Fjala e Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi në seancë plenare
E nderuar Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar kolegë deputetë,
Akti normativ “Për një shtesë në ligjin për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë” – pavarësisht se i ka mbaruar efektet tashmë, – ishte një ndryshim kalimtar, i cili adresoi shqetësimin e ngritur nga disa subjekte politike, për zgjedhjet vendore të pjesshme të 6 marsit, në gjashtë bashki. Me gjithë përpjekjet që zyrat e Gjendjes Civile dhe zyrat e kompanisë “Aleat”, që është përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve të identitetit, për të bërë thirrje dhe ndërgjegjësuar shtetasit që të rinovonin letërnjoftimet e tyre, të cilat i kishin skaduar, për shkak të kohës së shkurtër nga dekretimi i zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki deri në ditën e zgjedhjeve, – kishin mbetur përpara zgjedhjeve rreth 144 mijë shtetas në këto 6 bashki ku do të zhvilloheshin zgjedhjet, me letërnjoftim të skaduar.
Ky është një fenomen në fakt, që është mbartur edhe si rezultat i pandemisë dhe i mbylljes në më shumë se një vit dhe kufizimit të funksionimit përgjithësisht të zyrave përgjegjëse, që lidhen me rinovimin e dokumenteve të identitetit, dhe një shqetësim që erdhi nga disa parti politike dhe që u përcoll në qeveri nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, – ne e morëm parasysh duke nxjerrë pikërisht këtë akt normativ si një instrument kalimtar, për t’u dhënë mundësi rreth 144 mijë zgjedhësve në zgjedhjet e 6 marsit, në gjashtë bashkitë e Shqipërisë.
Pra duke gjykuar edhe duke e parë si të argumentuar, qoftë urgjencën për këtë akt dhe qoftë nevojën për këtë akt, qeveria mori pikërisht aktin normativ. Dhe besoj se e ka plotësuar kërkesën dhe dëshirën, por mbi të gjitha, të drejtën e rreth 144 mijë shtetasve, për të mos iu mohuar e drejta e tyre e votimit.
Të nderuar kolegë,
Shërbimi i Gjendjes Civile në Shqipëri gjithmonë e më tepër po përmirësohet drejt standardeve më të mira që ka sot për këtë qëllim. Dua të them që jo pa kënaqësi se edhe në raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, për herë të parë në rreth 30 vite, nuk është përmendur asnjë vërejtje për listën e zgjedhësve dhe për misionin apo detyrat që ka shërbimi i Gjendjes Civile në lidhje me zgjedhjet parlamentare.
Dhe sigurisht është diçka për të cilën duhet të jemi krenarë se më në fund kemi arritur që të ngremë nivelin e shërbimit në standardet më të mira ndërkombëtare. Dhe ky është tregues domethënës i punës së vazhdueshme që kemi bërë për ta modernizuar dhe për ta ngritur këtë shërbim, në një stad të paimagjinueshëm deri disa vite më parë.
Besoj se e mbani mend radhët e gjata, që krijoheshin nëpër sportele të Gjendjes Civile, qoftë dhe për të marrë një certifikatë lindjeje, martese apo një dokument tjetër çfarëdo, që lëshon shërbimi i Gjendjes Civile në Shqipëri. Në jo pak raste, madje në shumë raste këto sportele ishin kthyer në një vatër të rëndomtë të korrupsionit të vogël.
E pra, sot që flasim, si rezultat i modernizimit të këtij shërbimi janë 21 shërbime të Gjendjes Civile, që merren online direkt nga kompjuteri apo celulari – 21 shërbime të Gjendjes Civile.
Dhe shkëputja e kontaktit direkt me punonjësit e Gjendjes Civile apo me sportelin, i ka prerë rrugën korrupsionit dhe ka shkurtuar kohën e pritjes së qytetarëve për të marrë shërbimin që kërkojnë. Aktualisht jemi në hapat e fundit të punës për konfirmimin edhe të certifikatave në gjuhë të huaj, të cilat do të gjenerohen automatikisht nga platforma #eAlbania, pa qenë nevoja për t’u paraqitur në sportele.
Pra besoj se brenda 20 ditësh, ose më mirë duke filluar nga muaji maj, do të jenë mbi 80 % e shërbimeve të Gjendjes Civile që do të ofrohen online.
Është një revolucion dixhital që ka ndërmarrë qeveria për të ofruar shërbimet dhe përveç disa shërbimeve për të cilat ligji detyron që shtetasit të paraqiten në zyrë, të gjitha shërbimet e tjera do të ofrohen vetëm online.
Të nderuar kolegë,
përfitoj nga rasti për t’ju thënë që prej disa kohësh, ne kemi filluar edhe një një fushatë ndërgjegjësimi për të regjistruar adresat e të gjithë shtetasve shqiptarë. Kemi krijuar një sistem një infrastrukturë të plotë që kjo të bëhet në mënyrë sa më komode dhe të thjeshtë për qytetarët. Deri më sot kemi adresën e plotë sipas ligjit me 8 elementet që kërkon ligji, të saktë, në një regjistër të posaçëm që pret të bashkohet me Regjistrin Kombëtar, për rreth 2.4 milion shtetas shqiptarë.
Pra po të marrim parasysh që rreth 3 milion shqiptarë banojnë në Shqipëri, pjesa dërrmuese e shqiptarëve sot kanë një adresë të saktë. Megjithatë për të plotësuar edhe këtë pjesë të mbetur kemi ndërmarrë një fushatë sensibilizimi. Dhe unë përfitoj nga rasti për t’i bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që që të kushtojnë vetëm pesë minuta nga koha e tyre, pa patur nevojë të dalin nga shtëpia, apo nga vendi i punës, apo kudo që të jenë, pa patur nevojë që të shkojnë në zyrat e Gjendjes Civile, për të regjistruar adresën e saktë të tyre, e cila është e domosdoshme për të marrë shumë shërbime nga shteti shqiptar.
Kështu që besoj se me të gjitha dhe vetëm në pak javë që kemi filluar fushatën, kemi rreth 80 mijë shtetas shqiptarë, të cilët kanë deklaruar dhe janë pajisur me adresën e saktë dhe të plotë sipas kërkesave ligjore.
Pra, besoj se dixhitalizimi dhe procesi i modernizimit të shërbimeve publike, mbetet një instrument i pa zëvendësueshëm jo vetëm për të mbajtur larg korrupsionin në zyrat e shtetit, por është një kapërcim epokal, që sjell akses më të madh dhe më cilësor të qytetarëve në shërbimet publike.
Dhe ne mbetemi të vendosur për t’u dhënë shqiptarëve më shumë siguri, më shumë përkujdesje, më shumë zhvillim.
Faleminderit!