VKM PËR VIZAT
Ne miratuam sot dy marrëveshje të rëndësishme të cilat shtojnë akoma më tej numrin e vendeve ku shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë pa viza.
Më konkretisht bëhet fjalë për
“Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës për heqjen reciproke të vizave për mbajtësit e pasaportave të zyrtarëve publikë dhe pasaportave të zakonshme” dhe për miratimin në parim të “Marrëveshjes me shkëmbim notash për ndryshimin e “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe për heqjen e ndërsjellë të vizave të hyrjes” e cila do të nënshkruhet së shpejti me shkëmbim notash mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara.
Të dyja këto marrëveshje do të krijojnë padyshim lehtësi të shtuara për të gjithë ata qytetarë shqiptarë që dëshirojnë të udhëtojnë drejt këtyre vendeve, për arsye pune, biznesi apo turizmi të cilët nga momenti i hyrjes në fuqi të marrëveshjeve s’do të kenë më nevojë për viza hyrëse. Ju kujtoj që bëhet fjalë për dy vende me të cilat ne kemi shkëmbime të qenësishme ekonomike.
Ne jemi duke punuar me shumë seriozitet për të fuqizuar sa më shumë pasaportën shqiptare e për të zgjeruar sa më shumë hapësirën e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë. Është një proces që kërkon kohë, që kërkon kujdes, por që ka filluar të japë rezultate konkrete dhe jam optimiste që harta e lëvizjes së lirë për qytetarët shqiptarë do të vazhdojë të zgjerohet edhe më tej në të ardhmen e afërt kur marrëveshje të tilla do të lidhen edhe me vende të tjera.
SITUATA NË TURQI, A KENI INFORMACION PËR JETË SHQIPTARËSH TË HUMBURA?
Së pari, më lejoni të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë fatkeqësi me bilanc tragjik, si për popullin turk dhe atë sirian.
Që në orët e para, sic jeni në dijeni, Shqipëria është solidarizuar jo vetëm me qëndrime por me veprime konkrete me popullin turk dhe qeverinë turke për të ndihmuar në operacionet e kërkim shpëtimit të shtrira në 10 provinca. Në momentin që po flasim janë 80 efektivë të FA, të kërkim shpëtimit, mjekë dhe ekspertë të tjerë të kërkim shpëtimit të cilët janë angazhuar në zona përmes koordinimit me autoritetet turke.
Marr shkas për të falenderuar edhe stafin e diplomatëve tanë në ambasadën shqiptare në Ankara dhe konsullatën në Stamboll për përkushtimin në këto ditë të vështira, si në pritjen dhe koordinimin e skuadrës shqiptare apo dhe për komunikimin me ato familje të cilat nuk kanë patur kontakte me të afërmit e tyre në Turqi.
Deri më tani nuk rezultojnë qytetarë me nënshtetësi shqiptare në rradhët e viktimave dhe as raportime për të zhdukur. MEPJ si dhe ambasada dhe konsullata jonë në Stamboll kanë pubikuar numër telefoni dhe adresa email për të gjithë ata që kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre në Turqi gjatë këtyre 72 orëve.
Deri në momentin që po flasin janë rreth 10 raste të familjeve këtu në Shqipëri të cilët kishin humbur lidhjet me të afërmit e tyre në Turqi e që falë koordinimit të ambasadës dhe konsullatës tonë në Turqi me autoritetet turke kanë mundur të rilidhen e të mësojnë se ata gëzojnë shëndet të mirë e po asistohen për nevojat që mund të kenë.