Çel punimet Legjislatura e IV-të e Parlamentit të Nxënësve, Kumbaro: Forcojmë dialogun dhe rolin e nxënësve në vendimmarrje

Legjislatura e IV-të e Parlamentit të Nxënësve të Shqipërisë ka çelur zyrtarisht punimet, duke shënuar njëkohësisht mbylljen e mandatit të tretë të këtij forumi përfaqësues të të rinjve. Në seancën plenare, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, vlerësoi rolin e parlamentit si një “laborator demokracie” dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së nxënësve në proceset vendimmarrëse që lidhen me arsimin parauniversitar.

Ministrja falënderoi anëtarët e legjislaturës së tretë për kontributin e tyre si zë i bashkëmoshatarëve në komunitete në të gjithë vendin dhe uroi sukses drejtuesve të rinj të legjislaturës së katërt, duke nënvizuar se kalimi i mandatit përfaqëson vazhdimësi institucionale dhe konsolidim të politikave arsimore.

Sipas saj, përfaqësimi në Parlamentin e Nxënësve është përgjegjësi dhe jo thjesht një titull prestigji, pasi deputetët e rinj janë zgjedhur nga bashkëmoshatarët për t’i përfaqësuar në nevojat dhe shqetësimet e tyre, ndaj zëri i tyre duhet të pasqyrojë vullnetin e atyre që i kanë votuar.

Ajo i ftoi nxënësit të forcojnë dialogun me Ministrinë e Arsimit dhe të kontribuojnë me ide konkrete në hartimin dhe përmirësimin e politikave arsimore, duke theksuar se reformat në arsimin parauniversitar hartohen për nxënësit dhe me nxënësit, ndërsa roli i tyre është thelbësor në çdo vendimmarrje që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e arsimimit.

Duke iu referuar sfidave të transformimit digjital, ministrja vuri në dukje nevojën për forcimin e dijeve bazë dhe zhvillimin e aftësive kritike e digjitale. Ajo theksoi se rregullat për përdorimin e telefonave në klasë synojnë përqendrimin në mësim, ndërkohë që po zgjerohet puna në laboratorët inteligjentë, programet e kodimit dhe lëndët e teknologjisë së informacionit.

Paralelisht me rritjen e cilësisë në mësimdhënie, ministria po mbështet nisma që e shndërrojnë shkollën në një hapësirë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e talenteve. Për herë të parë organizohet Festivali i Shkencës në nivel kombëtar, ndërsa vijon Konkursi i Gjuhës Shqipe dhe programet si “Art dhe Zeje”, “Toka në Shkollë”, “Shkollë Qendër Komunitare” dhe ekipet sportive.

Në përmbyllje, ministrja theksoi se lidershipi nënkupton përgjegjësi ndaj klasës, komunitetit dhe vendit, duke inkurajuar deputetët e rinj të punojnë me pasion dhe përkushtim për përmirësimin e jetës shkollore dhe forcimin e kulturës demokratike që në bankat e shkollës.