Demo: Të ardhurat e bashkive janë trefishuar, performanca vendore afrohet me standardet evropiane
Të ardhurat e bashkive shqiptare janë trefishuar që prej vitit 2015, ndërsa ulja e borxheve dhe rritja e performancës në shërbimet publike po afron njësitë vendore me standardet evropiane.
Gjatë konferencës ku u prezantua sistemi i matjes së performancës së bashkive, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, publikoi bilancin e progresit financiar dhe administrativ të qeverisjes vendore.
Sipas ministrit, të ardhurat nga burimet e veta të bashkive arritën në 44.4 miliardë lekë në vitin 2024, një rritje trefish krahasuar me vitin 2015. Rritje të ndjeshme ka shënuar edhe taksa e pasurisë, e cila është rritur me 84.6%, nga 3.9 miliardë lekë në vitin 2015, në 7.2 miliardë lekë në vitin 2024. Demo e cilësoi këtë si tregues të qartë të administrimit vendor më efikas.
Një tjetër tregues i përmirësimit është ulja e detyrimeve të prapambetura, të cilat kanë zbritur nga 12 miliardë lekë në vitin 2015, në 3.1 miliardë lekë në vitin 2024. Sipas ministrit, kjo tregon një menaxhim më të qëndrueshëm financiar në nivel vendor.
Në fushën e shërbimeve publike, ai veçoi progresin në arsimin parashkollor, ujitje-kullimin dhe menaxhimin e mbetjeve. Mbulimi i kostos së shërbimit të mbetjeve është rritur nga 68% në vitin 2023, në 83% në vitin 2024. Ndërsa, raporti fëmijë-mësues në kopshtet dhe çerdhet publike po afrohet me mesataren e Bashkimit Evropian.
Ministri Demo theksoi se përmirësimet në ofrimin e shërbimeve publike lidhen drejtpërdrejt me decentralizimin dhe reformën territoriale, të cilat kanë krijuar kushte më të mira për menaxhimin e funksioneve vendore.
Një pjesë qendrore e prezantimit ishte Granti Bazuar në Performancë, të cilin Demo e quajti një mekanizëm transformues për pushtetin vendor. Ai theksoi se falë këtij instrumenti, të 61 bashkitë janë tashmë të pajisura me dokumente të plota të planifikimit strategjik, një parakusht i rëndësishëm për aplikimin në fondet evropiane.
Ai bëri me dije se bashkitë që kanë miratuar planet strategjike për menaxhimin e funksioneve përgjatë vitit 2025 do të përfitojnë Grantin e Performancës. Mes bashkive përfituese u përmendën Mati, Librazhdi, Prrenjasi, Puka, Dropulli, Dibra, Kolonja, Fushë-Arrëzi dhe Shijaku, ndërsa bashkitë si Shkodra, Lezha, Selenica, Gjirokastra e Korça rezultojnë se i kishin planet e menaxhimit të funksioneve shumë përpara nisjes së procesit.
Sa i përket fazës së ardhshme të vlerësimit, Demo njoftoi se në vitin 2026 matja e performancës së bashkive do të fokusohet në zbatimin e planeve të miratuara, ndërsa ky mekanizëm do të hyjë me kapacitet të plotë në buxhetin e vitit 2027. Sipas tij, viti 2026 do të shërbejë si një fazë kyçe për të vendosur një model të qëndrueshëm dhe të avancuar të matjes së performancës, duke u bazuar në mësimet e nxjerra nga cikli aktual i vlerësimit.
Ministri bëri të ditur gjithashtu nisjen e bashkëpunimit me INSTAT dhe institucione të tjera për ngritjen e një sistemi të integruar të të dhënave vendore, që do të mundësojë vlerësimin e vazhdueshëm të performancës dhe planifikimin më të saktë në vite.