Baza Ligjore - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Baza Ligjore

Agjencia për Media dhe Informim është themeluar në përputhje me përcaktimet e bëra në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 512 datë 18.09.2021, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Media dhe Informim”.

V E N D I M
PËR

KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUKSIONIMIN E AGJENCISË PËR MEDIA DHE INFORMIM

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe fuksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Media dhe Informim (më poshtë “Agjencia”) e njohur për publikun edhe si “Media and Information Agency – MIA”, si person juridik publik, në varësi të Kryeministrit, me seli në Tiranë.

2. Agjencia financohet nga buxheti i shtetit, donacione dhe burime të tjera të ligjshme. 

3. Agjencia ka si mision të sigurojë transparencën në lidhje me politikat, aktivitetet, projektet, eventet, si dhe qëllimin, objektivat, risitë apo problematikat që zgjidhen nëpërmjet akteve të Këshillit të Ministrave dhe të akteve të tjera të ministrave dhe çdo institucioni të administratës shtetërore.

 

II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË AGJENCISË

Agjencia ka këto përgjegjësi:

1. Organizon punën për të informuar dhe komunikuar me publikun dhe median.

2. Organizon punën për të përgatitur qëndrimet dhe sondazhet e qeveritare mbi çështjet me interes publik.

 

III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË

1. Agjencia e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror. 

2. Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili përgjigjet para Kryeministrit dhe përfaqëson agjencinë në marrëdhënie me të tretët. 

3. Drejtori i Përgjithshëm i agjencisë emërohet, lirohet apo shkarkohet nga detyra nga Kryeministri. Drejtori i Përgjithshëm duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:

a) Të jetë shtetas shqiptar;

b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

c) Të ketë diplomë të nivelit “Master shkencor” apo “Master profesional”, sipas legjislacionit për arsimin e lartë, në shkencat sociale dhe/ose komunikim;

ç) Të ketë përvojë pune, të paktën 7 (shtatë) vjet në profesion apo në fusha të lidhura me informimin dhe komunikimin;

d) Të shquhet për aftësi profesionale dhe figurë të pastër etiko-morale;

dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;

e) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale. 

4. Drejtori i Përgjithshëm lirohet ose shkarkohet nga detyra kur:

a) plotësohet mosha për pensionin e plotë të pleqërisë;

b) dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;

c) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor;

ç) gjendet në një situatë të konfliktit të vazhdueshëm të interesit;

d) jep dorëheqjen nga detyra;

dh) kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës.

5. Drejtori i Përgjithshëm mbështetet në veprimtarinë e tij nga një zëvendësdrejtor i përgjitshëm i cili emërohet, lirohet apo shkarkohet nga detyra nga drejtori i Përgjithshëm.

6. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm, zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, nëpunësve dhe punonjësve administrativë të Agjencisë rregullohen në bazë të Kodit të Punës.

7. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

8. Drejtori i Përgjithshëm, statusi i të cilit barazohet me atë të ministrit të shtetit, është zëdhënës i Këshillit të Ministrave. Si zëdhënës i Këshillit të Ministrave mund të jetë edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm ose çdo person tjetër i caktuar nga Kryeministri. Zëdhënësat e ministrave janë nëpunësit e agjencisë të përcaktuar nga drejtori i Përgjthshëm të cilët punojnë pranë institucioneve përkatëse.

9. Në përbërje të Agjencisë, pranë secilës ministri dhe institucion qendror në varësi të Kryeministrit apo ministrave krijohen struktura apo përcaktohen nëpunës përgjegjës për informimin, komunikimin mediatik, të ngarkuar nga Agjencia me përfaqësimin e institucioneve respektive në komunikimet dhe raportet me publikun dhe mediat apo me çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga drejtori i Përgjithshëm.

10. Agjencia, në funksion të realizimit të misionit të saj, kryen këto detyra:

a) Drejton dhe koordinon punën e strukturave/nëpunësve përgjegjës për informimin dhe komunikimin mediatik dhe çështjet publike si dhe koordinon organizimin e aktiviteteve informuese, konferencave për shtyp dhe çdo eventi publik të këtyre institucioneve;

b) Në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse në kabinetin e Kryeministrit, organizon konferencat për shtyp të Kryeministrit, si dhe e përfaqëson atë/Këshillin e Ministrave dhe administratën në varësi të tij në këto konferenca, nëpërmjet zëdhënësit të Këshillit të Ministrave apo personit të caktuar nga Kryeministri me këtë detyrë;

c) Në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse në minsitri, organizon konferencat për shtyp të ministrave, si dhe përfaqëson ata/Këshillin e Ministrave në këto konferenca, nëpërmjet zëdhënësve apo personit/personave të caktuar nga drejtori i Përgjithshëm me këtë detyrë;

ç) Në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, organizon aktivitete të tjera informuese për publikun dhe mediat mbi politikat, projektet, nismat, debatet mbi çështje publike, aktet e Këshillit të Ministrave apo të institucioneve të administratës shtetërore dhe sondazhe;

d) Përdor të gjitha mjetet e komunikimit masiv/publik, digjital, ose jo, print ose on-line me qëllim realizimin e funksioneve të saj;

dh) Vëzhgon publikimet e mediave dhe mjetet e komunikimit masiv, për të evidentuar perceptimin dhe qëndrimin e publikut ndaj veprimtarisë së institucioneve të administratës shtetërore. Për këtë qëllim, Agjencia mund të kryejë edhe sondazhe dhe hulumtime të tjera;

e) Siguron informimin e përditshëm të Kryeministrit mbi lajmet, debatet publike, çështjet me interes publik të paraqitura në median vendase dhe të huaj;

ë) Siguron informimin e përditshëm të ministrave dhe titullarëve të institucioneve të administratës shtetërore mbi lajmet, debatet publike, çështjet me interes publik, të paraqitura në median vendase dhe të huaj, si dhe në veçanti informacion mbi ngjarjet që lidhen me fushat e tyre të përgjegjësisë;

f) Mban kontaktet e nevojshme me strukturat homologe brenda dhe jashtë vendit si dhe nënshkruan protokolle bashkëpunimi me ta;

g) Miraton specifikat në lidhje me blerjet e pajisjeve apo të shërbimeve, në funksion të çështjeve të informimit dhe marrëdhënieve me mediat/shtypin, çështjet publike që nevojiten të kryhen nga ana e ministrive dhe të gjitha institucioneve të administratës shtetërore, në përputhje me legjislacionin “për prokurimin publik”;

gj) Raporton periodikisht te Kryeministri mbi veprimtarinë e saj, si dhe sa herë që kërkohet prej tij;

h) Informon institucionet e administratës shtetërore mbi lajmet, debatet publike, çështjet me interes publik të paraqitura në mediat vendase dhe të huaja që kanë të bëjnë me punën e Këshillit të Ministrave dhe/ose të institucioneve të administratës shtetërore apo çdo çështje tjetër;

i) Vlerëson, përmbledh dhe përditëson informacionin që do të publikohet në lidhje me punët e Këshillit të Ministrave dhe administratës shtetërore në varësi të tij, si dhe çështjet me interes publik;

j) Organizon takimet periodike me mediat të zëdhënësit të Këshillit të Ministrave, zëdhënësve të ministrave sipas fushave të tyre, të personave përgjegjës në institucionet e tjera të administratës shtetërore, si dhe organizon dhe mban konferencat për shtyp gjatë të cilave u jepet përgjigje pyetjeve të gazetarëve mbi zhvillimet e fundit politike. Përgjegjësi për shtypin në zyrën e zëdhënësit të Këshillit të Ministrave është pika e parë e komunikimit me gazetarët, sipas parashikimeve të rregullores së Agjensisë.

k) Nxjerr njoftime për shtyp të lëshuara nga Kryeministri apo nga ministrat, drejtuesit e tjerë të institucioneve të administratës shtetërore;

l) Mban një faqe interneti dhe apo kanale komunikimi të dedikuar për profesionistët e medias dhe publikun, duke ofruar lajme, materiale shtesë dhe dokumente mbi politikat e qeverisë apo institucioneve publike, si dhe ofron informacion aktual, informacione shpjeguese dhe dokumente origjinale mbi politikat e qeverisëse për publikun e gjerë;

ll) Harton, boton dhe shpërndan broshura, manuale këshilluese/informuese, materiale audio/vizuale dhe çdo material tjetër të disponueshëm falas për publikun edhe në internet;

m) Siguron edukimin qytetar me punën e Këshillit të Ministrave dhe të administratës shtetërore në varësi të tij, si dhe organizon një program periodik të vizitave në godinat e institucioneve publike me intinerar dhe program të aksesueshëm për qytetarët dhe në veçanti për fëmijët/të rinjtë/shkollat;

n) Siguron përgjigje për shkresat dhe kërkesat për informacion në lidhje me çështjet e informimit dhe komunikimit mediatik apo çështje të tjera në fushën e saj të përgjegjësisë;

nj) Organizon, koordinon, drejton fushatat e informimit publik në lidhje me çështjet e fushës së përgjegjësisë të ministrive dhe institucioneve të tjera të administratës shtetërore;

o) Në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, Protokollin e Shtetit apo strukturat përgjegjëse organizon, koordinon, drejton eventet jubilare me rëndësi shtetërore;

p) Siguron transmetimin e drejtpërdrejtë të aktiviteteve të Kryeministrit, Zëvendëskryeministrit apo ministrave ose çdo aktivitet të përcaktuar nga drejtori i Përgjithshëm;

q) Nënshkruan protokolle bashkëpunimi me Radiotelevizionin Shqiptar, Agjencinë Telegrafike Shqiptare apo çdo institucion tjetër publik apo privat në funksion të realizimit të misionit të saj;

r) Kryen çdo detyrë tjetër të caktuar nga Kryeministri apo Këshilli i Ministrave.

11. Rregullorja që përcakton metodat e brendshme të punës, përfshirë komunikimin me Kryeministrinë, ministritë dhe institucionet e tjera të administratës shtetërore, dhe sjelljen e personelit të agjencisë miratohet nga Kryeministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm.

12. Agjencia ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare. Stema e Agjencisë përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë me shënimet “Republika e Shqipërisë, Kryeministria, Agjencia për Media dhe Informim”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.

13. Vula e agjencisë ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë emërohet brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

2. Deri në plotësimin e strukturës së Agjencisë dhe caktimin e selisë së saj, drejtori i Përgjithshëm do të mbështetet në detyrat e tij nga nëpunësit e Kryeministrisë.

3. Funksionet, numri i punonjësve dhe fondet e dedikuara për informimin dhe monitorimin në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në ministritë apo institucionet e administratës shtetërore në varësi të Këshillit të Ministrave kalojnë pranë Agjencisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin buxhetor. Shpenzimet për këto çështje kryhen nga institucionet në të cilat ndodhen aktualisht, deri në ndryshimin e ligjit të buxhetit të vitit 2021.

4. Nëpunësit aktualë të marrëdhënieve me mediat/zëdhënësit, pranë ministrive dhe institucioneve të administratës shtetërore, si dhe nëpunësit që kryejnë funksionet e dedikuara për informimin dhe monitorimin në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, që kalojnë tek agjencia, trajtohen në bazë të përcaktimeve të legjislacionit në fuqi në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit.

5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2021, të përballohen nga fondet miratuara për secilin institucion dhe të fillojnë nga momenti i emërimit të nëpunësve në detyrë.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

KRYEMINISTRI
EDI RAMA