Bruksel, Çelja e grupkapitullit të fundit të negociatave Shqipëri – BE
Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama, Komisioneres për Zgjerimin e BE-së Marta Kos dhe Ministres së Punëve të Jashtme të Danimarkës Marie Bjerre
Shqipëria mbërrin në një moment historik në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, me hapjen e Grup-Kapitullit V “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”, në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, që u mbajt sot në Bruksel.
Ky është grupkapitulli i fundit që hapet për vendin tonë dhe përfaqëson një pikë kthese strategjike, pasi përmbyll formalisht fazën e hapjes së të 33 kapitujve të negociatave brenda një periudhe vetëm njëvjeçare, duke u bërë një prej vendeve me ecurinë më të shpejtë dhe më koherente në rajon në këtë proces.
Kryeministri Rama, ishte në krye të delegacionit shqiptar, së bashku me Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve përgjegjëse, me një axhendë që synon të përcjellë gatishmërinë, maturinë dhe ambicien e Shqipërisë në fazën e re të negociatave.
Pas përfundimit të punimeve, Kryeministri Rama, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Danimarkës Marie Bjerre (Presidenca e rradhës e BE-së) mbajtën një Konferencë të përbashkët për shtyp.
* * *
Marie Bjerre, Ministre e Punëve të Jashtme të Danimarkës: Shqipëria ka bërë një përpjekje të fortë për reformat e harmonizimin me BE. Për rrjedhojë, negociatat e Shqipërisë po vazhdojnë me një hap të qëndrueshëm. Grupkapitulli i parë u hap në shtator të vitit të kaluar dhe brenda një viti janë hapur të gjithë grup kapitujt brena presidencës daneze dhe kjo është një shpejtësi rekord.
Ky gur kilometrik shërben si njohje e punës së madhe që ka bërë Shqipëria drejt së ardhmes së saj evropiane. Angazhimi ndaj reformave, dëshmuar nga qeveria shqiptare dhe populli i saj, është vërtetë mbresëlënës. Raporti i zgjerimit nga Komisioni, tregon se Shqipëria vazhdon të ecë përpara sa i takon themeloreve, sidomos për reformën në drejtësi dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Hapi tjetër është përmbushja e piketave të ndërmjetme në kuadër të themeloreve. Ky hap do të përgatitë terrenin për të filluar e të mbyllur kapituj negociues. E inkurajoj Shqipërinë që të ruajë këtë vrull reformash dhe të nxitë dialogët gjithëpërfshirës politikë. Zgjerimi është përparësi e presidencës daneze. Sot ne po japim një tjetër rezultat. Në qoftë se Shqipëria vazhdon në këtë drejtim me të njëjtin fokus, ritëm dhe cilësi që kemi parë deri tani, jam e sigurtë që anëtarësimi do të arrihet në një të ardhme shumë të afër. Shqipëria i përket familjes evropiane. Dua t’ju falënderoj, Kryeministër Rama, për bashkëpunimin gjatë këtij 6-mujori. Është vërtetë mbresëlënëse sesa shpejt po jepni rezultate. Gjithçka mund të them është vazhdoni kështu dhe do të jeni pjesë e BE më shpejt sesa vonë. Faleminderit!
Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos: Sot është një ditë e veçantë, jo vetëm për Shqipërinë që përmbyll apo që hap gjithë grupkapitujt, por edhe për Bashkimin Europian sepse sot tregon që BE ofron rezultate dhe mund të mbështetemi tek Shqipëria në të ardhmen.
Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa angazhimin e patundur politik të Shqipërisë dhe nga angazhimi i fortë i të gjithë shteteve anëtare për të mbështetur ecurinë e Shqipërisë.
I jam mirënjohëse Presidencës daneze, e dashur Marie për përpjekjet për ta bërë të mundur këtë gur kilometrik.
Jemi të përkushtuar ta sjellim Shqipërinë në BE siç ju thatë. Suksesi i Shqipërisë është rezultat i punës së autoriteteve shqiptare me shoqërinë civile dhe me aktorë të tjerë për zbatimin e reformave të rëndësishme të BE dhe është rezultati i qytetarëve shqiptarë që kërkojnë ndryshim dhe i mbështesin këto ndryshime.
Reformat e BE-së sjellin ndryshime në sistemin politik, në ekonomi, por po kështu dhe në shoqërinë shqiptare duke e bërë atë vërtetë europiane.
Për rrjedhojë, Shqipëria është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të zgjerimit. Kjo tregon që kur jepni rezultate ecni përpara.
Ju jeni frymëzim për shumë në Ballkanin perëndimor për shumë qytetarë të cilët duan të shohin të njëjtën vendosmëri e ndryshim në vendet e tyre.
Çelja e të gjithë grup kapitujve është një sukses i jashtëzakonshëm, por mbyllja e tyre është çmimi real. Në fakt suksesi juaj do të përcaktohet sesa mirë, sa shpejtë miratoni dhe zbatoni legjislacionin europian.
Tani është momenti për të përshpejtuar sidomos në fusha kritike si reforma në drejtësi, pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit, të drejtat e pronësisë, çështjet e pakicave dhe liria e medias dhe hapi tjetër është që Shqipëria të përmbushë piketat e ndërmjetme.
Kjo nuk do jetë përherë e lehte, ashtu siç ndodh me çdo vend kandidat por ju i dashur Edi keni diçka mjaft të rëndësishme në favorin tuaj. Mbështetjen më të gjerë publike të të gjitha vendeve kandidate, më shumë se 90% e shqiptareve e shohin të ardhmen e tyre në BE. Punoni me të gjithë ata, me opozitën në parlament, shoqërinë civile dhe sektorin privat dhe kjo do jetë garancia më e mirë për të ardhmen e Shqipërisë dhe suksesin e saj.
Komisioni do vazhdojë të mbështetë e t’ju këshilloj në përballimin e sfidave të anëtarësimit në BE. Roli ynë është të sigurohemi që Shqipëria është e mire përgatitur kur të bëhet anëtare.
Jemi të përkushtuar, jam personalisht e përkushtuar t’ju mbështes të ndërtoni një të ardhme të begatë për të gjithë shqiptarët në shtëpinë e tyre në Bashkimin Europian.
Kryeministri Edi Rama: Kush do ta mendonte që do të ishim këtu sot, duke çelur të gjithë grup kapitujt. Vetëm pak kohë më parë ishte diçka që dukej e pamundur dhe ishim në pikën ku po mësoheshim me sprapsjet dhe ato grushtat në stomak, por unë besoj se i gjithë ai rrugëtim na bëri më të fortë, na bëri me te vetëdijshëm për të gjithë atë natyrë të jashtëzakonshme të gjithë këtij procesi dhe na bëri më të pjekur.
Ja ku jemi sot këtu, me atë të që ishte vetëm ëndërr, pak më tepër se një vit më parë e është transformuar tashmë në një plan pune, një realitet për të cilin e më të cilin duhet të punojmë në jetën tonë të përditshme. Pa fjalë formale apo protokoll, dua të falënderoj me gjithë zemër, dy persona të jashtëzakonshëm në të majtën time, Marie dhe Marta. Marinë për transformimin e fjalëve të presidencës daneze në vepra, kur vjen fjala për zgjerimin, duke mbështetur e duke inkurajuar për të ecur përpara, dhe Marta që është kampione e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë, e po kështu të të gjithë Ballkanit Perëndimor, me zjarr dhe një vullnet të fortë që na bën të gjithëve të ndihemi përplotë energji dhe në borxh, në qoftë se nuk realizojmë në kohën e duhur.
Nga ana tjetër, jam absolutisht i frymëzuar nga të gjithë këta muaj dhe nga mbështetja e fortë që procesi i zgjerimit apo procesi i ribashkimit të Europës po merr. Do bëjmë gjithçka kemi në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet, me të njëjtën disiplinë dhe me të njëjtën punë të madhe për të dhënë rezultate, e për t’u siguruar që ky proces i përbashkët që po e ndërtojmë gurë pas guri, së bashku me partnerët tanë këtu në Bruksel dhe me partnerët tanë në shtetet anëtare, të mos ndalet.
Ç’të thuash më shumë sot, Shqipëria del me krenari nga kjo fazë e parë, e madje me një ndjenjë edhe më të madhe përgjegjësie. Ashtu siç tha Marta ne nuk përfaqësojmë këtu parti politike apo vetëm një pikëpamje politike, përfaqësojmë këtu një komb të tërë që mbështet si askush tjetër Bashkimin Europian dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian, më shumë se sa 90% e qytetarëve tanë. Jam i sigurt që ata shumë pak që janë në këtë përqindje shumë të vogël që mbetet, thjeshtë s’do ketë qenë ditë e mirë në momentin që është bërë sondazhi, sepse vështirë të mendojë ndonjë shqiptar që mendon se anëtarësimi në BE nuk është ideja më e mirë dhe nuk është horizonti drejt së cilit duhet të synohet për hir të fëmijëve tanë.
Për ta përmbyllur dua të shtoj, se qoftë ajo mënyra e fortë e ajo e butë me të cilën jemi përballur, na ka mësuar një gjë shumë të rëndësishme. Kurrë mos merr asnjë gjë të mirëqenë në Bruksel. Kur të buzëqeshim, shijoje, po mos e merr të mirëqenë, mund t’iu zhduket nga fytyra, sa hap e mbyll sytë. Kështu që vazhdo puno fort dhe përgjigju në çdo rrethanë me përulësi e me rezultate, këto dy gjëra janë ato gjëra që këta njerëz vlerësojnë më shumë. Dhe siç e kam thanë me mentorin tonë nga njëra anë, Komisionin dhe të urtët nga ana tjetër, shtetet anëtare, jemi në duar të mira në qoftë se nuk harrojmë asnjëherë që në fund të fundit është puna e duarve tona që ka rëndësi, jo për ta, por për ne, jo për Komisionin apo shtetet anëtare, por për popullin shqiptar dhe brezin e ardhshëm.
Faleminderit edhe një herë, Mari, faleminderit, Marta dhe një falënderim mjaft të madh të gjithëve atyre që ishin me ne përpara se sa të vinim në këtë konferencë shtypi, e vlerësojmë shumë dhe do të bëjmë gjithçka që të jemi përherë aty ku duhet qenë, bazuar në planin për të përfunduar këtë fazë të parë duke përmbyllur bisedimet e anëtarësimit brenda 2027 e të hyjmë më pas në fazën e mbështetjes politike e të anëtarësimit të plotë.
Edhe njëherë më ndaloni sepse në të kundërt nuk kam ndërmend të ndalem së thëni: Faleminderit, faleminderit, faleminderit, faleminderit, faleminderit.
* * *
– Shqipëria ka hedhur një hap historik në këtë proces. Dua të di çfarë mesazhi keni për qytetarët shqiptarë, për faktorin politik dhe për ata skeptikët për shembull? Faleminderit!
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos: Nuk e di se kush është skeptik. 9%?! Mesazhi që kam për shqiptarët e Shqipërisë, është se kjo është falë gjithë punës tuaj. Ne mund të ndihmojmë, mund të jemi krah jush, por jeni ju ata që po jepni rezultate. Dhe në momentin që keni marrë statusin kandidat, është përgjegjësia jua, duhet të jetë angazhimi juaj për të pasur sukses në rrugëtimin evropian, por në të njëjtën kohë, është përgjegjësia dhe përkushtimi i BE, Komisionit dhe shteteve anëtare. Nuk është e vështirë që të jesh pozitiv kundrejt vendit tuaj, sepse ju jepni rezultate. Nëqoftëse do të na duhej një rast se çfarë është procesi i anëtarësimit në BE, duhet hedhur sytë nga vendi juaj. Ka të bëjë me transformimin, ka të bëjë me një udhëheqje të fortë. Tek Edi Rama keni një udhëheqës, i cili nuk i kthehet së shkuarës për të gjetur pretekste apo justifikime pse diçka s’mund të bëhet.
I dashur, Edi, ju jeni udhëheqësi që sheh për nga e ardhmja dhe e gjen zgjidhje për sfidat ekzistuese me të cilat përballemi të gjithë. Edhe diçka tjetër më shumë. Sot dëgjuam në konferencën ndërqeveritare që harmonizimi i Shqipërisë me politikën e jashtme e të sigurisë së BE, është 100%. Në këtë situatë gjeopolitike na duhen vërtetë partnerë tek të cilët mund të mbështetemi dhe Shqipëria është një prej tyre. Për ata që janë skeptikë, nëqoftëse do të kishim rezultatin që 100% e qytetarëve shqiptarë janë në favor të anëtarësimit në BE, atëherë do të isha skeptike se do të ishte njësoj si në kohërat komuniste më parë. Është mirë të kesh njerëz që janë skeptikë apo që bëjnë pyetje. Dhe natyrisht që kemi edhe shumë kohë gjatë fushatës tonë të komunikimit që flasim me ata njerëz e po kështu me qytetarët në BE, kështu që do ta mbyll me këtë. Shqipëri, vazhdo kështu. Ne po përgatisim një shtëpi për ju në Evropë.
Marie Bjerre, Ministre e Punëve të Jashtme të Danimarkës: Dua të them këtë; sot është një gur i jashtëzakonshëm kilometrik për Shqipërinë. Kemi çelur të gjithë grupkapitujt e negocimit me Shqipërinë dhe arsyeja pse e kemi bërë këtë, është sepse Shqipëria po kështu ka dhënë rezultate dhe kjo është prova. Shqipëria ka një fokus strategjik për anëtarësimin në BE e po kështu edhe me komunikimin në raport me BE brenda vendit. Tashmë që kemi parë rezultate, gjithë grupkapituj janë çelur. Unë besoj që është një frymëzim i jashtëzakonshëm dhe për vendet e tjera kandidate. Në qoftë se një vend kandidat jep rezultate, atëherë do të marrë mbrapsht rezultate, por më duhet të them po kështu, që mbetet ende shumë punë për t’u bërë përpara. I kemi çelur tashmë të gjithë grup kapitujt, por tashmë vijnë negociatat dhe me shpresë edhe mbyllja e grupkapitujve. Ka shumë punë dhe do të ketë pengesa rrugës dhe do të jetë e vështirë. Unë shpresoj që të ruani motivimin sepse ky është një moment kulmor. Ka kaq shumë vende anëtare që po i shtyjmë, po i inkurajojmë për këtë moment. Ky është momenti, sot sepse është edhe në dobi të vendeve anëtare aktuale dhe të BE-së, që e tërë BE të ecë përpara me zgjerimin. Pra nuk është vetëm Shqipëria që bëhet më e fortë me anëtarësimin në BE, por edhe BE bëhet më e fortë me Shqipërinë si pjesë e tij. Pra, kjo është një pikë kulmore dhe shpresoj fort që ta ruani këtë gjë.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Besoj që pyetja për skeptikët nuk ka të bëjë me ata që janë skeptikë me raportin me BE-në, por ka të bëjë me ata që janë plotësisht të përkushtuar dhe të dashuruar me BE dhe kanë pyetje, ngrenë pikëpyetje për ne, për BE; a do të ndodhë vërtetë? A është reale? A do të marrim më në fund atë për të cilën kemi ëndërruar kaq gjatë apo do të kemi dhe një herë një periudhë si më parë? Po këtu dua të ndalem për një sekondë dhe të them merrni vitet qe po punojmë së bashku, e gjatë së cilave po luftojmë që të ecim përpara dhe me të gjitha vështirësitë, me të gjitha sprapsjet, me të gjitha “shpullat” dhe ‘’grushtat’’, nëqoftëse do nxjerrësh nga panorama BE dhe do të mbash në këtë panoramë mua, qeverinë shqiptare, që bëjnë më të mirën e tyre, a do të ishte Shqipëria ajo që është sot? Jo!
Ky proces na ka ndihmuar në mënyra që në të kundërt do të ishin të pamundura sepse mund të tingëllojë patetik apo quajeni si të doni, por është njësoj si të shkosh në shkollë dhe të duhet të mundohesh, e të thonë që duhet të përmirësohesh, e të thonë që duhet të vish prapë se provimin se ke bërë mjaftueshëm me kështu me radhë, por në fund, në qoftë se nuk heq dorë, në qoftë se vazhdon me këmbëngulje, fiton. Ajo çfarë Shqipëria dhe shqiptarët fitojnë nga ky proces, është diçka që shkon përtej kapitujve e grupkapitujve e vetë anëtarësimi formal. Ata fitojnë një vend i cili bazohet në institucione që funksionon në bazë të shtetit të së drejtës, që funksionon i bazuar në të gjitha standardet dhe parimet që i bëjnë vendet e BE-së kaq të admiruara. Do ju thoja, po, viti i fundit ka qenë i jashtëzakonshëm, sepse ka qenë shpërblyes, por pa vitet që i paraprijmë, të cilat nuk ishin shpërblyese, edhe pse punonim fort, ky nuk do të kishte ardhur. Ndaj të jesh skeptik nuk është gjë e keqe, por nuk duhet të na ndajë, që të punojmë çdo orë, çdo minutë për ta bërë realitet.
Së fundi në radhë, por jo nga rëndësia. Ne kemi një shumicë si në kohërat komuniste. Ishte njësoj edhe në perandorinë osmane, sepse ne jemi besnikë ndaj perandorive. Kjo është e para perandori me të cilën duam të jemi, ndaj kjo shumicë është ndryshe, jo vetëm në shifra, por në thelb të saj sepse ishim të gjithë kokë e këmbë pas osmanëve, pas sovjetikëve, pas kinezëve, por kokë e këmbë, për shkak të imponimit, jo me zgjedhje. Kurse kjo tani është me zgjedhje. Ja, pse Maria e kuptoi që nuk i shpëton dot Shqipërisë, ja pse të gjithë po e kuptojnë shumë mirë, më mirë të na marrin brenda. Se në qoftë se jo, do t’i përndjekim deri në fund. Kështu që, në qoftë se duan të na heqin qafe, duan të na marrin me vete dhe pastaj do të kenë të gjitha dimensionet tona normale që janë shumë më të vogla se sa unë. Faleminderit, faleminderit edhe një herë të gjithëve.
Komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos: Dua të flas diçka të fundit përpara se ta përmbyll këtë konferencë shtypi. Dua të shtoj disa fjale personale përgëzimi. Çelja e të 6-të grupkapitujve në 13 muaj është deklarata më e fortë e angazhimit tuaj personal, i dashur Edi. Jemi të dy fëmijë të një rajoni ku shija e lirisë ka përcaktuar rrugëtimin tonë. Dhe kur jemi takuar herën e fundit, dhjetorin e kaluar më sollët këtë dhuratë, një kanoçe e dekoruar Coca – Cola që vinte në një kuti me mbishkrimin “Një herë e një kohë ishte dhurata më e gëzuar edhe kur ta jepnin bosh” dhe çka është më tepër ka edhe skicimet tuaja të printuara aty sipër, pra është puna juaj. Për ta kremtuar këtë moment kemi kthyer dhuratën tuaj në një dhuratë feste. Të gjithë ata prej nesh që janë rritur pas perdes së hekurt e dinë se çfarë gjë misterioze ishte Coca Cola. Dhe mu kujtua një libër që lexova nga Lea Ypi “Free” dhe ka një fragment ku dy familje shqiptare zihen paksa për një kanoçe bosh Coca – cola. Libri sjell në jetë 40 vitet e fundit shqiptare duke ilustruar fuqinë e reformave dhe sfidat për të ndërtuar institucione demokratike, tradita demokratike. Tregon sa larg keni ecur dhe të siguroheni që liria të qëndrojë me popullin tuaj, një Shqipëri e lirë, në Europë të lirë dhe kjo është puna që ne presim që ju të përfundoni, i dashur kryeministër, i dashur Edi!
E tani mund të hamë dhe tortë. Duhet të festojmë dhe më shumë. 6 grup kapituj të hapur, të gjithë kapitujt e hapur, është diçka për tu kremtuar. Urime Shqipëri!