Decetralizimi dhe performanca financiare e qeverisjes vendore – Për një qeverisje më të mirë vendore dhe shërbime bashkiake më cilësore - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Decetralizimi dhe performanca financiare e qeverisjes vendore – Për një qeverisje më të mirë vendore dhe shërbime bashkiake më cilësore

“Decetralizimi dhe performanca financiare e qeverisjes vendore” është konferenca, e cila mblodhi në një diskutim të përbashkët qeverinë dhe drejtuesit e bashkive të vendit mbi decentralizimin si mënyrë partneriteti mes qeverisë qendrore dhe asaj lokale, me qëllimin final përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama, i cili mori fjalën në konferencë nënvizoi se disiplina financiare e bashkive është sot më shumë sesa asnjëherë tjetër një domosdoshmëri. “Disiplinë financiare, burime të reja të ardhurash dhe përgjegjshmëri më e lartë në raport me qytetarët përsa i përket shërbimeve, digjitalizmim, modernizm deri në fund i të gjithë sistemit të shërbimeve.” – theksoi Kryeminisri Rama.

* * *

Përshëndetje të gjithëve! Besoj se paraqitja e bërë nga ministrja ishte mjaftueshëm e detajuar, por sigurisht që çdo bashki mund të ketë nevojë për më shumë detaje lidhur me mënyrën se si e lexojmë ne situatën financiare dhe për këtë patjetër që Ministria e Financave është në dispozicion me gjithë grupin e angazhuar në këtë proces.

Ndërkohë që, ajo që ka shumë rëndësi të nënvizohet sot është se disiplina financiare e bashkive është sot më shumë sesa asnjëherë tjetër një domosdoshmëri, në të gjithë kontekstin që jetojmë, por edhe në kontekstin e asaj që nënvijëzoi më parë ministri, që ka të bëjë me thellimin e decentralizimit si përgjegjësi, jo vetëm si autonomi por edhe si përgjegjësi.

Unë dua të ndalem shkurtimisht në disa aspekte;

Së pari, në aspektin e detyrimeve të prapambetura, siç edhe në fakt e kemi diskutuar më parë dhe siç kam pasur rastin tua komunikoj më parë edhe unë, ne do të hyjmë në një fazë shtrëngimi pa tolerancë, në bazë të parametrave të dakordësuar natyrisht. Kjo është e domosdoshme sepse nuk mundet dot që akumulimi historik i borxheve të bëhet një rrugë e hapur edhe për vitet që kemi përpara. Kjo është e pamundur!

Nga ana tjetër, rritja e performancës së bashkive është një prioritet për ne, të gjithë së bashku dhe nuk ka se si të rritet performanca e bashkive nëse nuk forcohet disiplina e tyre financiare dhe nëse bashkitë nuk fillojnë realisht dhe seriozisht të mendojnë për të shtuar burimet e tyre financiare me të ardhura që burojnë nga tregu. Është e dhëna më dramatike e të gjithë këtyre 30 viteve që volumi i aktiviteteve që lidhin drejtpërdrejtë bashkitë me krijimin e të ardhurave, jo buxhetore, është minimal, afër zeros!

Është e pamundur që ne akoma sot, në nivel bashkiak, që nga Tirana që është kryesorja, e deri tek bashkia më e fundit, nuk kemi asnjë aktivitet ekonomik të pavarur që prodhon të ardhura, duke filluar nga ndërtimi. Bashkitë i kanë të gjitha mundësitë që të ndërtojnë dhe të krijojnë shumë më tepër shanse për njerëzit që kanë nevojë për strehim, por njëkohësisht edhe të fitojnë para për buxhetin e tyre. Më thoni një kompani bashkiake që ndërton në funksion të strehimit në Shqipëri? Nuk ka! Kemi pasur një debat të gjerë dhe të thellë me drejtuesit e bashkisë së Tiranës për këtë. Nuk mundet dot qeveria të jetë përgjigja për çdo kërkesë dhe çdo nevojë, është e pamundur. Nga ana tjetër, nuk ka pse oportunitete që janë aty për tu shfrytëzuar, të mos i shfrytëzojë dhe sektori publik, bashkiak, por të gjitha t’ia delegojë kompanive private. Nuk ka arsye! Rolin e zhvilluesit e luajnë shumë investitorë që nuk kanë fare kompani ndërtimi dhe çfarë bëjnë? Marrin kompanitë e ndërtimit dhe zhvillojnë pronat. Pse të mos e bëjnë bashkitë këtë? Çfarë i pengon? Më thoni një gjë që i pengon? Ndërkohë, me një gur vrasin dy zogj. Krijojnë oportunitete të reja për të pastrehët e tyre dhe nuk rrinë të presin nga Enti i Banesave në Tiranë, por strehojnë njerëzit e tyre të pastrehë, bëjnë politikë strehimi të mirëfilltë dhe nga ana tjetër, shesin për të mbledhur të ardhura. Pse të mos bëhet kjo?

Sa janë tregjet bujqësore, të prodhimit bujqësor me pjesëmarrje apo pronësi bashkiake? Urdhëro, këtu jeni, më thoni. Sa janë pikat e grumbullimit të prodhimit dhe të shpërndarjes me pjesëmarrje apo pronësi bashkiake? Sa nga ju dhe cilët kanë shfrytëzuar fondin e garancisë sovrane për bujqësinë si koordinatorë, si katalizatorë për të adresuar nevoja të fermerëve në zonat tuaja, pa pritur që të gjitha këto t’i zgjidhë investitori privat, që natyrisht është i mirëseardhur, por jo kudo vjen atëherë kur duhet? Sa herë e kemi përsëritur këtë gjë?

Për të ardhur tek një tjetër gangrenë, që është uji. Pse duhet që ne të vazhdojmë të ballafaqohemi si qeveri me mangësira, deri dhe serioze në zona të caktuara për ujë, në kushtet kur bashkitë në një pjesë të konsiderueshme të tyre nuk bëjnë detyrën, por bashkëjetojnë me thellimin e borxheve, bashkëjetojnë me abuzimin me këtë pasuri në emër të komfortit elektoral? E kështu, kjo pasuri nuk shkon as aty ku duhet të shkojë dhe nuk prodhon asgjë tjetër veçse borxhe e borxhe. Pa folur për shërbimet e tjera. Pastrimin, transportin publik, që janë shërbime jo të lehta për tu organizuar.

Në të gjitha këto kemi mundësi të shikojmë që nuk po flasim për gjëra që janë të pa bëshme apo gjëra që askush nuk i ka bërë, përkundrazi! Pse duhet të jetë qeveria kampione në digjitalizimin e shërbimeve? Pse të mos jenë bashkitë? Ndërkohë që, në të gjithë botën ndodh e kundërta. Sektori privat, pushteti vendor dhe pastaj qeveria qendrore, që është zakonisht më e ngadalta. Këtu qeveria qendrore ka bërë një revolucion deri në fund me shërbimet. Ka kuptim që shërbimet publike bashkiake me dokumente të vazhdojnë të jepen me letra e të mos jenë online? Ka kuptim që bashkitë të jenë të prapambetura në digjitalizim ndërkohë që jeni ju të parët që duhet të jeni personat më të interesuar sepse në fund të fundit për definicion, për fiziologjinë e vet, roli i kryetarit të bashkisë është roli i qytetarit të parë që është njeriu më i afërt me gjithë qytetarët e tjerë. Çfarë ndodh? Pse duhet që qeveria ta ketë nivelin e përgjigjeve ndaj ankesave të qytetarëve në platformën e Bashkëqeverisjes mbi 90%? Institucionet e qeverisjes qendrore që janë kaq larg qytetarëve për fiziologjinë e tyre dhe bashkitë ta kenë nën 30 % mesataren. Çfarë ndodh? Pse? Për më tepër që sot nuk jemi në vitin 0, për më tepër që ju të gjithë jeni njerëz që keni parë botë me sy, jeni njerëz që keni kontaktet tuaja personale me kryetarë bashkish jashtë vendit tonë, jeni njerëz që keni marrë pjesë në udhëtime pune dhe e dini shumë mirë që këtë që po them unë janë normaliteti i jetës bashkiake të çdo qyteti dhe është e pamundur që të vazhdojë të imagjinohet kjo histori. Borxhet i akumulojmë dhe i lëmë në derën e qeverisë, problemet i akumulojmë dhe presim të na i zgjidhi qeveria, projektet i kufizojmë të gjitha në projekte që financohen vetëm nga buxheti dhe nuk dalim jashtë këtij rrethi vicioz të trajtimit të problematikave.

Sot qytetet tuaja janë më të pastra se ç’ishin përpara se ne të merrnim një masë për të kushtëzuar kalimin e buxhetit me një financim të arsyeshëm dhe të bazuar në disa kritere të pastrimit, janë më të pastra qytetet. Çfarë tregon kjo? Kjo tregon që gjërat bëhen. Ashtu sikundër po të shikojmë tabelën, 45 bashki nuk kanë problem financiare. Çfarë tregon kjo? Kjo tregon që gjërat bëhen dhe tek ato 45 bashki unë pashë bashki të mëdha, pashë bashki mesatare dhe pashë bashki të vogla, pashë Konispolin. Konispoli është një bashki e vogël, është një bashki që nuk ka mundësi të barabarta me një pjesë të konsiderueshme të bashkive dhe Konispoli nuk ka problem financiare. Ku ndryshon Konispoli nga Tropoja? Ku ndryshon? Janë dy skaje. Pse Tropoja ka probleme financiare? Është çështje e administrimit dhe është çështje e përgjegjësisë. Unë e kuptoj që ka akumulim nga e shkuara, patjetër, po këtë gjë patëm edhe ne si qeveri. Kur erdhëm në detyrë patëm shumë borxhe, por ne nuk mund të themi që këto janë borxhet e të tjerëve dhe do të vazhdojmë tani të shpenzojmë sepse është i njëjti shtet, është e njëjta arkë, pavarësisht se cilët janë personat që mbulojnë detyrat përkohësisht dhe që firmosin.

Si me pastrimin, e njëjta gjë vlen edhe me pastrimin e  borxheve. S’janë dy gjëra të ndryshme. Këtu në sallë janë disa partnerë. Shoh me shumë kënaqësi drejtorin e zyrës së Bankës Botërore,. Pse është këtu i pranishëm? Sepse gjithë ai institucion global financiar është në dispozicion. Jo vetëm për sa i përket parave por edhe për sa i përket dijes, për t’ju asistuar për çdo gjë që keni nevojë. Si Banka Botërore janë edhe të tjerë prezentë atje dhe të tjerë akoma që nuk janë këtu të pranishëm, por që janë në mbështetje të këtij procesi. 

Tjetra, si ta shpjegoj unë këtë që qeveria bën një program të ri për fëmijët dhe për lëvizjen sportive dhe akoma sot që flasim megjithëse e kemi bërë dhe një mbledhje më parë dhe megjithëse kemi bërë edhe kërkesa përkatëse individuale, megjithëse ministrja që është këtu prezente është bërë si “call center” për të kërkuar prej jush, nuk i kemi nga të gjitha bashkitë, terrenet që ju keni në dispozicion për lëvizjen sportive dhe për fëmijët. Çfarë duhet më të të tregojë kjo? Çfarë? Dhe po jua kërkojmë që t’ju mbështesim financiarisht për t’i ndërtuar.

Si t’ia bëjmë ne qe në të gjithë organizmin që po i bëjmë lëvizjes sportive në shkolla, që është e lidhur drejtpërdrejtë me bashkitë sepse nuk është një lëvizje sportive brenda orës mësimore, por është një lëvizje sportive e cila ka të bëje me një organizim që shkon përtej strukturës së shkollës, që përfshin kampionate në nivel bashkiak dhe në nivel qarku, kur edhe këtu jo të gjithë e bëjnë. Një pjesë e bën, një pjesë nuk e bën. Po pse nuk e bën? Çfarë ka më të rëndësishme? Ne besojmë që potenciali për të bërë aktivitet ekonomik, financiar, fitimprurës nga ana e bashkive është i gjithi aty dhe mosshfrytëzimi më tej i këtij potenciali është i pajustifikueshëm. Duhet të hapim patjetër këtë kapitull, bashkitë duhet të organizojnë aktivitetin e tyre ekonomik financiar fitimprurës. Është plotësisht e mundur, nuk ka asnjë shkencë të madhe, do vetëm vizion, vullnet dhe ekspertizë që thashë, janë të gjithë këta partnerë të pranishëm  këtu që janë në dispozicion edhe qeveria është në dispozicion dhe të gjitha këto gjëra mund të bëhen.

Gjithsesi një gjë që ministrja nuk e tha, mbase donte që të ma linte mua, se lajmin e keq ma lënë mua gjithmonë ministrat, është që ne do të marrim masa në rast të mos përmbushjes së detyrimeve financiare në raport me disiplinën financiare, siç bën gjithë bota, duke marrë bashkinë në administrim, siç bëhet në Itali e në Francë kur bashkitë shkojnë në kolaps dhe kur situata financiare bëhet një gropë që nuk mbushet dot më duke bërë sikur nuk e sheh.

Nga ana tjetër siç bëmë me pastrimin do të bëjmë edhe me disiplinën buxhetore, njësoj. Nuk do kalojnë dot buxhete në Këshillat Bashkiakë dhe nuk do të miratohen nga Prefektët buxhete që nuk janë brenda parametrave financiarë që garantojnë stabilitetin financiar të Bashkive. Është absolutisht e vërtetë që kjo pamje nuk është vepra juaj, vetëm, sepse është një situatë e trashëguar me vite, por është absolutisht e vërtetë po ashtu që në atë zonën jeshile shumë nga bashkitë janë sot për shkak të kryetarëve të bashkive që janë këtu të pranishëm, të cilët e kanë trashëguar situatën më keq dhe sot e kanë bërë më mirë, me lidership dhe me përgjegjshmëri. Janë përmirësime të ndodhura në këtë periudhë. Kështu që këto tregojnë që kjo bëhet. Nuk po kërkojmë një gjë që nuk bëhet, nuk po kërkojmë një gjë që do kërkojë dhimbje të papërballueshme, po kërkojmë vetëm disiplinë.

E fundit që kam është kjo. Nuk është e mundur të justifikohet një sjellje papërgjegjshmërie me detyrën dhe mos mbledhur detyrimet që kanë njerëzit si konsumatorë, si konsumatorë të ujit dhe konsumatorë të çdo shërbimi. Taksa e pasurisë është taksa më e rëndësishme bashkiake në të gjithë globin. Taksa e pasurisë në këtë cep të globit ku ne jemi, është taksa më e shpërfillur dhe pastaj natyrisht që nuk ka mjaftueshmërisht fonde për të gjitha gjërat që ju doni, se s’ka si të ketë, se nga diku ato fonde dalin. Nuk mund të taksohet njëlloj pasuria e një familjeje që jeton me të ardhura mesatare, me shtëpinë e dytë e me shtëpinë e tretë të një familje tjetër dhe jo vetëm kaq, po këto edhe nuk mblidhen pastaj.

Mesazhi i këtij takimi është disiplinë financiare, burime të reja të ardhurash dhe përgjegjshmëri më e lartë në raport me qytetarët për sa i përket shërbimeve. Digjitalizim, modernizim deri në fund i gjithë sistemit të shërbimeve.

Faleminderit!

Previous Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, kryesoi takimin e radhës të Këshillit të Sigurimit me temë “Bashkëpunimi ndërmjet OKB-së dhe organizatave rajonale dhe nënrajonale (BE)”

Leave Your Comment