Në kuadër të Ditës Përkujtimore të Holokaustit, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme u organizua një ceremoni, ku pjesë e së cilës ishte një ekspozitë fotografike me foto të hebrenjve të strehuar në Shqipëri dhe një ekspozitë arkivore ku u publikuan fakte historike që dëshmojnë mbi shpëtimin e hebrenjve nga nazizmi në Shqipëri para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në fjalën e saj, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, theksoi se duhet forcuar vigjilenca në luftën kundër çdo forme të anti-Semitizmit dhe urrejtjes racore.
Sipas saj, lufta ndaj antisemitizmit kërkon qasje aktive nga qeveritë për të ruajtur kujtimin e Holokaustit dhe për të edukuar me vlerat e humanizmit dhe anti-diskriminimit.
“Përvoja e Shqipërisë gjatë Luftës II Botërore tregon se çfarë mund të arrijmë kur mbrojmë vlerat njerëzore përballë racizmit dhe urrejtjes. Shqipëria u shndërrua në strehë të sigurt për hebrenjtë, e vetmja në Evropë ku numri i hebrenjve pas luftës pothuajse u dhjetëfishua. Është me vend të kujtohet kjo histori shqiptare e shpëtimit të hebrenjve jo vetëm sepse na bën, me të drejtë e krenarë. Por edhe sepse na mëson si të mbrojmë vlerat njerëzore, si të luftojmë urrejtjen, si të luftojmë anti-semitizmin. Shembulli i shqiptarëve gjatë luftës na tregon rrugën e ndërtimit të një bote më tolerante dhe pa ndasi. Ne kemi vënë në qendër të punës tonë në Këshillin e Sigurimit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si themel i bashkë-ekzistencës paqësore të popujve”, tha ajo.
Pjesëmarrës në aktivitet ishte trupi diplomatik i akredituar në Tiranë; deputetë të ndryshëm; Fatmir Veseli, djali i Refik Veselit i cili njihet për kontributin e tij në mbrojtjen e hebrenjve; Kryetarja e Shoqatës së Miqësisë Izrael-Shqipëri, Felicita Jakoel etj.