Bashkëpunimi ekonomik mes vendeve të rajonit është i rëndësishëm në rrugën e integrimit drejt Bashkimin Europian.
Ky ishte mesazhi që dha Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë fjalës së saj në Forumin Ekonomik të Tiranës, si pjesë e panelit me temë: “Bashkëpunimi rajonal si parakusht për rimëkëmbje të qëndrueshme post-COVID në Shqipëri dhe në Ballkan”.
Ministrja tha se vendet e rajonit duhet të hartojnë programe të përbashkëta ekonomike, me qëllim përgatitjen për integrimin në BE.
“Besoj se jo vetëm për shkak të tregut të përbashkët rajonal, jo vetëm për shkak gjithë iniciativave që tashmë kemi ndërmarrë, jo vetëm sepse është e rëndësishme të kemi një treg të brendshëm duke qenë se përgjithësisht jemi vende të vogla, ne duhet të specializohemi në fusha të ndryshme dhe duhet të kemi programe të përbashkëta ekonomike, me qëllim që të jemi të aftë të përballemi në të ardhmen me hyrjen në Bashkimin Europian dhe konkurrencën me të cilën duhet të përballemi ndërsa hyjmë në BE, por gjithashtu në kuadër të bashkëpunimit më të mirë dhe përballimin e krizave të reja, si ajo e çmimeve”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj vlerësoi se bashkëpunimi rajonal është forcuar vitet e fundit, pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga pandemia, dhe theksoi rëndësinë e rritjes së tij edhe në kuadër të përballimit të krizës globale të rritjes së çmimeve.
“Puna që kemi bërë nën ombrellën e jo vetëm Procesit të Berlinit, por edhe në iniciativës Open Balkan, është shumë e rëndësishme. Edhe në kuadër të krizës së çmimeve me të cilën ne po përballemi, ne kemi bashkëpunuar me qëllim që të mos ndalojmë shkëmbimet tregtare dhe nuk kemi reshtur kurrë së shkëmbyeri produkte që mungojnë nga njëri-vend në tjetrin, ose produkte që me përpara furnizoheshin nga Ukraina ose nga Rusia, dhe që aktualisht nuk janë të aksesueshme”, tha Ibrahimaj.
Ministrja theksoi faktin se në kuadër të nismës Open Ballkan, po punohet për reduktimin e tarifave të tregtisë, importeve dhe eksporteve, me qëllim që të lehtësohet sa më shumë të jetë e mundur bashkëpunimi dhe shkëmbimet tregtare.
Marrëdhëniet tregtare në rajon janë intensifikuar në vitet e fundit. Rreth 8 % e totalit të importeve në Shqipëri vijnë nga Ballkani Perëndimor dhe 19 % e eksporteve shkojnë drejt vendeve të rajonit.
Bashkëpunim shumë i mirë është ai në drejtim të zhvillimit të IT, ndërsa gjatë pandemisë u zhvilluan “linjat e gjelbra”, që lehtësuan transportin gjatë periudhës së pandemisë.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Ju falënderoj që më keni ftuar në këtë takim kaq të rëndësishëm. Është një kënaqësi e veçantë për mua që jam këtu dhe po shkëmbej pikëpamjet rreth këtyre ditëve të jashtëzakonshme që po kalojmë.
Situata e pandemisë e shkaktuar nga COVID 19 ishte e paprecedentë dhe e gjeti ekonominë shqiptare pak të papërgatitur për atë që po ndodhte. Shumica e kësaj situate erdhi si pasojë e faktit që përpara pandemisë së COVID 19 pësuam një tërmet të fuqishëm në vitin 2019. Pra, nga pikëpamja financiare dhe ekonomike ne ishim përballur me një tronditje shumë të madhe, të cilën po përpiqeshim ta kapërcenim.
Në muajt e parë të pandemisë COVID 19, pavarësisht pasojave mjekësore dhe pandemisë që u përhap në Shqipëri, rajon dhe në botë, kishim përpara një situatë shumë sfiduese sepse ndaloi transporti dhe shumica e bizneseve u detyruar të pezullonte veprimtarinë e tyre për një periudhë të caktuar kohore. Kjo nënkuptonte që jo vetëm për qeverinë e Shqipërisë, por për të gjitha qeveritë e rajonit, ishte shumë e vështirë të përballeshin me këtë situatë.
Ne si qeveri ndërmorëm shumë nisma me qëllim ruajtjen e vendeve të punës dhe mbrojtjen e ekonomisë dhe vazhdimësisë së saj. Për këtë arsye ne mbështetëm individët dhe bizneset përmes paketave të ndryshme.
Situata me të cilën po përballemi tani është një tjetër krizë ekonomike globale e cila po prek edhe Shqipërinë e që ka vështirësitë e veta për tu përballur me sfidat e reja dhe rritjen e çmimeve kudo në botë. Ndërsa e gjithë bota e rajoni në veçanti në vitet e fundit ka pasur nivele të ulëta të inflacionit, për ne është shumë sfiduese kjo periudhë.
Bashkëpunimi ekonomik dhe rajonal në këto kohëra është i më i rëndësishëm se kurrë sepse kriza me të cilën po përballemi aktualisht nuk është vetëm një krizë çmimesh, por edhe një krizë furnizimi dhe puna që kemi bërë, në bashkëpunim me rajonin, në 20 vitet e fundit, na ka ndihmuar të kapërcejmë disa nga sfidat me të cilat po përballemi edhe tani.
Ju e dini që gjatë 20 viteve të fundit, nisma të ndryshme ndërkombëtare dhe rajonale janë dizenjuar për t’i shërbyer qëllimit të rritjes së bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik, duke nisur që nga Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore, marrëveshjen dypalëshe për tregtinë e lirë, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, kishim edhe ngritjen e CEFTA-s në vitin 2006 dhe që prej asaj kohe ne i kemi forcuar marrëdhëniet tona me fqinjët tanë dhe ne besojmë se kjo është rruga e duhur për të gjithë.
Që nga procesi i Berlinit ne kemi vendosur që do të punojmë së bashku për të pasur lëvizje të lirë të kapitalit, fuqisë punëtore dhe shërbimeve, dhe puna nuk ka ndaluar.
Ajo që do të doja të theksoja në fjalën time është se puna që kemi bërë nën ombrellën e jo vetëm Procesit të Berlinit, por edhe në iniciativës Open Balkan, është shumë e rëndësishme sepse kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë. Edhe në kuadër të krizës së çmimeve me të cilën ne po përballemi, ne kemi bashkëpunuar me qëllim që të mos ndalojmë shkëmbimet tregtare dhe nuk kemi reshtur kurrë së shkëmbyeri produkte që mungojnë nga njëri-vend në tjetrin, ose produkte që me përpara furnizoheshin nga Ukraina ose nga Rusia, dhe që aktualisht nuk janë të aksesueshme.
Kështu unë besoj që jo vetëm për shkak të tregut të përbashkët rajonal, jo vetëm për shkak gjithë iniciativave që tashmë kemi ndërmarrë, jo vetëm sepse është e rëndësishme të kemi një treg të brendshëm duke qenë se përgjithësisht jemi vende të vogla, ne duhet të specializohemi në fusha të ndryshme dhe duhet të kemi programe të përbashkëta ekonomike, me qëllim që të jemi të aftë të përballemi në të ardhmen me hyrjen në Bashkimin Europian dhe konkurrencën me të cilën duhet të përballemi ndërsa hyjmë në BE, por gjithashtu në kuadër të bashkëpunimit më të mirë dhe përballimin e këtyre krizave të reja.
Pavarësisht situatës pandemike dhe krizës së çmimeve që ka prekur ekonomitë tona në 2-3 vitet e fundit, ne kemi intensifikuar marrëdhëniet tona tregtare me rajonin.
Në terma të numrave, ne kemi rreth 8 % të totalit të importeve që vijnë nga Ballkani Perëndimor dhe ky numër është rritur nga viti në vit, pavarësisht krizave, siç e përmenda më sipër.
Ndërsa në terma të eksporteve shqiptare, ne kemi 19 % të eksporteve tona dedikuar bashkëpunimit rajonal.
Bashkëpunimi rajonal nuk ndalon këtu. Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë në drejtim të zhvillimit të IT. Në vitet e fundit, në kuadër të RCC, u hoqën tarifat e roaming për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe gjatë pandemisë zhvilluam “linjat e gjelbra”, që ishin shumë të rëndësishme me qëllim që të mos ndalonte transporti dhe të lehtësonim procese të tilla.
Në kuadër të një bashkëpunimi me të mirë në Ballkanit Perëndimor dhe nismës Open Ballkan ne jemi duke punuar për të reduktuar tarifat e tregtisë, e importeve dhe eksporteve, me qëllim që të lehtësohet sa më shumë të jetë e mundur bashkëpunimi ynë.
Faleminderit.