Ceremonia solemne e “Doctor Honoris Causa”, nisin në Tiranë eventet në kuadër të Sesionit hapës të Kongresit Botëror të Ligjit

Sesioni hapës i Kongresit Botëror të Ligjit nisi sot me mikpritjen e Bordit të Kongresit Botëror të Ligjit dhe ceremoninë solemne të dhënies së titujve Doctor Honoris Causa për personalitete të shquara ndërkombëtare në fushën e së drejtës, ekonomisë, akademisë dhe artit, e cila u mbajt në Universitetin e Arteve, në Tiranë.

Ceremonia, e organizuar nga katër prej universiteteve shqiptare dhe World Law Foundation, shënon një nga momentet më të rëndësishme të jetës akademike, ku këto institucione të dijes bëhen bashkë për të nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa”, pesë personalitete të spikatura në arenën ndërkombëtare, mes tyre; Ricardo Hausmann, akademik dhe ekonomist i njohur botërisht; Javier Cremades, President i Shoqatës Botërore të Juristëve, njëkohësisht një nga zërat më të rëndësishëm në promovimin dhe mbrojtjen e shtetit të së drejtës, si edhe; Jose Luiz Manzano, Andi Hoxhaj dhe Joze Manuel Ciria, – të cilët përmes veprës dhe kontributit të tyre kanë lënë gjurmë të thella në zhvillimin e mendimit, të artit dhe të institucioneve në nivel ndërkombëtar.

Ceremonia i paraprin ditës kryesore të punimeve, më 7 maj në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Eventet e zhvilluara përgjatë dy ditëve janë organizim i përbashkët i Shoqatës Botërore të Juristëve (SHBJ), dhe Ministrisë së Drejtësisë të Shqipërisë.

Kryeministri Rama, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni, mbajti një fjalë në nderim të akordimit të titullit Doctor Honoris Causa, akademikut dhe ekonomistit të famshëm Ricardo Hausmann, duke e vlerësuar atë si një nga mendjet më të spikatura të kohës në fushën e zhvillimit ekonomik dhe politikave publike.

Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi se profesor Hausmann përfaqëson një kategori të rrallë ekonomistësh që, jo vetëm analizojnë ndryshimet globale, por kontribuojnë drejtpërdrejt në formësimin e tyre. Ai evidentoi rolin e Hausmann si një partner dhe këshilltar i rëndësishëm për Shqipërinë, duke theksuar qasjen e tij unike në identifikimin dhe zhvillimin e potencialeve të brendshme të vendeve.

Teksa e cilësoi Hausmann si një mentor të vyer dhe mik të Shqipërisë, Kryeministri theksoi ndër të tjera se kontributi i profesor Hausmann ka ndikuar në mënyrë konkrete në qasjen e Shqipërisë ndaj zhvillimit ekonomik, duke promovuar një model që bazohet në dijen, bashkëpunimin dhe ndërtimin e besimit institucional.

Ceremonia e sotme shënon çeljen zyrtare të një sërë aktivitetesh të nivelit të lartë që e vendosin Tiranën në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, si një platformë dialogu për çështje kyçe të shtetit të së drejtës, zhvillimit dhe bashkëpunimit global.