Çelet sezoni shëndetësor veror 2026, Ministrja Sala: 301 profesionistë shëndetësorë në shërbim në 36 qendra verore
Në Durrës u çel zyrtarisht sezoni shëndetësor veror 2026, gjatë të cilit 301 profesionistë të shëndetësisë, mjekë dhe infermierë të sapoemëruar, do të ofrojnë shërbim në 36 qendra shëndetësore verore në të gjithë vendin. Krahasuar me një vit më parë, numri i qendrave është rritur me 33%, ndërsa është zgjeruar ndjeshëm edhe stafi mjekësor për përballimin e fluksit të shtuar turistik, me numrin e mjekëve që është rritur nga 129 në 227.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, gjatë aktivitetit të zhvilluar në Durrës, në prani të Kryeministrit Edi Rama, theksoi se zgjerimi i rrjetit të qendrave shëndetësore verore synon garantimin e një sezoni turistik më të sigurt, duke forcuar aksesin në kujdesin shëndetësor për qytetarët dhe vizitorët vendas e të huaj.
Ministrja bëri të ditur se gjatë sezonit të kaluar turistik mbi 25 mijë turistë të huaj morën shërbim shëndetësor në këto qendra, duke nënvizuar rolin e tyre në garantimin e sigurisë shëndetësore dhe cilësisë së shërbimit për vizitorët.
Në mbyllje të fjalës së saj, ministrja Sala vlerësoi kontributin e personelit mjekësor, paramjekësor dhe mbështetës, duke theksuar rëndësinë e profesionalizmit dhe përkushtimit të tyre në mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe ofrimin e kujdesit shëndetësor të kualifikuar në zonat me fluks të lartë vizitorësh.