“Teknologjia dhe Inovacioni në Bujqësi dhe Blegtori” është konferenca që bëri bashkë sot fermerë, agropërpunues përfaqësues nga Shërbimi i Këshillimit dhe Qendrat e Transferimit të Teknologjive në vend, pedagogë dhe studentë nga Universiteti Bujqësor Tiranë, si dhe përfaqësues nga programet ndërkombëtare të ndihmës në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural në vend, – në një diskutim të përbashkët mbi vlerat e përdorimit të teknologjisë dhe inovacionit në bujqësi.
Përmes shembujve konkretë nga fermerë të suksesshëm u evidentuan praktikat më të mira nga përdorimi i teknologjive të përparuara bujqësore në vend, si dhe u sollën shembuj të transformimit të bujqësisë në vende si Austria dhe Izraeli, falë implementimit të teknologjisë bashkëkohore dhe inovative.
Në takim merrte pjesë dhe Dr. Huber Hasenauer, ish rektor në Universitetin e Burimeve Natyrore dhe Shkenca ve të jetës (BOKU) në Austri, si dhe Dr. Sigal Broen nga Insituti kërkimor Bujqësor Volcani, Israel.
Kryeministri Rama, duke marrë fjalën tha se bujqësia është gjithmonë e më shumë një fushë ku dija më e përparuar luan edhe rolin më të rëndësishëm.
* * *
Përshëndetje të gjithëve! Është me shumë rëndësi që ne të bëjmë të gjitha përpjekjet dhe t’ia dalim të krijojmë sa më shumë kanale komunikimi me të gjithë komunitetin e fermerëve për të përcjellë informacionet më të fundit mbi zhvillimet teknologjike në funksion të bujqësisë për të përcjellë eksperiencat më të mira në funksion të bujqësisë sonë, për të përcjellë, njëkohësisht, të gjithë informacionin e nevojshëm për mundësitë e financimeve, mundësitë e bashkëpunimeve, mundësitë e sinergjive të ndryshme.
Bujqësia është gjithmonë e më shumë një fushë ku dija më e përparuar luan edhe rolin më të rëndësishëm. Është nder i madh dhe privilegj që ne të kemi jo thjesht këtu por të kemi në këtë rrugëtim disa njerëz të cilët janë pikërisht zotërues të një dije të posaçme dhe dua ta falenderoj në mënyrë të veçantë profesorin Eisenhouer, rektorin e universitetit të Bokut të Vjenës, i cili na i ka hapur dyert me shumë zemërgjerësi dhe realisht shumë përkushtim nga ana e tij dhe nga ana e pedagogëve atje për të realizuar një kanal të rëndësishëm komunikimi dhe transferimi të dijes mes një prej universiteteve më të vjetër dhe prestigjioz të botës në fushën e zhvillimit rural, mjedisit dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Po ashtu, është vërtetë një nder dhe privilegj që ne në këtë rrugëtim të kemi në krah, në mënyrë të posaçme, qeverinë gjermane me instrumentet e saj të transferimit të dijeve dhe mbështetjes të komuniteteve që janë në rrugën e zhvillimit në këtë fushë.
Së fundmi, por jo për nga rëndësia, është kënaqësi dhe patjetër dhe privilegj që ne të kemi mbështetjen dhe gatishmërinë e qeverisë së Izraelit përmes përfaqësuesit të saj këtu, ambasadorit, i cili është një person shumë i përkushtuar për të bërë më shumë në këtë drejtim si dhe njerëzve apo subjekteve nga Izraeli që janë në kontakt me vendin tonë.
Izraeli është, mbase, shembulli më domethënës për të gjithë botën për të kuptuar një gjë shumë të thjeshtë, se niveli i zhvillimit, dhe niveli i mirëqenies, dhe niveli i suksesit për të realizuar një zhvillim që prodhon mirëqenie nuk varet nga çfarë ke por varet nga sa di.
E kam thënë dhe herë të tjera, shembujt janë të panumërt por shembullin shumë domethënës të Izraelit që nuk ka ujë, pra, nga Zoti dhe natyra nuk ka ujë por është vendi me sistemin më ekselente të furnizimit me ujë dhe të ujitjes në bujqësi. Pse? Sepse në mungesë të ujit dhe të bollëkut të ujit, siç e kemi ne, Izraeli ka investuar tek mendja, tek dija, tek informacioni dhe ka arritur të transformojë një mungesë të madhe në një burim zhvillimi të jashtëzakonshëm, duke e kthyer ujin e detit në ujë të ëmbël, qoftë për të pirë, qoftë për të ujitur dhe duke ricikluar për ujitje të gjitha ujërat e zeza. Asnjë gjë në gjithë ciklin, asnjë gram nuk shkon dëm.
Ky është një shembull, por edhe këtu, në territorin e bujqësisë sonë, sot ka jo pak shembuj zhvillimi dhe suksesi përmes vënies në një vëmendje të veçantë tek dija. Josifi foli më parë, unë e njoh prej kohësh, është një nga kampionët e bujqërisë sonë, jo sepse ka pasur më shumë sesa të tjerët, nuk ka pasur asgjë më shumë se të tjerët, në aspektin material flas, por sepse ka ditur më shumë se të tjerët. Pse ka ditur më shumë se të tjerët? Ka ditur më shumë se të tjerët sepse është përkushtuar në rrugën e dijës, të informacionit, të inovacionit, të marrjes së eksperiencave më të mira, të bërjes së eksperimenteve prej të cilave ka mësuar dhe ka nxjerrë konkluzione dhe sot serat e tij janë shembuj spektakolare, jo për Shqipërinë, por janë shembuj spektakolare të ekselencës europiane.
Pra, nëse shikojmë standardet, nivelin, prodhimtarinë, higjienën, teknologjinë e ekselencës europiane në sera, serat dhe prodhimet e Josifit janë pjesë e kësaj ekselence. Por, nuk është vetëm Josifi.
Ka dhe plot të tjerë dhe ka gjithmonë e më shumë të tjerë dhe e gjitha lidhet me dijen sepse vullnet për të punuar tokën kanë dhe të tjerë. Nuk është se atyre që dalin dhe i shikojmë ndonjëherë edhe në televizor dhe hedhin prodhimet, duke kërkuar tua blejë shteti apo duke mallkuar shtetin, u mungon vullneti për punë apo nuk u ka rrjedhur djersa për ato prodhime, jo. Ata edhe vullnetin e kanë, edhe djersën e kanë derdhur por ajo çka bën diferencën midis vullnetit për punë dhe djersës së derdhur është dija, e cila lidhet me informacionin dhe këtu i takon qeverisë të bëjë edhe më shumë, nuk diskutohet, i takon strukturave të Ministrisë së Bujqësisë dhe autoriteteve të bujqësisë në territor të bëjnë edhe më shumë për të komunikuar, për të shpjeguar, për të njoftuar, por i takon edhe vetë fermerëve të bëjnë edhe më shumë. Unë e them gjithmonë dhe gjithmonë e më shumë kjo është një e vërtetë e thjeshtë; nuk ka nevojë të na dëgjojë askush ne, mjafton të marrë mundimin të shkojë dhe të shikojë se si bëjnë të tjerët. Dalin në televizor pamjet e disa fermerëve që fatkeqësisht hedhin qershitë e tyre se nuk i shesin dot dhe bërtasin për subvencione, dhe bërtasin për qeverinë që nuk i ndihmon dhe bërtasin për çmimet dhe kjo do të ishte shqetësuese nëse kështu do të ndodhte me të gjitha qershitë e Shqipërisë, por në fakt në po të njëjtin territor, ka të tjerë që pikërisht me qershinë dhe pikërisht në këtë kohë, me këto vështirësi, bëjnë sukses dhe bëjnë më shumë sukses si rezultat pikërisht i rritjes së çmimeve.
Atëherë cili është dallimi midis të parëve dhe të dytëve? Pse për të njëjtin vullnet dhe për të njëjtin përkushtim dhe për të njëjtën sasi djerse të hedhur, disa e hedhin prodhimin dhe disa bëjnë të ardhura të larta falë atij prodhimi? Se është i njëjti territor. Në kuptimin është i njëjti shtet. Është e njëjtë qeveri, janë të njëjtat struktura, janë të njëjtat dobësi dhe mangësi po themi edhe nga ana e shtetit dhe ja ku janë dy realitete te ndryshme. Atëherë çfarë duhet bërë këtu? Këtu, e para, ata fermerë duhet të marrim mundimin dhe të shkojnë tek ata të tjerët dhe të thonë: “ore si e bëni ju këtë”? Dhe ta shikojnë atje, në terrenin e realiteti sesi ndodh kjo dhe e dyta i takon Ministrisë së Bujqësisë, i takon gjithë AZHBR-së, i takon gjithë strukturave dhe drejtorive që të ndërtojnë këto ura komunikimi dhe këto kanale informacioni për të transferuar dijen e krijuar nga njerëzit në territor.
Kriza që ne sot kemi përpara syve tanë, është një krizë që as nuk e kemi krijuar ne, as nuk e ndalojmë dot ne, është një krizë botërore. Sot flitet për një dimër shumë të vështirë përpara, flitet për mungesa të mëdha sidomos për disa zona të botës, ku ne nuk përfshihemi për momentin. Ashtu sikundër me rritjen e çmimeve të naftës, të energjisë, po energjia në Shqipëri nuk është rritur me rritjen e inflacionit, ju e mbani mend të gjithë që në fund të vitit të kaluar u fol për fundin e bujqësisë shqiptare.
U fol për apokalipsin, po në fakt çfarë ka ndodhur? Në fakt nga janari, në maj eksportet tona janë rritur, janë rritur në vlerë dhe disa thonë “se janë rritur çmimet”, por janë rritur edhe në volum. Nëse në vlerë janë rritur me plus 41 milionë dollarë, që është një shifër e rëndësishme për volumin tonë, në volum janë rritur plus 23%.
Pikërisht sepse jemi në një kohë kur ka një pikëpyetje lidhur me grurin, është rritur prodhimi i grurit në Shqipëri dhe shumë cilësor, që do të thotë, që sot ne jemi në kushtet kur mund të synojmë për shumë më tepër. Patjetër që rastet e suksesit janë shumë domethënëse, për shumë arsye, por unë do veçoja dy.
Së pari, janë domethënëse për të kuptuar të gjithë se çfarë potenciali ka, pa hyrë fare se çfarë mund të bëjë shteti më shumë dhe mirë që nuk diskutohet fare se mund të bëjë më shumë dhe më mirë, por nuk është çështje e sasisë së parasë, është çështje e mënyrës se si ne financojmë. Kemi bërë një ndryshim të konsiderueshëm në mënyrën e financimit që ka sjellë një ndryshim të konsiderueshëm në realitet edhe pse unë, bashkë me Dhimon, ndryshe nga këta politikanët që kemi, që na drejtojnë, mendojmë që mënyra e financimit duhet të thellohet në drejtim të financimit të suksesit, jo të subvencionit të mbijetesës.
Subvencioni i mbijetesës në bujqësi do të thotë përsëritje e ciklit të mbijetesës dhe pamundësi për të dalë nga ai rreth vicioz, ndërsa financimi i suksesit do të thotë krijimi i bujqësisë sipërmarrëse. Këtu ata që janë nga komuniteti, janë sipërmarrës sot, nuk janë njerëz që mbjellin tokën, mbushin trastë, dalin tek autostrada, shesin domate dhe patate dhe mbajnë familjen me bukë. Janë njerëz që bëjnë sukses financiar.
Josifi, nuk e di sa e pranon, se përgjithësisht sipërmarrësit shqiptarë po t’i pyesësh nuk e pranojnë, se kanë edhe shumë të padeklaruara, prandaj do bëjmë edhe amnistinë, por janë të suksesshëm se ndryshe vërtete AZHBR-ja, AZHBR-ja, po shkoni shikojeni, shkoni për kuriozitet shikojeni se çfarë ka bërë, është një vepër arti, nuk është një magazinë, është një vepër e madhe arti në mes të Myzeqesë që është edhe një katalizator për shumë të tjerë.
Se tani, unë duke fol për Josifin kush e di sesa nga ata myzeqarët atje do më mallkojnë se mund të kenë të drejtë të thonë se jemi të zotë, jemi më të mirë, se ka plot, por kjo është gjë shume mirë.
E dyta, është që në Shqipëri, sot punohet më shumë sesa dyfishi i tokës që punohej para 6-7 vjetësh, në këtë bujqësinë tonë, më shumë sesa dyfishi i tokës dhe po të shikojmë raportin eksport-import, ka një ndryshim shumë domethënës. E kemi nisur 1 me 7, një skandal për një vend me potencialin dhe me praninë ende të konsiderueshme të bujqësisë në sektorin e punësimit, 1 eksport – 7 importe. Sot jemi 1 me 3.
Sot Shqipëria, meqë kemi dëgjuar dhe keni parë shumë, qumështi, falimentuan, iku, mbaruan, ikën lopët, vdiqën dhentë, Shqipëria sot prodhon 97% të qumështi që konsumon. Tani më thoni ku ikën?
Nëse e shikojmë realitetin me shifrat e konsumit atëherë ne an dalin pyetje të tjera si bëhen statistikat tek ne, si janë regjistruar at miliona lopë që u regjistruan dhe pastaj u zhdukën, kanë ikur, kanë ngordhur, atëherë kjo është teme tjetër , por sot 97% e qumështit që konsumohet dhe territorin e republikës së Shqipërisë, prodhohet në vend.
Gjë që nuk ishte e vërtete disa vite me parë kur ca nuk bëhej me historitë e qumështit. Peshkimi sot është industri, ishte një sektor mjerimi dhe mbijetese me 20-22 milionë eksporte. Sot bazuar në shifrat e vitit të kaluar, jemi ne 125 milionë dhe ambicia jonë dhe mundësitë janë që peshkimi të shkojë në 300 milionë. Dhe dihet botërisht që objektivi ynë është që të shkojmë në 1 miliard eksporte të kombinuara bujqësi, peshkim në këtë dekadë. Me një miliardë eksporte jemi një vend tjetër, shumë e thjeshtë. Jemi një vend tjetër dhe hyjmë përfundimisht në bujqësinë sipërmarrëse në shkallë të gjerë. Por për ta mbyllur na duhet të shtyjmë më shumë pikërisht aty ku adreson edhe titulli i këtij takimi, tek teknologjia, inovacioni. Këta njerëz që folën, të tjerë që janë këtu dhe nuk iu dha fjala se s’është e mundur apo të tjerë akoma që s’janë këtu fare janë kampionë të një bujqësie që po ndryshon pikërisht se besojnë tek inovacioni dhe besojnë tek teknologjia. Besojnë tek inovacioni që do të thotë jetojnë në mënyrë të përditshme me informacion. Po të shkosh të Josifi se po flas për Josifin mbase shumë gjatë dhe po i hap probleme, por po të shkosh atje, kam shkuar disa herë dhe tregimi fillon me çfarë po bëhet dhe vazhdon me çfarë do prishet aty dhe do ribëhet, pse? Sepse teknologjia ndryshon, s’është kështu? Kam qenë prezent në një serë që po ta shikoje ajo ishte super, e gjitha do çmontohet dhe do ribëhet sepse do futet një teknologji tjetër dhe do rritet prodhimi dhe sigurisht do kthehet dhe investimi.
Meqë jemi në kushtet e një situate kur na është dashur të financojmë ekstra edhe për shkak të rritjes së çmimit të naftës, dëshiroj të shfrytëzoj rastin për t’ju thënë që po përgatisim një financim tjetër për fermerët sepse financimi i parë ishte për një fazë, por ka një gjë tani, se na ka ardhur tani kjo bashkë me dobësinë që na është shfaqur përpara e plotë.
Sot, në mëngjes folëm me ministren për këtë, që kërkesa për naftë është rritur eksponencialisht, pra kemi vajtur mbi 50 mijë, që duan naftë, kjo është e mirë në një aspekt, por kjo ka dhe një problem në një aspekt tjetër. Kjo është e mirë sepse na çon drejt formalizimit, por ka dhe një problem, nëse këtu mbi 50 mijë fermerë duan naftë, po më fal sa traktorë dhe sa mekanizatorë ka ky vend? Se nuk del llogaria. Pra, ka një shkallë fiktiviteti. Tani kjo shkallë fiktiviteti si do adresohet?
Do të adresohet pikërisht përmes teknologjisë dhe përmes formalizimit. Nga një anë me regjistrin e fermës, regjistrin digjital të fermës dhe vënien në përdorim të dronëve e satelitëve që për asrye procedurash etj. kanë marrë pak më shumë sesa ne e kishim parashikuar, por që do të vijnë brenda këtij viti, shpresoj dhe me faturat. Pra, naftën do ta marrësh, por do sjellësh faturat tani, nuk do të mjaftojë vetëm që “unë po kërkoj naftë dhe kam këtu”, por do vijnë dhe faturat, do vijë dhe raporti “ke marrë naftën dhe ke shitur, pra ke prodhuar dhe ke shitur dhe për atë sasi etj, ti do vazhdosh të kompensohesh, që do të thotë që është një hap tjetër për t’u hedhur. Natyrisht do kërkojë kohën e vet, 5 mijë të tjerë janë tani në proces plus që po iu jepet subvencioni. Ne nuk kemi dashur ta bëjmë të lodhshme me dokumente, me kontrolle, me histori me inspektime se po u futën inspektimet një pjesë e naftës do shkojë me veturën e inspektorit, prandaj ne jemi duke punuar që inspektimit ky vend në të gjitha nivelet për të gjithë sektorët ta çojë në qiell mos të jetë më në tokë. Ta bëjë me satelitë, ta bëjë me drona, jo me inspektorë. Këto janë ato që desha të them.
Dua të falënderoj edhe një herë të gjithë ata që realisht janë arsye motivimi për ne se na japin edhe shembullin e duhur, jo thjeshtë në aspektin e suksesit të tyre, por na japin dhe shembullin e duhur në aspektin e testimit të politikave tona. Sa janë të qarta dhe sa sukses krijojnë. Politika që merre fondin e bujqësisë dhe shpërndaje kudo me thërrime ka qenë një nga spektaklet më të mëdha të dështimit. Ndërsa politika e vendosjes së fondit në shërbim të suksesit dhe të krijimit të zinxhirëve te suksesit që riciklojnë suksesin është ajo që duhet dhe ajo që po na jep edhe rezultate. Unë personalisht jam shumë optimist që ne do ta çojmë në nivel tjetër bujqësinë. Unë refuzoj të pranoj që bujqësia në Shqipëri mund të shkojë përpara me lëmoshë, apo me subvencione ose me politika fiskale, të cilat krijojnë vetëm iluzione dhe nuk prodhojnë sukses. Mbi të gjitha unë jam shumë optimist që dhe fragmentimi i tokës është një problem i kapërcyeshëm, në momentin që tokën e kemi të fragmentuar, por nuk kemi të fragmentuar trurin dhe nuk kemi të fragmentuar komunitetin. Në rast se komunitetet bashkohen, nuk ka rëndësi fare nëse tokën e kemi të fragmentuar. Unë kam 3 dynym ti ke 5, ai ka 7, tjetri ka 30, tjetri ka një ha, kjo s’ka pik rëndësie, po kanë trurin të bashkuar do ta punojmë gjithë sipërfaqen me trurin e bashkuar dhe në fund unë do marr pjesën për 3 dynymin tim, ai do marrë pjesën e 1 hektarit të vet, është shumë e thjeshtë.
Shumë e thjesht, nuk ka pse shqetësohemi çfarë nga fragmentimit të tokës, problemi ynë nuk është fare fragmentimi i tokës. Problemi jonë është fragmentimi i trurit. Në qoftë se arrijmë të bashkojmë trurin dhe ta çojmë në një drejtim komunitetin, s’ka qershi që nuk shitet, nuk ka, se me doli atje përball shitësi i qershive, nuk ka, nuk ekziston. Por nëse rrimë të ndarë atëherë bëhet problem dhe fragmentimi i tokës, atëherë behet problem dhe fragmentimi i mekanikës dhe fragmentimi i gjithçkaje, dhe marrim një rezultat të fragmentuar siç është në pjesë te caktuara të territorit sot rezultati i fragmentuar.
Shumë faleminderit!