Kryeministri Edi Rama, u takua sot me Përfaqësuesin e Lartë të politikës së jashtme dhe Zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Josep Borrell, në Bruksel, me të cilin zhvilluan një komunikim të përbashkët në përfundim të takimit.
* * *
Zv/presidenti i Komisionit Europian, Josep Borrell: Zoti kryeministër është kënaqësi e madhe që jemi këtu në Bruksel pas disa muajsh pasi jemi takuar në Tiranë.
Jam i lumtur të shoh që Shqipëria ka bërë progres në ecurinë e saj drejt Bashkimit Europian dhe janë të vendosur të vazhdojnë më tej me negociatat. Procesi mbështetet shumë tek mbështetja dhe angazhimi i qeverisë dhe popullit shqiptar, gjë që unë e kam vënë theksin në diskutimin me Kryeministrin që duhet të bashkëpunojnë me të gjithë grupet e interesit në këtë moment kritik, thelbësor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Gjithashtu jam shumë i lumtur të shoh që Shqipëria ka qenë në harmonizim të plotë me politikën e Bashkimit Europian për politikën e sigurisë, për masat kufizuese në linjë me vlerat tona dhe e ka bërë vendin, Shqipërinë një partner shumë të mirë.
Jam shumë i vetëdijshëm që ky pozicion e bën Shqipërinë një target, por është e rëndësishme që Shqipëria do të ketë gjithmonë mbështetjen e BE në këtë aspekt.
Ne gjithashtu po punojmë në disa aspekte për të rritur rezistencën e Shqipërisë dhe gjithashtu të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, sa i takon kërcënimeve të sulmeve kibernetike.
Ne gjithashtu kemi diskutuar edhe për dialogun për paqen në Prishtinë dhe të falënderoj ty zoti kryeministër për përpjekjet dhe angazhimin tuaj për të gjetur një zgjidhje dhe e kam bërë të qartë dje në Luksemburg që palët duhet të gjejnë një mënyrë për të evituar përshkallëzimin e situatës dhe të miratojnë udhërrëfyesin që është vënë në tavolinë javën e kaluar në Bruksel. Jemi të sigurtë që kjo situatë kërkon që të marrim masa në mënyrë të shpejtë, në mënyrë urgjente dhe shtetet anëtare janë dakord me këtë urgjencë dhe e kanë humbur durimin para kësaj situate që po përkeqësohet gjithmonë e më tepër dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Faleminderit sërish zoti Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë që jeni këtu sot dhe po ndani me ne angazhimet dhe mbështetjen tuaj për dialogun që po zhvillohet në Kosovë dhe jam shumë i lumtur që po punoj me ju!
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë përfaqësuesi i lartë i Komisionit Europian.
Ka qenë një moment shumë i dobishëm biseda që kemi bërë së bashku. Ka qenë një kënaqësi që të flas me Presidentin e Komisionit dhe para takimin me të, me presidentin e Këshillit të Europës.
Sigurisht që kjo bisedë ka qenë shumë inkurajuese ose fakti që ne dëgjojmë fjale të mira për punën që Shqipëria ka bërë në këtë proces, në procesin e skanimit paraprak dhe gjithashtu në të gjitha reformat e ndërmarra ne do të vazhdojmë, do të vijojmë punën dhe kemi besim të plotë që do të mund të jemi të gatshëm dhe do të jemi gati në kohë për të ndërmarrë hapin e radhës, por ndërkohë ishte një kënaqësi që të flisnim së bashku dhe të ndanim së bashku mendimet, opinionet tona këtu për diçka që është kaq shqetësuese dhe për të cilën ju personalisht po merreni dhe po punon shumë fort dhe ka të bëjë me të gjithë stabilitetin e rajonit, por njëkohësisht me progresin, ecurinë rajonale sepse ne jemi pjesë e një rajoni që ka vuajtur shumë në të kaluarën, i cili nuk mund të ketë një tjetër disavantazh dhe në këtë rajon ngjarjet janë të ndërlidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën dhe ne nuk mund të shohim vetëm shtëpinë tonë, pragun tonë dhe të bëjmë vetëm detyrat tona të shtëpisë pa pasur parasysh se çfarë po ndodh me shtetet fqinje dhe se çfarë efektesh shkatërruese mund të ketë përshkallëzimi i situatës, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, për shtetin e Kosovës dhe të Serbisë, por edhe për të gjithë rajonin.
Ju falënderoj që keni ndarë me ne gjithmonë e më shumë prova që durimi ka humbur për shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe për ngritjen e shqetësimit dhe uroj shumë që konferenca që do të zhvillohet me liderët e të dyja palëve do të tërheqë shumë vëmendje dhe do të sjellë liderë nga të dyja palët, nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian, nga Amerika dhe të mos t’i lejojmë të largohen nga konferenca pa arritur një marrëveshje të përbashkët. Nëse nuk do të arrijnë këtë gjë, pasojat për të gjithë ne do të jenë të trishta.
Jam shumë i lumtur që më në fund ne arritëm të lironim tre policët e marrë peng dhe tani është koha që të bëjmë ndërhyrje të menjëhershme në mënyrë që situata të mos përshkallëzojë. Ti e përmende vetë që është situatë urgjente dhe ne jemi të angazhuar plotësisht të punojmë me ju, të bashkëpunojmë me ju, me të gjithë aleatët tanë në mënyrë të tillë që të mos lejojmë që kjo situatë të ndikojë në mënyrë negative te rajoni sepse kemi kaq shumë gjëra për të bërë. Kemi bërë tashmë shumë gjëra me Procesin e Berlinit. Kemi bërë një progres shumë të madh me iniciativat tona dhe nuk mund ta lëmë këtë gjë, që e gjithë kjo kështjellë që kemi ndërtuar deri tani të shembet nga një zhvillim kaq absurd që bazohet në pretendime kaq absurde. Faleminderit!