Në përfundim të vizitës në Ankara, Turqi, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan dhanë një deklaratë të përbashkët për shtyp.
* * *
Presidenti i Republikës së Turqisë Recep Tayyip Erdoğan: I nderuar Kryeministër, i shtrenjti miku im, Edi Rama,
Të nderuar ministra,
Të nderuar anëtarë të delegacioneve, përfaqësues të medias!
Ju përshëndes me ndjenjat më të përzemërta dhe me respekt! Jam shumë i kënaqur që mirëpres kryeministrin e Shqipërisë zotin Rama dhe delegacionin e tij në Ankara me rastin e mbledhjes së parë të Këshillit të Bashkëpunimit të nivelit të lartë. Ju uroj mirëseardhjen edhe një herë në praninë tuaj!
Vitin e kaluar festuam 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë.
Bashkëpunimi ynë shumëdimensional vazhdon të zhvillohet në kuadër të partneritetit strategjik që ne kemi shpallur në Ankara, së bashku me Kryeministrin Rama në vitin 2021.
Sot, në mbledhjen e parë të Këshillit tonë, konfirmuam edhe një herë vendosmërinë për të ngritur në një nivel më të lartë marrëdhëniet tona.
Theksova edhe një herë rëndësinë që i jep Turqia zhvillimit të Shqipërisë, mbështetjen për rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar. Me marrëveshjet që nënshkruam, përforcuam bazën juridike të bashkëpunimit tonë.
Volumi tregtar ka arritur në 1 miliardë dollarë. Objektivi ynë i ri është që ta çojmë në 2 miliardë dollarë dhe përcaktuam këtë si objektiv. Kam besim se me përpjekjet e sektorit tonë privat do të arrijmë këtë shifër në një kohë shumë të shkurtër.
Turqia është një prej pesë investitorëve të huaj më të mëdhenj të Shqipërisë, me një investim që arrin deri në 3.5 miliardë dollarë. Më shumë se 600 firma turke kanë punësuar mbi 15 mijë qytetarë shqiptarë duke mbështetur ekonominë vendase.
Ne do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë reciproke për të rritur investimet dhe për të zhvilluar lidhjet midis sektorëve të biznesit. Do të vazhdojmë mbështetjet tona për projekte në lidhje me zhvillimin e Shqipërisë përmes agjencisë TIKA.
Edhe marrëveshja që ne nënshkruam pak më parë në lidhje me statusin e zyrës së koordinimit të TIKA-s ne Tiranë, do të përforcojë edhe më shumë bashkëpunimin tonë.
Në konferencën e shtypit që mbajtëm këtu me Kryeministrin Rama në janar 2021 dhamë lajmin e mirë dhe premtimin se do të ndërtonim brenda tre muajve një spital në Shqipëri, madje vendosëm edhe bast me zotin Rama për këtë çështje.
Shyqyr Zotit, natyrisht që ne e mbajtëm fjalën dhe për një kohë rekord, prej tre muajsh, e ndërtuam spitalin e miqësisë në Fier. Ne do të vazhdojmë ta menaxhojmë bashkë këtë spital ku gjejnë shërim pacientë që vijnë nga çdo rajon i Shqipërisë.
Ashtu si deri më sot, edhe këtej e tutje ne do të vazhdojmë të jemi, të qëndrojmë pranë popullit shqiptar. Pjesë e agjendës sonë ishte dhe pastrimi i mbetjeve të Shqipërisë, e cila vazhdon aktivitetet e saj me qëllim për të hedhur hije mbi marrëdhëniet tona. Ne nuk do të lejojmë që kjo t’ia arrijë objektivat e saj dhe po ashtu ne shikojmë që edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë. Në kuadër të mirëkuptimit, lufta jonë me këtë strukturë do të vazhdojë dhe falënderoj për kontributin që ka dhënë fondacioni turk Maarif që vazhdon aktivitetin e arsimit në Shqipëri. Ne kemi bindjen se kjo mbështetje, ky kontribut do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Të nderuar anëtarë të medias, së bashku me zotin kryeministër shkëmbyem mendime lidhur me zhvillimet në rajon dhe në botë.
Turqia dhe Shqipëria janë dy vende që kanë kontribuar në vendosjen e paqes dhe stabilitetin në Ballkan dhe si dy aleate të NATO-s.
Në periudhat në vijim do të vazhdojmë dialogun dhe bashkëpunimin tonë në lidhje me Ballkanin. Jemi të vendosur që të thellojmë edhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe ushtarake. Këtë e tregon edhe marrëveshja ushtarake kuadër që u nënshkrua pak më parë.
E komplimentojmë Shqipërinë që e përfundoi me sukses detyrën e saj si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022 -2023.
Shqipëria do të japë një kontribut të rëndësishëm gjatë kryesisë së radhës që mori nga Turqia në Organizatën e Bashkëpunimit Ekonomik të Deti të Zi.
Kam besim se Shqipëria do të kryejë me sukses edhe kryesinë e radhës në Procesin e Bashkëpunimit të Europës Juglindore që do ta marrë këtë kryesi në muajin korrik të këtij viti.
Në takimin tonë trajtuam edhe shtypjen izraelite në territoret e pushtuara palestineze dhe në Gazë duke na hapur përgjegjësitë e komunitetit ndërkombëtar për ndalimin e shtypjes së tiranisë së Izraelit që vazhdon prej 4 muajsh dhe garantimin e një të ardhmeje të sigurt dhe të begatë për vëllezërit tanë palestineze.
Proceset që vazhdojnë si në kuadër të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ashtu edhe në OKB kanë treguar qartë qëndrimin tonë të drejtë në këtë çështje.
Edhe Shqipëria me qëndrimin e saj në votimin që u mbajt në këshillin e sigurimit të OKB-së që u mbajt në muajin dhjetor të vitit të kaluar ka zënë vend në anën e drejtë të historisë. Kjo është shumë e rëndësishme, shumë e çmuar ky sovranitet që është shfaqur nga ana e Shqipërisë.
Me mikun tim Rama do t’i vazhdojmë kontaktet edhe në kuadër të iniciativave që do të ndërmerren në proceset e ardhshme. Në përfundim të fjalës sime uroj që vendimet e marra në mbledhjen e Këshillit dhe marrëveshjet e firmosura pak më parë të jenë të dobishme.
Për kontributet e paçmuara që kanë dhënë në forcimin e marrëdhënieve midis Turqisë dhe Shqipërisë zotit kryeministër, në emrin tim personal dhe të popullit tim e falënderoj dhe Zoti e ruajte dhe forcoftë këtë marrëdhënie dhe mikun tim Rama dhe delegacionin e tij e falënderoj edhe njëherë për vizitën e tij dhe po ia lë fjalën zotit Rama.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për fjalët e ngrohta të një miqësie të posaçme, por e kam të pamundur që të mos bëj një sqarim.
Zoti president, unë nuk mund të mos bëj një sqarim që ne nuk kemi vënë bast për spitalin, se bastet në Turqi janë të ndaluara me ligj kurse në Shqipëri lejohen vetëm online. Unë e mbaj mend mirë që ju kam thënë që bast nuk vë dot, por ju e keni bastin me shqiptarët që fjalën tuaj e dinë “u tha, u bë” dhe ai spital ishte besoj, investimi i parë publik në botë me 3 milionë supervizorë, çdo ditë dhe ju e fituat bastin me shqiptarët.
Thënë kjo, unë dua t’ju falenderoj edhe publikisht për mikpritjen dhe dua të them, ndoshta duke e përsëritur, por besoj që sa herë që flitet në këtë nivel për marrëdhënien me Turqinë, shqiptarët, Shqipëria, Kosova nuk mund të harrojnë dot tre gjëra që mbeten, besoj unë, në kujtesën tonë kombëtare për sot dhe për nesër.
E para, falë jush dhe qeverisë suaj, Kosova u njoh si Republikë e pavarur pak minuta pasi Parlamenti i saj shpalli pavarësinë.
E dyta, kur Shqipëria u godit nga një tërmet me pasoja jashtëzakonisht të rënda, ju ishit i pari që komunikuat me mua, më thatë që, sa të jetë Turqia, Shqipëria nuk do të jetë kurrë vetëm dhe ndërmorët iniciativën publike për fillimin e menjëhershëm të ndërtimit të 500 apartamenteve të reja.
E treta, kur Shqipëria, populli shqiptar bashkë me popujt e tjerë të rajonit tonë, të Ballkanit Perëndimor, u ndjenë si peshku pa ujë në momentin kur bota u godit nga koronavirusi dhe teksa shikonim nëpër ekranet e televizioneve europiane fillimin e vaksinimit në Europë, nëse nuk do ishte Turqia dhe nëse nuk të ishit ju personalisht, kushedi sesa njerëz do të kishin humbur jetën dhe këto janë tre momente, në njëfarë mënyre, mes jetës dhe vdekjes që nuk harrohen dot kurrë.
Pastaj, natyrisht ka shumë për të thënë. Ju përmendët spitalin, por përtej ngritjes së tij në një kohë rekord, nuk është i vetmi rekord i juaji në këto punët tuaja publike, mesa unë di. Ajo që është ende më e rëndësishme është se sot ai spital është një pikë referimi gjithmonë e më i dëshiruar për qytetarët shqiptarë në nevojë për kurim dhe është njëkohësisht një pasqyrë e një bashkëpunimi që vazhdon me një skuadër të përbashkët mjekësh shqiptarë dhe turq . Ashtu sikundër është edhe pararoja e një transformimi të mëtejshëm të sistemit tonë të shëndetësisë sepse falë eksperiencës që është botërisht e njohur si një sukses, të Turqisë në transformimin e sistemit shëndetësor dhe që tek ne e përcjellin një grup menaxherësh të vënë në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë së Turqisë, aty ka nisur modeli i autonomisë spitalore, që është një tjetër reformë e sistemit tonë shëndetësor dhe që ne jemi shumë besimplotë që do ta çojë shërbimin në një nivel të ri, por edhe shpërblimin e drejtë dhe meritokratik të mjekëve në një nivel tjetër.
Na vjen jashtëzakonisht mirë që shohim progres me, siç e thatë edhe ju, angazhimin e fondacionit Maarif në Shqipëri, por mezi presim që të materializohet edhe projekti që do të sjellë Universitetin Teknik të Stambollit në Tiranë, një xhevahir i ekselencës turke në arsim, i mirënjohur botërisht, që do t’i japë mundësi studentëve shqiptarë, por edhe studentë të tjerë në rajon, që të mund të aksesojnë një universitet të një niveli botëror.
Kemi bërë progres dhe jemi vullnet-plotë për të bërë edhe më shumë progres në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Jam shumë i kënaqur zoti president, që vitin e shkuar, përveçse Shqipëria arriti një numër rekord, mbi 10 milionë turistë, numri i turistëve nga Turqia u rrit me 30% dhe ne shohim një potencial shumë të madh edhe në këtë aspekt.
Unë jam i bindur që ju nuk mërziteni kur turistët turq vijnë në Shqipëri dhe nuk shkojnë në Antalya dhe jam i sigurt që ministri juaj i Turizmit do të nxisë investimet në fushën e turizmit pasi edhe këtu Turqia ka krijuar një nivel ekselence dhe patjetër që për ne investimet turke janë të mirëseardhura. Kemi arritur në shifrën e 3,7 miliardë eurove, por siç e nënvizuat edhe juve në takimin e Këshillit të Lartë Strategjik, potenciali është për shumë më tepër, për të mos folur pastaj për volumin tregtar që me çdo kush ne duhet ta ngremë në të paktën mbi 1 miliardë euro dhe këtu tani do ishte mirë që t’ju propozoja të vinim një bast që ju të futeshit në sedër edhe ne t’ia dilnim kësaj, por bastet në Turqi vazhdojnë të jenë të ndaluara.
Faleminderit shumë për lejet e drejtimit që ju i miratuat dhe tani shqiptarët do të mund të lëvizin lirisht me automjetet e tyre, me lejet e drejtimit. Në këtë rast na i miratuat pas Gjermanisë, por e mirëkuptojmë vonesën.
Përtej të gjitha këtyre, si gjithmonë ka qenë nder, privilegj, kënaqësi të dëgjoja Presidentin për opinionet e tij mbi rajonin, por edhe mbi situatën në zonat e konflikteve që kanë trazuar gjithë botën. Si gjithmonë, e kam gjetur Presidentin të interesuar me gjithë zemër për ecurinë e rajonit tonë, për ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe për dëshirën e tij që progresi dhe paqja në rajon të jenë çdo ditë e më të forta.
Kemi ndarë me Presidentin edhe opinionet për konfliktin në Ukrainë. E kam informuar që në ditët e ardhshme në Tiranë se bashku me presidentin Zelensky ne do të zhvillojmë një samit të vendeve të Europës Juglindore ku dhe Turqia është e ftuar dhe jam mirënjohës që pavarësisht agjendës së mbi ngarkuar dhe pamundësisë për të qenë fizikisht në Tiranë, Presidenti ka pranuar me shumë kënaqësi që ta adresojë samitin përmes një lidhjeje direkte nga zyra e tij me një mesazh.
Ndajmë, nuk diskutohet, dhimbjen dhe shqetësimin për atë që po ndodh në Gaza. Ne jemi të bindur që është koha për një armëpushim i cili duhet lidhur me lirimin e pengjeve dhe patjetër duhet garantuar në këndvështrimin tonë nga një forcë e përbashkët e pesë vendeve të Lindjes së Mesme dhe Turqisë. Për ne, unë e kam ndarë me presidentin, Turqia është një aktor i pazëvendësueshëm në garantimin e të nesërmes për Gazën dhe për Izraelin vetë, së bashku me 5 vendet e tjera, Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara, Jordaninë dhe Egjiptin. Natyrisht nëse ne ndajmë të njëjtën pikëpamje për domosdoshmërinë e dy shteteve kjo zgjidhje kërkon garancitë e veta dhe pa diskutim që një bashkim forcash i vendeve arabe me Turqinë në kushtet kur nevoja për garanci dhe për rikrijimin e një besimi pas masakrës së ndodhur ndaj njerëzve të pafajshëm në Izrael dhe pastaj i gjithë këtyre shkatërrimeve që kanë ndodhur është kaq e madhe saqë pa të do të jetë e pamundur që të ketë çfarëdolloj kthimi tek arsyeja.
Në mbyllje unë dua dhe një herë tjetër që të falënderoj përveç presidentit pa diskutim dhe gjithë anëtarët e kabinetit. Dua të falënderoj ministrin e Jashtëm që na vizitoi së fundmi dhe që është një mik i vjetër dhe i paçmuar i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Dua të falënderoj pa diskutim dhe të gjithë ministrat që duke ndjekur frymën dhe drejtimet që u dhanë në mbledhjen e shkuar që ne bëmë këtu në Ankara, kanë garantuar që ky bashkëpunim të ketë një thellim jashtëzakonisht të rëndësishëm struktural dhe që të na japë shumë dëshirë për ta thelluar dhe shumë optimizëm për të ardhmen.
Shumë faleminderit dhe një herë zoti President!