Bruksel, Takim bilateral për Kapitullin 26 “Arsimi dhe Kultura”
Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi kryesoi delegacionin shqiptar në takimin bilateral të mbajtur më datë 27 prill 2023, për Kapitullin 26 “Arsimi dhe Kultura”, në kuadër të procesit të integrimit europian, ku prezantoi politikat e marra deri më tani për rininë dhe punën e bërë për zbatimin e tyre. Takimi u mbajt në Bruksel, ndërsa pjesë e delegacionit ishin edhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe nga Ministria e Kulturës.
Në takimin e rëndësishëm në kuadër të integrimit, Muzhaqi prezantoi në Bruksel vizionin e qeverisë shqiptare për të rinjtë, i cili është në harmoni të plotë me politikat e Bashkimit Europian, si dhe arritjet e deritanishme në zbatimin e tyre.
Muzhaqi shfaqi para Komisionit të Europës progresin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029 dhe prioritetet e saj, duke theksuar që është e para strategji 8-vjeçare e hartuar nga të rinjtë për të rinjtë, në përputhje me problemet dhe nevojat që ata kanë, evidentuar këto të fundit nga procesi i konsultimit i zhvilluar në çdo qytet nga ministrja me të rinjtë, organizatat rinore dhe punonjësit rinorë.
“Strategjia Kombëtare e Rinisë 2022-2029 synon të përmirësojë jetën e të rinjve në Shqipëri me anë të tre qëllimeve: Të rejat dhe të rinjtë marrin pjesë aktivisht në shoqëri dhe ndihen të fuqizuar për t’u shprehur me zërin e tyre. Politikat ndërsektoriale rinore janë të koordinuara, të bazuara në analiza, me mekanizma të mirë financuar. Mbështetet dhe nxitet novacioni rinor dhe rritja e aftësive dhe profesionalizmit të të rejave dhe të rinjve përmes edukimit cilësor në TIK dhe fusha të tjera të zhvillimit digjital duke rritur dhe përmirësuar kështu mundësitë për të hyrë në tregun e punës. Mirëqenia aktive, e shëndetshme, fizike, sociale dhe mendore e të rinjve. Siguria, mbrojtja dhe përfshirja e të rinjve në të gjithë diversitetin e tyre, veçanërisht për ata të rinj që janë në situatë rreziku apo mënjanimi social.” u shpreh Muzhaqi, duke vijuar me prezantimin më konkret të programeve që aktualisht kanë filluar të aplikohen në Shqipëri.
Ministrja foli rreth Programit të Kodimit, si një praktikë e mirë për të pajisur të rinjtë në Shqipëri me aftësi digjitale për t’u përshtatur me kriteret e zhvillimeve të shpejta që tregu po pëson duke shtuar “me anë të Programin të Kodimit sigurojmë dhe ndërlidhjen me tregun e punës për të rinjtë. Aktualisht kemi mbi 270 të rinj që po zhvillojnë kurset e kodimit dhe së bashku me shoqëri tregtare do të sigurojmë punësimin e tyre.”
“Programi i Kodimit ofrohet me mbështetje financiare nga qeveria në masën 100% ose 300000 lekë për punëkërkuesit e papunë, 50% ose 150000 lekë për studentët dhe të punësuarit dhe në vlerën 200000 lekë për individët me aftësi të kufizuara”, u shpreh Ministrja përgjegjëse për rininë dhe fëmijët, duke vënë në dukje që qeveria shqiptare ka në fokus edhe individët me aftësi të kufizuara.
“Një tjetër ndërlidhje e të rinjve me tregun e punës mundësohet me anë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës” tha Muzhaqi duke shpjeguar më tej “në këtë program mund të aplikojë çdo individ i moshës 21-26 vjeç, që ka minimumi një diplomë bachelor dhe i jepet mundësia të zhvillojë një praktikë 3 mujore e në bazë të performancës mund të përfitojë kontratë 1-vjeçare pranë institucioneve të administratës, shoqërive tregtare apo OJF-ve”.
Duke vazhduar më tej me programin Jashtë Orarit Mësimor, i cili po aplikohet në 200 shkolla në të gjithë Shqipërinë, Muzhaqi prezantoi kurset pa pagesë që ofron ky program në fushat art, zeje, sport dhe mjedis.
“Programi i Ekipe Sportive në shkolla është një ndër programet më të suksesshme që ndihmon në përmirësimin e mirëqenies të të rinjve dhe përfshirjes aktive të tyre në shoqëri” tha ministrja duke vijuar dhe në statistika konkrete për përfshirjen e të rinjve në këtë program. “Në këtë program marrin pjesë rreth 10000 fëmijë dhe të rinj, pjesë e 700 skuadrave të cilët janë pajisur nga qeveria shqiptare me materialet e nevojshme për zhvillimin e sportit të volejbollit dhe basketbollit”.
Ndër të tjera, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi prezantoi edhe punën e kryer së bashku me Agjencinë Kombëtare të Rinisë, riformatimin e thirrjeve për projekt-propozime sipas metodologjisë LOD (metodologjia për alokimin e fondeve për organizatat e shoqërisë civile) dhe foli edhe për procesin e fuqizimit të vendimmarrjes së të rinjve.
“Për fuqizimin e të rinjve në vëndimmarrje kemi ngritur Këshillat Vendorë Rinorë në 57 bashki nga 61 që janë në total. Përfaqësuesit e KVR-ve përcjellin problematikat e bashkëmoshatarëve të tyre në zonat përkatëse dhe vijnë së bashku me kryetarin e bashkisë me zgjidhje konkrete për këto probleme.”
Muzhaqi në fjalën e saj shprehu përkushtimin e qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha detyrimet për integrimin e plotë të vendit në BE dhe mbylli prezantimin me premtimin se do të vijojmë me zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë me ritme të shpejta duke zhvilluar e zgjeruar programet për të rinjtë dhe më tej.