Certifikohen 112 oficerë të rinj sigurie për shkollat

112 oficerë të rinj sigurie, të dedikuar për mbrojtjen e nxënësve dhe mjedisit shkollor, janë certifikuar sot në Akademinë e Sigurisë, pas përfundimit me sukses të trajnimit përkatës. Ceremonia u zhvillua në prani të Ministres së Arsimit Mirela Kumbaro, Ministres së Punëve të Brendshme Albana Koçiu, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ilir Proda dhe Rektorit të Akademisë së Sigurisë Ilirjan Mandro.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro theksoi rëndësinë e këtij programi që tashmë po zgjerohet në shkallë kombëtare, duke garantuar prani të oficerëve të sigurisë në çdo zonë të vendit. Ajo u ndal te rëndësia e mbështetjes institucionale, duke theksuar se janë siguruar fondet përkatëse për pagat dhe lidhjen e kontratave, çka e bën këtë profesion pjesë të qëndrueshme të sistemit arsimor, në një linjë me rolin e psikologëve dhe punonjësve socialë.

Ministrja Kumbaro kërkoi vëmendje maksimale ndaj çdo episodi që ndodh në mjediset shkollore dhe theksoi rëndësinë e raportimit dhe dokumentimit të çdo sinjali që lidhet me sigurinë e fëmijëve. Sipas saj, suksesi i punës së oficerëve të sigurisë matet me vigjilencën e përditshme dhe bashkëpunimin e ngushtë me prindërit, drejtuesit shkollorë dhe Policinë e Shtetit për të parandaluar çdo situatë të rrezikshme.

Në lidhje me nevojat për shtimin e numrit të oficerëve të sigurisë në shkolla, Kumbaro bëri të ditur se është ulur raporti i nxënësve për një oficer sigurie, në maksimum 350 nxënës për një oficer. Për shkollat me numër më të lartë nxënësish, do të jenë të pranishëm dy oficerë sigurie. Ajo theksoi se, ndonëse sot janë certifikuar 112 oficerë të rinj, mbetet ende nevoja për shtesa të tjera.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, theksoi masat e reja për rritjen e perimetrit të sigurisë rreth institucioneve arsimore dhe rolin e oficerëve si hallkë kyçe mes komunitetit, nxënësve dhe policisë. “Prindërit kur çojnë fëmijët në shkolla i kanë sytë edhe nga oficeri i sigurisë, për faktin se nuk jeni aty vetëm për të siguruar që fëmija është i sigurt, por jeni aty edhe për të komunikuar çdo pasiguri të fëmijës, çdo nevojë dhe për ta përcjellë atë te të gjithë hallkat që sot ndodhen në shkollë,” u shpreh Ministrja Koçiu.

Përmes paketës së sigurisë në shkolla, policia po kryen një punë të strukturuar për ruajtjen e perimetrit të jashtëm të institucioneve arsimore, duke rritur praninë fizike të forcave të rendit në oraret kyçe të lëvizjes së nxënësve. Aktualisht janë mbi 2000 punonjës policie të angazhuar në këtë detyrë në mbarë vendin.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, garantoi mbështetje të plotë për oficerët e rinj në ushtrimin e detyrës, duke vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me Akademinë e Sigurisë që nga viti 2019 në formimin e kësaj figure profesionale.

Programi i oficerëve të sigurisë është një nismë ndërinstitucionale që synon rritjen e standardeve të mbrojtjes në shkollat parauniversitare dhe krijimin e një mjedisi të sigurt e të shëndetshëm për fëmijët në të gjithë vendin.