Certifikohen 112 oficerë të rinj sigurie për shkollat
112 Oficerë të rinj të dedikuar për sigurinë në shkollat e vendit, janë certifikuar në Akademinë e Sigurisë. Të pranishëm ishin Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, Ministrja e Brendshme Albana Koçiu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ilir Proda dhe Rektori i Akademisë së Sigurisë, Ilirjan Mandro. Në fjalën e saj, Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro falenderoi gjithë oficerët e rinj të sigurisë që kanë zgjedhur këtë profesion. Ajo tha se të certifikuarit kanë një shpërndarje gjeografike në të gjithë Shqipërinë, gjë që do të garantojë shtimin e numrit të oficerëve të sigurisë në shumë shkolla. “Ju këtu jeni sot 112 oficerë sigurie që keni kryer kursin dhe jeni gati për të filluar punë në ditët në vazhdim. Kemi dhe fondin e nevojshëm të pagave, për t’u lidhur kontratat drejtpërsëdrejti. Është një element shumë i rëndësishëm. Nuk është një figurë me të cilën tradicionalisht shkollat janë mësuar. Është në figurë që qeveria shqiptare e ka futur rishtazi në vitet e fundit në sistemin arsimor paraunivesitar, siç ka futur psikologun, siç ka futur punonjësin social. Asnjëri nga ju, përfshirë dhe mësuesit, nuk mund të jenë të suksesshëm, në qoftë se nuk bëni një bilanc ditor dhe në qoftë se nuk shënoni dhe dokumentoni çdo episod, çdo shenjë, çdo sinjal që mund t’ju duket me vlerë. Është më mirë ndoshta të tregohemi më të kujdesshëm, edhe të ekzagjeruar në kujdesin tonë, sepse çdo sinjal do të ndihmonte në kohë Policinë e Shtetit për të parandaluar.”, tha Kumbaro. “Janë 7 breza që janë certifikuar tashmë, që ushtrojnë këtë profesion. Por ende kemi nevojë. Të gjithë duhet të jemi me vëmendje maksimale të atyre që i kemi dritën e syve, çdo nxënës shqiptar, çdo nxënës që frekuenton shkollat. Këtë do ta arrijmë vetëm duke qenë bashkë. Bashkë me kolegët tuaj që janë sot në punë, të jeni model i suksesit, që do të thotë model i sigurisë”, u shpreh Kumbaro. Ministrja e Brendshme Albana Koçiu foli për masat e shtuara të Policisë së Shtetit, në lidhje me ruajtjen e perimetrit të sigurisë rreth institucioneve arsimore parauniversitare dhe bashkëpunimin me oficerët e sigurisë. “Prindërit kur çojnë fëmijët në shkolla i kanë sytë edhe nga oficeri i sigurisë, për faktin se nuk jeni aty vetëm për të siguruar që fëmija është i sigurt, por jeni aty edhe për të komunikuar çdo pasiguri të fëmijës, çdo nevojë dhe për ta përcjellë atë te të gjithë hallkat që sot ndodhen në shkollë. Me Policinë e Shtetit kemi bërë një punë shumë të mirë për të siguruar patrullimet jashtë shkollave, për të garantuar perimetrin e jashtëm jo vetëm nga të gjitha ato ambiente që janë të papërshtatshme për sigurinë e nxënësve, por edhe për të patur një patrullim të shtuar të forcave të policisë. Ajo që jemi duke bërë me Ministrinë e Arsimit, është që pikërisht në ato shkolla me numër të konsiderueshëm nxënësish, ne ta shtojmë prezencën e punonjësve të policisë, sidomos gjatë pushimit të madh apo kur mbaron mësimi”, tha ndër të tjera Ministrja e Brendshme Albana Koçiu. “Ju do të keni gjithë mbështetjen e Policisë së Shtetit në këtë proces. Pa dyshim gjej rastin të falenderoj dhe Akademinë e Sigurisë, pasi nga viti 2019, zhvillon këtë trajnim sipas një kurrikule të miratuar. Ne ju shohim si bashkëpunëtorët tanë më të ngushtë”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda.