Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një vizitë në shkollën e mesme profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër.
Në kuadër të kësaj vizite u zhvillua një takim i përbashkët mes nxënësve të kësaj shkollë, përfaqësues të biznesit, përfaqësues nga Zyra e Punës dhe Qendra e Formimit Profesional në Shkodër, si dhe drejtues nga AKPA.
Gjatë këtij takimi u diskutua mbi problematikat e biznesit dhe nevojën e tij për të punonjës të kualifikuar për pozicione të ndryshme pune.
Në mënyrë të veçantë, u theksua rëndësia e bashkëpunimit mes institucioneve në nivel qendror dhe lokal me biznesin, në mënyrë të njihen nevojat reale të tregut të punës dhe që oferta për punë t’i përgjigjet më së miri këtyre nevojave.
“Bashkëpunimi me biznesin është kyç dhe është pika më e rëndësishme që duhet t’i mëshojmë. Ne duhet të dëgjojmë biznesin dhe të ndërmarrim politika dhe incentiva me qëllim që të plotësojmë kërkesat e biznesit”, u shpreh Ministrja.
Ibrahimaj tha se Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të vijojë mbështetjen e zhvillimit të arsimit profesional, pasi nxënësit që përfundojnë këta arsim kanë përparësi në integrimin në tregun e punës.
Ministrja informoi se së shpejti do të nisë një komunikim i vazhdueshëm me bizneset në çdo qark, me qëllim informimin për kërkesat që ato kanë për vende pune, në mënyrë që më pas zyrat e punës të ofrojnë për bizneset kapacitetet e punëkërkuesve të papunë, apo dhe nxënësit që përfundojnë arsimin profesional.
“Gjatë viteve të fundit, ne jemi munduar shumë që të afrojmë ofertën e punës me kërkesën për punë dhe nëpërmjet shkollave profesionale mund të bëhet më së miri. Sot ekonomia po ecën mire dhe bizneset në fusha të ndryshme kanë kërkesë. Ne do të punojmë fort që të rrisim ofertën e punës, me qëllim që t’i përshtatemi kërkesës së tregut dhe të arrijmë në nivelin e duhur ekonomik”, tha Ibrahimaj.
Një prej sektorëve të ekonomisë i cili ka nevojë për punonjës të kualifikuar është ai i turizmit. Për këtë arsye, Ministrja Ibrahimaj tha se do të synohet rritja e numrit të nxënësve në shkollat profesionale me drejtim turizmin.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të forcojë bashkëpunimin me universitetet në të gjithë vendin, me qëllim që studentët e diplomuar të vihen në dispozicion të ofertës për punë, në mënyrë që të përmbushen kërkesat e tregut të punës.
Sipas Ministres Ibrahimaj, bashkëpunimi me biznesin është i rëndësishëm edhe në funksion të luftës kundër informalitetit dhe deklarimit të pagave, çka do të ndikojë në cilësinë e ofertës së punës.
“Ne duhet të bashkëpunojmë fort me biznesin me qëllim që pagat të rriten, që të kemi një ofertë më të mirë pune në vend, se sa në vendet e tjera. Edhe puna që ne po bëjmë drejt reduktimit të informalitetit, drejt deklarimit të pagave reale që njerëzit marrin, që do të ndikojë në krijimin e më shumë mundësive”, tha Ministrja.
Qarku i Shkodrës ka katër shkolla profesionale. Vetëm në shkollën profesionale “Hamdi Bushati” ka rreth 850 nxënës. Numri i nxënësve në shkollat e arsimit profesional në vend ka ardhur çdo vit në rritje, ashtu si edhe numri i kërkesave për të ndjekur arsimin profesional.