Ceremonia shtetërore e lamtumirës për Fatos Nanon, nderim për jetën dhe veprën e një lideri historik

U mbajt sot në Pallatin e Kongreseve, Ceremonia Shtetërore e lamtumirës për Ish Kryeministrin e Shqipërisë dhe kryetarin themelues të Partisë Socialiste të Shqipërisë Fatos Nano, ku u zhvilluan homazhe kombëtare, në nderim të kontributit të tij të çmuar në jetën publike dhe politike të vendit.

Fatos Nano u përcoll me nderime nga personalitete të larta të politikës në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, përfaqësues të trupit diplomatik, bashkudhëtarë politikë të tij, miq, familjarë dhe qytetarë të shumtë, përkrahës të veprës së tij ndër vite.

Në fjalën e mbajtur, Kryeministri Edi Rama theksoi rolin e rëndësishëm të Fatos Nanos në transformimin e Partisë Socialiste dhe lidhjen e tij të ngushtë si lider me forcën që ai drejtonte.

“Pa sakrificën e tij të imponuar, socialistët do të kishin patur një fat më pak bujar, por dhe vetë Fatosi pa atë sakrificë të imponuar, nuk do të ishte bërë një lider aq jetëgjatë, në atë kohë sakrificash e ngatërresash jashtë e brenda partisë, ku lidershipi i tij ishte shumë më tepër frymë sesa prezencë, shumë më tepër hapësirë sesa kohë, shumë më tepër improvizim sesa programim dhe ku natyra e këtij lidershipi, së bashku me rikthimet e bujshme të Kryetarit pas arratisjeve të tij përbëjnë një material historik dhe sot kjo politikë merr një vlerë të jashtëzakonshme për këdo që një ditë do të marrë përsipër ta zbërthejë vërtetësisht dhe jo ta mbërthejë hipokrizisht rolin vendimtar të Fatos Nanos, jo vetëm mbi atë që ishte nën drejtimin e tij, por edhe atë që u bë më pas Partia Socialiste.” – u shpreh Kryeministri.

Ceremonia e lamtumirës për Fatos Nanon shënoi një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për figurën e një lideri që la gjurmë të pashlyeshme në historinë politike të Shqipërisë.