Bashkëbisedim me studentët mbi ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian
Kryeministri Rama zhvilloi një takim të hapur me të reja dhe të rinj studentë, mbi ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në jetën dhe të ardhmen e tyre.
Gjatë bashkëbisedimit, Kryeministri ndau reflektime mbi rëndësinë historike të këtij procesi, duke e lidhur integrimin europian, jo thjesht me një objektiv politik, por me mundësi konkrete për arsim, punësim dhe barazi për të rinjtë shqiptarë në hapësirën europiane.
Takimi shërbeu gjithashtu si një platformë për të dëgjuar mendimet dhe pyetjet e studentëve, duke nxitur një dialog të hapur mbi sfidat dhe pritshmëritë që lidhen me rrugën e Shqipërisë drejt BE.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Mirëdita! Mirë se ju gjetëm! Ndërkohë që po flisnin ministrat, bëra një numërim të sallës: salla ka mesatarisht 18 vetë për rresht, ka rreth 12 rreshta dhe ka vetëm 27 djem, por ajo që është më e rëndësishme është që gjithë pjesa tjetër janë vajza. Unë besoj shumë te vajzat dhe te gratë dhe, gjithmonë e më shumë, është evidente, sipas meje, në këtë shoqëri që jetojmë, në këtë kohë që jetojmë, jo vetëm ne, por e gjithë bota, që nëse do të ketë shpëtim njerëzimi, shpëtimi do t’i vijë nga gratë dhe nga vajzat.
Thënë kjo, më vjen mirë që jemi këtu për të folur për këtë temë, e cila, në pamje të parë, duket një temë për të cilën flitet përditë, por e cila është larg. Sepse shumëkujt i duket sikur ne jemi faktikisht në Europë, për sa kohë mund të lëvizim lirisht, për sa kohë mund të vendosim të largohemi, të qëndrojmë, të punojmë në Europë, dhe të tjerat janë gjëra që nuk kanë lidhje me ne. Në kuptimin, kur them “ne”, kam parasysh qytetarët.
Por ky proces është i tillë, faktikisht, që sa më shumë ta ndjekësh, aq më shumë mëson sesa në fakt është një vend që nuk është brenda Bashkimit Europian dhe, për ta marrë shumë thjesht, ju jeni studentë, patjetër që mund të vendosni të shkoni të studioni jashtë, por në momentin që kaloni kufirin pa vizë, jeni të huaj.
Dhe në çastin kur kapërceni pragun e një universiteti, nuk jeni studentë europianë, jeni studentë të huaj dhe, si të tillë, trajtoheni ndryshe. Nuk keni të njëjtat kushte si studentët europianë dhe, pavarësisht se mund të jeni shumë të zotë, në rast se regjistroheni në shkollë, paguani shumë më tepër se sa studentët europianë, sepse jeni të huaj. Nëse doni pastaj të keni akses në të gjitha shërbimet e tjera, kudo që shkoni, jeni të huaj. Paguani shumë më tepër sesa studentët europianë.
Me anëtarësimin në Bashkimin Europian ndryshon krejtësisht. Ju jeni vendas, si këtu në Tiranë, si në një auditor në Lisbonë apo në Varshavë, si në një universitet në qytetet e Shqipërisë, ashtu edhe në një universitet në cilindo nga qytetet e Europës. Jeni vendas dhe, për këtë arsye, nuk paguani më shumë se sa paguajnë vendasit, nuk keni asnjë vështirësi më shumë për të pasur akses në shërbime sesa kanë studentët vendas dhe pastaj nuk jeni të huaj kur vjen fjala për tregun e punës dhe mund ta zgjidhni punën, jo më thjesht brenda kufijve të Tiranës apo brenda kufijve të Shqipërisë, apo brenda kufijve të një qyteti, ku për një arsye apo për një tjetër mund të njihni dikë që ju jep mundësinë që të filloni të kërkoni punë si të huaj, një proces i gjatë, i vështirë për të bërë letra, etj., etj., por mund të kërkoni punë në çdo qytet të të gjithë Europës, si vendas; askush nuk ju sheh askund në ato qytete dhe t’ju thotë: “Po nga je ti, se këtu është Bashkimi Europian, ti Shqipëria, po, po s’është”.
Pra, duke e marrë shumë ngushtë dhe vetëm për kaq, kjo është një përpjekje që ka kuptim dhe ka impakt të drejtpërdrejtë për gjithsecilin dhe gjithsecilën prej jush, vetëm për kaq.
Pastaj, pjesa tjetër, ajo që përmendi Majlinda, ka të bëjë me sa shumë gjëra vijnë këtu për universitetin, për auditorët, për laboratorët, për ju, duke qenë vendas, jo thjesht të Shqipërisë, por të Bashkimit Europian. Programe, financime, e kështu me radhë.
Kështu që nuk bëhet fjalë për kapërcim formal dhe ndryshim formal të një statusi të vendit, por bëhet fjalë për një ndryshim thelbësor të pozicionit dhe të raporteve mes vendit dhe popullit shqiptar dhe vendeve dhe popujve të tjerë europianë dhe mora vetëm këtë pjesë, por në çdo pjesë të jetës së vendit, gjërat bëhen krejtësisht ndryshe.
Tani, përpara se t’ua lë fjalën juve për të bërë pyetje apo për të shprehur çfarëdo qoftë që dëshironi të shpreheni, dua t’ju them që kurrë, asnjëherë më parë, dhe për këtë, nëse ka këtu studentë të historisë, unë do të isha shumë i interesuar të dëgjoja çfarëdo prove për të kundërtën, por për sa kohë nuk e kam një provë për të kundërt, do ta përsëris, kurrë, asnjëherë më parë, Shqipëria nuk e ka pasur buzëqeshjen e fatit siç e ka sot. Kur them sot, në këto vite të fundit. Asnjëherë Shqipërisë nuk i ka buzëqeshur fati në sensin e të ardhmes së mundshme të njerëzve, për të qenë të lirë, për të qenë të barabartë para ligjit dhe për të pasur në dispozicion jo një vend 28 mijë kilometra katrorë, por një kontinent të tërë si vendas.
Është dukur si buzëqeshje e fatit, me siguri, momenti kur populli shqiptar është liruar nga pushtuesit; është dukur, me siguri, si momenti i ardhjes së një kohe barazie dhe lumturie dita kur populli shqiptar i çliruar nga pushtuesit ka marrë rrugën për të ndërtuar socializmin, por koha tregoi që nuk ishte rruga drejt parajsës, por ishte rruga drejt ferrit.
Ndërkohë që, në këtë rast, kjo nuk është rruga drejt parajsës, askush nuk e pretendon këtë, por është rruga e sigurt drejt një realiteti ku, për herë të parë në historinë e tyre, shqiptarët do të jenë më të sigurt dhe më të mbrojtur nga çdolloj kthese dhe rrethane të historisë në dëm të tyre dhe kjo është një gjë shumë e madhe. Po na buzëqesh fati sepse janë bashkuar të gjitha yjet dhe janë vënë rresht në mbështetjen e kësaj ëndrre që ka qenë shekullore e shqiptarëve, që gjithmonë kanë parë nga Perëndimi, por pavarësisht se ata kanë parë nga Perëndimi, gjithmonë pamja nga Perëndimi u është mbyllur.
Janë bashkuar yjet sepse, nga një anë, ne kemi bërë një punë të madhe, e them me plot gojën, për ta ndryshuar pozicionin e Shqipërisë, që deri dje ishte e përbuzur dhe për këtë janë dëshmitarë të gjithë shqiptarët që janë jashtë apo që dilnin jashtë dhe mjafton që të tregonin pasaportën dhe të shikonin fytyrën e policit në kufi për t’u ndjerë se ka diçka që nuk shkon me të qenit shqiptar. Dhe kjo natyrisht ka ardhur si rezultat i shumë gjërave që kanë ndodhur dhe për të cilat ne kemi punuar. Por nuk mjafton kjo. Ti mund t’i bësh të gjitha detyrat e shtëpisë kur je një vend i vogël dhe, nëse vendet e mëdha që vendosin edhe fatet e të vegjëlve nuk e kanë në plan të të marrin me vete në një nivel tjetër, ti nuk e kapërcen dot nivelin.
Dhe sot jemi në kushtet kur vendet e mëdha, të gjitha vendet e BE-së, duan që të na marrin me vete. Sepse, pas një periudhe shumë të gjatë pa asnjë anëtar të ri në BE, BE-ja ka rihapur derën, jo me fjalë, se me fjalë e ka pasur të hapur gjithmonë: “Ne ju presim, mezi po ju presim, por ju duhet të bëni më shumë punë”, siç thoshin dikur ata që sundonin këtu në Shqipëri, që rruga drejt horizontit të kuq është e lavdishme, por ne po i afrohemi, por prapë ka shumë punë dhe horizonti është akoma larg; edhe këta: “Ne po ju presim, vendi juaj është këtu me ne, horizonti blu, por rruga juaj nuk është më me fjalë, është me vepra” dhe për këtë arsye ne kemi arritur të hapim të gjithë kapitujt e negociatave në një kohë rekord, si askush tjetër. Jo se kemi qenë më të zotë sesa të tjerët përpara, por se ne kemi qenë të zotë, por ama nga ana tjetër kemi pasur një palë që ka qenë po aq e interesuar që zotësia jonë të vlerësohet; se mund të jesh i zoti, por po s’të vlerësoi, në qoftë se pedagogu të shikon me paragjykim për një arsye apo për një tjetër, ose nuk është i vëmendshëm se i dhemb koka, atëherë dhimbja e kokës së tij mund të reflektohet te nota që merr ti dhe me vendet e mëdha kjo është diçka shumë e zakonshme.
Nuk ka dalë kot ajo fjala që vendet e mëdha bëjnë çfarë të duan. Vendet e vogla heqin çfarë duhet. Gjithsesi, ky është konteksti dhe kjo nismë që ka ndërmarrë grupi që është këtu, tani Mirela tha tre shokët e mi, unë i numërova, ne jemi katër, me siguri nuk më kishte mua parasysh. Kështu që grupi që është këtu, me tre shokët e mi po ashtu, ku nuk hyn Mirela se janë këta të tre, ka ndërmarrë këtë nismë për të diskutuar fillimisht me pjesën më të interesuar për të dëgjuar dhe faleminderit që keni interes që të dëgjoni.
Interesi për të dëgjuar sot është një mall shumë i rrallë, se përgjithësisht jeta juaj, pa diskutim, por edhe e shumicës, zhvillohet përballë pasqyrës së celularit edhe dëgjimi ndërpritet me gishtin tregues. Ik tjetri, del tjetri 15 sekonda, ik, të vijë tjetri. Kështu që është një nder shumë i madh të kesh përballë një masë kaq të madhe të rinjsh që akoma po vazhdojnë të dëgjojnë dhe s’kanë filluar të kolliten ose të teshtijnë, se kur kolliten e teshtijnë është sinjali i parë që, shiko, se sikur po e teproni pak.
Kështu që unë po ndalem këtu.
Klajdi, që u përmend disa herë, por Klajdin tre shokët e kanë ulur atje, nuk e kanë marrë me vete, që është një gabim skenografik. Çohu të të shikojnë edhe të tjerët kush je, se Klajdi është një djalë që ka lindur me kravatë. Po ta shikoni, shikojeni dhe përpiquni ta imagjinoni, për shembull, të veshur si ju të tjerët; jo se ai nuk ka qejf të vishet ashtu, por ka lindur kështu edhe është një nga të rinjtë më të përkushtuar që unë kam njohur për këto lloj muhabetesh që unë i bëj nga halli, Klajdi i bën nga qejfi. Nga halli, në kuptimin që po të hyni t’i dëgjoni ju këta tre shokët, se i thashë aman kur të shkoni atje mbajeni thjesht, se po të fillojë kapitulli kaq e kapitulli aq, se kjo këtu e kjo aty, do thoni aman se qenka provimi më i tmerrshëm dhe s’duam të dëgjojmë më. Klajdi do!
Kështu që faleminderit që je këtu. Faleminderit juve. Thuaja dy fjalë këtyre miqve që ke. Mos ki emocione.
-Shumë faleminderit kryeministër edhe një herë. Është nder dhe kënaqësi që të bashkëpunojmë për të çuar përpara Shqipërinë në këtë mision të përbashkët, për sa i përket integrimit në BE. Do të jetë nder dhe kënaqësi po ashtu që ta zgjerojmë këtë bashkëpunim me të rinjtë që janë sot prezentë dhe të rinjtë që do të njohim përgjatë turit në universitete dhe gjimnaze nëpër Shqipëri. Faleminderit edhe një herë!
Kryeministri Edi Rama: E shikoni? Nuk ka problem fare, tak, tak, e thotë atë pjesën, ulet.
Faleminderit Klajdi! Klajdi, në fakt, ku jemi takuar ne për herë të parë, jemi takuar në Bruksel, më duket, në Berlin me kancelaren dhe ishte një grup studentësh atje që ishin të gjithë vendeve të Ballkanit dhe Klajdi ishte njëri prej tyre. Më afrohet, jam shqiptar, mua m’u duk si ato asistente gjermane në kancelari, edhe jam shqiptar, kam dëshirë të kontribuoj etj. I thashë provoje, çfarë të them, unë s’të marr për dore. E provoi, dështoi dhe i thanë je më i përgatitur seç duhet për këtë punë që kemi ne. Edhe pastaj prapë më takoi dhe më tha mua më thanë “je më i përgatitur seç duhet, çfarë duhet të bëj unë tani, dhe t’i çmësoj gjërat që kam mësuar?”. Jo, i thashë, duro, vazhdo lufto. Edhe arriti tani të gjejë Majlindën, që i bashkon në fakt natyra, se edhe Majlinda ka lindur me këto negociatat në xhep, i ka lexuar që kur ne ishim akoma në… kështu që në dispozicion për ju, çfarë dëshironi të thoni, të pyesni. Për shembull, jepja cik atij çunit që po qesh, se unë i kam shumë merak këta çunat që qeshin kur të gjithë dëgjojnë. Dy rreshta më mbrapa, ai i katërti. Jepja pak mikrofonin.
Pse po qesh?
-Jo, po dëgjoja me vëmendje, s’po qeshja.
Kryeministri Edi Rama: Po çfarë po bëje, apo po qeshje vetvetiu?
-Isha i lumtur me negociatat që do hapen.
Kryeministri Edi Rama: Negociatat janë hapur. Kjo tregon që s’e ke pasur mendjen, nuk po hapen, janë hapur, janë të tëra të hapura.
-Se do mbyllen, pra.
Kryeministri Edi Rama: Çfarë hapet, hapet për t’u mbyllur, nuk hapet për të ndenjur hapur, e kupton? Tani keni ndonjë pyetje? Ku studion ti, çfarë studion?
-Te Fakulteti i Drejtësisë.
Kryeministri Edi Rama: E di çfarë më kujtove, më kujtove njërin. Isha në një restorant para ca kohësh dhe vjen ai kamerieri dhe thotë: bëjmë një selfie bashkë? Po, i thashë, dhe ndërkohë që po vendoseshim në fokus tha: na gjej një punë, o burrë. I thashë: po çfarë shkolle ke ti? Jurist, tha, si gjithë të tjerët.
Kryeministri Edi Rama: Ça viti je?
-I katërti.
Kryeministri Edi Rama: Ça ëndrrash ke? Se edhe një vit…
-Ëndrrat nuk tregohen se nuk realizohen.
Kryeministri Edi Rama: Ëndrrat që s’tregohen se s’realizohen janë ato që i sheh me sy mbyllur. Unë atyre as i besoj dhe as i tregoj, se çfarë të tregosh, ndërkohë që të gjitha realizimet dhe sidomos realizimet e mëdha, por edhe realizimet e vogla të njerëzve që realizojnë diçka, se unë mendoj se edhe një njeri që ka pasion të bëjë këpucë ose të rregullojë këpucë është pasion më vete dhe që arrin të jetojë me atë pasion është një njeri i lumtur që ka arritur të realizojë një ëndërr, ëndrrën që të jetojë me pasionin e vet. Se në fund të ditës, lumturia çfarë është? Unë besoj që lumturia është të jetosh duke bërë gjënë që të mbush, që të pëlqen, që të bën të zgjohesh në mëngjes dhe të jesh i motivuar, se shumëkush, për të jetuar, detyrohet të bëjë punë që nuk janë pjesë e pasionit, por janë punë që duhet t’i bëjë për të jetuar dhe të gjitha realizimet e kësaj natyre janë realizimet e një ëndrre që njeriu e sheh me sy hapur. Me sy mbyllur ti je në rregull, por me sy hapur, nëse e sheh, të gjithë shohim një ëndërr me sy hapur, të gjithë. Jam i bindur që edhe ti, tani jam i bindur se mbase ti i ngatërron, je me sy mbyllur apo me sy hapur dhe nuk di ekzaktësisht a duhet ta thuash apo jo, por edhe ti e sheh veten diku, dikur. Ama, ata që ia dalin janë ata që nuk i dorëzohen asnjë vështirësie për të arritur që ta materializojnë atë, sepse përderisa ti je në gjendje ta shohësh, domethënë je në gjendje ta bësh. Në qoftë se nuk e sheh… Ama, çështja nuk është a je në gjendje ta shohësh, çështja është a je në gjendje ti që, për ta bërë atë realitet, të paguash të gjitha kostot e përpjekjes që duhen për të shkuar atje dhe… Je dashamirës futbolli ti apo s’të intereson?
-Po.
Kryeministri Edi Rama: Pse të pyeta; Leo Messi, kur ishte i vogël, vuante nga një sëmundje që nuk e linte të zgjatej, besoj që e dini dhe ai thoshte, ai ishte i vogël fare dhe thoshte: “Unë do luaj në Camp Nou”. Prindërit kishin hall se ai ishte një fëmijë i sëmurë dhe donin thjesht që ai të ishte një fëmijë që të funksiononte normalisht. Nuk e kishin fare planin e tij, kur ai thoshte “unë do luaj në Camp Nou”. Dhe ai arriti jo vetëm të luajë, por arriti të bëhej ylli i Camp Nou. Pse? Se e shikonte atë gjë, por ama edhe sepse ishte i gatshëm të bënte çdo gjë, edhe kundër mjekëve, edhe kundër të gjitha llojeve të parashikimeve që thoshin “është kot ky muhabet”, që të arrinte atje.
Ne kemi një shembull këtu në Shqipëri. Nuk e di sa prej jush e njohin Ermonela Jahon. Ermonela Jaho ishte nxënëse në Liceun Artistik. Vjen nga një familje e varfër, por e varfër në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe në Liceun Artistik, Ermonela Jaho nuk hynte tek vajzat që studionin për kanto dhe për të cilën pedagogu thoshte që kjo është talent i madh. Ermonela Jaho, kur ishte në lice, thoshte: “Unë do këndoj në La Scala” dhe të gjithë talleshin, se ishte edhe më e vogël, domethënë nuk kishte asnjë të dhënë që të të bënte të mendoje “uau, kjo tani do habisë botën”. Ajo nuk donte të dinte fare se çfarë thoshin të tjerët dhe arriti të këndonte në “La Scala”. Pastaj vendosi një objektiv tjetër: “Unë do jem sopranoja me jetëgjatësinë më të madhe në skenat kryesore të botës”, se sopranot kanë një moshë. E arriti, është sopranoja me moshën më të madhe që ka kënduar në disa nga skenat kryesore të botës dhe është akoma, por rekordin e ka thyer dhe kur e kam pyetur “po mirë, si do ta bësh ti këtë?”, më ka treguar se çfarë stërvitje fizike bënte. Fizike dhe se si kishte 12 vjet që bashkëpunonte me mjekë e me trajnerë për të stërvitur muskujt e fundëm, ata që janë nën muskujt që ne përdorim dhe që nuk janë të stërvitshëm. Dhe stërvitja fizike që bënte ishte një stërvitje sikur do të shkonte në finale të kampionatit të boksit; palestër, not, boks, gjimnastikë, por jo një herë në javë, përditë.
Pra, pse po i sjell këta shembuj? Sepse kur njeriu vendos që këtë do ta arrijë dhe e sheh se këtu do shkojë dhe është i gatshëm t’i përballojë të gjitha, se rruga e Ermonelës ka qenë rrugë e tmerrshme; vajti me një bursë, bursa mbaroi, duhej të kthehej në Shqipëri dhe ajo tha: “S’kthehem unë, do këndoj në La Scala. Ka marrë fund”. Dhe ka bërë punë nga më të rëndomtat për të mbijetuar dhe ndërkohë vazhdonte studionte dhe priste momentin e vet.
-Doja të bëja një pyetje për integrimin në BE: cilat janë pengesat që po e ngadalësojnë procesin për të hyrë në BE?
Kryeministri Edi Rama: Unë besoj që “prokurorja” e ka konstatuar këtë idenë e ngadalësimit nga pasqyrat mediatike, të cilat, për fat të keq, përgjithësisht janë shumë të dyshimta me ato që thonë, që shkruajnë, që flasin, sepse është bërë kaq e shpejtë bota dhe është bërë kaq ritmike koha e informacionit dhe është bërë kaq frenetike përpjekja e të gjithëve për të marrë vëmendje, saqë nuk ka më as kohë, përveç se nuk ka as interes për t’i verifikuar gjërat që thuhen, gjërat që shkruhen, por thjesht hidhen atje për të marrë vëmendje, se edhe pasqyrat janë në garë me njëra-tjetrën, siç janë në garë me njëri-tjetrin gjithë personazhet që i shikoni nëpër Instagram, kush e kush të tërheqë më shumë vëmendje e të tjerë, e këto janë gjëra që e penalizojnë shumë cilësinë e informacionit, por duke vazhduar me çfarë thanë Feriti dhe Majlinda, unë dua t’i kthehem asaj që thashë në fillim: ne jemi në një moment ku, për herë të parë në histori, fati po i buzëqesh shqiptarëve dhe Shqipërisë dhe pa dashur të përsëris çfarë thashë më parë, po sjell një shembull për ngadalësimin, që të kuptohemi pse aktualisht nuk jemi në kushtet kur ka ngadalësim.
Raporti i një vendi jo anëtar i Bashkimit Europian, por edhe i një vendi anëtar, por po marr një vend jo anëtar sidomos, është një raport që kalon përmes dy kateve. Kati i parë është Komisioni Europian. Komisioni Europian është rezultat i zgjedhjeve europiane. Europa bën zgjedhjet, zgjedh Parlamentin Europian dhe pastaj, në bazë të marrëveshjeve që bëhen mes forcave politike e të tjerë, zgjidhen Presidentja e Komisionit dhe të gjithë komisionerët; çdo vend anëtar ka komisionerin e vet, që është si të thuash qeveria e Bashkimit Europian. Qeveria e Bashkimit Europian është e vetmja qeveri në historinë e njerëzimit që s’ka asnjë metër katror të vetin, se metrat katrorë janë të çdo vendi anëtar, por është ajo që merret me buxhetin europian, me programet europiane që janë të gjitha ekstra për të gjithë, përtej buxheteve nacionale dhe kjo qeveri ka dhe një territor që mbikëqyr, që është territori i marrëdhënieve me ata të tjerët që duan të vijnë të bëhen anëtarë. Me vendet aspirante, pastaj me vendet që kanë marrëveshje stabilizim-asocimi, pastaj vendet që janë kandidate, vendet që negociojnë e kështu me radhë dhe Komisioni Europian, në mos gaboj, ka 35 mijë njerëz që janë atje në Bruksel që punojnë për të gjitha fushat dhe një pjesë e këtyre njerëzve merren vetëm me ne, me vendet që duan të hyjnë në Bashkimin Europian dhe, për këtë arsye, kanë dhe përfaqësinë këtu, me 50 veta a ku di unë sa kanë, që merret çdo ditë me çfarë bëjmë ne, çfarë bëjmë me drejtësinë, çfarë bëjmë me ekonominë, çfarë bëjmë me mjedisin, çfarë bëjmë me bujqësinë, çfarë bëjmë me mediat, çfarë bëjmë me arsimin, me të gjitha dhe shkruajnë. Ndërkohë, duke qenë se ne jemi një vend kandidat dhe një vend që synonte të fillonte negociatat, na japin detyrat dhe thonë: “Për të filluar negociatat duhet të bëni këtë, këtë, këtë”.
Komisioni është një mësues ose një trupë pedagogjike shumë objektive, njësoj sikur ju shkoni të jepni provimin e një lënde që është, le të themi, matematikë ose fizikë; aty s’ka subjektivitet. Aty është: e nxore rezultatin, s’e nxore rezultatin. Komisioni nuk merret me politikë, në kuptimin që nuk i intereson Komisionit kush qeveris në Shqipëri, a është e majtë, a është e djathtë, a është kështu apo është ashtu. Komisioni i ka marrëdhëniet me Shqipërinë me qeverinë, i ka me Parlamentin, i ka me institucionet e drejtësisë, i ka me autoritetet e pavarura dhe të gjithëve u thotë këto janë detyrat dhe çdo vit i bën një raport Këshillit.
Çfarë është Këshilli? Këshilli është kati i dytë. Në katin e dytë janë udhëheqësit e 27 vendeve anëtare, presidenti i Francës, kancelari i Gjermanisë, kryeministri i Polonisë dhe ata mblidhen dhe shikojnë raportin e Komisionit. Kanë parë të tjerët përpara, zyrat e tyre, por ata mblidhen për të marrë vendim. Komisioni thotë t’i hapim negociatat me Shqipërinë. Aty janë 27, mjafton njëri të thotë jo, nuk hapen, sepse Bashkimi Europian është një organizëm që funksionon me konsensus dhe mjafton njëri të thotë jo për çfarëdo qoftë, gjëja nuk bëhet. Kështu kanë rënë dakord kur e kanë themeluar, kështu vazhdon edhe sot. Dhe këtu është ai debati i vetos, si mund të vijë njëri të vendosë veto dhe të mbajë peng të gjithë të tjerët. Ne jemi propozuar tre herë për të hapur negociatat dhe tre herë jemi refuzuar. Na ka propozuar Komisioni sepse ne i kemi bërë të gjitha detyrat për të hapur negociatat, jo se kemi bërë të gjitha detyrat për t’u bërë anëtarë. Pastaj vazhdojnë detyrat, vetëm detyra është kjo histori, deri në fund. Pse jemi refuzuar? Sepse një vend anëtar nuk na donte. Çfarë kishte me Shqipërinë? S’kishte asgjë, por kishte një problem të krijuar me shqiptarët. Pse? Politikë. Luftë politike në atë vend, zgjedhjet do vinin, ishin përpara dhe gjithmonë gjëja më e thjeshtë që kërkojnë forcat politike është të kërkojnë një armik. Pse? Sepse armiku motivon votuesit. “Çohuni se kemi një…” dhe në shumë vende të Europës…
Dhe në shumë vende të Europës, armiku u bë emigranti. Por, sërish, kur thua “emigrantët, emigrantët”, mbetet diçka e përgjithshme. Ndërkohë, kur gjendet edhe një “armik” konkret, si për shembull shqiptarët, kjo ndihmon, sepse shumica e njerëzve as nuk i hyjnë fare fakteve.
Dhe, faktikisht, ai vend thoshte: jo, nuk jeni gati, nuk janë gati këta; ta shtyjmë, ta bëjmë. Po e them shumë brutalisht, sepse ka pasur edhe ndonjë nuancë më shumë se kaq; mund të ketë qenë edhe ndonjë vend tjetër në ndonjë moment. Kanë qenë tre vende, por domethënë shumica dërrmuese e vendeve ishin dakord. Po jo, pse? Sepse ishte një kohë kur ne bënim tonën, por nuk ishin bashkuar të gjitha bashkë, siç ndodh tani, dhe Europa ishte në një situatë ku i dukej çdo gjë në rregull: “Ç’na duhet tani të vazhdojmë të marrim të tjerë? Kemi halle të tjera, kemi emigracionin, kemi këto, kemi ato”.
Ky është ngadalësimi në këtë sens. Pra, që procesi të ngadalësohet duhet të ndodhin dy gjëra, ose njëra, ose tjetra, ose të dyja bashkë: ose vendi që do të shkojë atje fillon të bëjë gabime dhe vendoset në një pozicion jo të favorshëm, vetëvendoset në një pozicion jo të favorshëm, dhe atëherë Komisioni fillon dhe ngre rezerva; ose politika e një vendi, apo e një vendi tjetër, ngre rezerva.
Tani, sot ne nuk jemi në këto kushte, por pyetja që duhet t’ia bëjmë vetes është: sa kohë kemi? Sepse nuk i bie çdo brezi fati që të bëjë histori. Shumë breza kanë fatin e mirë që të mos kenë raporte me historinë, sepse është periudhë paqeje, periudhë normale. Por ka momente në jetën e një populli kur një brezi i bie të bëjë ose të përballet me historinë në kuptimin brutal, që i vjen lufta, dhe ti as nuk e ke zgjedhur luftën, as vendos ti për luftën, as nuk e ndalon dot luftën; të vjen lufta dhe ti do luftosh, sepse ndryshe… Ose të ndodhë siç po na ndodh ne tani, që është një moment kur ne mund të bëjmë historinë duke hyrë në Bashkimin Europian. Është hapur një dritare, ose më saktë, është hapur dera, por dera mund të mbyllet. E rëndësishme është që ne të mos bëhemi sebep që të mbyllet dera dhe ne nuk do të bëhemi sebep që të mbyllet dera.
Por dera mund të mbyllet pas një viti, pas dy vjetësh, pas tre vjetësh. Dhe nuk flas për mundësinë e mbylljes sepse do të fillojë një luftë e tretë botërore. Flas për mundësinë që ata mund të rikthehen në një situatë ku thonë: “prit njëherë”.
Kështu që, për këtë arsye, ne duhet të bëjmë maksimumin në këto vite që kemi përpara, ku duket që dera është qartësisht dhe plotësisht e hapur.
Dhe për këtë arsye, ne nuk duhet të humbasim fokusin me lloj-lloj gjërash. Këtu nuk jam duke folur për të bërë politikë në kuptimin e politikës së përditshme që bëhet këtu. Jam duke folur për politikën që duhet të bëjë çdo shqiptar dhe për mënyrën se si çdo shqiptar duhet ta dallojë politikën e madhe. Dhe kjo është politika e vetme e madhe që kemi ne: të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian. E gjithë pjesa tjetër është politikë e përditshme: është kështu, s’është ashtu.
Politika e madhe është që ne të mos humbasim këtë moment historik dhe ky është realisht një moment historik. Për këtë arsye, duhet që të jemi të gjithë të fokusuar tek kjo.
Kam pasur gjithmonë një ndjenjë hakmarrjeje brenda vetes për shkak të pasaportës. Sa herë dilja jashtë, nuk isha asgjë tjetër përveçse një shqiptar tepër i gjatë për të qenë i durueshëm përpara një polici italian, sa gjysma ime, dhe gjithmonë përfundoja në komisariatin e aeroportit, rregullisht.
Unë, sapo futesha në radhë, filloja të agitohesha. Njëherë do i thosha policit: “ç’ke me atë gruan?”, njëherë: “ç’ke me këtë burrin?”, “po ti kush je?”. “Ik mëso të flasësh italisht!”. “Nga je ti, ç’të duhet?”. Dhe gjithmonë përfundoja aty. Pse? Sepse kisha tmerr atë radhën dhe atë diskriminim. Dhe thosha: kur do vijë dita që kjo pasaportë dhe të qenit shqiptar të mos shoqërohet me të tilla situata, ose kur të më shohë tjetri, të mos mendojë që ky ka një problem?
Dhe besoj që kjo është arritja ime më e madhe për të gjithë shqiptarët. Kështu që, sa e rëndësishme është që ne të mos bëhemi shkak për të ngadalësuar asgjë.
Gersi Troka: Kërkoj që nëpër universitete të vendosen kuota për persona me aftësi të kufizuara intelektuale, duke pasur parasysh pedagogët dhe një plan mësimor të përshtatur. Si dhe të kihet parasysh financimi në fushën e sportit, në mënyrë që të kenë ambiente dhe trajnerë për t’u stërvitur sipas disiplinave sportive.
Kryeministri Edi Rama: Më bëhet shumë qejfi që të shoh këtu. Bashkë kemi qenë në podkast dhe njihemi prej kohësh. E mbaj mend me shumë kënaqësi atë bisedë që kemi bërë në podkast dhe, për hir të vërtetës, kemi bërë goxha progres në drejtim të mësuesve ndihmës dhe të ndihmës për fëmijët me aftësi të veçanta.
Jo më larg se këto ditë kemi vendosur që më në fund të realizojmë edhe një tjetër zotim që është në programin tonë: që të gjithë kujdestarët për fëmijët me aftësi të veçanta, të cilët janë të detyruar të rrinë pranë tyre dhe, për këtë arsye, nuk mund të bëjnë një punë tjetër, të mos kenë edhe atë pasojën krejt të padrejtë që të mbeten pa pension. Kështu që kemi vendosur që do t’u paguajë qeveria të gjitha sigurimet shoqërore dhe kështu, kur të vijë mosha e pensionit, do ta kenë pensionin të sigurt, pavarësisht se nuk kanë punuar në një punë për shtetin apo privatin, por kanë bërë një punë shumë të madhe: janë kujdesur për një fëmijë që ka pasur nevojë për kujdesin e tyre dhe ato vite do t’u njihen si vite pune për pensionin.
Ndërkohë, kemi vendosur gjithashtu që, me aktin normativ që do kalojmë së shpejti, do të dyfishojmë edhe mbështetjen financiare për fëmijët autikë, pra për prindërit e fëmijëve autikë.
Edhe në këtë aspekt, Bashkimi Europian dhe procesi i anëtarësimit në BE kanë një rol shumë të madh, pikërisht sepse përkujdesja ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut në tërësi dhe ndaj njeriut kur ai ka të tilla sfida, siç është sfida me një problem të natyrës fizike, është virtyt i Bashkimit Europian.
Shpeshherë, dhe gjithmonë e më shumë, njerëzit, dhe ju sidomos, sa më të rinj aq më shumë mendoni se politika është kot. Në fakt, politika e ka krijuar BE-në. Po të mos ishte politika, nuk do të kishte BE. Nuk do të kishte Shtete të Bashkuara. Dhe jo vetëm që s’do kishte BE dhe SHBA, por po të mos ishte politika, nuk do të kishte të drejtë vote për askënd, nuk do të kishte liri për vajzat dhe për gratë, dhe nuk do të kishte shtete sociale apo shërbime sociale.
Politika ka bërë edhe lemeri, sepse politika ka pjellë edhe nazizmin dhe diktaturën komuniste, por pa politikën njeriu nuk do të kishte arritur të jetonte me rregulla dhe ligje në një shoqëri që respekton të drejtat dhe liritë e tij.
Dhe Bashkimi Europian është kjo, në radhë të parë, sepse shumë njerëz e shikojnë në mënyrë shumë të ngushtë anëtarësimin në BE. Harrojnë që ne shqiptarët kemi qenë të detyruar të jetojmë nën lloj-lloj thundrash dhe kurrë nuk e kemi pasur mundësinë e zgjedhjes së lirë. Kurrë, përveç momentit kur, për herë të parë, na u dha mundësia të themi çfarë duam, dhe thamë që duam të jemi si Europa.
Dhe të jesh si Europa do të thotë të jesh në BE, dhe të jesh në BE do të thotë të mos kërcënohesh më nga një kthesë e fatit që mund të të vërë nën një thundër tjetër, të mos kërcënohesh nga transformimi i shtetit në një makinë që të shtyp apo që nuk të garanton liritë dhe të drejtat.
Kjo do të thotë që jeta jote, jeta e familjes tënde, jeta e popullit tënd të mos jetë e varur nga individi. Sot ende individi në Shqipëri ka shumë rëndësi. Pse? Sepse institucionet janë akoma në formim e sipër dhe varet shumë nga një individ se si funksionon një institucion.
Bashkimi Europian është fuqia e institucioneve, me të gjitha problemet e veta, burokracinë, zvarritjet, por është fuqia e institucioneve. Dhe kjo është garancia më e madhe që ka një popull, një komb, një shtet, për të mos përjetuar situata poshtëruese apo tragjike.
Ferit Hoxha, ministër për Europën dhe Punët e Jashtme: Do të thoja vetëm një fjalë. Ju përdorët togfjalëshin “persona me aftësi të kufizuara” dhe ky është një përkthim nga gjuhët e Bashkimit Europian, por ndoshta në këtë aspekt kemi bërë një gjë të bukur në shqip: kemi togfjalëshin “persona me aftësi ndryshe”. Dhe “aftësi ndryshe” do të thotë që mund të keni aftësi shumë më të mira sesa të gjithë në sallë në aspekte të veçanta. Dhe këtu ia kemi dalë të jemi më mirë sesa disa nga gjuhët e Bashkimit Europian, sepse kjo është absolutisht e vërteta dhe është një shprehje shumë e gjetur. Kështu që mos kini merak se nuk jeni të kufizuar.
-Një nga problematikat më të mëdha të Shqipërisë është korrupsioni. Nga njëra anë, në vitin 2004 shohim që, për arsye strategjike apo politike, BE futi brenda saj vendet baltike dhe korrupsioni u rregullua me kalimin e kohës. Nga ana tjetër, shohim që, në momentin që futet Hungaria në BE, problemet me shtetin e së drejtës nuk rregullohen dhe BE priret të jetë më e kujdesshme këtë radhë. Si ndikon kjo në integrimin tonë në BE dhe a mendoni se 2030 është thjesht një ëndërr apo një objektiv me probabilitet të lartë?
Kryeministri Edi Rama: Tani, pikë së pari, më lejoni t’ju jap jo versionin zyrtar, por versionin tim personal. Ky është kompleksiteti i situatës dhe ka një problem shumë të madh me korrupsionin edhe për një arsye tjetër: sa më shumë flitet për të në hava, aq më shumë mjegullohet perceptimi i njerëzve, që dëgjojnë gjatë gjithë kohës “korrupsion, korrupsion”. Por, në fakt, po të shikosh faktet, ato janë ndryshe. Janë shumë ndryshe. Edhe faktet e drejtësisë janë shumë ndryshe. 85% e çështjeve të SPAK-ut që kanë të bëjnë me zyrtarët publikë i përkasin mandatit të parë tonë dhe pjesës së parë të mandatit të dytë, dhe i përkasin edhe rasteve përpara nesh. 85%. Çfarë tregon kjo? Kjo tregon që rastet kanë ardhur duke u bërë gjithnjë e më pak, jo më shumë. Flas në kohë të qeverisë, por, në ndryshim nga vendet e tjera që i kanë ndërtuar këto institucione shumë kohë më parë, këto janë institucione të reja që bëjnë gërmime edhe në të kaluarën, kështu që realiteti është shumë ndryshe nga si pikturohet ditë-natë në ato pasqyra, sepse bën edhe lajm.
Mirëpo, në kohën që ne jetojmë sot, me atë shpejtësinë me të cilën “kanibalizohet” opinioni duke hedhur lajmet si fakte, të gjithë ata që lexojnë priren të besojnë që “po, ja e shikon, ja kapën”. Dhe sa nga këto janë kështu? Sa të duash. Ndërkohë që, në një vend normal demokratik, drejtësia bën punën e vet dhe pasqyrat që pasqyrojnë punën e saj nuk bëjnë gjyqe të parakohshme, ndërkohë që hetimet janë hetime. Mirëpo, nga ana e perceptimit, kjo e rëndon jashtëzakonisht.
Unë habitem – jo, nuk habitem – por imagjino sa keni dëgjuar ju për mua dhe jeni këtu, keni dy orë që po më dëgjoni mua. Po normalisht, sikur çerekun e atyre që keni dëgjuar ta besonit, ju s’duhet të rrinit fare këtu në sallë, se mund t’ju ndodhte ndonjë gjë e tmerrshme. Kështu që njerëzit kanë inteligjencën e tyre, por deri ku? Deri në çfarë pike? Deri në çfarë pike mund t’i rezistojnë shpifjes, gënjeshtrës, sajesave? Kjo është një pikëpyetje e madhe për shoqëritë tona sot, të medias së lirë, të lirisë së shtypit, të fjalës së lirë e të tjera, por është ajo që është. S’kemi çfarë t’i bëjmë.
-Gjatë 10-vjeçarit të fundit, Shqipëria ka pasur një rrjedhje, një hemorragji të të rinjve, të cilët kanë gjasa të mos kthehen më në Shqipëri. Pyetja është: cilat janë masat që ju, si qeveri, keni ndërmarrë dhe cilat janë shkaqet?
Kryeministri Edi Rama: Shkaqet janë nga më të ndryshmet, por kini parasysh një gjë – po e filloj nga kjo. Keni dëgjuar dhe dëgjojmë: “u zbraz fshati, u zbraz fshati”. Në fakt, ne e kemi fshatin shumë larg së qenit aty ku është në gjithë vendet e Bashkimit Europian. Në vendet e Bashkimit Europian, raporti i njerëzve që banojnë në qytet me ata që banojnë në fshat është 80 me 20. 80% janë në qytete, 20% janë në fshatra. Në Shqipëri, edhe sot që flasim, është 60 me 40. Patjetër që te kjo 40 një pjesë janë jashtë, dhe njësoj edhe te kjo 60, por ata që janë këtu sot janë në këtë raport.
Tani, a ka një mënyrë për ta ndaluar këtë? Nuk ka, sepse po të kishte, do ta kishin ndaluar të tjerët. E para. E dyta, çfarë do t’i thuhet një të riu 20-vjeçar që ka përpara të gjithë botën në celular, është në një realitet të një fshati – të largët apo të afërt, nuk ka rëndësi – dhe thotë: “unë dua të shkoj ta provoj veten time në Europë, ose në Amerikë, ose në Australi”? Ti si i thua? I thua “jo”? I thua “ti do rrish këtu se do luftosh për atdheun”? E para, nuk është e vërtetë. E dyta, është në të drejtën e vet. E treta, për sa kohë ne kemi zgjedhur të jemi një vend i hapur dhe, falë Zotit, jo si në kohën e mëparshme kur nuk dilnim dot nga Shqipëria, kemi pranuar sfidën e të jetuarit në një botë të hapur dhe pjesë e kësaj sfide është që njerëzit do lëvizin, do ikin, do kërkojnë ëndrrën e tyre aty ku i çon ëndrra; disa nuk do kthehen më, disa do kthehen. Nuk ka alternativë ndaj kësaj. Nuk ka!
Nga ana tjetër, të gjitha vendet – përfshirë edhe Hungarinë që përmendi vajza – që pati një moment kur ktheu raportin e lindjeve me vdekjet, kanë rënie të lindjeve dhe Europa po plaket. Ky është fakt. Vetë Kina, që deri para disa kohësh kishte politikën e një fëmije të vetëm, sepse kishte problem që lindnin shumë fëmijë, sot ka problem që nuk lindin më aq sa ka nevojë ai vend. Çfarë t’i bësh kësaj? Si ta kthesh këtë?
Sot, siç tregojnë një sërë studimesh, tendenca ka filluar të lëvizë. Kemi ende më shumë ikje sesa kthime, por kemi një raport më të balancuar midis tyre. Kemi edhe një realitet si Berati, për shembull, ku ka më shumë kthime sesa largime. Natyrisht, kjo lidhet me faktin se njerëzit në Berat kanë parë mundësi dhe thonë: “pse të rri akoma në Greqi dhe të punoj për afendikoin, kur kam shtëpinë time në Mangalem, kam disa kursime, e bëj shtëpinë bujtinë dhe e kam gjithë vitin me punë dhe fitoj çdo muaj më shumë sesa fitoj me afendikoin?”. Pse të rrijë me afendikoin?
Dhe kështu gjërat kanë filluar të lëvizin në këtë sens. Por kush thotë që këto lëvizje kanë ardhur si rezultat i një qeverie të keqe apo të korrupsionit, bën propagandë, bën politikën e vet, por nuk thotë asgjë të vërtetë. Zero! Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë më mirë se ç’është sot. A është aq mirë sa duhet të jetë për të gjithë? Jo, nuk është. A është vendi ku çdo i ri e ka të sigurt të nesërmen dhe nuk ka pse të ikë? Jo, nuk është. Por ama, nuk do ta gjeni askund në Europë atë lloj vendi, sepse ai vend nuk ekziston më. As në Gjermani, askund nuk ekziston më ai vend ku çdo i ri e ka të sigurt të nesërmen aty.
Çdo i ri ka të sigurt vetëm një gjë: që ose do luftojë për të fituar atë që kërkon, ose mund të gjendet në situata shumë të vështira. Kjo është koha e sotme.
Unë mendoj – domethënë, nuk besoj se e dyshon njeri – që s’ka shkop magjik. Nuk ka transformime të tilla që të bëjnë kthesa kaq të mëdha. Ne kemi zgjedhur demokracinë, nuk kemi zgjedhur të ndërtojmë një sistem ku mund t’i çosh njerëzit me zor në punë apo t’u kërkosh sakrifica kolektive të imponuara nga lart. Është zgjedhje e lirë. Secili bën zgjedhjen e vet.
Ajo që ne bëjmë është të përpiqemi çdo ditë të përmirësojmë diçka në çdo drejtim. Përgjithësisht ia dalim; në shumë raste nuk ia dalim. Vazhdojmë të përpiqemi. Kjo është e gjitha. Nuk ka tjetër.