Demo: Brenda marsit finalizohet Akademia e Pushtetit Vendor, nisin rezultatet e para të “Paketës së Maleve”

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, gjatë një konference për mediat, deklaroi se Akademia e Pushtetit Vendor ndodhet në fazën përfundimtare të ngritjes dhe se brenda muajit mars do të finalizohet struktura e saj, ndërsa pritet të zgjidhet edhe drejtuesi i institucionit.

Ministri bëri të ditur se pas shpalljes së vakancës kanë aplikuar 22 kandidatë dhe se procesi i përzgjedhjes po zhvillohet në bashkëpunim me shoqatat e bashkive dhe të qarqeve, duke garantuar transparencë dhe përfshirje institucionale. Sipas tij, Akademia do të fokusohet në adresimin e sfidave dhe nevojave të pushtetit vendor.

Në lidhje me zbatimin e “Paketës së Maleve”, ministri Demo theksoi se procesi ka hyrë në një fazë vendimtare, ndërsa brenda muajit mars priten rastet e para të suksesit në nivel vendor. Ai deklaroi se qeveria pritet të miratojë zonat prioritare për rreth 8 bashki, duke u hapur rrugë më tej trajtimit të aplikimeve nga njësitë vendore. Sipas tij, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave dhe më pas në këshillat bashkiakë, përfituesit do të vijojnë me procedurat përkatëse, përfshirë pajisjen me leje ndërtimi, ndërsa nisma synon të gjenerojë impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik lokal, veçanërisht në sektorin e turizmit.

Sa i përket modernizimit të qeverisjes vendore, Demo u ndal te avancimi i nismave për digjitalizimin e shërbimeve dhe përmirësimin e menaxhimit financiar përmes sistemit AFMIS. Ai bëri të ditur se për AFMIS janë duke u ngritur grupet e punës për zbatimin e këtyre reformave, të cilat synojnë rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët, uljen e kostove dhe përmirësimin e aksesit në shërbimet vendore.

Gjithashtu, ministri theksoi se po punohet për rishikimin e metodologjisë së grantit të performancës për njësitë e qeverisjes vendore, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë ata zvicerianë dhe suedezë. Sipas tij, metodologjia e re për vitin 2026 do të përfshijë si tregues kryesor edhe matjen e cilësisë së shërbimeve të ofruara për qytetarët, duke synuar rritjen e efikasitetit dhe përgjegjshmërisë së pushtetit vendor.

Demo u ndal edhe te Reforma Territoriale, duke nënvizuar se procesi duhet të garantojë transparencë dhe përfshirje të gjerë të qytetarëve dhe grupeve të interesit në çdo fazë. Ai bëri me dije se komisioni i posaçëm është në proces të hartimit të metodologjisë dhe organizimit të seancave dëgjimore, ndërsa nënvizoi rëndësinë e informimit të plotë dhe konsultimit publik. Ministri theksoi se pavarësisht metodologjisë përfundimtare, organizimi i tureve në terren mbetet i domosdoshëm për përfshirjen e aktorëve lokalë dhe për adresimin e sfidave të ardhshme të pushtetit vendor.