Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, priti në një takim Përfaqësuesin Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe njëherazi zv.presidentin e Komisionit Europian, Josep Borrell. Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i ngushtë i Shqipërisë me të gjtiha organet e Bashkimit Europian duke përfshirë zbatimin e ligjit në fushat kyçe të politikave strategjike që lidhen me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Evropiane.
“Në këtë drejtim, – theksoi ministri Çuçi, – Politika e Sigurisë së Shqipërisë është 100 % në përputhje me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, veçanërisht në lidhje me paketën e sanksioneve ndaj Rusisë”.
Duke u ndalur te lufta, Ministri i Brendshëm risolli në vëmendje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së faktin se Shqipëria ishte ndër vendet e para të Ballkanit Perëndimor që deklaroi mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht, si dhe dënoi agrsionin e pajustifikuar rus.
Në lidhje me flukset e mundshme migratore të njerëzve që ikin nga Ukraina për shkak të luftës, ministri Çuçi shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të bashkërenduar përpjekjet me vendet anëtare të BE-së për të përballuar këtë krizë të re. Ai solli në vëmendje faktin se Shqipëria ishte vendi i parë që aktivzioi mekanizmin e mbrojtjes së përkohshme në rastin e afaganëve që lanë atdheun e tyre pasi talebanët morën pushtetin.
Gjatë takimit u vlerësua gjithashtu edhe angazhimi i KE për mbështetje me instrumenta konkret për rritjen e kapaciteteve të sigurisë, përfshirë edhe atë kibernetike.