtet që jemi në rrugë të mbarë. Sigurisht ka ende shumë për tu bërë, po unë besoj fort që ka ardhur koha që më shumë të vijnë e të investojnë se siç e tha dhe Delina, nuk lidhet thjesht me Shqipërinë. Është një treg i vogël sigurisht. Për SHELL-in kjo lidhet me zbulimin e gazit dhe të naftës. Për Royal Haskoning ka të bëjë me projektimin e një porti të ri, për arkitektët ka të bëjë me projektimin e adresave të rejave dhe ndoshta nuk ka shumë vlerë madhësia e tregut, por madhësia e tregut nga ana tjetër ka shumë rëndësi dhe çka po bëjmë përmes Ballkanit të Hapur është pikërisht kjo, po e zgjerojmë tregun dhe po sigurojmë një transport tërësisht pa pengesa në këtë treg që shkon përtej 3 milionëve që jemi ne dhe që shtrihet për të mbërritur tek gati 20 milionë njerëz. Porti do t’i ndryshojë gjërat, aeroportet e reja do të ndryshojnë gjërat, pra do të vazhdojnë të ndryshojnë gjërat, por vijmë nga shumë pas.

Duke folur për rajonin, imagjinoni vetëm diçka. Bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, koha e pritjes për kamionët në Ballkan për të shkuar nga një vend në vendin tjetër, në një vit ishte 1100 vjet në orë. Kështu që, ky nuk është treg, është një hapësirë shumë e bllokuar, por tashmë po ndryshon, janë hapur korsitë e gjelbra dhe po ecim përpara në këtë drejtim.

– Emri im është Paulin Zejan drejtues i një kompanie në Amsterdam. Ne organizojmë dhe investojmë në mbarë botën, në Meksikë, në Turqi, në Kinë por ajo çfarë shohim kur investojmë jashtë është se stabiliteti politik është diçka që rrezikon, po të shikosh situatën e kurdëve në lindje dhe perëndim, ne ndalëm investimin në Turqi për shkak të situatës lokale atje. Pra, si e parashikoni të ardhmen dhe stabilitetin politik të Shqipërisë?

Kryeministri Edi Rama: Shqipëria ka një element specifik, do thoja, përtej stabilitetit apo jo stabilitetit ngushtësisht politik. Shqipëria është shumë mikpritëse ndaj të huajve. Të huajt që vijnë në Shqipëri, nga qytetarët normalë, tek investuesit e mëdhenj marrin një trajtim shumë të veçantë, në përgjithësi. Nuk po them që nuk ka përjashtime po në përgjithësi Shqipëria është më së shumti një vend i cili përgjatë historisë është zhvilluar me një ndjenjë shumë të fortë mikpritjeje. Në ligjin tonë të parë zakonor, Kanunin, elementi më elementar i bashkëjetesës është mikpritja dhe paragrafi ynë i parë apo po themi fjalia hyrëse në Kanun është; “Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut”, por thjesht jo vetëm mikut që fton, por edhe atij që vjen e të troket në derë. Pse e them këtë? Sepse kjo ka ende vlerë.

Sa i takon stabilitetit politik, po, kemi ndonjëherë protesta në 2000 metërshin katror të sheshit përballë zyrës së kryeministrit sepse jemi një vend ku të gjithë janë kryeministra më vete dhe ndonjëherë, kryeministri i vërtetë është shumë bezdi, por nuk çon kurrkund, është thjesht një element spazmatik i jetës sonë. Unë mendoj që ajo çka po kaloni me fermerët sot për sot në Shqipëri do quhej dhunë brutale kështu që nuk ka asgjë për tu shqetësuar për stabilitetin politik në përgjithësi dhe asgjë për tu shqetësuar për faktin që jeni i huaj apo një kompani e huaj sepse ne kujdesemi mirë për kompanitë e huaja dhe në përgjithësi marrim komente të mira prej tyre.

Ajo çka kemi bërë dhe bëjmë zakonisht me investuesit e mëdhenj është që kemi krijuar një të ashtuquajtur skuadër të rripit të zi, një skuadër të përbërë nga përfaqësues të ndryshëm të institucioneve të ndryshme, që merren drejtpërdrejtë me një projekt të caktuar dhe bëhen zyra mbështetëse e kompanisë. Pra, kompanisë nuk u duhet të shkojnë askund, nuk i duhet të shkojë tu trokasë dyerve për dokumentacion, nuk u duhet tu trokasë dyerve për licenca, nuk i duhet të presë, por është kjo skuadër e rripit të zi, që do të thotë nëpunës civilë të shtetit, që punojnë së bashku për të siguruar gjithçka për kompaninë.

Nuk mendoj se stabiliteti apo performanca burokratike përben problem për ndonjë kompani serioze.

– Nuk po flas si dikush që ka një profil nga politika apo nga qeveria. Flas për punën në Shqipëri nga zemra, jo nga koka por nga zemra. E dashuroj vendin, kam 2 vite që jetoj aty dhe në këndvështrimin tim si ekspert ligjor dua t’i shtoj pyetjes së stabilitetit politik pyetjen “Nëse një investues i huaj mund të mbështetet në një gjyqësor të paanshëm dhe të pavarur”. Po e bëj këtë sepse kam 2 vjet që punoj krah për krah me institucionet dhe nuk ka vend tjetër në botë dhe kam punuar për shumë kohë jashtë, që ka pranuar dhe zbatuar një sistem ku ka një reformë në drejtësi që rivlerëson të gjithë gjyqtarët në detyrë. Shqipëria e ka bërë dhe mendoj që ka shumë punë për të bërë, por nuk ka vend tjetër në botë që e ka pranuar një gjë të tillë dhe mund t’iu them që ka një sistem ligjor mjaft modern, që është i besueshëm, i paanshëm dhe i pavarur sipas këndvështrimit tim.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për këto fjalë, por do thoja se sistemi ynë i drejtësisë ende nuk është aty ku duhet, ende ka probleme por ajo çka ju po thoni lidhet me atë çka thashë më parë, që kur vjen fjala për investuesit që vijnë nga jashtë ka sigurisht shumë më tepër kujdes dhe vëmendje për të mos krijuar shqetësime. Kur vjen fjala për tanët, është më pak kështu, deri më tani, jemi shumë të mirë për të dëmtuar veten, por kur vjen fjala për të huajt është ajo çka ju thatë. Keni të drejtë dhe ju falenderoj për këto fjalë sepse janë të dobishme dhe vijnë nga një dëshmitar, por ende nuk kemi arritur aty ku duhet.

Kemi nisur një reformë e cila është vërtetë thelbësore për procesin tonë të shtetndërtimit, në kuptimin e procesit demokratik të shtetndërtimit dhe vettingu imponoi një pastrim shumë tërësor. pikëpyetja që ngrihet është; po, kemi pastruar thuajse 60% të gjyqtarëve ekzistuesve por 60% e vendeve bosh nuk është diçka vërtetë e lehtë për tu përballuar dhe për t’i zëvendësuar jo vetëm me gjyqtarë me integritet, por edhe me kapacitet sepse duhen të dyja, gjyqtarë, njerëz të aftë, por edhe të ndershëm. Njerëz të aftë dhe të pandershëm janë një problem por edhe njerëz të ndershëm dhe të paaftë përbëjnë një problem kështu që duhen të dyja dhe kjo nuk është e lehtë.

– Unë jam drejtuesi i një kompanie që ndërton infrastrukturë, lëvizshmërinë, transportin, logjistikën e me radhë. Pyetja ime ka të bëjë me këtë problemin “ishte veza, apo pula”? Po flas me gjasë edhe në emër të sektorëve të tjerë, kompanitë që janë në gjendje dhe mund të ofrojnë zgjidhje kërkojnë klientë, kërkojnë vende për të investuar. Nga ana tjetër, e kuptoj që një vend si i juaji përkon përzgjedhje specifike. Por ne nuk e dimë se cilat janë zgjidhjet specifike që ju kërkoni. Ajo që ne shohim si mënyrë për të zgjidhur këtë problem “Veza apo pula”, është ndoshta prania e një masterplani. Masterplani, në rastin tim për trafikun dhe transportimin, që është një mjet për të arritur objektivin, jo një objektiv në vetvete. Duam të dimë se cili është ky masterplan sepse kështu mund të hidhemi dhe të shohim se si mund t’iu ndihmojmë sepse në fund ka të bëjë me këtë çështje, si mund t’iu ndihmojmë. Pra, si merreni ju me këtë problemin “Veza apo pula”?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, dua të theksoj se ne kemi pasur privilegjin të punojmë, siç e thashë më parë, me arkitektë dhe planifikues urbanë nga ky vend, që është në fakt, parajsa e planifikimit urban, sipas meje. Kemi shënuar shumë përparim në këtë aspekt, por saktësisht për transportin kemi një masterplan, i cili është një masterplan i integruar me rrjetin europian të transportit në kuptimin e rrugëve. Sa u takon hekurudhave, aeroporteve dhe porteve thjesht duhet të vini e të ndani me ne idetë e mundshme apo ambiciet që keni nëse doni të bëni diçka në Shqipëri dhe ne do t’ju vëmë në dispozicion gjithçka që kemi, më pas do të jetë çështje kimie dhe çështje negociatash, por e kemi masterplanin. E dimë saktësisht se çfarë vjen më pas e më pas, e pastaj më pas sa i takon zhvillimit të transportit.

– Së bashku me mikun tim shqiptar kemi ngritur një biznes për bërjen e verës në veri të Shqipërisë, në Shkodër dhe tashmë prodhojmë verë nga varietet lokal i rrushit dhe mund t’ju them që jemi shumë të vegjël por ka qenë një aventurë e jashtëzakonshme dhe një aventurë pozitive. Për të thënë pak fjalë për këtë, vërtetë u habita kur nisëm të ndërtonim biznesin tonë të vogël të verës që gjithçka bëhej në kohë. Në fakt njoha edhe disa prej problemeve që u përmenden dhe një prej problemeve që hasa në veri të Shqipërisë ishte mungesa e dokumentacionit të pronësisë, zyrtar dhe pyetja lidhet me këtë. Çfarë prisni? Sepse ju folët për digjitalizimin, cili është plani për këtë çështje sepse mendoj që është një element kyç për vendasit qe të jenë në gjendje të nisin bizneset e tyre dhe të tërheqin edhe investuesit e huaj.

Kryeministri Edi Rama: Do doja t’ju thoja që ajo që ju keni nuk është diçka e vogël edhe pse ju jeni shumë modest. Kam dëgjuar çfarë bëni dhe produkti juaj është vërtetë i mirë. Në shtator nuk e di nëqoftëse jeni informuar tashmë, në fillim të shtatorit do të kemi një panair të madh verërash, në kuadër të Ballkanit të Hapur. Do të jetë panairi i verërave të Ballkanit të Hapur dhe ju dhe të gjithë shqiptarët që prodhojnë verë jeni të ftuar. Edhe shqiptari që kanë qenë aq të zgjuar sa të ketë një partner holandez, është i ftuar në çift.

Së dyti, është një histori tjetër e gjatë që nuk duam që kjo audiencë t’i hyjë, pronat. Kjo sagë e pronësisë, por dy gjëra. Në fushën ku ju punoni për shkak të një tradite ndryshe, ligji për rishpërndarjen e pronave pas komunizmit nuk u zbatua. Ka edhe gjëra të tilla në pjesën tonë të botës, që ligji edhe mund të mos zbatohet sepse ligji mbështetej në konceptin e shpërndarjes së tokës, të gjithë njerëzve që ishin anëtarë të kooperative komuniste, pra të shpërndahej një copë tokë e tu jepej mundësia që të bëheshin të vetëmjaftueshëm individualisht. Ndarja u bazua në një formulë, por në atë pjesë të Shqipërisë ku ju prodhoni, njerëzit njihnin kufijtë e vjetër, tokat e vjetra familjare. Po, e njihni historinë, kështu që praktikisht ata bënë diçka që nuk qe e mundur të bëhej në këtë nivel në të gjithë vendin, që mbështetur në kufijtë e vjetër dhe në traditën e tyre, të trajtimit të kësaj çështjeje si burrat, është pak shumë si burrat, por kështu është dhe ranë  dakord kështu. Ajo çfarë është bërë tani, është ndryshuar ligji për të ndryshuar kushtet që kjo të funksionojë. Tashmë shpërndarja ka nisur në disa zona. Nëse ende nuk ka nisur në zonën tuaj, do të bëhet, do të ndodhë.

Së dyti, iu gjithë procesi i digjitalizimit të titujve të pronësisë është në vijimësi dhe shpresoj fort që në 2024 i gjithë procesi i titujve të pronësisë do të jetë i digjitalizuar. Ky është lajm mjaft i mirë.

– Unë jam menaxheri i SHELL-it për Shqipërinë, SHELL u përmend disa herë. Doja që të hidhja një sërë idesh dhe natyrisht edhe për atë çka ju po thonit, kryeministër. Jam dakord që është një vend, ku si mik, si investues, kam dy vjet që jetoj aty, je mjaft i mikpritur dhe kam folur me të gjitha anët e spektrit politik në Shqipëri dhe një gjë për të cilën të gjithë janë të bindur, është se është shumë e rëndësishme për vendin, për Shqipërinë, që të ndodhin investime dhe të vazhdojnë.

Përpara këtij roli kam qenë menaxher i një prej kompanive të SHELL-it në Holandë dhe mund t’ju them se disa prej sfidave më të cilat përballemi këtu, janë të një natyre të ngjashme, ndoshta edhe më të mëdha krahasuar me ato që përballemi ne Shqipëri. Për mua, dallimi i madh dhe të flasim për një përvojë mjaft pozitive, është se kur ka probleme, dhe ka probleme hera herës, ka një qeveri, ka një pushtet vendor, ka një pushtet lokal që kërkon të ndihmojë dhe që kërkon të gjejë zgjidhje. Kjo është shumë e rëndësishme se po kështu na ka lejuar që të kontraktojmë shumë kompani lokale dhe më ketë, kjo është vërtetë përmbushëse sepse përveç të bërit të punës, të lejon të rritesh me njerëz që edukohen me veprimtarinë tënde, me njerëz që janë shumë të prirur të punojnë, që sigurohet punësim dhe kështu që mendoj se kjo është diçka reale që unë e kam parë duke qenë atje për dy vjet dhe kemi një biznes mjaft kompleks, kemi elementë të pronësisë së tokës, kemi elementët të tjera që mund të ndodhin aty.

Një gjë që mund të rekomandoj, kjo është edhe nga puna ime atje, është të jeni kureshtare. Jini kureshtarë për Shqipërinë, shkoni atje, është vetëm dy orë e gjysmë me avion dhe përjetoni atë çfarë mund të shihni.

Previous Holandë, Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama me Kryeministrin e Holandës, Mark Rutte

Leave Your Comment