Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, zhvilloi në Berat, një takim me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, të Kosovës, Faton Peci, Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë së Malit të Zi, Salih Gjonbalaj, Atasheu gjerman për bujqësinë, si dhe Boban Ilic, Sekretar i Përgjithshëm i SWG-së, ku diskutuan mbi bashkëpunimin rajonal me fokus fuqizimin e bujqësisë dhe zhvillimin rural në Ballkan.
Në fjalën e saj, Ministrja Denaj theksoi se ne tashmë jemi një ekip ku kemi një objektiv të qartë, ai është integrimi evropian dhe sigurisht secili nga vendet tona ka bërë progresin për përafrimin ligjor, por njëkohësisht ky përafrim ligjor nuk mund të konceptohet pa bashkëpunimin e politikëbërjes dhe bizneseve.
“Si t’a fasilitojmë më tej këtë bashkëpunim, qoftë në nivel politikash, por edhe në nivel operacional? Së dyti, si të mundësojmë që disa nga shërbimet që ne ofrojmë për bizneset që garantojnë cilësinë ushqimore t’i ndërlidhim për të pasur sa më tepër bashkëpunim, por njëkohësisht dhe optimizim kostosh”, tha Denaj.
Ministri i Pylltarisë Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Faton Peci, duke shprehur dakordësinë e plotë me këtë nismë, tha se
“orientimi i rajonit strategjik është integrimi në proceset evropiane në këtë rast synimi ynë si vend i Ballkanit Perëndimor është që ne duhet të jemi pjesë e Bashkimit Europian. Për këtë ne na duhet një koordinim më i ngushtë në të gjitha fushat. Është shumë në interes që të shohim mundësitë që sa më shumë të ketë iniciativa siç është Panairi i Lushnjes edhe në prezencën e sa më shumë fermerëve, jo vetëm të institucioneve të vendeve të rajonit.
Mendoj që janë një gamë e madhe e aktiviteteve dhe veprimeve që mundemi bashkarisht t’i zgjidhim në funksion të rritjes së produktitvitetit dhe cilësisë në produktet bujqësore”, tha ministri kosovar Peci.
“Mali i Zi e mbështet fuqishëm këtë iniciativë. Ne monitorojmë me kujdes të gjitha pozicionet përkatëse dhe punojmë në mënyrë aktive për të përforcuar vetëprocesin. Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të ruajtur momentin dhe për të dhënë një kontribut në bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal. Mali i Zi mbështet hapur dhe drejtëpërdrejtë integrimin ekonomik rajonal dhe ne kontribuojmë në zbatimin e agjendës së reformave për tregëtinë dhe konkurrencën brenda CEFTA-s në përputhje me kërkesat e procesit të përafrimit me BE-në”, tha në fjalën e tij, Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë së Malit të Zi, Salih Gjonbalaj.
Ndërsa Boban Ilic, Sekretar i Përgjithshëm i SWG, duke falënderuar për bashkëpunimin konstruktiv dhe sigurisht mbështetjen politike të bashëpunimit rajonal të secilit vend, dhe mbështetjen e qeverisë gjermane, u shpreh se “Ne do të dëshironim që bujqësia të përfshihej në procesin e Berlinit. Kjo do të jepte jo vetëm ndërveprimin e Gjermanisë dhe Francës dhënien e sinjalit të qartë edhe vendeve fqinje të të Ballkanit Perëndimor po ashtu si edhe vendeve mbështetëse të procesit të Berlinit si Austria dhe Italia për të pasur një agjendë të qartë në atë çfarë ne duhet të punojmë”.
Ky takim u zhvillua në kuadër të panairit të Lushnjes ” Ditët e Bujqësisë”, që tashmë shihet si një mundësi e çmuar për të rrahur ide dhe përçuar mesazhet e nevojshëm nga politikëbërës, ekspertë të fushës, partnerë të huaj e donatorët nga Shqipëria dhe vendet e rajonit në drejtim të objektivave të përbashkët për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë.