Bashkëbisedim me pensionistë të kategorive të ndryshme për Paketën e Rezistencës Sociale. - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Bashkëbisedim me pensionistë të kategorive të ndryshme për Paketën e Rezistencës Sociale.

Sot, në Ditën e Verës, Kryeministri Edi Rama u takua me pensionistë të kryeqytetit për të informuar mbi Paketën e Rezistencës Sociale dhe mbrojtjen që ajo siguron në tërësi për qytetarët dhe bizneset e vogla, e në mënyrë të veçantë për kategori të caktuara të shoqërisë.

Indeksimi i pensioneve dhe kompesimi i rritjes së çmimeve të shportës janë dy nga pikat e Paketës që sigurojnë mbrojtje të drejtëpërdrejtë për pensionistët nga rritja e çmimeve, si pasojë e krizës ndërkombëtare, të prodhuar nga lufta. Konkretisht paketa parashikon:

3.3 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve në masë 3.3% për 673,813 pensionistë.

3 mijë lekë për 3 muaj, për:

-pensionistët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale;

-pensionistët që trajtohen me pension invaliditeti;

-pensionistët që jetojnë vetëm;

-Personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër;

-Të gjitha familjet në skemë ekonomike.

Në takimin e sotëm, merrnin pjesë edhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, si dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, të cilat shpjeguan për pensionistët përmes shembujve konkretë mënyrën e kompensimit të rritjes së çmimeve.

Kryeministri Rama siguroi se qeveria do të bëjë gjithçka që edhe kjo sfidë të përballohet me sukses të plotë. “Do bëjmë përsëri gjithçka që ju të mos ndiheni vetëm, që aq sa kemi mundësi, ta vëmë në dispozicion duke pasur parasysh që kjo edhe mund të zgjasë dhe duke pasur parasysh që do bëjmë siç kemi bërë gjithmonë. Ne jemi këtu për ju, jemi këtu për njerëzit.”

Mirë se ju gjetëm edhe njëherë!

Gëzuar juve dhe të gjithëve Ditën e Verës!

Është një Ditë Vere pak ndryshe nga të tjerat për shkak se jemi në një kohë jashtëzkaonisht të vështirë si rezultat i luftës që është rikthyer në Europë pas shumë e shumë dekadash dhe që shpresojmë shumë që të mos përhapet dhe të mbyllet një orë e më pare, por nuk e dimë dhe askush nuk e di sa mund të zgjasë.

Faktikisht, lufta me bomba, me plumba, me vdekje, me plagë, me shkatërrime, me shpërngulje nga shtëpitë zhvillohet në Ukrainë, por efektin e saj e ka pasur të menjëhershëm në Europë dhe në botë me faturat, me çmimet që janë rritur në mënyrë të befasishme dhe që kanë alarmuar tregjet, kanë krijuar një lloj paniku në momentet e para dhe kanë detyruar edhe qeveritë që të reagojnë.

Unë do doja të nënvijëzoja faktin se lufta ka ndikuar të gjitha çmimet, ndërkohë që kriza më e madhe, hëpërhë sot, mbetet një krizë tjetër, një krizë që ka nisur përpara luftës. Natyrisht që ka qenë pjesë e skenarit të luftës nga ana e Rusisë për të turbulluar tregun e energjisë, por kriza energjetike ka nisur përpara.

Ju e dini që, mbase jo të gjithë e keni ndjekur, që ne e kemi paralajmëruar fillimin e një krize energjetike serioze disa muaj më parë, përpara sesa ajo të merrte formën e saj të plotë dhe kur unë dola e fola për krizën energjetike që po jepte simptomat e para, pati shumë komente negative “Kjo është lojë, kjo është sajesë, kjo nuk ka lidhje se nuk ka krizë” e të tjerë.

Ndërkohë, ne kishim filluar ta konstatonim krizën sepse po rrriteshin çmimet e energjisë në treg, në tregun ku detyrohemi të dalim herë pas here për ta blerë energjinë. Këto çmime arritën në kulmin e të paimagjinueshmes, nga 52 euro megavat/orë, që ishte një minimum i qëndrueshëm për një periudhë të caktuar të vitit të kaluar, ne kemi kaluar deri në 550 euro megavat/orë, gjë që është e paimagjinueshme dhe që afekton drejtpërdrejtë ekonominë tonë.

Këtë energji që ne detyrohemi të dalim në treg për ta blerë sepse jemi në të tretin vit rresht, siç e shikoni, pa reshje të mjaftueshme, ku më shumë ka diell sesa ka re dhe më shumë ka re se shi apo dëborë dhe nga ana tjetër, ndërkohë që ne edhe në vitet e reshjeve të mjaftueshme, përsëri kemi nevojë të dalim në import, duhet ta paguajnë qytetarët, duhet ta paguajnë konsumatorët, konsumatorët familjarë dhe bizneset.

Po si mund të bëhet kjo?

Si mundemi ne që gjithë këtë ngarkesë financiare të krijuar nga kriza ta transferojmë tek faturat tuaja, tek faturat e pesionistëve, tek faturat e familjeve me të ardhura të ulëta apo mesatare, por edhe ata me të ardhura më të larta, me këto çmime e kanë jashtëzakonisht të rëndë goditjen në buxhetin e tyre. Ne nuk mund ta bëjmë këtë dhe çfarë duhet të bëjmë?

Duhet të financojmë nga buxheti i shtetit dhe vendimmarrja që ne kemi marrë qysh përpara se të fillonte lufta, qysh përpara se të dinim se çfarë mund të ndodhë dhe para se të mund të imagjinonim që çmimet të mund të shkonin deri në këto nivele, kemi marrë përsipër që ta paguajmë energjinë, pjesën e rritur të cmimit të energjisë, nga buxheti i shtetit.

Sot, kur vjen fatura në shtëpi vjen njësoj siç ishte përpara se të kishte ndonjë krizë, me 7 lekë kilovat për rreth 200 mijë familje me status ndihme ekonomike, pensionistë, invalidë e me radhë dhe 9,5 lekë për të tjerët.

Ndërkohë, llogaritë që mund të bëni për kuriozitetin tuaj, sot kur të ktheheni në shtëpi merrni faturën e energjisë, shikoni sa kilovat/orë keni konsumuar, ato kilovat/orë kanë nxjerrë vlerën përkatëse, duke llogaritur kilovatin me 9,5 lekë dhe vëreni kilovatin me 61 lekë, 610 lekë të vjetra e shikoni sa është shifra.

Ajo diferencë mes shifrës që keni aty dhe shifrës që del, është diferenca që paguan qeveria e Republikës së Shqipërisë për 726 mijë familje sot dhe për 95 mijë biznese të vogla.

Këtë nuk po e bën deri tani asnjë qeveri tjetër, as në rajon, as në Europë.

Të gjitha qeveritë e tjera që ne kemi ndjekur ka rritur çmimin e energjisë. Ka rritur edhe çmimin e ngrohjes sepse ngrohja vjen me gaz në shumë vende të tjera. I kanë rritur direkt sepse është diçka për të cilën kolegë të tjerë të mitë më thonë “Kjo është një çmenduri financiare”. Kjo është çmenduri financiare por është akoma më shumë çmenduri, sipas nesh, që pas tërmetit dhe pas pandemisë, edhe kriza e energjisë të shkojë t’u faturohet njerëzve që edhe nëse nuk e kanë pasur tërmetin në shtëpinë e tyre, stresin dhe goditjen psikologjike e kanë pasur, edhe nëse nuk kanë pasur, shyqyr Zotit, të sëmurë nga pandemia në shtëpitë e tyre, stresin dhe goditjen psikologjike e kanë pasur. Ne nuk mundet dot që t’i çojmë edhe këtë faturë.

Natyrisht që, dhembin gjërat që ndodhin, nuk dhembin gjërat që nuk ndodhin sepse nëse do kishte ardhur çmimi i energjisë me faturën e krizës, atëherë po, nuk do kishte njeri këtu në këtë vend që nuk do donte të dilte në rrugë, por nuk ka ardhur dhe fakti që nuk ka ardhur nuk do të thotë që nuk ekziston, se janë dy gjëra të ndryshme. Fakti që nuk ka ardhur do të thotë që ne kemi vënë një mburojë financiare që e kemi deklaruar, e kemi shpjeguar dhe me shifra, që në momentet e para të krizës dhe këtë mburojë financiare që është tek fatura dhe që, që nga fatura e ardhshme ju do ta merrni edhe këtë informacion. Pra, nëse fatura sot ka këto informacione, do të ketë këtu një kuadrat edhe për këtë informacion, për t’ju thënë që sa është çmimi real dhe sa është diferenca që e paguan shteti për secilin, për transparencën e çmimit dhe për të pasur një vetëdije të qartë të gjithë, që kjo qeveri është krejt e kundërta e asaj shëmbëlltyre që përpiqen të pikturojnë, të karikaturizojnë me propagandën e shfrenuar kundër fakteve, jo kundër qeverisë por kundër fakteve, ata që ju rrokanisin kokën juve përditë gjithë këto vite e ca të tjerë që me turmat e këtyre të parëve, dalin atje dhe e bëjnë Shqipërinë të vetmin vend në NATO dhe në botën demokratike që për turp proteston që në ditët e para të luftës për pasojat e luftës nëpër çmime.

Shkruante një profesor i nderuar, një person për të cilin unë kam respekt Fatos Tarifa, një letër të hapur për mua dhe më qortonte mua për mungesë durimi ndaj qortimeve të protestuesve dhe për arrogancë ndaj tyre se thashë që është turp. Unë e përsëris, ajo protestë është një turp kombëtar dhe nuk është arrogancë ndaj protestuesve apo ndaj protestës në vetvete, besoj që faktet janë aty dhe kujtesa e secilit mund ta konfirmojë këtë që po them. Nuk ka pasur Shqipëria qeveri më të vëmendshme e më respektuese ndaj protestave se sa këto 8 vet e kusur, nuk ka pasur. Në këtë vend ku haje edhe plumbin ballit po të dilje në protestë, është protestuar në këto vite sa kanë dashur, kush ka dashur, kjo është një e drejtë që nuk e jap unë, nuk e jep qeveria, kjo është një e drejtë që e jep sistemi që kemi zgjedhur dhe jo vetëm kaq, por ne i kemi dëgjuar protestat me respekt dhe institucionin e protestës e kemi vlerësuar si një institucion i cili jo vetëm respektohet, por i cili është dhe një institucioni demokratik që mund të sjellë vlerë të shtuar për qeverisjen dhe që në protestën e armëve kimike, pastaj me protestën për atë tarifën e traut të rrugës së kombit për banorët e Kukësit dhe me protestën e studentëve, janë 3 raste domethënëse ku qeveria ka reaguar dhe madje në një rast, si në Kukës, unë kam dal kam kërkuar dhe ndjesë sepse ishim ne gabim, nuk ishin banorët e Kukësit gabim e për mua nuk ka asnjë rëndësi se kush ka të drejtë dhe kush e ka gabim, për mua ka rëndësi të bëhet gjëja e drejtë e nëse dikush që proteston ka të drejtë, atëherë e drejta është me të, nuk është me mua. E bukura e demokracisë kjo është. Demokracia niset nga prezumimi që asnjeri dhe asnjë pjesë e shoqërisë nuk i di të gjitha. Monarkia, i di mbreti të gjitha ndërsa demokracia, askush nuk i di të gjitha dhe edhe një qytetar që del atje vetëm dhe ngre zërin, mund të ketë të drejtë dhe ajo që ai thotë mund të ketë vlerë për të gjithë të tjerët, kështu që unë e konsideroj virtyt qeverisës, e konsideroj cilësi pozitive për një lider që të pranojë se kush proteston, mund të ketë të drejtë e që të marrë atë të drejtë, si një bazë për të ndryshuar politika.

Gjithë ajo që kemi bërë me paktin për studentët ishte rezultat i protestës së studentëve. Ishte një shtysë shumë e fortë për të na fokusuar tek disa tema, që jo se ne nuk i dinim, jo se ne nuk dinim që konviktet kishin nevojë për të tjera kushte por që nuk ishin prioritet i yni në atë moment dhe protesta ndryshoi prioritetet dhe kurrë nuk i kam trajtuar protestuesit përveç se me respekt. Madje edhe protestat e opozitës, protestat më të çartura që mund të bëjë një parti politike, asnjëherë nuk i kemi trajtuar me mungesë respekti, por kjo është turp. Kjo është një turp i pashoq i të gjithë atyre që e nxisin, që nuk kanë turp kuptohet sepse e kanë bërë divorcin me turpin denbabaden dhe ju e njihni mirë se kush janë, tek ata që ju vënë fytyrën në dispozicion kur marrin mikrofonët dhe natyrisht keqardhje për ata që i sjellin nga të katërt anët e Shqipërisë me autobusë, të paguar nga kush? Kush i paguan autobusët e naftës së rritur kaq shumë për njerëz që vijnë dhe protestojnë për naftën? Kush i paguan? I paguajnë ata të shkretët që vijnë me dy gishta? Ne i dimë shumë mirë kush janë dhe ata janë për keqardhje por turp edhe për ata që e mbështesin këtë protestë sepse kjo protestë është një protestë që e shëmton Shqipërinë, që e turpëron shqiptarin. Në pak ditë që ka filluar lufta ka pasur një shok në çmime por çfarë do bëjmë ne sikur kjo histori të vazhdojë me muaj e me vite? Çfarë do bëjmë? Do dalim të hamë njëri – tjetrin në rrugë? Si mund të jemi ne i vetmi vend që ilet dhe protestohet për pasojat e luftës mbi çmimet kur në asnjë vend tjetër ku efektet janë po njësoj e ku të gjithë janë të shqetësuar se po mos të ishin të shqetësuar nuk viheshin në lëvizje edhe qeveritë e tjera, dalin njerëzit për të protestuar kundër luftës, për të protestuar kundër Rusisë. Këtu bëhet një protestë që mund ti pëlqejë Rusisë, po, mund ti pëlqejë, sepse kjo është një nga pjesët e strategjisë të asaj lufte që njerëzit në vendet që e mbështesin Ukrainën të fillojnë të ngrihen në protesta ekonomike dhe me protestat e tyre ekonomike të harrojnë se çfarë luhet atje, se atje nuk luhet fati i Ukrainës, atje luhet edhe fati i Europës. Atje nuk luhet fati i një populli që quhet populli ukrainas, atje luhet fati i gjithë popujve të Europës, atje luhet fati i demokracisë se është një agresion ushtarak ndaj një vendi demokratik që nuk ka bërë vaki që në skenën e Europës doli dikush tjetër, jo në Moskë por në Berlin dhe sulmoi gjithë dynjanë. E si mund të jemi ne kaq pa dinjitet? Kaq pa karakter? Kaq pa moral? Kaq pa logjikë? Që në ndërkohë që qeveria e kësaj republike ka muaj të tërë që po financon nga buxheti i vet jo i pa limituar faturën e energjisë dhe sapo shfaqen shenjat dhe unë dal atje dhe them brenda javës do të kemi një paketë mbështetëse, ,dalin dhe thonë nuk duhet ta lëmë këtë herë të na shpëtojë. Kush ti shpëtojë këtyre? Unë? Po pse këtu çështja është për një person? Këtu çështja është për një parti? Kjo është çështje e dinjitetit kombëtar e këtu nuk ka të bëjë fare me konceptin e protestës, me institucionin e protestës, me të drejtën e protestës, me paprekshmërinë e protestës. Këtu ka të bëjë me një kuturisje të turpshme që fyen e fyen kombin shqiptar dhe popullin shqiptar në dinjitetin e vetë sepse ne nuk jemi njerëz, shqiptarët nuk janë njerëz kaq të lidhur me zorrët ndërkohë që atje të tjerët po lënë jetën e po shkatërrohen totalisht e ndërkohë që ne jemi një vend i NATO-s, nuk e kemi zgjedhur ne këtë luftë, nuk e ndalojmë dot ne këtë luftë por ne jemi vend i NATO-s jemi vend i Europës, jemi vend demokratik, ne e dimë çfarë do të thotë të jetosh në diktaturë dhe ne këtu është minimumi i sakrificës që mund të bëjmë ndërkohë që nga ana tjetër qeveria po bën e do bëjë gjithçka mundet me transparencë të plotë për të mbështetur sa më shumë njerëzit dhe na tregojnë që qenkemi vendi më i tillë e më i atillë e dalin protestojnë në emrin tuaj. Protestojnë këta në emër të pensionistëve dhe çfarë kërkojnë me drita nga iphone që protestojnë dhe me makina X5 që vijnë për të marrë mikrofonat? Kërkojnë të ulet çmimi i karburantit. Kërkojnë të hiqen taksat mbi karburantet. Po taksat mbi karburantet i paguani ju? Kush i paguan taksat mbi karburantet, i paguajnë pensionistët? Meqë këta dalin atje dhe flasin në emër të pensionistëve, meqë këta dalin atje se ju dhembin pensionistët, kush e paguan taksën e karburantit, pensionistët? Jo, pensionistët paguajnë këtë, faturën e energjisë. Zgjidhja është shumë e thjeshtë, po të ulet taksa e karburantit, duhet të rritet kjo. Kush e paguan taksën e karburantit tek pompa, gjithë atë dhjetëra mijëra gra që dalin që në mëngjes dhe marrin autobusët e shkojnë në punë? Apo paguajnë këtë? Për ata mijëra e mijëra shqiptarë që janë shumë më tepër se ata që marrin veturën, që hipin në autobus, jo urban por dhe ndërurban që nisen nga Tirana në Gjirokastër apo matanë, ka dy rrugë, ose do t’ju paguajmë ne diferencën e biletës që të mos ndihet që bileta është dyfishuar, ose do heqim taksën e karburantit për ata që dalin atje dhe do ta sjellim këtu, do ta sjellim dhe tek bileta efektin, se nga diku do vijnë paratë. Se nga i gjen shteti paratë që paguan? Se ky shtet dhe kjo qeveri për të cilën flasin këta, ka përballuar një tërmet të tërë dhe të tëra shtëpitë që janë ndërtuar e po ndërtohen, përjashto 500 apartamente në Laç që i ka ndërtuar presidenti i Turqisë dhe disa qindra në Spitall që po i ndërton princi i kurorës së Emirateve të Bashkuara, të gjitha çfarë keni parë ju që janë ndërtuar dhe kanë hyrë njerëzit, qofshin banesa individuale, qofshin pallate, i ka ndërtuar kjo qeveri dhe i ka ndërtuar me buxhetin e këtij shteti.

Paratë e Europës nuk kanë ardhur për shtëpi dhe me paratë e Europës nuk është ndërtuar asnjë apartament, kanë ardhur për një pjesë të shkollave, kanë ardhur për objekte të trashëgimisë kulturroe, kanë ardhur për ujësjellësin e Durrësit që do vazhdojë projekti tjetër dhe për disa projekte të tjera dhe nuk janë disbursuar akoma, përveçse ato të shkollave. Paratë akoma nuk janë disbursuar sepse nuk vijnë paratë e Europës me çantë këtu dhe Europa nuk t’i jep paratë ty, por i administron vetë, i bën vetë tenderat, i bën vetë kontratat, i bën vet supervizionet dhe i paguan vetë paratë.

Një tërmet i tërë, ndërkohë që në Itali sot, 10, 12 dhe 15 vjet pas tërmetit janë nëpër kabina dhe presin shtëpinë, u përballua nga kjo qeveri dhe ato familje sot janë më mrië sec ishin përpara tërmetit.

Po kështu edhe me pandeminë, që e kemi kaluar, deri më tani të paktën se do Zoti nuk ka ndonjë goditje tjetër, deri tani jemi OK. Nëse spitalet e Shqipërisë të mos ishin investuar, atëherë do kishim parë ne, se çdo ishte bërë me pandeminë, por u investua gjithë këto vite, për këta që flasin.

Sot lufta është reale.

Po shikonim dje çmimet e karburantit, se thonë që Shqipëria është vendi me çmimet më të larta. Kanë kërcyer kudo dhe mbi çmimet e Shqipërisë, në shumë vende. Thonë që ne i kemi rrogat më të ulëta e ndaj duhet t’i kemi cmimet e mallrave që vijnë nga importi më të ulëta, por kjo nuk ndodh kështu sepse ne nuk do përmbysim historinë e 30 e kusur viteve. Ne dolëm nga komunizmi në ’90 dhe menjëherë çmimet kërcyen në mënyrë marramendëse, që nuk kishte njeri lek në xhep. Por këta që dalin këtu nuk kanë parë as komunizëm e as diktaturë sepse po të kishin parë, nuk do fyenin viktimat e komunizmit, nuk do fyenin vuajtjet e diktaturës, duke thënë këtu akoma “Poshtë komunizmi”. Të thuash sot “Poshtë komunizmi” do të thotë të fyesh të gjithë ata që kanë vuajtur realisht nga komunizmi.

Pyetja këtu është “Sa vazhdon kjo dhe çfarë do bëjmë ne”? Ne kemi bërë një paketë që do mbështesë mbi 400 mijë pensionistë të gjithë atyre kategorive që kemi përmendur, pensionistë invalidë, pensionistë që janë vetëm ose me bashkëshorten pensioniste, pensionistë që kanë statuse të tjera, i kam këtu me radhë, penssionistë që marrin më pak se gjysma e pagës minimale dhe janë mbi 400 mijë që do mbështeten. Si do të mbështeten, bashke me gjithë personat me aftësi të kufizuar, me invalid, paraplegjikë, tetraplegjikë, të vervër dhe familjet me ndihmë ekonomike.

Si do mbështeten? Me një llogari shumë të thjeshtë. Sa është rritur shporta, duke u bazuar tek INSTAT? 25 mijë lekë plus konsumi i shportës. Atëherë do kenë 30 mijë lekë plus në muaj, për 3 muaj rresht, me shpresën që kjo gjë për tre muaj dicka do stabilizohet. Ne nuk e dimë nëse do të stabilizohet dhe cfarë do bëjmë ne nëse kjo nuk stabilizohet?

Do bëhemi vendi më qesharak I planetit, duke bërë kacafytje politike ndërkohë që as”jelekët e verdhë” nuk kanë dalë. “Jelekët e verdhë” dolën në Paris për shumë më pak se ç’janë rritur sot çmimet e karburantit apo të mallrave të tjera në Francë, për shumë më pak. Ku janë “Jelekët e verdhë”, që janë më të çmendurit e protestuesve në të gjithë botën, që e dogjën Parisin e bënë shkrumb e hi, ku janë, pse nuk dalin?

Nuk dalin sepse të gjithë protestuesit e botës, sot i kanë dhënë kohë, kohës dhe respektojnë viktimat atje dhe e kuptojnë dhe e dinë shumë mirë që vendi i tyre është futur në një luftë, pavarësisht se nuk janë futur me avionë dhe avionët nuk vijnë mbi kokat e tyre, vendi i tyre është futur në një luftë.

Efektet e çmimeve nuk janë vetëm tek vendet që i kanë vendosur sanksione Rusisë, që të jemi të qartë.

Turqia nuk i ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, 100% është rritur çmimi i energjisë në faturë në Turqi, me gjithë inflacionin që kanë ata atje. Ku janë?

Edhe Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, çmimet janë njësoj. Problemi më i madh që thonë sot njerëzit që merren me këto punë është “Po kur të mungojë fare, kur të bjerë komplet oferta dhe të mos ketë energji fare”? Të dalësh në treg dhe të thotë “Nuk ka, do blesh kaq se nuk kam kaq”. Po kur të mungojë nafta?

Sot që flasim, furnizimi me naftë është problemi kryesor, që të gjesh anijet që vijnë këtu sepse të gjtiha vendet çfarë po bëjnë? Po i mbyllin kufinjtë, siç bënë me pandeminë, i mbyllin. Ne kemi këtu kompanitë e grurit, kanë 20 mijë ton të kontraktuara në Serbi, janë mbyllur.

Nuk janë mbyllur për Shqipërinë, janë mbyllur për të gjithë, dhe ne duam ta hapim këtë tani me diplomac, me “Ballkanin e Hapur” pra. Nëse “Ballkani I Hapur” vlen për diçka, urdhëro, tani vlen dhe ta tregonë ata që janë po kq seriozë sa ne për “Ballkanin e Hapur” dhe ta hapin.

Dua ta mbyll këtë pjesë edhe me një gjë tjetër.

Është shumë e rëndësishme që ne të biem dakord për faktet. Jeta e përditshme është një ferr nëse ne kemi fakte të ndryshme dhe nuk kemi të njejtat fakte. Nëse unë them që është ditë dhe dikush tjetër thotë që kjo është natë, nuk merremi më vesh.

Ne duhet të biem dakord që kjo është ditë dhe pastaj të bëjmë debat se sa ftohtë e sa ngrohtë është. Por që është ditë, është ditë.

Ne duhet të biem dakord për disa fakte këtu sepse është habi e madhe dhe është e pamundur të merremi vesh nëse dilet siç dalin këta dhe u thuhet shqiptarëve “Këtu qeveria e vjedh naftën dhe energjinë se ne e kemi. Ne nuk kemi nevojë të dalim në import se na e ka dhënë Zoti energjinë. Ne na e ka dhënë Zoti naftën”. Në fakt, ne na ka dhënë Zoti një vend me shumë burime ujore, por Zoti nuk prodhon energji, energjinë e prodhojnë hidrocentralet, energjinë e prodhojnë fotovoltaikët, energjinë e prodhojnë eoliket e erës, nuk e prodhon Zoti.

Shqipëria nuk e prodhon dot të gjithë sasinë që i duhet për konsumin që ka sot, prandaj duhet të dalë në treg dhe të shkojë në tregun ndërkombëtar.

Shqipëria sot prodhon një energji, e cila varet 100% nga Zoti, domethënë nga shiu. Ne nuk kemi termocentrale me qymyr. Jemi vend me 100% energji të rinovueshme, por kemi problemin që kur nuk ka shi, mbetemi. “Mbeteni ju se e shisni, e shisni lirë dhe e bleni shtrenjtë që të vidhni”. Këto iu thuhen njerëzve. Jo!

“Duhet ta mbani e të mos e shisni”. Po ku ta çojmë, në frigorifer apo në dollap? Sepse arsyeja pse shitet dhe pse shitet lirë është sepse shitet në kohën kur kemi shumë reshje dhe po ta mbajmë shpërthejnë digat dhe këtu bëhet nami, zhduket komplet veriu i Shqipërisë nëse plas diga kështu që duhet ta heqim. Madje shkohet deri aty, e keni parë në të shkuarën, kur ka shumë reshje që edhe happen portat dhe derdhet sepse na mungon Skavica dhe ndajne po ndërtojmë Skavicën. Nuk do ta ndërtojmë, po e ndërtojmë tani Skavicën.

Pse nuk e bëmë që në vitin e parë të mandatit tonë? Po pse nuk u bë 55 apo 60 vjet Skavica? Ne po e ndërtojmë Skavicën që të kemi një digë të katërt aty që të depozitojmë dhe kur të na duhet, e kemi këtu dhe nuk kemi nevojë të dalim në treg sepse kur dalim ne në treg është kulmi i thatësirës dhe pastaj shkon shumë shtrenjtë. Prandaj e blejmë shtrenjtë, sepse blejmë kur nuk ka dhe e shesim lirë kur ka.

Dhe tjetra, nafta. “Na e ka dhënë Zoti neve naftën”. Jo more, neve nuk na e ka dhënë Zoti naftën. Rezerva e naftës së Shqipërisë është një rezerve, e cila është rezerva e një nafte të rëndë, e cila po të përpunohet dhe të kthehet benzinë apo diesel, kushton shumë më tepër sesa po të merret nga jashtë. Ndaj, eksportohet kryesisht për bitum.

Kemi tani një zbulim të ri, i cili nuk është komercializuar gazi me Shellin, kemi Enel që po përpunon, por për momentin këto janë mundësitë tona.

Paketa është e tillë që njerëzit të marrin pak frymë.

Lexoja sot komente “Hë mo çfarë bëtë ju hoqët taksën e pagës deri në 400 mijë lekë, cfarë keni hequr se ajo nuk ishte gjë”. Tani ose ishte një gjë ose nuk ishte gjë, sepse nga njëra në thonë “Taksat janë shumë të larta, na morën frymën tani që hiqet, nuk ishte gjë”. Tani ose ishte ose nuk ishte gjë. Bëjnë llogaritë e njerëzve të tjerë për t’i nxitur dhe mërzitur dhe për t’i yshtur që të dalin nëpër rrugë njerëzit se për vete këta që flasin nuk marrin as 300mijë, as 400mijë e as 500 mijë të vjetra, por marrin shumë më tepër. Marrin shumë më tepër. Janë shëmbëlltyra më e shpifur e hipokrizisë që tjetër thonë, tjetër bëjnë e tjetër janë.

Ndërkohë që zerimi i taksës mbi pagën deri në 400 mijë lekë është shumë i rëndësishëm sepse të gjithë ato para do t’i shkojnë njerëzve në familje dhe ka 13% aty që çdo muaj ia paguanin shtetit. Po kështu dhe përgjysmimi për pagën deri në 500 mijë lekë. Ne jemi vendi që mbi individin dhe mbi biznesin e vogël kemi taksat më të ulëta në rajon, në Europë nuk bëhet fjalë fare se Europa i ka taksat ku e ku, se kur bëjnë llogaritë e Europës këta thonë e ka kaq pagën ai në Gjermani, punëtori në Gjermani. Punëtori në Gjermani e ka aq pagën, po, por pyete pak punëtorin në Gjermani sa paguan taksë? Sa paguan sigurime shoqërore? Sa paguan për shtëpinë? Sa paguan për energjinë? Sa paguan për shërbimet e tjera? Pyete pak punëtorin në Gjermani meqë po ia bën llogaritë punëtorit në Gjermani. Pyetini shqiptarët në Gjermani sot që u shkon djersa deri në fund të kurrizit. Bëjnë llogaritë këta!

Biznesi i vogël e ka zero këtu ku jemi ne. Taksa është zero. TVSH-ja është zero. Po pse ne nuk duam ta prekim këtë? E pse për të mos prekur këtë, për të mos prekur atë, për të mos ju prekur ju, duhet të vazhdojë të paguhet ajo taksë te nafta. Sepse nëse prekim këta këtu, këta këtu çfarë do bëjnë? Do heqin dy njerëz nga puna. Ne duam që këta të marrin më shumë njerëz në punë. Është shumë e thjeshtë. Prandaj aleatët tanë gjithmonë, por në këtë luftë sidomos janë ata që nuk kanë makina të shtrenjta, janë ata që e paguajnë faturën e energjisë me të ardhurat nga pagat e tyre, të deklaruara, jo të fshehura. Janë ata që marrin autobusët. Këta janë aleatët tanë dhe janë dhe këta të biznesit të vogël që janë jo tani në luftë por janë që nga dita e parë kulturalisht aleatët tanë sepse këta krijojnë punë për vete dhe krijojnë punë për të tjerët. Këta punësojnë familjen e tyre dhe marrin dhe punësojnë edhe të tjerë sipas mundësive. Këta janë Shqipëria që punon, që nuk rri të presi nga shteti çdo gjë dhe që çon familjen në punë çdo ditë dhe ne me këta e kemi aleancën kryesore dhe këtyre ne nuk ia prekim taksën dhe këtyre ne do tua mbrojmë faturën e energjisë, se po të sjellim ne faturën e energjisë siç është fatura e energjisë, këta do heqin menjëherë dy rroga këtu direkt, minimumi, mos them si në një lokal tjetër që ishim dje, katër rroga direkt i këput fatura e energjisë. Kjo është situata. Ne nuk i kemi zgjedhur këtu. Nuk e ftuam tërmetin të vijë këtu por e përballuam. As pandeminë nuk e ftuam por e përballuam. Tani luftën as nuk e deshëm, as nuk e duam por do ta përballojmë me dinjitet. Shqipëria nuk është ajo që duan të pikturojnë ata, këta që dalin atje dhe që japin receta si do ta zgjidhin këta problemin. I kemi parë si i zgjidhin këta problemet kur kanë pushtetin, i kemi parë shumë mirë si i zgjidhin dhe flasin në emër të popullit dhe janë po këta që i thonë popullit dele. “Është popull dele ky”. Këtij populli këta i marrin të keqen se ky popull të jep ujë në bisht të lugës dhe prandaj këta nuk kanë për ta kuptuar kurrë pse kur populli flet pastaj këta dalin gjithmonë pakicë, se nuk kanë për ta marrë vesh kurrë.

U zgjata pak, por ne, do bëjmë përsëri gjithçka që ju të mos ndiheni vetëm, që aq sa kemi mundësi, ta vëmë në dispozicion duke pasur parasysh që kjo edhe mund të zgjasë dhe duke pasur parasysh që do bëjmë siç kemi bërë gjithmonëë ne jemi këtu për ju, jemi këtu për njerëzit dhe nuk jemi këtu për ato që na thuhen, se ju betohem që po të ishte për këta dhe hallet e këtyre që dalin atje, jo kaq vite por një orë nga jeta ime nuk e falja për të bërë këtë punë. Këta nuk e dinë fare se çfarë është të bësh këtë punë. Këta nuk e dinë fare se çfarë është të jetosh me ndjenjën e detyrimit çdo sekondë ndaj atyre që të kanë thënë ti je njeriu që të duam të parë që të na udhëheqësh. Ky është nderi më i madh që mund ti bëhet një njeriu e këta flasin për lekë. Këta flasin për vjedhje, sepse janë të atillë, prandaj flasin për lekë e për vjedhje, se ose janë hajdutë ose do ishin hajdutë po të ishin në vendin tim, se ndryshe nuk mund ti thuash tjetrit hajdut, ose ti po vjedh, kur faktikisht nuk ke asnjë fakt e asnjë provë e nuk e njeh fare se kush është tjetri. Ndërkohë që për mua kjo është një barrë e jashtëzakonshme, borxhi ndaj të gjithë atyre që qoftë dhe një herë të vetme kanë shkuar atje dhe kanë shënuar atje Edi Rama, një herë, jo të gjitha herët, i kanë vënë një kryq atje. Për mua është një ndjenjë borxhi dhe detyrimi dhe kush më njeh e di shumë mirë që jo sot por kur nuk isha askush kam qenë aq i gjatë sa që nuk ulesha kurrë për të futur duart në xhepin e askujt dhe që i vogël e kam mësuar nga gjyshja ime që kur shkon në varr, nuk bëjnë punë lekët. Dheu bën më shumë punë se leku kur shkon atje por këto gjëra nuk i kuptojnë këta e nuk kam çfarë t’i shpjegoj këtyre unë. Unë thjeshtë dua t’ju them që sa kohë do jem në këtë detyrë e se sa kohë do jem unë në këtë detyrë e vendosni ose ju, ose unë. Ata nuk vendosin gjë njëherë, kjo është e sigurt. As e kanë vendosur, as nuk kanë për ta vendosur dot. E vendos o vet nëse më vjen një ditë dhe them nuk mundem më të jem në lartësinë e besimit tuaj se nuk kam energjinë e nevojshme, e vendosni ose ju, thoni tani shko në shtëpi. Kurse këta të vazhdojnë, por përtej të tërave, të gjitha protestat që nga vitit 1990,deri në datën sa ishte data kur u bë e para e kësaj, të gjitha protestat e kanë pasur një gjë që kanë qenë të denja qoftë dhe për një pjesë të shoqërisë, për atë pjesë që kanë qenë kundër qeverisë, qoftë atëherë, qoftë tani. Kjo është një protestë që është turpi i Shqipërisë dhe kjo është një protestë që mund të vazhdojë edhe katër vjet deri në vitin 2025 kur të bëhen zgjedhjet e tjera të paktën, por taksë nga nafta këta nuk kanë për të hequr dot. Kaq po ju them unë këtyre e kaq po ju them të gjithëve dhe këtë turp që këta ia vënë Shqipërisë në kurriz që marrin dhe pyesin gjithë të huajt që janë këtu, “ore çfarë bëhet këtu”, do ta mbajnë gjatë këta në fytyrën e tyre.

Për ta mbyllur, edhe diçka tjetër. Në gjithë këtë paketë të rezistencës, pjesën e luanit e ka energjia. 280 milionë dollarë të tjera, që nuk janë absolutisht të mjaftueshme deri në fund të vitit, por po flasim për këtë fazë. 280 milionë dollarë që janë drejtpërdrejtë për xhepat e 726 mijë familjeve dhe të 95 mijë bizneseve që do përdoren për këto faturat e energjisë, që të gjithë të mos kenë asnjë shenjë lufte në këtë faturë se këtu po filloi të rritet gjëja, ju e dini më mirë se gjithë të tjerët se ju e keni më të kalibruar cdo shpenzim, e keni të qartë se si ndikon në jetën tuaj po filloi kjo fatura të vijë e rritur.

Prandaj janë 280 milionë dhe e thashë, do vazhdoj ta them. Ne mund të jemi absolutisht në pozicione të kundërta për opinionet, por jo për faktet. Me faktet nuk luftohet.

Në ato protesta nuk del shumica e pakicës dhe ato protesta nuk i mbështet shumica e pakicës. Flas ata që janë kundërshtarë të qeverisë, por që janë shqiptarë me dy fije mend në kokë që e kuptojnë që këto çmime nuk i rriti qeveria dhe nuk u rritën në të njëjtën kohë në të gjithë botën për faj të qeverisë shqiptare dhe e kuptojnë njëkohësisht që këtu është një pasojë e një situate që është komplet pa lidhje me qeverinë shqiptare. Kështu që këta le t’i konsiderojmë hudhra për të mos marrë më sysh e të vazhdojmë të bashkuar përpara e unë po ju them që siç ia kemi dalë me tërmetin, siç ia kemi dalë me pandeminë, do t’ia dalim edhe kësaj me se s’bën dhe turpi do t’u mbetet atyre që po e bëjnë këtë turp sot.

Faleminderit!

Previous Bashkëbisedim me pensionistë për Paketën e Rezistencës Sociale

Leave Your Comment