Përfundon investimi për bllokun e ri operator dhe repartin e obstetrikës në maternitetit “Koço Gliozheni”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se ky investim dhe rritja e kapaciteteve do t’u shërbejë më shumë nënave dhe fëmijëve në vendin tonë.
“Unë jam e kënaqur që sot ne përfundojmë këtë investim në bllokun e lindjes, investimin në bllokun operator edhe në pavionin e obsetrikës, për të realizuar atë vizion që ne kemi të gjithë së bashku, për ta çuar në një nivel më të lartë shëndetësinë publike në Shqipëri dhe mbi të gjitha për të garantuar kushte shumë më të mira pune për stafin tonë profesional dhe për nënat e reja dhe të porsalindurit. Ne nuk kemi bërë thjesht një rikonstruksion të bllokut operator apo bllokut të lindjes. Ne kemi rritur kapacitetet e bllokut operator dhe të bllokut të lindjes, sepse tashmë në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë një prej objektivave themelorë është rritja e aksesit në kujdesin shëndetësor dhe rritja e cilësisë së shërbimeve”, tha Manastirliu.
Duke theksuar se investimi në maternitetin “Koço Gliozheni” do të vijojë me fazën e dytë të punimeve, Manastirliu ka dhënë lajmin e mirë se buxheti i vitit 2023 do të mbështesë një projekt madhor, siç është ngritja e qendrës së parë të riprodhimit të asistuar në maternitetin “Koço Gliozheni”.
“Ne do të vijojmë në fazën e dytë të investimit, me Bllokun e Urgjencës dhe Qendrën e Gruas në maternitetin “Koço Gliozheni”. Por edhe me një projekt të cilin ne duam që ta rimarrim dhe ta vendosim në funksion të të gjithë mbështetjes për familjet e reja, riprodhimin e asistuar. Ne jemi të angazhuar si qeveri që, duke filluar nga viti tjetër të vendosim fondet përkatëse për të realizuar këtë projekt që besojmë që do të jetë një projekt madhor. Menjëherë sapo të miratohet buxheti 2023, ne të fillojmë punën për të bërë të mundur edhe realizimin e qendrës së parë të riprodhimit të asistuar këtu në maternitetin “Koço Gliozheni”, tha Manastirliu.
Qeveria shqiptare ka financuar rreth 1 milion dollarë në fazën e parë të investimit në Maternitetin “Koço Gliozheni” për rikonstruksionin e bllokut operator, shërbimit të obstetrikës (bllokut të lindjes, dhomave të zgjimit, dhomat e lehonave) dhe pajisjen e tyre me aparatura mjekësore të standardeve më të mira. Në fazën e dytë do të kryhet rikonstruksioni i shërbimit të neonatologjisë, pavioneve të lehonisë ndërsa në fazën e tretë do të jetë investimi në sistemin e veshjes dhe paneleve diellore, për të bërë edhe kursimin e energjisë, për të qenë pjesë e aksinonit global për eficençën e energjisë.
Investimi në Maternitetin “Koço Gliozheni” është pjesë e investimeve për shëndetin e nënës dhe fëmijës në maternitete, nga ndërtimi i materniteteve të reja të Korçës, Sarandës, Beratit, Lezhës dhe investimeve në vijim në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe Maternitetin e Kukësit.