Dëgjesë publike me përfaqësues të federatave sportive mbi kërkesën për formalizmin e basteve sportive - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Dëgjesë publike me përfaqësues të federatave sportive mbi kërkesën për formalizmin e basteve sportive

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një dëgjesë publike me përfaqësues të federatave sportive, të kërkuar nga vetë federatat, lidhur me kërkesën e tyre për të konsideruar formalizmin e basteve sportive.

Në takimin, i cili u zhvillua edhe me pjesëmarrjen e Ministres së Arsimit dhe Sportit Evis Kushi Ministrit të Brendshëm Bledi Cuci dhe Ministres së Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, u diskutua gjerësisht mbi problematikën e basteve online në të zezë dhe propozimin për të realizuar formalizimin e tyre me qëllimin e vetëm që të ardhurat nga aktiviteti i formalizuar të shërbejnë në funksion të sportit, rinisë dhe të kulturës.

“Ne vendosëm të ndalojmë krejtësisht lojërat e fatit, duke pasur parasysh një situatë absolutisht dramatike me kërpudhëzimin e gjithë infrastrukturës së lojërave të fatit, me pafundësinë e sallave të bingove e të atyre makinetave e të ekraneve të basteve, një shqetësim social posaçërisht për më të vegjlit, por edhe me situata familjare dramatike të katandisura deri në tragjedi. Dhe për hir të se vërtetës, ne besojmë se ka qenë një vendim absolutisht i drejtë dhe i duhur.” – u shpreh kryeministri Rama teksa risolli në vëmendje situatën problematike në kohën e marrjes së këtij vendimi.

Kryeministri theksoi se ndonëse situata aktuale është si nata me ditën, krahasuar me gjendjen e mëparshme, nuk do të ketë rikthim tek sallat dhe tek lojërat e fatit. “Që të mos kemi asnjë iluzion dhe asnjë keqkuptim, ne nuk do kthehemi në asnjë mënyrë tek sallat, tek lojërat, tek batërdia e lojërave të fatit. Salla parazitësh dhe parazitizmi në Shqipëri ku mblidhen njerëzit dhe harxhojnë orë të tëra dhe luajnë për të hedhur në erë edhe ato kursime që prindërit ua japin fëmijëve në dorë nuk do ketë.” – u shpreh kryeministri Rama.

* * *

Shumë faleminderit edhe presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, edhe kryetarit të KOKSH, edhe të gjithë përfaqësuesve këtu të federatave sportive për përgjigjen pozitive të kësaj ftese.

Në fakt, e vërteta është që kjo ftesë për ta bërë këtë dëgjesë publike është rezultat i një presioni pozitiv që vazhdon prej shumë muajsh nga ana juaj, që publikisht të keni përsëritur në drejtim të qeverisë kërkesën për të konsideruar formalizmin e basteve sportive.

Ne natyrisht që e kemi ndjekur këtë debat që ju keni hapur; ministrja e arsimit dhe sportit ka bërë dhe komunikime me ju për të dëgjuar nga afër shqetësimin, por edhe pretendimet tuaja. Pa dyshim që këtu bëhet fjalë për një sasi potenciale të ardhurash që do të ishin shumë të vlefshme për aktivitetin sportiv, qoftë për federatat e shumë sportëshit, qoftë për Federatën shqiptare të futbollit por nga ana tjetër kemi një kontekst. Kemi një kontekst i cili duhet kuptuar dhe për të cilin unë do të them dy fjalë.

Ne vendosëm të ndalojmë krejtësisht lojërat e fatit duke pasur parasysh një situatë absolutisht dramatike me kërpudhëzimin e gjithë infrastrukturës së lojërave të fatit, me pafundësinë e sallave të bingove e të atyre makinetave e të ekraneve të basteve, një shqetësim social posaçërisht për më të vegjlit, por edhe me situata familjare dramatike të katandisura deri në tragjedi. Dhe për hir të se vërtetës, ne besojmë se ka qenë një vendim absolutisht i drejtë dhe i duhur.

Në atë kohë debati i bërë në fakt mbeti, kishte mbetur përpara vendimmarrjes vetëm tek bastet sportive online dhe ishte një debat me “pro dhe kundra” brenda nesh, ishte një debat i nxitur edhe nga fakti që të gjithë partnerët me të cilët ne e përgatitëm atë vendimmarrje si ekspertë ndërkombëtarë na këshillonin që këtë pjesë ta konsideronim si një pjesë jashtë vendimmarrjes së përgjithshme duke na paralajmëruar për rrezikun e madh të lulëzimit në të zezë të kësaj pjese si rezultat i teknologjisë, por situata në atë moment ishte e tillë dhe për hir të së vërtetës dhe nevoja për të qenë bardhe e zi ishte e tillë që ne nuk e morëm në konsideratë as këtë fakt, pa llogaritur edhe gjithë batërdinë e krijuar në debatin politik ku u hodhën lloj-lloj pretendimesh absolutisht pa asnjë bazë për gjoja përpjekjen për të devijuar të ardhurat në drejtime të caktuara. Dhe kjo periudhë kohe na dha mundësinë t’i shohim të dyja anët e medaljes; të shohim edhe anën pozitive, të shohim edhe anën negative në aspektin e pikërisht të lulëzimit të këtij aktiviteti online në të zezë, ku policia e shtetit dhe këtu është bashke me ne edhe nëndrejtori i Policisë së shtetit, i cili në detyrën e mëparshme ka mbuluar edhe këtë pjesë, përpjekjen për të çuar përpara ligjit organizatorë dhe pjesëmarrës në këtë aktivitet. Një përpjekje, e cila ka patur rezultatet e veta, por njëkohësisht ka patur dhe vështirësitë e veta objektive dhe sot unë jam shumë i gatshëm të bëjmë këtë diskutim publik dhe brenda nesh të kemi diskutimin tonë. Ministrja e Arsimit dhe Sportit natyrisht ka tendencën të jetë më shumë në krahun tuaj për shkak se të ardhurat nga një aktivitet i formalizuar do të ishin të konsiderueshme në funksion të sportit, në funksion të rinisë, në funksion të kulturës.

Ministri i brendshëm është këtu sepse siç thashë, kjo kornizë që ne kemi e ka përfshirë fuqimisht Policinë e Shtetit në përpjekjen për t’i parandaluar dhe për t’i çuar përpara ligjit më pas organizimet dhe organizatorët e lojërave e basteve online në të zezë ku për hir të së vërtetës ka pasur dhe ka një pjesëmarrje aktive të disa elementëve të skeduar si profile të larta kriminale dhe drejtori i Agjencisë së lojërave te fatit, e cila sigurisht mbulon pjesën që është ligjërisht e qartë dhe nuk ka kompetence të ndjekë dhe nuk ka fushë të përgjegjësisë së vet të ndjekë aktivitetin ilegal që është kompetencë dhe përgjegjësi e Policisë së Shtetit, por që ka sigurisht edhe të gjithë ekspertizën e vet.

Kështu që, pa humbur kohë me fjalë të tepërta unë do doja që fillimisht të dëgjonim dy zëdhënësit kryesore të komunitetit tuaj, Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Kryetarin e Komitetit Olimpik Shqiptar dhe për të mos i bërë federatat e shumë sport-ëshit të ndihen përsëri inferiore ndaj një federate të vetme që është federata e futbollit, po ja jap fillimisht fjalën kryetarit të komitetit dhe pastaj presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Pastaj është e hapur absolutisht për të gjithë duke filluar nga të gjithë ju që jeni këtu protagonistë të aktiviteteve sportive në Shqipëri dhe patjetër do doja ta dëgjonim dhe në një moment të caktuar edhe zëvendës drejtorin e përgjithshëm të policisë se mbase ju nuk jeni dhe fort në dijeni të një aktiviteti shumë intensiv që ka zhvilluar pa u ndalur Policia e Shtetit për të adresuar problematikën e këtij aktiviteti kriminal në të zezë.

 

* * *

Kjo është padyshim një ndërhyrje e arsyeshme sepse e heq nga ekonomia e zezë dhe sjelle në arkën e shtetit një shumë jo të vogël, por dua të them dy gjëra si reagim apo reflektim pas fjalëve të dy personave kryesorë po themi, që përfaqësojnë gjithë organizatat sportive të Shqipërisë.

E para, jam shumë dakord që nëse ne e kthejmë edhe në fakt si për çdo tjetër për hir të së vërtetës në Shqipëri sipas meje, nëse e kthejmë kokën pas se ku ishim, jemi sot si dita me natën, por nëse e shohim përpara se ku duhet të jemi, jemi sot si nata me ditën për hir të së vërtetës. Kemi pas bashkëpunim absolutisht shumë pozitiv me Federatën Shqiptare e Futbollit, kemi bërë disa stadiume, kemi arritur deri në pikën që ndërtuam stadiumin në Tiranë, kemi arritur të sjellim finale evropiane, por faktikisht nevojat që ne kemi janë shumë më tepër se nevojat që ne kemi plotësuar.

Kemi bërë palestra kudo dhe falë atyre palestrave që kemi bërë kudo nëpër shkolla, kemi mundësinë tani të hyjmë në kalendarin e parë sportiv kombëtar, në nivel bashkie, qarku, në nivel kombëtar, me skuadrat sportive të fëmijëve. Kemi regjistruar afër 650 skuadra deri tani, vajza, djem, në volejboll, basketboll dhe jemi ne fazën e fundit kur Komiteti Olimpik po krijon të gjithë bazën materiale sepse të gjithë fëmijëve do tu jepen uniforma, topat, trajnerëve do t’u jepet mbështetje, por e vërteta është që i kemi dhënë një shumë masive Komitetit si asnjëherë më parë, i kemi dhënë 5 milionë, por e kuptoj shumë mirë Fidelin se dakord, po vitin tjetër, po vitin tjetër? Domethënë dhe nëse ne japim çdo vit nga 5 milionë nga buxheti do ta heqim diku tjetër. E kemi hequr, por arsyetimi bën sens, pse mos ia heqim nga duart atyre që  shumë me tepër se sa 5 milionë i qarkullojnë, nuk paguajnë asnjë taksë dhe ushqejnë të gjithë të keqen.

Reflektimi fundit që kam në këtë moment është që kemi bërë shumë përpjekje dhe do doja t’ia jepja fjalën zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, deri para pak kohësh drejtor i Departamentit të Luftës kundër Krimit të Organizuar sepse realisht ka qenë një nga pikat që kemi diskutuar intensivisht dhe ku drejtori ka realisht investuar shumë nga kapaciteti i tij dhe nga kapaciteti i gjithë Departamentit dhe i gjithë Policisë, me disa aksione të suksesshme, por e vërteta është kjo, që, që kur është nisur ky debat, unë në fakt kam parë anën tjetër, anën time si të thuash, duke u konsultuar me disa, s’po përmend emra, dy – tre, sepse s’janë shumë, prej kryeministrave apo presidentëve të vendeve që i kanë të ndaluara komplet dhe përgjigjja e sinqertë ka qenë: online është i pandalueshëm, problematika e online në të zezë është edhe në ato vende, që për arsyet e tyre të natyrës ideologjike apo të natyrës morale, e kanë ndaluar dhe në të gjithë diskutimet që kemi bërë me ekspertë të botës digjitale, rezulton e pamundur që te bllokohet sistemi. Kjo edhe mua më bën të prirur që të jem i hapur ndaj kësaj zgjidhje sepse është gjynah që kjo veprimtari të zhvillohet nga duart e njerëzve që shkelin ligjin dhe ku siç thashë, kanë figuruar aktivë dhe me përfitime krejt të paarsyeshme, elemente me profil të lartë në krimin e organizuar.

* * *

Operacionet e përshkallëzuara flasin shumë qartë për vullnetin që kemi pasur 100% deri në fund për ta luftuar këtë fenomen.

Nga ana tjetër, fakti që ky aktivitet nuk ka ardhur në rënie, që pavarësisht arrestimeve, dënimeve, në një pjesë të caktuar edhe gjykatat kanë dhënë kontributin e tyre negativ, siç e kanë dhënë kudo në gjithë rrugët e jetës, sidoqoftë nuk ka rënë si aktivitet; nuk ka rënë si numër pjesëmarrësish, e bën të domosdoshëm këtë reflektim që bëjmë sot.

Ndërkohë që dua ta theksoj shumë qartë, që të mos kemi asnjë iluzion dhe asnjë keqkuptim, ne nuk do kthehemi në asnjë mënyrë tek sallat, tek lojërat, tek batërdia e lojërave të fatit as për baste, as për makineta e as për dreq e shejtan. E vetmja konsideratë që ne po bëjmë është konsiderata për bastet sportive online dhe për asgjë tjetër, pavarësisht se ka shumë diskutim mbi këtë, “Duhet kjo, duhet edhe ajo”. Jo! Salla parazitësh dhe parazitizmi në Shqipëri ku mblidhen njerëzit dhe harxhojnë orë të tëra dhe luajnë për të hedhur në erë edhe ato kursime që prindërit ua japin fëmijëve në dorë, nuk do ketë.

Previous Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 31 Gusht 2022

Leave Your Comment